Një shkrim të Artan Fugës – Pse duhen rishikuar ato që na kanë mësuar për Skënderbeun – e kishin kopjuar sot disa media njëherësh madje me ngazëllim, siç po ndodh tani zakonisht.
Gjesti merr edhe më shumë domethënie, po të kemi parasysh se kemi hyrë në atë fazë të kalendarit që qeveria në Shqipëri e ka shpallur “vitin e Skënderbeut.”
Fuga thotë shumë gjëra në shkrim, për Skënderbeun dhe jo vetëm. Këtu do të ndalem vetëm në atë pjesë që i referohet kontekstit kulturor ku vepronte heroi ynë kombëtar.
Shkruan Fuga:
Gjergji i madh është produkt i një kulture që gëlonte në tokat arbërore. Kur prifti Pal Engjëlli thoshte në shqip formulën e pagëzimit në Durrës, kjo nuk është një çështje thjesht linguistike sikurse e kanë trajtuar. Eshtë e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore. E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? Do të thotë se ajo gjuhë ka arritur majat e institucionalizimit të saj. Eshtë një gjuhë kombëtare pavarësisht sesa është e zgjeruar gjeografikisht.
Për ta përmbledhur, Fuga e lidh shfaqjen dhe gjurmët e Skënderbeut në histori me dokumentin e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit[1], e cila nuk qenka “një çështje thjesht linguistike sikurse e kanë trajtuar” por “e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore”. Për këtë arsye, Fuga i këshillon edhe “albanistezologët” të lexojnë.
Po çfarë është Formula e Pagëzimit? Është një shprehje e shkurtër në gjuhën shqipe, e vitit 1462, e shkruar me dorë nga kryeipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli te një relacion për gjendjen e organizimit të Kishës në disa vise të kryedioqezës së Durrësit. Dhe pikërisht, meqë në disa fshatra të dioqezës banorët nuk e thërrisnin dot menjëherë priftin, ekzistonte rreziku që një foshnje e sëmurë të vdiste pa qenë e pagëzuar. Në këto rrethana, Pal Engjëlli pat lejuar që fëmija të pagëzohej edhe nga një prind a banor tjetër, me anë të një formule në gjuhën shqipe (Unte‘ paghesont pr‘emenit Atit et birit et spertit senit), e cila përndryshe nuk ishte gjuhë liturgjike e fesë katolike. Këtë udhëzim Pal Engjëlli e shtoi te një letër pastorale drejtuar priftërinjve të famullive, të cilët mund t’ua përcillnin pastaj banorëve të zonës.
Nëse kjo është apo jo “e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore” siç shprehet Fuga, unë nuk e di. Por mund ta them me një farë sigurie se rëndësia e kësaj formule është aksidentale, në kuptimin që është dokumenti i parë i shqipes së shkruar që kemi; por jo doemos dokumenti i parë i shqipes së shkruar. Fati i formulës është që u mbijetoi shkatërrimeve të luftës dhe të pushtimit osman dhe që u zbulua shekuj më pas.
Sa për pyetjen e Fugës, gjithnjë në lidhje me Pal Engjëllin:
E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? Do të thotë se ajo gjuhë ka arritur majat e institucionalizimit të saj.
Më duhet të sqaroj se formula shqipe e Pal Engjëllit nuk ishte destinuar për t’u shqiptuar në kishë; dhe se në kohën e Pal Engjëllit (në shekullin XV) Vatikani ende nuk do ta lejonte përdorimin e shqipes (të vernakularit) në shërbesat fetare. Kjo do të ndodhte vetëm më vonë dhe në rrethana të tjera – si pasojë e Kundërreformës dhe të kërcënimit që i vinte Kishës Katolike në Ballkan prej pushtimit osman.
Prandaj nuk ka kuptim ta lidhësh formulën e Pal Engjëllit, thjesht utilitare dhe të menduar për situata të skajshme (rreziku që një foshnje të vdiste pa u pagëzuar), me “institucionalizimin” e shqipes dhe aq më tepër me “majat e institucionalizimit.” Madje si zor që kryeipeshkvi i Durrësit ta ka thënë ndonjëherë vetë këtë formulë në shqipe – siç e pohon Fuga; dhe aq më pak ta ketë bërë këtë “në Durrës.”
Çështja nuk është thjesht linguistike; por ka të bëjë me praktikat liturgjike dhe nuk është doemos e lidhur me zgjimin e vetëdijes kombëtare në Arbërinë e shekullit XV. Autori flet në shkrim edhe për “një kulturë të fuqishme vendëse që lulëzonte në qytete si Durrësi”, çfarë nuk është për t’u përjashtuar; por Formula e Pagëzimit nuk ka lidhje me këtë, aq më tepër që shenjat e lulëzimit të kulturës arbërore në Durrësin zotërim venecian të shekullit XV nuk është se janë kaq evidente (të paktën unë nuk i njoh). Për më tepër, roli i Durrësit në gjakimin e Kastriotit dhe gjatë çerekshekullit të luftrave të tij me osmanët më duket i dorës së dytë.
U ula të shkruaj për çfarë e konsideroj gabim të Fugës ngaqë jemi duke hyrë në “vitin e Skënderbeut”, dhe rreziku që publiku të shurdhohet me hiperbola dhe bombast po duket real; madje më real se ç’mund të tolerohet. Kam frikë se këshillën që ua jep autori “albanistezologëve (?)” më duhet se duhej t’ia kish drejtuar vetes: informacioni për formulën e Pagëzimit është gjerësisht në dispozicion. Pak vullnet i mirë dhe modesti do të kish mjaftuar.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.
[1] Datimi i Formulës së Pagëzimit është kundërshtuar seriozisht tani së fundi, me argumente edhe filologjike, edhe historike edhe gjuhësore (fonetike).
Ju pergezoj per shkrimin.
Linku te shenimi 1 nuk me hapet. Eshte vetem problem nga kompjuteri im? Jam shume kureshtare per ta lexuar kete punimin filologjik per Formulen e Pagezimit.
Falemnderit, Teuta. Linkut i mungonte një h në krye. Tani e ndreqa më duket.
Duhet shtuar një h përpara ttps…
https://sq.albanianews.it/kulture/1516-formula-e-pagezimit-fakte-historike-nga-ilia-karanxha
Edhe sikur te ishim perballe te dhenes me te madhe te antropologjise, gjithe substrati kulturor qe sherben si truall i nje ideologjie (gjuhesore / kombetare / identitetare) mungon. Kemi Rilindje italiane apo evropiane sepse ka tekste, shkolla, rrahje mendimi te shkruar, laborator mendimi, zinxhir ngjarjesh. Ne truallin arberor nuk provohet se ka pasur. Nuk ka arsye ta mohojme, por me qendresen e Kastriotit nuk e vertetojme dot. Ku e gjeti forcen Gjergji? Nuk e di, por po perpiqem te kuptoj ku e gjeti Neveri, qe i beri qendrese imperializmit revizionist me gjate se Skenderbeu osmaneve: jo domosdo gjithmone dhe kudo ndodh nje dukuri klasike.
Vete teksti i Pal Engjellit sqaron: ne rast NEVOJE pagezimi te behet edhe shqip nga cdo person qe ndodhet aty. Ky lloj pagezimi eshte i keshilluar te kryhet gjithmone kur foshnja rrezikon te vdese, madje edhe sot mund te kryhet nga kushdo. Por vetem si perjashtim, jo si rregull. Formula e pagezimit (deri edhe emertimi eshte gabim, se nuk eshte “formule”, por nje deklarate liturgjike si shume te tjera) eshte vetem nje pjese e gjithe ceremonise. Krijohet ideja sikur pagezimi eshte sakramenti me i rendesishem, kur nuk eshte. Po sakramentet e tjera? Sakramentet ne ate kohe ishin 4-5 (sot 7). Me ngjan sikur Akademik Fuga kerkon te trondise ca ide staliniste permes ca ideve po aq… staliniste.
Pa u zgjatur në shumë hollësira që Ardiani i ka sqaruar me imtësi të bollshme, vlen të theksohet se pjesëza në shqipe e Formulës së pagëzimit duhet gjykuar në një kontekst shumë më të gjerë se tokat arbërore dhe nga ana liturgjike shumë më kuptimplotë se fluturimet pindarike të Fugës. Zakonisht – dhe ky është rasti i Fugës, por jo vetëm – të gjithë lexojnë veç fjalinë në shqipe të formulës, duke harruar djepin në latinishte ku ajo qëndron. Dhe zakonisht ashtu ndodh: amatorët në studime historike shohin ngjarjen, ndërsa historianët profesionistë shohin kontekstin ku zhvillohet ngjarja.
ku e gjeti Enveri?? ta them une: te pelqesae çuditshme qe kish de Gaulle per te, si e qysh s’di te them por informacioni eshte i sigute se vjen nga ish anti komuniste.
Ne France nuk e kam gjetur dot kete “pelqese”, Idlir. Por eshte e vertete ate qe thua ti edhe une e kam degjuar nga fundi i viteve 70. Dhe ate kohe kemi diskutuar shume per te. Pak me ndryshe, megjithate. Kemi degjuar jo se De Goli u shpreh pozitivisht per E. Hoxhen, por ne demarshet e tij per te bindur popullin frances se duhej distancuar nga Aleanca e Atlantikut Verior, atyre qe kishin frike brenda kampit te tij, ai, thuhet, u solli shembulin e Shqiperise qe nuk pati frike kur u largua nga Pakti i Varshaves.
Mundet, por Franca demarshet e saj, per te mos qene pjese e Alences (per te mos marre pjese ne monovrat e saj, se nje vend ne komande e ruajti) i mbylli me 1966-67, ndersa Shqiperia e deklaroi daljen nga Pakti i Varshaves me 1968. E çuditeshme, pra, sa i besueshem do te kete qene nje shembell qe nuk kishte ngjare ende!
Duke i shtuar kesaj faktin se nuk po gjej gjurme te shkruara, edhe pse jam fans i gjeneralit dhe i lexoj me perkushtim veprat e tij, them se duhet te kete qene ndonje sajese e brendeshme per te shtuar kredite e gjeneralit tone qe megjithse nuk e shkrepi kurre nje kobure, nuk mungoi qe tamam ne ate kohe t’i vere drynin Shqiperise.
Per mendimin time Fuga eshte viktime e nje keqinterpretimi te historise se mevoneshme evropiane kur thote se ; “…E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? Do të thotë se ajo gjuhë ka arritur majat e institucionalizimit të saj.”
Ate qe do te ndodhe me pas me Luterin, qe duke perkthyer Biblen ne teresine e saj beri nje akt politik, atdhetar por edhe kulturor sepse jo vetem qe me te nisi krijimi i kishave kombetare, por ai u dha bashkeatdhetarve te tij nje monument te gjuhes gjermane qe me te vertete e çoi gjermanishten ne “majat e institucionalizimit të saj”, filozofi yne kete akt kaq madheshtor, qe personalisht me mahnit edhe sot e ksaj dite e qe mund te ndodhte vetem ne shtetet gjermane te kohes (pikerisht sepse kishte shtete dhe jo vetem nje shtet gjerman), ai ia vesh me zor formules modeste te P. Engjellit, qe iu pergjegj nje nevoje te nguteshme, por mbase edhe zemerates se fshatarve te zonave te thella qe nuk shihnin prift me sy.
Eshte gje e vleresueshme ne vetevete, por pa asnje fare pasoje ne institucionalizimin e gjuhes shqipe, sikunder pa vlere ne kete drejtim do te jete edhe vete Meshari i Buzukut. As ai e jo me fjalia e vetmuar e Engjellit, nuk pati ndonje ndikim ne “institucionalizimin e gjuhes”, mbeti diçka mjaft e kufizuar, qe qarkullonte nen sutanen e ndonje prifti te vetmuar i cili perpiqej te behej i kuptueshem qe te mbante ndonje besimtar ne fene e krishtere, nderkohe qe oferta osmane ishte mjaft me joshese.
Me ngadale zoterinj!Kemi te bejme me nje shkrim ne facebook.Fuga vete,per t’u paraprire keqkuptimeve te ngjashme,e ka sqaruar “statusin” e shkrimeve te tija ne facebook.
Ceshtja e formules se pagezimit ne gjuhen shqipe e ka me te vertete vleren e jashtezakonshme per te cilen flet Fuga.
Eshte koha,konteksti politik,gjeopolitik qe ia jep kete vlere(mbase,i vetedijshem per kete,zoti Vehbiu,ne shenimin ne fund te shkrimit,flet per nje kundershtim serioz per daten e saj;sepse,nese formula e pagezimit nuk i perket kesaj kohe,por asaj te pas periudhes se Skenderbeut,atehere edhe vlera i humbet).
Gjithe cka thuhet ne shkrim per arsyet dhe “statusin” e formules,jane te sakta.Une si lexues i thjeshte nuk shoh asnje kundershti mes asaj cka shkruar Fuga dhe kesaj c’shkruan zoti Vehbiu.Institucionalizimi per te cilin flet Fuga eshte nje gje e ndryshme per institucionalizimin per te cilin flet zoti Vehbiu.Fuga ka parasysh kontekstin politik te kohes,Skenderbeun para se gjithash;jemi ne kulmin e epokes skenderbejane,kur qendresa e drejtuar prej tij,ishte njohur dhe bere e famshme nderkombetarisht.
Bash ne kete kohe na del kjo formule pagezimi ne shqip,e shkruar nga keshilltari kryesor i Skenderbeut.
Kjo eshte shume e rendesishme,sepse ka lidhje me projektin qe kishte Skenderbeu.Eshte ingredient i tij.
Skenderbeu kishte me te vertete nje nje ide,nje projekt te miremenduar,per gjithe c’kishte te bente me qendresen ndaj otomaneve dhe fatin e territoreve qe ai shpresonte t’i clironte nga ky sundim a kercenim.
Mbi te gjitha,me ane te qendreses se popullsise vendase arbere(shqiptare),Skenderbeu mendonte te realizonte projektin e tij.
Ne kete kontekst,formula e pagezimit ne shqip,mund te shihet,si shprehje e vullnetit te elites,politike dhe fetare,per te qene me prane popullsise se thjeshte.
Mund te jete edhe keshtu: nese nje shekull e gjysem me pas,do te lejohej shqipja (fetare),madje do te nxitej edhe nga vete autoritetet ne Vatikan,me qellimin per t’i rezistuar asimilimit otoman,ne kete kohe,ne kohen e Skenderbeut pra,nje autoritet i larte fetar si Pal Engjelli,kryekeshilltari i Skenderbeut,do ta bente per te mobilizuar arberit e thjeshte ndaj agresionit otoman;kjo ne kuptimin: zoti,ne emer te te cilit lufton udheheqesi i tyre,nuk flet vec latinisht,por edhe shqip…(me vone,ne kohen e Rilindjes,per te njejten arsye,keshtu do te vepronin edhe klerike ortodokse shqiptare,duke u bere te ditur besimtareve te thjeshte,qe zoti ,pervecse greqisht,flet edhe shqip)!
Pasazhi në fjalë thotë si më poshtë vijon dhe kam përshtypjen se nuk e përcjell dot atë kumt që rroket t’i mveshë z.Fuga:
«…dhe që kështu t’i mësojnë njerëzit e famullisë që, në rast nevoje, të pagëzojnë foshnjat që të mos vdesin pa pagëzim para se të sillen në kishë, duke thënë së paku në gjuhën popullore shqipe (in vulgari Albanico): Vnte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (dmth. Un’ të pagëzonjt pr’emënit Atit e t’birit e t’shpêrtit shenjt). Veç asaj, në qoftë se ndokush ka qenë pagëzuar në këtë mënyrë, mos të pagëzohet rishtas por të zëvendësohen lutjet etc.»
Rendesia eshte çeshtje interpretimi, po une jam i sigurte qe ndryshe nga ç’thuhet me siper, pagezimi per nje foshnje eshte gjeja me e rendeishme qe ekziston, sepse nje foshnje e pagezuar perfundon ne parajse kurse nje foshnje e papagezuar perfundon ne ferr, gje qe nuk eshte dallim i vogel per nje besimtar.
Teza qe s’kishte prifterinj, prandaj befas doli kjo nevoje duhet mbeshtetur me te dhena te kohes. Se une mund te them qe prifterinj kishte plot dhe keshtu me e lagu s’e lagu nuk shkohet asgjekundi. Nje tjeter mund te thote qe Pali ishte i pari qe u kujtua per foshnjat e zonave te thella malore ku dendesia e ulet e popullsise nuk lejon prani te madhe kishash, se kisha ndertohet ne raport me banoret.
Perndryshe vdekshmeria foshnjore ka qene e larte qe ne kohen e Shen Palit e nuk ka ndryshuar ndonje gje nga koha e Shen Palit ne kohen e at Palit.
Tjeter, Shqiperia nuk ka pasur ndonje dendesi te madhe kishash, sepse pjesa me e madhe e Shqiperise eshte malore dhe nuk ka pasur as pasuri e as dendesi popullsie qe te kishte kisha me bollek, te cilat befas nga lufta u rralluan.
Aq me teper qe viti 1462 ishte vit paqeje dhe kishte qe ne 1457 qe vendi s’kishte ndonje rrezik serioz nga turqit. Pra nuk eshte ndonje rezultat i nje tensionimi e shkaterrimi masiv te atyre viteve, se kishte 5 vjet qe gjendja ishte ne permiresim se turku e kishte mendjen tjeterkund.
Pra nuk kemi asnje kriter emergjence apo urgjence ne vitin 1462, me siguri ka qene me keq ne vitin 1457 kur Hamzai verdallosej me 40-50 mije ushtare turq. thjesht kemi nje zhvillim te ri.
Interpretimi i ketij zhvillimi te ri, sigurisht qe duhet te vleresohet edhe si i lidhur me epoken e Skenderbeut, perderisa i takon asaj periudhe dhe ne periudha te medhaja ndodhin zakonisht fenomenet e medha, qe lene gjurme.