Ilir Baçi pyeste kolegët, në Facebook, nëse është profesionalisht e lejueshme dhe deri në ç’masë që të përkthesh nga një gjuhë që nuk e njeh mirë.
Më erdhi menjëherë në mendje vëllimi Cathay, një përkthim i mirënjohur i 19 poezive të lashta kineze, të periudhës nga shek. 11 p.e.s. në shekullin 4 e.s., nga poeti modernist amerikan Ezra Pound.
Sikurse dihet, Pound-i u mbështet, për këtë përkthim nga një gjuhë për të aso kohe të panjohur si kinezishtja, në shënimet e orientalistit amerikan Ernest Fenollosa.
Fenollosa, nga ana e vet, nuk e zotëronte kinezishten mirë dhe ish ndihmuar prej mësuesit të tij japonez.
Filologët dhe tekstologët kanë gjetur një numër gabimesh në përkthimin e Pound-it, disa prej të cilave të trashëguara nga Fenollosa.
Disa prej tyre madje kanë vënë në dukje se edhe Pound-i, edhe Fenollosa, e patën kuptuar krejtësisht gabim natyrën e sistemit shkrimor të kinezishtes, madje deri atje sa Pound-i të besonte se ideografia kineze ishte aq e tejdukshme piktografikisht (në krahasim me shkrimin “alfabetik”) sa shenjat të mund të deshifroheshin pa e ditur fare gjuhën – çfarë do t’i bënte të krahasueshme me emotikonat e sotme ose shenjat ideografike në aeroporte dhe në metro.
Dijetari dhe sinologu belg Simon Leys vëren se, sidoqë Pound-i kish një ide të gabuar për kinezishten, gabimi i tij rezultoi tejet stimulues dhe pjellor, sepse bazohej në një intuicion të rëndësishëm dhe të saktë: ai pat vënë re se një poemë në kinezishte nuk artikulohet në mënyrë diskursive të vijueshme, por konsiston në pranëvënien e një serie imazhesh diskrete (si të ishte film).
Në çdo rast, orvatja e Pound-it pati sukses, aq sa e bëri T.S. Eliot të shkruajë, në një ese të vitit 1928, se “Mund të thuhet se poezia kineze, siç e njohim sot, është diçka e shpikur nga Ezra Pound-i.”
Kritikët kanë vënë në dukje, më se një herë, se poezitë e përkthyera prej Pound-it tingëllojnë shumë më fluide se ato të përkthyesve kompetentë, që e njohin poezinë kineze në majë të gishtave.
Kjo ngaqë Pound-i vetë ishte poet dhe kish një ndjeshmëri të shkëlqyer për gjuhën e vet, anglishten.
Kritiku letrar amerikan Steven Yao ka shkruar se Pound-i e pat përdorur njohjen e vet të pakët të kinezishtes si një lloj licence, që i jepte dorë për t’i interpretuar shenjat e asaj gjuhe siç dëshironte.
Ndërsa një tjetër krahasues i cilësuar, Wai-lim Yip, këtë herë kinez mirëfilli, ka vërejtur se në “përkthimet” e veta, Pound-i ka arritur ta përcjellë frymën e origjinalit, pavarësisht nga gabimet e shumta në detajet.
Vështirë që rruga e ndjekur nga modernisti amerikan mund t’u rekomandohet lirisht përkthyesve profesionistë – por ndoshta rikrijimi është mënyra më besnike për të përkthyer të papërkthyeshmen.
Këtu duhet kujtuar një thënie e Robert Frost-it: poezia është ajo çfarë humbet gjatë përkthimit.
Aq më e vërtetë tingëllon kjo për kultura të largëta mes tyre, si ajo kineze përballë asaj europiane; të cilat shpesh janë të pabashkëmatshme, dhe jo vetëm në metrikë dhe në ritëm.
Prandaj dilema mund të formulohet kështu: çfarë do të preferojmë nga një përkthim i këtij lloji – efektin letrar (artistik) optimal, apo besnikërinë? Duke pranuar se të dyja këto është praktikisht e pamundur të arrihen njëherësh, zgjedhja do të varet nga çfarë qëllimi i kemi vënë përkthimit: filologjik, apo estetik?
© 2018, Peizazhe të fjalës
Bibliografi:
- Eberlein, Xujun, Ezra Pound’s Translation of Ancient Chinese Poetry
- Cathay (poetry collection)
- Fenollosa, Pound and the Chinese Character
- Wang, John C., Ezra Pound as a Translator of Classical Chinese Poetry.
- R. John Williams, Modernist Scandals: Ezra Pound’s Translations of ‘the’ Chinese Poem
- Simon Leys, “Poetry and Painting”, në vëllimin The Hall of Uselessness, Collected Essays, nyrb 2011-2013, f. 335.
Nuk ka mundesi qe nje tekst i Adrianit te anashkalohet. Faleminderit perhere.
Lista e përkthyesve (të poezisë) që kanë përkthyer pa e njohur origjinalin është e gjatë, me në krye Vincenzo Monti-n, që e përktheu “Iliadën” pa e ditur greqishten e vjetër (mori për bazë përkthimet e deriatëhershme në latinisht dhe italisht dhe shpjegimet që i jepte një refugjat grek, Andrea Mustoksidis). Një monument i gjuhës italiane. Për ta semplifikuar problemin që një poet të përkthejë mjafton të dijë mirë vetëm një gjuhë, të vetën. Sigurisht filologët dhe studiuesit e mendojnë ndryshe. Por përkthimi (i poezisë) do subjektivitet dhe nganjëherë ndikojnë shkaqe që mund të ngjajnë dytësore: kush është publiku që do ta lexojë, a do të botohet edhe origjinali përkrah (e rëndësishme kjo për gjuhët vehikolare, për shqiptarët do të fusja ndër to edhe italishten e, deridiku, rusishten, se kinezishten supozohet që s’e lexon dot kush).
Meqenëse përkthimi nuk merret vetëm me letërsinë, por ka edhe përkthime teknike, do të sjell një shembull tjetër përkthimi, ngahera i diskutuar dhe që ka shërbyer, në disa raste, si “the mother” e përkthimit: përkthimi i Biblës. Kam tani në dorë një frazë nga Urtësia e Jezu Ben Sirah (një nga librat deuterokanonikë të Dhjatës së Vjetër), kap. 50, vargjet 27-29, që thotë: “Mësim urtësie dhe njohjeje kam shkruar në këtë libër unë, Jezui, i biri i Sirah Eleazarit nga Jerusalemi. Urtësia buroi nga zemra ime. Lumur qoftë kush do të merret me këto që shkruaj dhe ai që do të urtohet kur t’i vendosë në zemrën e tij. Po t’i zbatojë, do të jetë i fortë në gjithçka, sepse drita e Zotit do të jetë shtegu i tij.” Gjuha e tekstit burimor është greqishtja e Afrikës së Veriut, e kultivuar, por jo në shkallën e klasikëve. Kultura që haset në tekst është ajo e judenjve të diasporës, të edukuar sa me hebraishten dhe judaizmin, aq edhe me greqishten dhe politeizmin (paçka se jo domosdo Jezu Ben Sirah duhej të ishte politeist). Greqishtja bart shpesh ndikime nga hebraishtja, me fjalët e zakonshme “qiell”, “erë”, “komb” nënkupton edhe “Zoti”, “fryma e Zotit”, “jo hebrenjtë / armiqtë”. Do të ishte shumë interesant një përkthim i Biblës, të plotë apo të pjesshme, duke punuar me metodën e Pound-it. Vallë, në fund, do kishim një Bibël, apo diçka tjetër?
Ngado që ta kthejmë, në rastin e disa teksteve, pa një gërshetim të përkthimit filologjik me atë estetik dhe njohurive kulturore, të gjuhës në kohën e autorit dhe mjedisit të tij, nuk mund të kemi përkthim, por një variant paralel të tekstit mëmë. Gjenialiteti i përkthyesit nuk mbetet dot gjithmonë garant i një përkthimi, me gjithë kuptimet që bart fjala. Uroj që “drita e Tekstit” të jetë shtegu i përkthyesit!
Sokol, versionet biblike kane qene gjithmone ato me te diskutuarat ne historine e perkthimeve. Ketu nuk ben perjashtim as origjinali greqisht i Dhjates se Re.
Shembulli i fundit: Papa Francesku para nje muaji gjeti nje gabim perkthimi a interpretimi jo ne nje pjese dosido te Bibles, por mu ne lutjen “Ati Yne”, pra ne fjalet e vete Jezuit, ne pasazhin. “mos na shty ne ngasje”. Sipas Papes, gabimi qendron pikerisht ne origjinalin greqisht i cili do te jete nje interpretim i gabuar i fjaleve qe Jezui shqiptoi jo ne greqisht, por ne gjuhen e tij amtare semite. Sepse ne driten e pasazheve te tjera biblike dhe ne frymen e gjithe bibles, nuk eshte Zoti qe na “shtyn” ne ngasje a ne mekat, por djalli. Prandaj Papa vendosi ta ndryshoje kete pasazh ne “mos na ler te biem ne ngasje”.
Nje gabim tjeter ka te beje me “gamilen qe hyn ne vrimen e gjilperes”. Kam lexuar qe fjala “gamile” eshte nje perkthim i gabuar i origjinalit semit “litar” i cili qenkesh shume i afert fonetikisht me “gamile”.
Nje tjeter interpretim te gabuar e gjeti poeti italian Salvatore Quasimodo ne pasazhin nga ungjilli i Gjonit qe ne greqisht eshte: ἰδοὺ ὁ ἄνθρωπος, ndersa Shen Jeronimi e perktheu latinisht “Ecce Homo” (ja njeriu). Sipas interpretimit tradicional, keto fjale i thote Pilati kur i tregon turmes Jezuin me kurore gjembash ne koke. Ndersa sipas Quasimodo-s, qe ishte nje njohes i shkelqyer i greqishtes se vjeter dhe i tekstit biblik, keto fjale i thote vete Jezui duke iu referuar vetvetes, pra thote “ja tek jam”. Keta shembuj per te mbetur vetem ne Dhjaten e Re, sepse rastet e diskutuara nga Dhjata e Vjeter jane me qindra.
Nuk desha të zgjerohem në enciklopedizma, se nuk janë të domosdoshme shembujt. Nga e përgjithshmja shkova tek e përveçjma, me qëllim që të kthehesha përsëri tek e përgjithshmja: teksti qoftë drita e përkthyesit. Janë një mori mjetesh gjuhësore, kulturore, historike edhe financiare që të çojnë atje.
Papa Françesku nuk ndryshoi pasazhin, nuk më duket se është kështu. Papa komentoi mbi një frazë që diskutohet prej kohësh, si edhe të tjera fraza në Bibël. Versionet protestante të Biblës (si Contemporary English Version) e kanë bërë këtë ndryshim (edhe të tjera, madje, tek lutja Zotërore ka dy ndryshime të ndodhura historikisht) me kohë dhe pa zhurmë.
Kam edhe unë një shembull përkthimi teknik (interpret). E rrëfen Eugen Dollmann, përkthyes i Hitlerit. Dinte italisht shkëlqyeshëm. E thërrasin, punë 10 minutash i thanë, të përkthente në konseguencë një përshëndetje të shkurtër që Hitleri do t’i bënte një delegacioni të rinisë fashiste. Vetëm se Hitlerit, si zakonisht, i iku truri dhe foli papushim për… 50 minuta. Në intervistën e tij dhënë në vitet ’50 Dollmann rrëfen se pas 5 minutave të para e humbi fillin krejt. Hitleri mbaroi dhe vështrimet u kthyen nga ai. Për 50 minuta Dollmann-i foli diçka që i ngjante fjalimit të Hitlerit që u prit me një entuziazëm të papërshkruar nga të rinjtë italianë. Po themi që i hyri në shpirt gjithë muhabetit që molloisi Hitleri. Sigurisht, nga ana etike mund të quhet e dënueshme, por e bëri edhe të shpëtonte kokën, ama.
Kam përshtypjen se shumica e përkthyesve (në mos të gjithë) kur i kthehen përkthimeve të tyre të mëparshme gjejnë gjithmonë diçka për të korrigjuar. Diku një fjalë “kërcet” kur e dëgjon tekstin të lexuar edhe pse e shkruar mund të duket se rri mirë, diku një strukturë fjalie mund të përmirësohet, ca më tej, syrit tënd dhe të redaktorit i ka shpëtuar ndonjë shenjë pikësimi vendosur aty ku s’duhet…
Për shkrimin e mësipërm kam një pyetje që lidhet me fjalën “kinezisht”. Përse kinezisht?
Në shqip ne themi anglez, suedez, portugez. Janë të tre emra që mbarojnë me -ez, njëlloj si emri kinez.
Ndërkohë, kur i referohemi gjuhës që flitet në Angli, Suedi, apo Finlandë, themi anglisht, suedisht, finlandisht.
Imagjinoni sikur të përdornim të njëjtin “kalk” përkthimor si në rastin e kinezishtes.
Do të duhej të thonim se në Angli flitet anglezisht, në Suedi suedezisht dhe në Finlandë finlandezisht.
A nuk do ishte më e saktë të thuhet kinisht dhe jo kinezisht?
Është plotësisht e vërtetë. Në përvojën time si përkthyes (më tepër i poezisë) përpiqem t’i shmang tekstet e përkthyera njëherë. Kur kjo ndodh, korrigjoj vetëm pasaktësi vistoze (po të ketë). Përndryshe, zgjedhjen e fjalëve dhe të sintaksës nuk e vë kurrë në dyshim, sepse nuk më kujtohen më shkaqet pse kam arsyetuar kështu herën e parë (supozohet që kanë kaluar vite). Kam pasur arsyet e mia, me një fjalë, që nuk është më vendi t’i vë në dyshim: sepse është e pamundur të zhytesh përsëri nga e para në frymën e veprës që e ke përkthyer njëherë. Me shpresë që nuk është arsyeja e mosarsyes.
I kam lexuar disa nga përkthimet tuaja dhe ajo që më ka lënë mbresë është qëmtimi i kujdesshëm i fjalëve dhe mjeshtëria në rikrijimin e melodisë së vargut. Ju përshëndes.
Dhe si për ta vërtetuar që në një lexim i dytë gjen gjithmonë diçka për të korrigjuar, po shoh se tej komenti im i mësipërm kam vendosur gabimisht “portugez”, në vend të “finlandez”.