Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ME PARATHËNIE NGA RRESHPJA

Sa mora në dorë romanin “Lulet e ftohta të marsit”, nga shkrimtari I. Kadare, u befasova nga çfarë pashë në faqen e fundit të parathënies së shkurtër nga Frederik Rreshpja:

 

Dhe jo thjesht ngaqë identifikimi eksplicit i autorit të një parathënieje ka diçka vetvetiu absurde: si rregull, duhet të jesh i njohur për lexuesin, që të shkruash një parathënie, dhe aq më tepër t’ia bësh këtë I. Kadaresë.

Në të vërtetë, Rreshpja njihet dhe lexohet mjaft, sidomos gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit.[1] Madje një nga ata autorë dhe autoritete që kanë ndihmuar më së tepërmi për popullarizimin e këtij poeti ka qenë vetë I. Kadareja, i cili jo vetëm ka folur me simpati dhe admirim për të dhe e ka quajtur “Një ndër poetët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX”, por edhe i ka shkruar parathënien vëllimit përmbledhës Duke kërkuar Itakën, me poezi të viteve 1960-2006; si dhe i ka kushtuar një kapitull në librin Mëngjeset në Kafe Rostand.

Të shkruash parathënie sot në Shqipëri është akt politik: mjafton një parathënie strategjike, për ta katapultuar autorin përkatës në Olimpin e letrave kombëtare. Kjo është një nga arsyet pse shumë prej këtyre parathënieve, që kanë vlerë jo për çfarë thonë por si akte performative të imponimit letrar, nuk thonë gjë për veprat, por vetëm sa nënvizojnë një marrëdhënie të privilegjiuar mes dy autorëve. Por nuk ndodh kështu, me parathënien modeste të Rreshpjes, që zë diçka më pak se dy faqe, dhe ofron një paraqitje të thukët dhe të sinqertë të romanit. Madje autori i parathënies nuk u shmanget as pohimeve si ky më poshtë:

Vepra është thurur në një mënyrë të jashtëzakonshme, më me mjeshtëri se tërë romanet e tjera dhe ndoshta nga kjo gjë lexuesi shqiptar, i pamësuar akoma me arkitekturën matematike të letërsisë moderne, nuk e ka të qartë idenë qendrore të romanit.

Duke i shpjeguar lexuesit deri edhe pse ky nuk do ta kuptojë mirë tekstin që po gatitet të lexojë. Se ç’është kjo “arkitekturë matematike” e letërsisë moderne, këtë parathënia nuk e sqaron më tej: mjaftohet me kumtin se romane si ky qëndrojnë kaq lart, sa duhet më parë të shkollohesh me kanonin letrar modern, për ta marrë vesh (dhe shijuar). Me fjalë të tjera: mbylleni më mirë squpin, ju që nuk do ta pëlqeni ose nuk do ta kuptoni romanin.

Unë kam në dorë botimin e tretë të Luleve, të vitit 2012 (Onufri); ku nuk përmendet ndonjë redaktor i librit, por vetëm Bujar Hudhri, si ai që “përgatiti për botim.” Nëse është kështu, atëherë ky duhet të ketë vendosur edhe për shënimin shpjegues që Frederik Rreshpja është poet, a thua se nga lexuesi i romanit nuk pritet që ta ketë dëgjuar ndonjëherë këtë emër dhe as ta njohë letërsinë shqipe bashkëkohore.

Siç e ka thënë Kadareja vetë, “Koha ka qenë e pamëshirshme me Frederik Rreshpjen.” Aq e pamëshirshme, sa edhe kur këtij i ofrohet të shkruajë parathënien e një romani nga autori kryesor i letrave shqipe bashkëkohore, roli udhërrëfyes sakaq i ripërmasohet, duke ia përmendur diçka që mund të kish vlerë veç po të lihej e nënkuptuar: dhe pikërisht, që Rreshpja është poet.

Meqë Rreshpja nuk pat qenë tjetër veçse poet gjithë jetën e vet.

