Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

STALINI: ARI APO ARUSH?

Po lexoj këto ditë A Million Drops, një thriller epik nga Victor del Árbol (titulli origjinal Un millón de gotas). Në një nga linjat e romanit, një inxhinier i ri spanjoll, Elias Gil, komunist dhe simpatizant i revolucionit bolshevik, shkon në Bashkimin Sovjetik në vitet 1930 për të ndihmuar ndërtimin e socializmit si specialist, dhe atje bie në kontakt dhe miqësohet me komunistë  nga vende të tjera të Europës, që gjendeshin në Moskë për arsye të ngjashme.

Njëri prej këtyre, një arkitekt nga Marseja i quajtur Claude, dhe që vazhdonte studimet pasuniversitare në Institutin e Arkitekturës në Moskë, u rrëfen miqve një mbrëmje se si ka pasur fatin të shohë, dikur, Leninin gjatë një mbledhjeje në Vjenë. Thotë Claude:

“Më kujtohet hera e parë kur e pashë Leninin. Ndodhi në Vjenë, para se ai të pësonte goditjen e parë cerebrale. Ishte kulmi i luftës me Ushtrinë e Bardhë dhe fuqitë Europiane, si Anglia dhe Franca, ishin gati për të ndërhyrë, që ta anonin balancën në favor të Carit. Lenini ishte një forcë e natyrës, që po i binte Europës kryq e tërthor, për ta bindur botën se bolshevikët nuk përbënin ndonjë kërcënim Dinastitë e vjetra në Europë dridheshin përballë këtij njeriu të imtë, që kish vendosur ta kthente ëndrrën e Marksit në realitet. Prapa tij, i heshtur dhe i zhytur në mendime, rrinte Stalini. Ne e quajtëm atë Ariu, sepse ish kaq trupmadh dhe kish vetulla kaleshe dhe sy zhbirues. Në atë kohë ende nuk ish sekretar i Partisë, por thjesht një nga udhëheqësit, dhe ndoshta as edhe nga më brilantët.”

Te këto fjalë e ndala leximin. Prej vitesh e kam ditur se Stalini jo vetëm që nuk ka qenë “trupmadh” (1 m 65 cm, sipas të dhënave të policisë cariste dhe ekstrapolimeve të ndryshme), por edhe ka qenë psikologjikisht i kushtëzuar nga shtati i tij i shkurtër (më tej mund të lexoni këtu). Si ta interpretoja këtë “shtrembërim” të së vërtetës në roman?

Umberto Eco-ja ka shkruar për këtë dukuri në rrafshin teorik, për të argumentuar se tekste të tilla – përfshi edhe romanet historike – ndajnë të njëjtin univers me tonin si lexues; në kuptimin që Vaterloja te Manastiri i Parmës i Stendhalit është e njëjta me Vaterlonë reale, ku pësoi disfatë Napoleoni. Çfarë do të thotë që edhe Stalini i këtij romani të Del Árbol-it duhet të jetë i njëjtë me atë realin, atë që njohim prej historiografisë dhe arkivave.

Mirëpo nuk është: sepse njëri ka qenë i shkurtër, ndërsa tjetri i gjatë.

Shpjegimi i parë që më erdhi në mendje, me gjasë më i sakti, është se autori i romanit vetë ka pasur një përfytyrim të gabuar për Stalinin – e ka kujtuar trupmadh, sepse është gënjyer nga statusi i tij (ka ngatërruar statusin me staturën); dhe nuk ka bërë verifikimet e duhura para se të shkruajë.

Mirëpo një autori që nuk e di se Stalini ka qenë relativisht i shkurtër (dhe me një gjymtim të lehtë fizik në dorën e majtë) i ulet besueshmëria në sy të lexuesit; sidomos sa u përket kapitujve të romanit që zhvillohen në Bashkimin Sovjetik.

Shpjegimi i dytë do të ishte se Claude-i, personazhi që e rrëfen këtë histori, po gënjen, sepse është mitoman ose kërkon të fitojë besimin e miqve të vet ose mbase ashtu i është dukur Stalini vërtet; dhe se në fakt nuk e ka parë kurrë Stalinin live. Ky shpjegim spekulativ nuk gjen mbështetje në natyrën e Claude-it si personazh dhe as në fatin e tij të mëtejshëm – meqë ky nuk zbulohet gjëkundi si provokator ose mashtrues.

Prandaj do të kthehemi, sepse jemi të detyruar të kthehemi, te shpjegimi i parë, pa çka se ky kërkon të pranojmë transferimin e kompetencës enciklopedike nga autori te personazhi; dhe të pranojmë që kur një personazh ofron informacion të rremë, pa arsye narrative ose psikologjike, atëherë “përgjegjësia” për këtë shkarje i mbetet autorit.

Dhe këtu unë do të pyesja: a mund t’i besoj më tej këtij autori dhe ta vazhdoj së lexuari romanin? Gjithë duke e pasur të qartë që ky nuk është libër për Stalinin dhe as për perceptimin e figurës së tij nga bashkëkohësit, sërish nuk e pranoj dot lehtë, që Stalini i shkurtër i realitetit të shndërrohet në një “trupmadh”, madje aq sa ta quajnë “Ariu.”

Madje, në mëdyshje pas këtij pasazhi, fillova të intrigohem edhe për këtë vizitë të Leninit në Vjenë, pas revolucionit të Tetorit, për të cilën rrëfen Claude: a ka ndodhur vërtet? Një shfletim i shpejtë i biografisë së Leninit nga Robert Service, më tregon se, pas fitores së revolucionit, Lenini pat dalë nga Rusia (dhe më pas Bashkimi Sovjetik) vetëm një herë, për të shkuar te një sanatorium në Finlandë – nëse kjo mund të quhet vërtet dalje: Finlanda sapo kish shpallur pavarësinë nga Rusia, në 27 janar 1918. Por nuk gjej gjëkundi gjurmë të një udhëtimi në Vjenë gjatë këtyre viteve, dhe aq më pak “duke i rënë Europës kryq e tërthor, për ta bindur botën se bolshevikët nuk përbënin ndonjë kërcënim,” siç thotë Del Árbol, me gojën e Claude-it.

E megjithatë, ky gabim – një udhëtim i Leninit në Europë që s’i përgjigjet realitetit – nëse është vërtet gabim, më duket më i gëlltitshëm se transformimi fizik i Stalinit: tek e fundit, Lenini edhe mund të kish shkuar në Vjenë, por Stalini nuk e ndryshonte dot shtatin. Për arsye të ngjashme, mund të pranojmë që Lenini ka shkuar në Vjenë dikur në 1918, por jo që Lenini nuk ka pasur mjekër.[1]

Këtu mund të ngrihet dikush dhe të thotë: në një botë ku Stalini është trupmadh, edhe Lenini lider i shtetit sovjetik mund të shkojë në Vjenë nëse e sheh të udhës – çfarë do ta shndërronte problemin narrativ në një problem të logjikës. Kush ka studiuar logjikë në universitet, do ta ketë ndeshur shembullin e Bertrand Russell-it për fjali gramatikisht korrekte, por pa kuptim: “Mbreti i tanishëm i Francës është tullac.” Ka studiues që këtë shembull nuk e quajnë pa kuptim, as të pavërtetë, por “letërsi.”

Tani, unë këtë e mendoj kështu: një roman historik zakonisht kombinon të vërteta historike dhe sajime të autorit: beteja e Vaterlosë është e vërtetë, por Fabrizio del Dongo është krijesë e Stendhalit. Parisi është qytet real, por Rastignac-u është personazh i Balzakut. E kështu me radhë. Që narrativa – pjesa e sajuar – të funksionojë mirë si narrativë duhet të jetë e harmonizuar me pjesën historike; në kuptimin që një roman ku flitet për Luigjin XVI nga lindja deri në vdekje, është njëfarësoj i detyruar ta përmendë edhe gijotinën – sepse përndryshe lexuesi i informuar do të pyesë: pse e ka lënë autori jashtë?

Në kuptimin që lexuesi mesatarisht i informuar pret që edhe autori i tekstit të jetë mesatarisht i informuar.

Prandaj, te një roman si ky i Del Árbol-it, ku ngjarjet – një pjesë e ngjarjeve – zhvillohen në Bashkimin Sovjetik të kohës së Stalinit, pritet që portreti fizik i Stalinit t’i përgjigjet realitetit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë lexuesi ka të drejtë të ndihet i mashtruar; edhe pse askush nuk e ka mashtruar. Ose më mirë: besimi i tij tek autori e ka mashtruar.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.


[1] Mund të ketë edhe një gabim të tretë, faktik, te pasazhi nga romani, i cituar më lart: Të Bardhët në Rusi vërtet luftonin për restaurimin e monarkisë, por Car Nikolla ishte i internuar tashmë në Ekaterinburg dhe do të ekzekutohej, me gjithë familjen, prej bolshevikëve në 16 korrik 1918. Një nga arsyet e ekzekutimit ishte që të mos lejohej Cari dhe familja e tij të liroheshin nga forcat anti-bolshevike, që po i afroheshin qytetit. Por le të mos kërkojmë qimen në vezë.

9 Komente

      1. Mu duk shume I shkurter Stalini 1.65 dhe thashe kushedi sa do te kete qene Lenini. Keshtu qe klikova per fotografite dhe e para qe me ra ne sy e qe mu duk e besueshme ishte ajo ku kane dale ne kembe bashke Stalini , Trumani dhe Curcilli . Stalini dhe Curcilli jane ne te njejten lartesi. Me pas doli nje document ne rusisht me tre foto te Stalinit ne moshe te re. Contributor: GL Archive / Alamy Stock Photo.
        https://www.alamy.com/stock-photo-stalin-joseph-stalin-from-files-of-tsarist-secret-police-118147364.html?

        cliko tek fotografite blac&white kerko per stalinin dhe mesiguri do ta gjesh

        1. Burimet që kam parë unë para se të shkruaja (ose kur po bëja detyrat e shtëpisë) e cilësojnë si 5’5”, ose 1.65 e shumta.

          Për shembull ky:

          https://www.theguardian.com/news/datablog/2011/oct/18/world-leader-heights-tall

          Ja edhe një pohim që nuk lë shumë shteg për debat:

          The general consensus among historians seems to be that Stalin was about 5 foot 5 tall (165 cm).

          (https://historyofrussia.org/joseph-stalin-height/)

          Ky burim ka shumë informacion, por duhet marrë me doreza:

          https://www.reddit.com/r/todayilearned/comments/1dfqiy/til_joseph_stalin_was_only_54_160_cm_and_truman/

          Edhe këtu:

          https://www.thevintagenews.com/2015/07/30/10-facts-you-didnt-know-about-stalin/

          Although Stalin seemed larger than life, he was only 5 feet 5 inches tall. President Truman called him a “little squirt”, although presumably not to his face

          Ose:

          https://wikiheights.com/how-tall-is-joseph-stalin/

          Për foton e përbashkët me Roosevelt-in dhe Churchill-in, kanë thënë se Stalini mbante platforma në çizme (pak a shumë si Sarkozy).

          Ka edhe një dëshmi personale të Stalinit (të cilën e kam gjetur te Biografia e Stalinit, nga Robert Service) dhe ku thuhet se, kur u takua ky për herë të parë me Leninin në 1905, u habit që Lenini nuk ishte ndonjë gjigand, por po aq i gjatë sa edhe ai vetë.

          Në përgjithësi, Stalini pranohet që të ketë qenë 1.63-1.65 m i gjatë. Pak a shumë sa Lenini.

  1. Eshte po i njejti diskutim qe akoma nuk e kemi zgjidh mbas 20 vjet midis mitizues apo çmitizues.
    Ekzistojne dy Stalina: Stalini historik qe eshte 164 cm i gjate, dhe Stalini mitik qe eshte 184 cm i gjate, dmth 20 cm me i gjate se Stalini historik.

    Per 20 cm stalin (hitler, napoleon, jezu etj) jane duke lene lesht gjithe historianet e te gjithe gjatesive dhe naltesive.

  2. Edhe kur shkruan se “Stalini ne ate kohe ishte thjesht një nga udhëheqësit, dhe ndoshta as edhe nga më brilantët”, autori i romanit e ka gabim. Stalini ka qene në peseçe (Lenini, Stalini, Trocki, Zinovievi, Kamenevi), politbyroja qe dilte permes votes nga Kongresi i partise.

    Ajo qe me ben pershtypje sa here bie fjala per gjeorgjianin trupshkurter, eshte fakti qe asnjehere nuk permendet teoria e “Ndertimit te socializmit ne nje vend te vetem” (1924-1925), ide kryesore e tija permes te ciles arriti te mbaje pushtetin po ashtu me voten e kongresisteve te partise (Trocki ka qene kunder, prej nga dhe në minoritet : https://en.wikipedia.org/wiki/Socialism_in_One_Country#Joseph_Stalin

    1. Nese romani e ka fjalen per kohet e revolucionit, atehere udheheqesi vertet brillant ishte Trockij, biles si strateg ushtarak, flitet per konflikt i armatuasur, ishte me brillant se Lenini, sepse poziten e udheheqjes te Ushtrise se Kuqe e mbante Trockij duke i rene kryq e terthor Rusise me tren te blinduar. Edhe ne kuptimin si rafinim intelektual Trockij ishte shume me brillant se Stalini dhe Lenini.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin