Këtë material, që po e nxjerrim me disa pjesë, e ka dërguar në blog autori Doan Dani [Xh2]
Me 95 tezat e tij, Lutheri, shtron një problem të rëndësishëm, përveç atij doktrinal, që përqendrohet tek lidhja direkte me Hyjninë pa ndërmjetës. Kjo arrihet nëpërmjet njohjes së shkrimeve të Shenjta jo nga trasmetues, por me kontaktin direkt ndaj shkrimit i cili duhet të jetë i kapshëm nga masa. Kështu lind nevoja e përdorimit të gjuhës vulgare (nacionale) si objekt/mjet që ndihmon arritjen e besimit.
Përkthimet e shkrimeve të shenjta fillojnë masivisht me reformën protestante. Në italisht ekzistonte Bibla e shtypur në Venedik, jo pa polemika, që në 1471. Kjo eufori përkthimesh biblike vazhdon deri në Koncilin e Trentos 1545-’63, gjatë të cilit vendoset, pas evolucionit të herezive, të pengohet çdo vulgarizim (përkthim) i shkrimeve të shenjta në versionin e plotë.
Themelimi i mëvonshëm i Kongregacionit të Indeksit, në 1571, zyrtarizon dhe centralizon kontrollin e shtypit, librave dhe gjuhës së përdorur. Nuk është hera e parë që censurohen libra, edhe Shën Pali flet për djegje në kohën kur ai jetoi, madje censura zyrtare vjen që me Koncilin e Nikeas në 325 dhe vazhdon përgjatë shekujve. Ndryshimi, me censurën e dy kongregacioneve të Inkuizicionit në 1558 dhe Indeksit në 1596, qëndron në ndërtimin e një strukture kontrolli dhe me ndalimin e përkthimeve në gjuhën vulgare (kombëtare), toka të pa shkelura më parë. Me të drejtë është cilësuar si “renditje e Italisë në vendet pa libër”.
Digjen përkrah veprave shkencore, filozofike, letrare dhe natyrisht heretike edhe mijëra bibla: vetëm në Genova-n e 1620 digjen 6.000 Bibla. Eshtë e njohur censura ndaj Kepler, Erasmus i Rotterdamit, Petrarca, Boccaccio, Kopernik, Guicciardini, Galilei, Bruno, Spinosa, Descartes, Locke, Bacone, Bergson, Berkeley, d’Alembert, Defoe, Diderot, Flaubert, Hobbes, Hugo, Hume, Kant, Fontaine, Montaigne, Montesquieu, Pascal, Rousseau, Sand, Stendhal, Balzac, Voltaire, Zola, Alfieri, Beccaria, Fogazzaro, Foscolo, Leopardi, Croce, d’Annunzio, Fogazzaro, Foscolo, Kamy, Popper, Leopardi, Weber etj…apo censura e Udhëzuesit Biblografik të Opus Dei-t që rreshton edhe botën e kinemasë me Woody Allen, Kirk Dauglas, Milan Kundera dhe autorët Gore Vidal, Stephen King, Bukowski, Velazquez.
Në këtë listë (që është më e gjatë) deri në censuren e fundit të publikuar në 1948, askush nuk është shqetësuar të vendosë Mein Kampf të Hitlerit!
Por më shumë se ndaj autorëve, censura më tragjike është ajo ndaj gjuhës që shpallet e rrezikshme, me botimin e dy Index librorum prohibitorum të shek. XVI. Fjala e shenjtë duhet të kuptohet vetëm nga elita, pra qarkullon në latinisht, ndërsa lutje dhe pjesë biblike mund të përkthehen vetëm të shoqëruara me komente, jo me rimë sepse poezia është “transgresive”.
Në periudhën kur Paolo Costabile drejton Il Maestro del Sacro Palazzo, institucion që ekziston edhe sot i mbuluar nga teologu më i besueshëm (ose ndër më të afërtit) i Papës, epistulla, psalme, përmbledhje predikimesh, tregime historike biblike dhe gjer tek tragjedi e shfaqje historish biblike, përbëjnë gamën e gjerë të ndalimit të përkthimit në gjuhën vulgare. Një pasues i Costabile, i mbiquajtur Brisigella (G. M. Guanzelli) do të përcaktojë si të ndaluara përkthimet e pastra dhe të plota të Shkrimeve të Shenjta, por jo ato që përmbajnë histori e argumente biblike të “zbukuruara” nga poetët. Ky vizion më tolerant- edhe pse në të cilin kundërshtohet përkthimi në “gjuhën amtare”- nuk u pranua. Bellarmino, arrin deri të pohojë që “nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, do të pengohet [përkthimi në “gjuhën amtare”] edhe i [lutjes] Ati i Ynë”.
Nga ana tjetër nxitej përkthimi në latinisht i veprave të botuara në italishten vulgare (“gjuha amtare”) të gjykuara të vlefshme. Eshte rasti i Alessandro della Torre i censuruar në italisht, por i urdhëruar për të botuar veprën në latinisht. Shekujt XVI dhe XVII karakterizohen nga “dominimi i latinishtes mbi vulgaren”- shkruan M. Turrini – ndonëse Italia kishte njohur, pas Gjermanisë, numrin më të lartë të përkthimeve në gjuhën e saj vulgare. Censura nuk zhduku nga qarkullimi ilegal shumë përkthime, nuk shterri “protestat” e besimtarëve të ndryshëm, por dëmtoi njohjen e gjuhës së ardhshme amtare.
Në regjistrimin e 1861 Italia numëronte 78% analfabetë, një shifër e krahasueshme me situatën e Malit të Zi në fundin e atij shekulli, me ndryshimin që ky i fundit dilte nga sundimi osman, kaq hiperbolikisht i barbarizuar. Përdorimi i italishtes i rezervohej katekizmit, të cilit fëmijët e shkollave ishin mësuar ta recitonin për vite me radhë. Studime të M. Ponza, M. Roggero, A. Prosperi, paraqesin një realitet shkollor “ku nuk mësohej asgjë nga gjuha dhe ortografia italiane”.
Studimet përforcohen edhe nga shifrat: në një Itali të bashkuar italianofonët silleshin nga 2,5% deri në 10% në 25 milion banorë që numëronte ky vend në 1871. Kjo është dëshmi e moskultivimit të gjuhës italiane deri në shekullin e XIX, e kësaj gjuhe të kodifikuar nga Bembo shekuj më parë, por që në këtë periudhë “shumë shkrimtarëve të shekullit u dukej gjuhë e vdekur”. Konkluzioni i Tullio De Mauro që “restaurimi i latinshtes si gjuhë e klasave drejtuese dhe orientimi i masave drejt mësimit të vetëm të predikimit dhe katekizmit”, konsiderohet më se i bazuar nga G.Fragnito.
Edhe pse një vëzhgim i shkurtër dhe me pak detaje (për të mos ngarkuar artikullin me imtësi) vërehet qartë rrezikshmëria e minimit të institucionit të Kishës nga “gjuha amtare” e në të njëjtën kohë përdorimi i saj si mjet i përhapjes së fesë kur ajo kontrollohet nga ky institucion. Nga kjo panoramë, konteksti i trojeve shqiptare nuk bën përjashtim, madje reflekton në mënyrë rigoroze direktivat zyrtare të qendrës, ndryshe nga Dalmacia sllave ku u kërkua dhe më vonë u tolerua gjuha sllave, majde kemi edhe përkthimin e plotë biblik të Kasiç në 1622-1637.
Ndër autorët e hershëm të letërsisë shqipe radhiten disa klerikë me një veprimtari të larmishme dhe të konsiderueshme për kohën, që kultivojnë gjuhën vulgare (shqipe) sipas skemave të Kundërreformës, natyrisht me një zbehje në cilësi dhe krijimtari të pakrahasueshme me Italinë (edhe pse nën presionin e censurës). Mund të përdoret si argumet i vështirësive, siç është manipuluar gjatë shekullit të kaluar, sundimi osman.
Ky i fundit, me gjithë multikulturalizmin e tij, nuk ishte i interesuar të kultivohej shqipja, aq më tepër me shkronja latine. Por politika osmane nuk u bë pengesë e veprimtarisë klerikale, e ushtrimit të besimeve të tjera, pasi siç e dëshmojnë faktet edhe sot të prekshme nga shqisat, kishat u ndërtuan, Propaganda Fide veproi fuqishëm në Ballkanin përëndimor, aty ku kishte juridiksion Kisha Katolike. Madje armiku më i madh i saj ishte ajo Ortodokse.
Eshtë domethënës fakti se përkthimi i plotë i Dhjatës së Re në gjuhën shqipe u botua në Stamboll! Fajësimi i Portës së Lartë, përveçse thjeshtëzim i çështjes, është shmangie nga aktorët primarë që kanë ndikuar në kontrollin e gjuhës dhe kultivimin e saj të pjesshëm, aq sa i duhet besimtarit të thjeshtë për të njohur Zotin e tij sipas rrëfimeve të elitës.
Është për të ardhur keq që vëmëndja e komentarëve është përqendruar tek tema e shqiptarëve të maleve dhe ky shkrim nuk po ndiqet me interesin që meriton.
Gjithsesi, presim me durim kusurin e lëndës me shpresen se konflikti ideologjiko-antropologjik me fqinjin maqedonas do të ulet sa po IRJM të lajmërojë, për shëmbull, rivendosjen e regjimit të vizave me IRPSSH.