Se çfarë i ka shtyrë ata të Onufrit, që ta specifikojnë profesionin, në mos vokacionin, madje misionin e autorit të parathënies, këtë nuk e gjejmë dot. Por efekti i atij shënimi në fund të faqes të bën të mendosh edhe për një kohë kur Rreshpja do të ketë nevojë të identifikohet, kushedi dikur në të ardhmen; dhe kur ai mbase do të jetë harruar njëlloj siç u la në harresë gjatë viteve të regjimit totalitar, ose dikur në të shkuarën.

“Të jesh i braktisur në letërsi është, pa dyshim, një fatkeqësi,” thekson I. Kadareja, duke folur për kolegun e vet të pafat.

Paradoksalisht, kjo thënie gjen – shpresoj pa dashur – zbatim edhe në atë fusnotë të shtuar; e cila i thotë lexuesit: “Rreshpja nuk do të ishte askushi, pa këtë parathënie.”

Sërish Kadareja: “Koha ka qenë e pamëshirshme me Frederik Rreshpjen.” Dhe fusnota në thelb konfirmon: ka qenë dhe do të jetë.

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Disa vlerësime shkrimtarësh dhe kritikësh bashkëkohorë për Rreshpjen mund të lexohen këtu.

4 Komente

  1. Së fundmi ka një qasje cerebrale – për të mos përdorur fjalën “patologjike” – të Primo Shllakut ndaj figurës së Reshpjes e cila shprehet qysh në titull “Kush asht Frederik Reshpja”, qasje, për mendimin tim, tepër mizore e që është interesante vetëm për sa mëton ta shohë këtë figurë shpesh të përfolur vitet e fundit, – sidomos në qarqet letrare shqiptare e më së shumti për mirë – që mëton ta analizojë Reshpjen pra “ndryshe” nga ç’është trajtuar derimë tani. Gjendet këtu, fq. 51-73 : http://omprom.com/symbol/symbol-11/

    Personalisht më tëhuajëzoi si shkrim, siç më ka ndodhur edhe më parë me konsideratat publike të Shllakut për veprën e Kadaresë – meqë përmendet në një frymë me Reshpjen ky në këtë shkrim – dhe që më tëhuajëzon edhe më tepër kur po ky shkrues, Shllaku kuturiset e merr pjesë në konkurimin për… çmimin Kadare, a thua se konkurimi dhe emri i çmimit janë gjëra fare të ndryshme:

    http://www.gazetaexpress.com/arte/cmimi-kadare-lela-fituesi-shpallet-me-9-nentor-141080/?archive=1

    Ka një lëvizje në mendimin letrar tonin, sidomos vitet e fundit, ka një rrekje për t’u konsoliduar që do të ishte për t’u përshëndetur, nëse pjesëmarrësit nuk do të merrnin sa herë u jepet rasti poza marciale, nuk do u mbetej qejfi e hatri, nuk do të grupoheshin në shijet e tyre pro apo contra dikujt, nuk do të shaheshin aq pa shije në publik dhe privatisht e me radhë, tipare të provincializmit këto dhe, duam-s’duam ne, provinciale është edhe kjo e tëra dhe absurde, parë që në këtë mes nuk ka asgjë për të fituar dhe hierarkinë e vlerave ka tagrin ta vendosë vetëm koha. Mirëpo edhe kjo e fundit, hierarkia e vlerave pra, po bëhet gjithnjë e më absurde në vetvete, varësisht me rolin gjithë e më të paktë që po luan arti – në këtë rast letërsia – në trevat tona. Ja ta zemë se Reshpja qenkësh poeti nr. 1 i shqipes dhe Budi poet i përmasave europiane. E po pastaj, çë?

  2. Vertet mizore kjo qasje e Primo Shllakut ndaj Reshpjes si njeri dhe poezise se tij. Nje qasje biografike dhe psikoanalitike , e cila artin e barazon me autobiografine, kaq e tejkaluar si metode dhe tejet qesharake per te nulizuar vlerat -edhe nese nuk jane siperore-te poezise se Reshpjes.
    Reshpja,sikurse deshmojne ata qe e kane njohur nga afer, thone se ka qene mizantrop, i cuditshem, mitoman e deri ne halucinant. Dhe nje burre jo i pashem e ndoshta pa fat ne punet intime. Por keto “kufizime” te njeriut, a transmintohen e behen edhe “cene” te poezise?
    Pra a ka cene , a eshte e deshtuar poezia e Reshpjes, ashtu sic ishte ai i deshtuar ne jete?
    Poezia e tij eshte teper personale dhe kjo eshte merite, perkunder poezise se RC ku personalja fshihej e tretej tek kolektivja.
    Por duke qene nje poezi teper personale , ajo nuk eshte vetem e kthyer nga vetja e nuk flet vetem per veten e “trilluar, te falsifikuar” -sic e percakton dhe cvlefteson Shllaku.
    Pastaj ky “qortimi i madh ” i Shllakut per “mungesen e madhe” te temes se Burgut dhe Lirise ne poezine e Reshpjes, me tingellon si terbimi Censorit ne diktature: ku eshte tema e Partise dhe e klases punetore?!
    Eshte per te ardhur keq kur kjo qasje vjen nga nje njeri i letrav.
    Gjithe poezia e Reshpjes eshte reflektim i njeriut te “burgosur” ne vetmi , i njeriut i cili edhe kur liria -ne termat politike- i jepet, ai eshte apo ndjehet i bllokuar ne prangat e fatit .
    Kjo qasje e Shllakut me kujtoi ca shkrime e orvajtje per ta skualifikuar Migjenin me “argumentin” se gjithe sa shkroi dhe ashtu sic e shkruajti, eshte reflektim i shendetit te lig dhe mungesave ne jeten seksuale. Pra, nje art -sipas tyre- i prodhuar nga krizat personale , seksuale dhe psiko-somatike, nuk mund te jete ART !
    E gjitha duket si e shkruar me temth. Ta quash cerebral i ben nder.

  3. Ja një episod grotesk, kur njerëzit marrin përsipër të luajnë Kronosin për të tjerët, që nuk e di në është i vërtetë e që e gjeta këtu: http://www.politiko.al/2017/11/kasem-trebeshina-shkrimtari-jeten-e-vet-dhe-vepren-e-rivalit/#http://www.politiko.al/wp-content/uploads/2017/11/kasem-trebeshina.jpg

    “… Ftuesit i thanë se ishin mbledhur për “të ngritur” Kasëm Trebeshinën dhe “rrëzuar” Ismail Kadarenë…”

    Edhe Shllaku niset të bëjë diçka të tillë, ta vendosë ai në Reshpja do i rezistoka a jo kohës.

    Të tërë shkruesit nga ’90-ta e këtej janë fort të rrezikuar jo nga koha e zakonshme letrare, por nga “kohët” e këqija që i kanosen letërsisë, më së pari shkrimet likuide në internet e revista të tilla online.

    Madje edhe vetë Kadareja nuk është e sigurtë në do i rezistojë shkulmeve mediatike bashkëkohore që rrezikojnë themelet e shkruesisë, parë që kësaj here koha po i kanoset jo autorëve të veçantë, por letërsisë në përgjithësi.

    Sidoqoftë, ideja për të mposhtur kohën si të tillë është në vetvete absurde, parë që më së shumti, si në rastin e Reshpjes në fjalë, kur koha ka mbaruar punë, nuk është më askush atypari që do të mund të thoshte: a nuk të thashë? – ngase do të kemi vdekur të tërë, si autorët që po përflasim, ashtu edhe ata që i kanë varur shpresat e tyre letrare te koha, në mungesë të një kritike për të qenë.

  4. Ndoshta prandaj unë i kam dhënë karar t’i shkruaj vetë parathëniet e librave të mi (origjinalë dhe përkthime). Shpesh është pjesa më interesante e krejt librit

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin