PËR NJË ÇAPË BUKË

Gjatë totalitarizmit fjala “oportunist” tingëllonte si akuzë për burgim shumëvjeçar. Për shkak të ngjyresës që kishte marrë, rrallë herë përdorej jashtë kontekstit politik. Në fakt, fjalori i vjetër i shqipes konsideronte oportunist “atë që është i lëkundshëm dhe i pavendosur, që tradhëton marksizëm-leninizmin dhe ndjek rrugën e pajtimit dhe të bashkëpunimit klasor me borgjezinë, që përçon ideologjinë borgjeze në lëvizjen punëtore…”. Edhe në kuptimin më “laik” të fjalës, ngjyresat negative linin shtigje të mundshme referimi përtej sferës psikologjike: “ai që nuk është parimor, ai që bën lëshime për të mos u prishur me të tjerët…”.

Nga lartësitë e sotme është e lehtë të buzëqeshësh, po aq sa të kuptosh se vetëm përkufizimi i dytë mund t’i përshtatet pjesërisht kohërave moderne që po jetojmë. Oportunizmi në atë kohë funksiononte më shumë si etiketë, në çastin e formulimit të akuzës, sesa si mënyrë të qeni. Të njiheshe si oportunist nënkuptonte automatikisht hedhjen e hekurave në vend; e megjithatë, në praktikë, të gjithë ishin oportunistë, në kuptimin që e quanin oportune (të duhur) të respektonin vijën e shënuar nga Partia. Përndryshe fundi dihej.

Edhe sot, fjala oportunist ka konotacion negativ, pavarësisht se askush nuk rrezikon të shkojë në Spaç për oportunizëm. Po ta përditësonim fjalorin tonë politik me përkufizime moderne, do të thoshim se oportunist është ai që për interesa personale nuk respekton parimet dhe moralin. A ka të tillë aktualisht në klasën tonë politike? Apo është më e lehtë të pyesim: a ka vallë jo oportunistë në politikën shqiptare? Sidoqoftë, me ironi ose pa ironi, duhet pranuar se oportunizmi i djeshëm ngjason thelbësisht me të sotmin, të paktën në planin e justifikimit social. Dje duhet të respektoje një më një parimet që vinin nga lart se të ikte koka, sot duhet ta vësh në punë artin oportunist për të mbijetuar politikisht.

Oportunizmi ka një përmasë individuale që i shkon për shtat kulturës dominante në Shqipëri. Në qoftë se oportunizmi lind gjatë krizave dhe tranzicionit, duhet pranuar se si dukuri duhet të jetë mjaft e përhapur në vendin tonë, meqë tranzicioni është emërtimi më i mirë i periudhës postotalitare. Nga ana tjetër, në kuadrin e një krize të rëndë ekonomike, politika ka qenë një nga punëdhënësit kryesorë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo. Është e vështirë të akuzosh dikë që gëlltit qëndrime të papranueshme për etikën e vet, në kushtet kur i duhet të firmosë një borderò çfarëdo për të mbijetuar. Vetë kultura politike shqiptare, duke mos e pranuar mendimin ndryshe, sidomos brenda grupimeve përkatëse, e ka stimuluar oportunizmin brenda sferës së vet.

Mekanizmat që rregullojnë sot pjesëmarrjen në politikë bazohen në kooptimin e anëtarëve, çka e nxit më tej oportunizmin, meqë përfaqësimi nuk buron nga poshtë, d.m.th. nga shoqëria. Hidhini një sy politikanëve shqiptarë. Pak prej tyre e kanë filluar karrierën nga poshtë, të zgjedhur fillimisht në degën partiake të fshatin X ose qytetit Y. E më pas t’i kenë ngjitur shkallët e karrierës drejt postit ministror falë votave të bazës. Instinkti i mbijetesës i thotë politikanit shqiptar që të mos ta prishë me shefin, sepse emërimi varet direkt nga lart.

Jo vetëm liderizmi, por vetë pesha specifike e politikës në Shqipëri, krijon një mjedis ideal për oportunizmin. Ende sot ekonomia varet nga politika, meqë e para nuk e sheh dot veten jashtë tenderëve dhe gjithsesi nuk e ka autonominë e duhur, pasi vetë kuadri institucional është i lëngshëm, pa pika referimi të qëndrueshme.

Politika shqiptare e viteve të fundit ka lundruar përherë mes dallgësh të jashtëzakonshme. Madje në ndonjë rast, si në vitin 1997, ka pësuar dëmet e një tsunami të vërtetë. Kjo ka bërë që oportunizmi të luante rolin e brezit të shpëtimit (salvaxhentes) për shumë politikanë dhe funksionarë të shtetit shqiptar. Për më tepër shoqëria shqiptare në demokraci nuk ka krijuar valvula të tjera për ata që duan të arrijnë një status social të nderuar. Prestigji i politikës, pompuar kryesisht nga mediat, përveçse tradicionalisht i themeltë, është rritur përpjesëtimisht me uljen e prestigjit të figurave të tjera sociale si mësuesit, profesorët, gazetarët, intelektualët në përgjithësi. “Çuditërisht” inflacioni ka goditur vetëm disa figura profesionale, ndërkohë që politikanët, biznesmenët, apo bodigardët dora vetë, janë shndërruar në status symbol.

Është e vërtetë se elitat veprojnë shpeshherë për inerci, qoftë kur duan të ruajnë status quo-në, qoftë kur duan të përqafojnë zhvillimet e reja. Mirëpo sot në Shqipëri është e vështirë ta përkufizosh konceptin e elitës, meqë e vjetra bashkëjeton me të renë në mënyrë kaotike, pa parametrat minimale të homogjenitetit, ndërkohë që e reja (nëse mund të flitet për një të tillë) ende nuk është e ndërgjegjshme për rolin e saj në shoqëri.

Oportunizmi mund të shfaqet edhe me reagime në pamje të parë të kundërta me të. Disa rebelime, kryeneçësi, protesta, vota kundër, përplasje dyersh, etj. nuk janë gjë tjetër veçse shprehje të humbjes së ekuilibrit që oportunizmi kishte siguruar deri në një pikë të caktuar.

Rreziku kryesor i oportunizmit në politikën shqiptare qëndron në aftësinë e tij për të krijuar një rreth vicioz pervers për shoqërinë. Me apatinë e tij, oportunizmi shndërrohet dalëngadalë në karburant për kriza të mëtejshme, ndërkohë që krizat nga ana e tyre riprodhojnë oportunizëm me shumicë, në atë masë që pjellin vështirësi. Si të thuash, nuk ia kishim nevojën një rrethi tjetër vicioz. Mendtë po na merren edhe kështu siç jemi.

1 Comment

Comments are closed.