Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

FATI I SHKRIMTARIT SHQIP

Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane në Tiranë (U.S. Embassy Youth Council) ka zhvilluar një anketë me rreth 420 vetë, për të zbuluar – mes të tjerash – 10 librat më të lexuar nga të rinjtë në Shqipëri.

Dokumentin e rezultateve të anketës, ku përshkruhet edhe metodologjia, mund ta lexoni këtu.

Sipas kësaj ankete – e cila duhet marrë për çfarë është – librat më të lexuar nga të rinjtë janë si më poshtë:

1. Gjuetari i balonave- Khaled Hosseini
2. Harry Potter – J. K. Rowling
3. I huaji – Albert Camus
4. Alkimisti – Paolo Coelho
5. Kodi i da Vinçit – Dan Brown
6. Princesha – Jena Sasson
7. Harku i triumfit – Erich Maria Remarque
8. 1000 diej vezullues – Khaled Hosseini
9. Kur qau Niçja – Irvin D.Yalom
10. Lufta dhe Paqja – Leo Tolstoy

Siç e vërejnë edhe autorët e broshurës, çfarë ulërin në këtë listë është mungesa e autorëve shqiptarë, të sotëm dhe të traditës.

Megjithë rezervat e mëdha që unë kam me anketën[1], po e mbaj listën e mësipërme si të mirëqenë, sepse informacioni që jep më përkon edhe me të dhënat që marr vesh nga burime të tjera sipas rastit.

Pse nuk lexojnë të rinjtë letërsi nga autorë shqiptarë? Ose më mirë, pse nuk u kujtohet atyre asnjë autor shqiptar, kur pyeten prej anketuesve?

Përgjigjja e parë ndaj kësaj pyetjeje do të ishte se të rinjve nuk po u pëlqen letërsia shqipe në përgjithësi.

Teorikisht, letërsia e përkthyer – edhe në shqip – i nënshtrohet një seleksioni artistik më të rreptë se ajo e botuar rishtas në gjuhën e vendit; pa përmendur faktorë të tjerë që e bëjnë objektivisht më të arritur se tonën. Por ky argument kundërpeshohet nga fakti që letërsia në gjuhën tënde arrin të depërtojë atje ku asnjë letërsi e huaj (sado mirë e përkthyer) nuk mundet – duke modifikuar ndërfaqen e vetëdijes dhe shprehjes së saj gjuhësore, te çdo lexues.[2]

Por të thuash se “nuk u pëlqen” nënkupton një lexim paraprak, prandaj argumenti është rrethor.

Le ta formulojmë arsyen hipotetike kështu: autorët shqiptarë, bashkëkohorë ose të traditës, nuk kanë vizibilitet në tregun e librit: nuk reklamohen prej shtëpive botuese, nuk recensionohen në mediat sociale dhe gjetiu, e kështu me radhë.[3]

Shtëpitë botuese parapëlqejnë të reklamojnë dhe të promovojnë letërsinë e përkthyer – sepse kushedi mendojnë se ajo ia vlen të shitet më shumë, ose ngaqë duan të shlyejnë investimet përkatëse (p.sh. honorarin e përkthimit).

Edhe në këtë të rast, argumenti (hipotetik) i marketingut të shtëpive botuese është rrethor: nëse ti reklamon një libër, ngaqë beson se ai do të shitet më shumë, gjasat janë që libri që ti reklamon të shitet më shumë se libri që ti nuk reklamon.

Ti, si shtëpi botuese, e shkakton atë sjellje të tregut mbi të cilën mbështetet strategjia jote e marketingut.

Por lista e 10 librave të preferuar nga të rinjtë, që nuk përmban asnjë autor shqiptar, mund të lërë të kuptohet edhe se të rinjtë nuk presin gjë prej autorëve shqiptarë.

Kjo mund të vijë, mes të tjerash, ngaqë atyre u mungon informacioni i duhur për botimet; por edhe ngaqë të rinjtë nuk e konsiderojnë cool letërsinë shqipe.

Kemi të bëjmë me një shtresë demografike lexuesish që ende ndikohet shumë nga trendet (prirjet); një emër tjetër për këtë dukuri do të ishte snobizmi. Lexuesit e rinj gjithnjë i paraqitin zgjedhjet e tyre të leximit si pjesë të profilit që u tregojnë të tjerëve – dhe këtu hyjnë edhe shijet letrare, ose manifestimi i këtyre shijeve në zgjedhjet e autorëve dhe të librave.

Kështu mund të shpjegohet prania në listë e një libri si “Kur qau Niçja”, i cili ka pasur sukses të shpërpjesëtuar, në krahasim me libra të ngjashëm të përkthyer.

Por si do të shpjegohet që është cool të lexosh letërsi shqipe? Vetëm dëshira për t’u sintonizuar, në lexim, me bashkëmoshatarët anembanë botës nuk mjafton. Sikurse nuk mjafton vetëm cilësia e lartë artistike e librave të përkthyer, ose e përkthimeve.

Çfarë e bën letërsinë shqip të dështojë me këtë grup-moshë?

Sërish do të thoja: mënyra e prezantimit të saj, nga gjithë aparati institucional dhe informal i informimit për librin; megjithëse televizioni ka programe të mira ku promovohen edhe libra nga autorë shqiptarë bashkohorë dhe gazetarë të specializuar për librin. Por me sa duket kaq nuk ka mjaftuar.

Të marrim një autor të kalibrit botëror, si Kadareja; po të gjykosh nga rezultatet e anketës, të rinjtë ia kanë kthyer shpinën edhe atij, me gjithë këmbënguljen obsesive të mediave – edhe elektronike, edhe sociale, edhe tradicionale – për ta mbajtur diskursin rreth Kadaresë si figurë publike në qendër të vëmendjes.

A mund të themi se brezin e ri sot nuk e tërheq vepra e Kadaresë? Apo vallë është vetë zhurma në mediat rreth personit Kadare që i ka zvjerdhur lexuesit e rinj ndaj veprës së tij? Më në fund: po sikur të rinjtë t’i rrinë larg Kadaresë pikërisht ngaqë këtë e ka shndërruar establishmenti i sotëm kulturor në flamur?

Kur flitet për këtë moshë lexuesish, anti-konformizmi gjithnjë duhet mbajtur parasysh.

[Të vihet re, në këtë kontekst, krijimi i tanishëm i “Qendrës së Studimeve Kadare” e cila e nisi punën e vet duke i kërkuar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, ku në bashkëpunim me UET PRESS kërkon dosjen e plotë të proceseve gjyqësorë të viteve ’70-’80 ku është përmendur emri i shkrimtarit Ismail Kadare.]

Fatin e Kadaresë në mass mediat dhe në mediat sociale e kanë pësuar edhe autorë të tjerë të mëdhenj të traditës: nga Fishta te Camaj. Shumë fjalë shpenzohen dhe shpërdorohen për personalitetet e tyre, dhe fare pak flitet për veprën.

Ndryshe nga ç’ndodh me shkrimtarët shqip bashkëkohorë, të cilët shpesh lihen në harresë nga mediat dhe nga institucionet, për Kadarenë dhe disa pak të tjerë gjasat janë që të jetë gabuar rëndë në marketing.

Kjo tërheqje a zbehje e letërsisë shqipe bashkëkohore, nëse konfirmohet, është katastrofë për kulturën shqiptare; katastrofë që nuk kompensohet dot as nga vizitat në kështjella dhe muzeume, as nga koncertet në sheshe dhe as nga pjesëmarrjet në evente artistike ndërkombëtare.

Sado të nivelit të lartë të jenë përkthimet letrare, ato nuk e zëvendësojnë dot përpunimin që i bëhet shqipes nga shkrimtarët, si artistë të fjalës.

Dhe shqipja, e derdhur artistikisht në tekste me synime dhe pretendime estetike, nuk është e rëndësishme vetëm për letërsinë dhe lexuesit, por shërben edhe si kod themeltar për forma të tjera kyçe të kulturës bashkëkohore – nga mediat dhe televizioni, tek teatri dhe filmi.[4]

Ka një lidhje midis nivelit shumë të ulët, gati primitiv, të shqipes së praktikuar në mass mediat dhe në publicistikë dhe indiferencës së përgjithshme të publikut ndaj letërsisë shqipe – të sotme dhe të traditës.

Dështimet e gjithanshme të filmave shqiptarë të këtyre 20-25 vjetëve të fundit (për produksionin e të cilëve paguhen miliona lekë nga fondet publike) i kanë rrënjët edhe në skenarët shumë të dobët – që nga konceptimi i personazheve te shtjellimi narrativ dhe dialogu; dhe skenarët janë të dobët, banalë, që ndonjëherë tradhtojnë deri edhe mangësitë thjesht teknike të autorëve.

Nuk është rastësi që filmi shqip bashkëkohor pëlqehet më shumë në festivalet ndërkombëtare, ku shikuesit dhe kritikët i ndjekin dialogët në përkthim, sesa nga publiku shqiptar, që jo rrallë nuk e gjen veten në dialogët.[5]

I njëjti gjykim do të vlente edhe për dramën shqipe.

Pa folur për marrëdhëniet midis lëvrimit të poezisë dhe teksteve të këngëve, që sot tërheqin vëmendjen më shumë ngaqë u mungon poezia.[6]

Anasjelltas, një numër shkrimtarësh të mirë, sidomos poetë, që janë në gjendje ta artikulojnë fjalën artistikisht, kanë zgjedhur të reagojnë ndaj indiferencës duke u tërhequr në komunitete ekskluzive dhe duke e snobuar lexuesin dhe kontaktin me të – në emër të elitizmit.

Në thelb këta lexojnë dhe lëvdojnë njëri-tjetrin, por nuk luajnë më rol në raportet e shqipes së sotme me kulturën dhe as në përpunimin e shqipes së kultivuar bashkëkohore, si gjuhë të kulturës.

Duket sikur një numër faktorësh po bashkëpunojnë idhtas, për ta nxjerrë fjalën e kultivuar shqipe nga skena e komunikimit publik; dhe kjo pikërisht në një kohë kur hapja e kulturës shqipe bashkëkohore ndaj botës pritej të krijonte mundësi të paprecedent, për një rilindje të shprehjes gjuhësore-letrare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Se çfarë lexojnë pikërisht të rinjtë duhet trajtuar veçmas nga diskutimi se sa lexojnë; meqë gjasat janë se ata që lexojnë më shumë sot, do t’i japin tonin diskursit kulturor nesër.

Nëse letërsia shqipe bashkëkohore nuk arrin të përfshihet në mekanizmat e komunikimit kulturor edhe publik, edhe privat, rreziku është që nesër, publiku të përfundojë i jetërsuar edhe nga të gjitha vlerat kulturore të traditës – përfshi edhe kështjellat, mozaikët dhe ikonat; muzeumet dhe ekspozitat dhe panairet; operat dhe baletet.

Dhe ky nuk do të jetë publik indiferent ndaj kulturës; por publik që do të ketë përqafuar ndërkohë antikulturën, pavarësisht nga trajta.

Prandaj, nëse gabimi i tanishëm nis te libri mirëfilli shqip, edhe zgjidhja duhet të fillojë të vijë nga libri mirëfilli shqip.

 

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Listën e vë në pikëpyetje sidomos “Lufta dhe paqja” e Tolstoit. Unë do të vija bast një botim integral luksoz të kësaj vepre në origjinal (madje me kapak prej lëkure keci), nëse ka në Shqipëri më shumë se 10 të rinj që ta kenë lexuar të plotë, gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit.

[2] Kjo vlen veçanërisht për poezinë: sado mirë të jetë përkthyer Eugjen Onjegini në shqip, kurrë nuk do ta arrijë elegancën, muzikalitetin dhe magjinë e origjinalit të Pushkinit. Rusët janë popull i lumtur, që kanë poetë të tillë si Pushkini, Akhmatova, Pasternaku; por edhe ne kemi tanët, që mund t’i shijojmë me po aq intensitet. Por argumenti e ruan vlerën edhe për prozën, sepse një shkrimtar i mirë gjithnjë funksionon si shqisë kombëtare, duke e mësuar lexuesin si ta shohë botën, që nga gjuha e vet amtare. Natyrisht, për të arritur këtë efekt, njohja ndërkombëtare e shkrimtarit nuk ka kurrfarë rëndësie. Të shijosh arritje të tilla të shpirtit krijues, duhet të jesh me fat. Fati ynë, si shqipfolës e ka selinë te shkrimtarët e shqipes, të djeshëm, të sotëm dhe të nesërm; që askush nuk mund t’i përjetojë si ne. (Kujtoj këtu një aforizëm të Robert Frost-it: poetry is what gets lost in translation.)

[3] Shumë libra shqip që botohen me pagesë, janë vërtet të palexueshëm, shumë të dobët nga çdo pikëpamje dhe e kanë dëmtuar rëndë raportin e lexuesit tipik të letërsisë shqipe me tregun e librit, deri në atë shkallë sa, kur dikush sheh emrin e një autori shqiptar në kopertinë, dyshon sakaq se bëhet fjalë për një botim vaniteti. Është koha që shtëpitë botuese serioze të merren vesh mes tyre, për të hequr dorë nga botimet me pagesë dhe për t’ua lënë operacionet e vanitetit shtëpive botuese të specializuara për këtë lloj shërbimi. Lexuesit që i qaset një libri në librari gjithnjë i duhet dhënë mundësia që të marrë vesh nëse botuesi po ia sugjeron këtë libër ngaqë beson në vlerat e tij, jo ngaqë është paguar prej autorit.

[4] Këtu ndoshta duhet përmendur edhe niveli i mjeruar i përkthimit të filmave të huaj në titrat, nga televizionet kombëtare; i tillë që ta idiotizojë publikun.

[5] Në kreditet e filmave të huaj, përveç skenaristëve të mirëfilltë, shpesh sheh edhe emrat e atyre shkrimtarëve që kanë punuar veçanërisht me dialogun.

[6] Ja një tekst i një kënge të suksesshme, që e zgjodha fare rastësishëm (Enca – Bow Down):

Ok, stop!
Dhe niher ku jena prap
Bashk, me kuror t’shoh prej nalt
Shihet si e bojna për cdo nat

Oh no! Kom ni po xhelozon
Oh no! Jom idoll sun e kupton
Oh no! Venin tem ti shum e don

Sa vi anej, o sa vi anej
Everybody say, everybody say
Noizy back again,krejt po vin anej
Everyone of dem, everyone of dem

Jam prap si terror i natës
Me kapuca prap n’krye t’radhës
Na vijn turmat përmrapa
Dihet se bim n’sy nga krejt estrada

17 Komente

  1. Interesant do të ishte rezultati nëse do të mundësohej zgjedhja e një kampioni edhe të më i madh e të larmishëm se 420 të rinjtë e anketuar. Edhe më i plotë do të ishte gjithashtu nëse anketimi online do të përfshinte edhe të rinjtë e të njëtës grupmoshë, jashtë territorit të Shqipërisë.

    Rezultatit është një fotografi e trishtë e realitetit që në të gjitha aspektet nuk varet prej tyre, por prej më të rriturve, më të diturve (?) që janë të zënë me punë të tjera, për mbrothësinë e këtij vendi, sigurisht.

  2. Para do ditesh shkova ne librarine Adrion. Aty jane vetem dy stenda apo rafte me autoret shqiptare.Dhe nje e trete posacerisht per Kadarene. Dhe nje pafundesi titujsh te perkthyer.
    Sigurisht, ne librari shkohet me synimin e qarte per te blere filan liber. Por nje ekspozim me vizibel i autoreve shqiptare dhe , sidomos nje raft me botimet e reja te autoreve me te mire, do terhiqte vemendjen e vizitoreve.
    Une isha nisur me idene e blerjes se Te gjalle e te vdekur te I.Zhupes. Nuk ma zune syte ne rafte dhe bleva dicka tjeter.
    Gjithsesi, duket lak i dyshymte fakti i mungeses se autoreve shqipare ne listen e anketuesve. Kadare , Kuteli, Kongoli jane pjese e kurikules shkollore dhe fasha e lexuesve te rinj nuk ka mundesi te mos i kete lexuar.

  3. Une mendoj se anketuesi i ka mbushur vete te 420 anketat. Me duket nje shaka e keqe. Nuk eshte per t’u marre seriozisht. Nje nga nentitujt e dokumentit eshte: “Kush jane fushat me te preferuara?” Vetem nje injorant mund ta shkruaje shqipen keshtu. Kjo ankete nuk na thote asgje per leximet e te rinjve shqiptare, por na thote shume per seriozitetin e ambasades amerikane ne Tirane dhe per strukturat qe ajo mbeshtet dhe financon ne Shqiperi.

    1. Anketa mund të jetë konceptuar keq, por unë nuk besoj se është në keqbesim. Autorët mund të mos e shkruajnë shqipen mirë, por besoj se i kanë pyetur vërtet të gjitha ato mostra dhe kategori që përmendin në hyrjen e materialit. Tek e fundit, rezultatet konfirmojnë diçka që shumë nga ne – besoj edhe ti, Relapso – e dinin prej kohësh: që letërsia shqipe nuk po lexohet.

      Dhe meqë përmende seriozitetin e ambasadës amerikane në Tiranë dhe strukturat që ajo mbështet dhe financon në Shqipëri, po të sjell këtu një dokument kurioz: një certifikatë mirënjohjeje që i është dhënë Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane në Shqipëri nga Ministria e Kulturës, me motivacionin “për kontribut në fushatën kombëtare të leximit ‘Takohemi për një libër’”.

      Certifikata përmban një gabim drejtshkrimor (“çertifikatë” për “certifikatë”), një gabim gramatikor tipik por elementar (duhej “mirënjohjeje” jo “mirënjohje”), një gabim sintaksor (meqë togfjalëshi “Këshilli rinor i Ambasadës Amerikane” duhej vënë në rasën dhanore, si kundrinë e zhdrejtë e foljes “(i) jepet”) dhe ndoshta edhe ndonjë gabim për shkrimin e fjalëve me shkronjë të madhe (këtu nuk po ngul këmbë). Dokumenti e vendos, besoj, në perspektivë edhe shqipen e keqe të anketës.

      1. titujt e propozuar ishin Anglisht, serish jo libra shqiptar. ndersa muqadimah e Ibn Khaldun eshte perkthyer ne shqip. Kete studim me ata grafike te shemtuar nder te tjera e kane bere te paafte.

      2. Ne fakt, po ta mendosh holle-holle, edhe brezat tane te shekullit te shkuar, po te na pyesnin kur ishim te rinj per librat me te lexuar, mund te kishte dale nje liste vetem me autore te huaj. Me brezin e sotem paskemi te perbashket vetem Remarkun. Veçse ne lexonim edhe autore shqiptare qe megjithate nuk zinin kryet e listes. Sot nuk di te them a hynin ne dhjeteshen e pare.

        Nuk eshte e veshtire te verifikohet lista. Nese mes lexuesve te PTF-se ka mesues gjimnazi, do te mjaftonte qe keta te pyesnin nxenesit ne klase.

  4. Sa turp kjo certifikate, sikur ta kete leshuar nje pulari. Te mendosh qe certifikatat jane fytyra e shtetit.

  5. Thote i nderuari zotni Vehbiu:”Pa folur per marredheniet midis levrimit te poezise dhe teksteve te kengeve,qe sot terheqin vemendjen me shume ngaqe u mungon poezia”(dhe e ilustron me tekstin e nje kenge te Ences).
    Gjithe duke qene dakord me ndikimin qe ka letersia ne format e tjera te artit,ne kete rast,ky ndikim eshte i paperfillshem,per te mos thene qe nuk ka ndikim fare.
    Sepse,edhe sikur letersia shqipe,ne kete kohe,te kishte nje zhvillim te jashtezakonshem,te ishte ne kulmin e lulezimit te saj,edhe sikur te kishte nja pese a gjashte a me shume kadarenj te rinj,kjo nuk do te ndikonte ne tekstet e kengeve te Ences dhe kolegeve te saja.
    Sepse,kemi te bejme me nje trend muzikor.Kaq e thjeshte eshte.
    Pastaj,keshtu eshte thene perhere,ne cdo kohe per trendet muzikore.Duke filluar me Jazz-in…me Jazz-in qe eshte nje preference muzikore e vete zotni Vehbiut!Sidomos per kete.Kjo gjini muzikore,ne fillimet e saj,konsiderohej e shijes banale,e shijes se njerezve te shtresave te uleta,me te uletave…afroamerikaneve!Derisa u be e pelqyeshme per vete ata qe e perbuznin.
    E keshtu me radhe,pastaj me te gjitha trendet ne shekullin e kaluar:po bastardohet muzika…nuk ka poezi…vetem banalitet etj etj!
    Sa e sa njerez te shquar,poete e shkrimtare te shquar po te doni,kane thene keshtu!
    Por,ja ku jemi tani:Michael Jackson konsiderohet si gjeni i muzikes,kurse Beyonce po studiohet ne universitete shume serioze ,si fenomen ne muzike(meqe ra fjala,cdokush mund te sjelle jo nje,por disa tekste kengesh te Beyonce,qe nuk se jane edhe aq lart nivelit te tekstit te Ences;e ta mendosh qe ka nje staf gjigand pas vetes dhe me tekstshkrues te perzgjedhur!).

    1. Timur, ti po komenton për diçka që unë e përmenda në një shënim. Besoj se je në gjendje të kuptosh se, kur diçka – një vërejtje a një shembull – vendoset në një shënim, është plotësuese për argumentin kryesor, por jo e nevojshme. Dhe pikërisht: tekstet e këqija të këngëve (e theksoj: të këqija) mund të mos shqetësojnë në vetvete, si fenomen i veçuar, por ato marrin kuptim tjetër në ansambël, ose në kontekstin ku çdo manifestim i shqipes publike vjen i gjymtë, i mangët, i cekët, i penguar. Për të njëjtën arsye, një dhimbje koke mund të vijë nga një rrufë banale, por mund të vijë edhe nga një tumor në tru. Unë argumentin tim në shkrim nuk e kam ndërtuar mbi tekstet e Encës. Ta kam thënë disa herë tashmë: je duke u sjellë si troll.

      Ju lutem kolegëve të mos e vazhdojnë me diskutimet e tyre këtë fill të provokuar artificialisht nga Timuri, rreth teksteve të muzikës pop, sepse nuk është vendi.

    2. Po i lejoj vetes nje koment ne lidhje me krahasimin (?) mes Beyonce dhe Ences si nje kunderpergjigje ndaj argumentit kryesor te shkrimit.

      “Nëse letërsia shqipe bashkëkohore nuk arrin të përfshihet në mekanizmat e komunikimit kulturor edhe publik, edhe privat, rreziku është që nesër, publiku të përfundojë i jetërsuar edhe nga të gjitha vlerat kulturore të traditës – përfshi edhe kështjellat, mozaikët dhe ikonat; muzeumet dhe ekspozitat dhe panairet; operat dhe baletet.”

      Mund te argumentohet, ne shume nivele, se albumi i fundit i Beyonce eshte ne fakt nje model qe Enca-t mund te ndiqnin per te rehabilituar statusin e letersise (fjales) shqipe ne rrafshe te ndryshme te komunikimit kulturor. Albumi Lemonade ishte fillimisht nje poezi vizuale, ku rivizitohen imazhe e ikona pafund te kultures dhe pervojave te nje grupi te caktuar ne USA. Ishte me pak fjale nje mozaik, muze, panair kulturash (ajo urbane, afrikane, deep south, yoruba, a shume e shume te tjera.) Per me teper, ajo qe beri buje dhe meriton te studiohet ne universitet, eshte perfshirja e poezize se Warsan Shire. Poezi qe qendronte me vete. E imagjinoni cdo te thoshte per letersine shqipe nese nje Ence apo nje Aurela do te niste nje kenge me vargjet e Luljeta Lleshanakut?

      Shembulli me i perafert ne kulturen tone eshte albumi “Kalle llamen” i Fatime Kosumit, qe ndertohet mbi “këngë kanagjeqi: këngët e natës së fundit të beqarisë së vajzës apo gruas” fillimisht mbledhur nga Anton Ҫeta. Padyshim ky album ka shtyre kuriozitetin per te lexuar (ne kuptimin me te gjere te kesaj fjale) ne nje nivel krejt tjeter. Di plot raste miqsh qe kane pyetur per perkthimin e fjales “kalle”. Ne rastin me te keq, dikush ka shfletuar fjalorin.

      https://youtu.be/fsPi07EC2w8
      https://youtu.be/D5ye1RoiItI

      Me kaq e leme ketu kete spunto, dhe i rikthehemi temes kryesore.

  6. Mos te dalim shume nga tema, se edhe ajo certifikata nuk duket se shkon shume larg nga ato qe jepen ne boten perendimore e lindore.

    Kam pershtypjen qe anketa, nje nisme e mire, nuk e ka kryer misionin e vet sic duhet pasi aty, ne nje menyre a nje tjeter, kane dale shqiptaret e rinj “kozmopolite” qe mund te jene ndikuar terthorazi si nga emri i keshillit te anketeberesve apo qe tregohet edhe nga vete 10 librat e sugjeruar nga Keshilli Rinor, dhe qe te 10-te ne anglisht (Ata vete mund te kishin sugjeruar 1 ne shqip te pakten!)

    Edhe vete “10 librat qe lexoni me shume” mund te kuptohet ne 2 menyra, dhe nje nga keto eshte “10 librat me te mire qe keni lexuar gjate gjithe jetes suaj.” Ndoshta ai artisti shqiptar ka dale “jashte loje” (ne vendin e 11) dhe do e kompletonte skuadren. 🙂

    Nqs do kishin menduar me thelle e me shqipce do kishin krijuar dy “skuadra” ankete, nje per librat e huaj dhe nje per ato shqip ne menyre qe edhe te frymezohej apo te nxitej interesi per 10-en shqiptare.

    Normalisht apo rruga ideale mund te kish qene qe te ish paraqitur si ankete vendase apo pyetjet te ishin me te detajuara e me te shumta ne numer.
    Realisht rezultatet me te sakta ndoshta mund te merren nqs anketohen te gjithe librashitesit ne qytetet kryesore te Shqiperise (qe shesin me shume). Edhe biles librashitesit duhen paguar per kete enketim, tu paguhet koha per mundin dhe inventarin e sakte qe do jepnin per librat qe kane shitur, biles te paguhen me shume nqs thone me perafersi edhe grupmoshat qe mendohet se kane blere librat shqip e te huaj.

  7. Janë bërë këtu shumë komente për metodologjinë e anketës. Edhe unë besoj se anketa lë për të dëshiruar, në çdo pikëpamje. Por shkrimi më lart e përdor anketën si shkas ose pikënisje, për të trajtuar një gjë tjetër. Besoj se do të jeni dakord me mua, që libri shqip, nga autorë shqiptarë të sotëm, nuk po lexohet. Dhe ky shqetësim, që më bëri të shkruaj, as mund të krahasohet me shqetësimin për cilësinë e një ankete. Nëse ndokush ka në dispozicion të dhëna të tjera, që e kundërshtojnë premisën e shkrimit tim, është i lutur që t’i sjellë. Por unë do ta kisha shkruar të njëjtën gjë si më lart, edhe pa e përmendur fare anketën – sepse unë (si autor) jam drejtpërdrejt i angazhuar në botimet dhe në tregun e librit dhe e kam shumë të qartë se cilët libra shiten, cilët libra reklamohen, dhe cilët libra nuk shiten. Dhe nuk e kam fjalën këtu për librat e mi, ose ku jam unë autori; por për librin shqip në përgjithësi, pjesë e të cilit janë edhe kontributet e mia. Prandaj le të mos harxhojmë kohë dhe vend, me një anketë të rastit, e cila mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Edhe sikur të anketuarit të jenë përgjigjur “gabim”, sërish gabimi i tyre është domethënës. Çështja këtu është pse po i qëndron larg lexuesi librit shqip; dhe nëse ka këtu diçka që mund të ndreqet, ose ndonjë pengesë artificiale, që mund të shmanget me politika publike më të mençura ose më të përkushtuara. Për shembull, shkoni dhe lexoni, po të keni nge, rekomandimet që u bëhen lexuesve – nga figura televizive, celebrities, botues etj. – për librat që duhet të lexojnë gjatë verës, dhe verifikojeni vetë praninë atje të librit shqip nga autorë bashkëkohorë. Shikoni reklamat që bëjnë shtëpitë botuese – dhe nxirini përfundimet vetë. Nëse tregu e dikton këtë zbythje të librit shqip, atëherë efekti i tregut duhet korrigjuar, me politika publike. Shkrimi im më lart është një përpjekje në këtë drejtim, me shpresë se ndokush do ta lexojë (Në qoftë se një shtëpi botuese krijon bindjen se libri shqip nuk shitet, atëherë do të stepet, sa herë që dikush t’i propozojë një dorëshkrim: tregu është i pamëshirshëm.)

  8. Une nuk njoh, as kam pare e as kam degjuar qe ndonje i ri /e re shqiptar/e te bleje libra. (Ndoshta mund te kete ndonje, por -e perseris- une s’kam pare, as degjuar, e as njoh ndonje prej tyre!) Ndaj, te rinjte dhe te rejat qe kane marre pjese ne kete ankete jane -padiskutim- nga ata qe lexojne libra ne internet permes tabletes se tyre. (Te tille njoh disa.) Dhe, ne internet, nga keto tableta te dalin pikerisht shkrimtaret e mesiperm te anketes, me se shumti falas, ne anglisht kryesisht, cfare te rinjte e sotem e perdorin edhe ne libra artistike, per te perfeksionuar gjuhen angleze. Gjithashtu mendoj, se te rinjte e sotem shqiptare (me sakte: ne Shqiperi) nuk mund te perzihen ne libra artistike tek nje gjuhe qe nuk e kuptojne dhe aq mire, sic eshte gjuha shqipe per ‘ta. Duhet ditur se qytetet jane mbushur dy dekadat e fundi me njerez te zbritur nga fshatra te krahinave te thella malore, femijet e te cilet kane mbushur sot fakultetet e Tiranes; gjithashtu nuk duhen harruar dhjetra e qindra mijra shqiptare te Kososves dhe Maqedonise, shto mijra te tjere nga vende te tjera, te shqiptarizuar tashme. Ndaj mendoj se treguesi i mesiperm duhet llogaritur edhe per te gjithe kulturen shqiptare gjate dy-tre dekadave te ardhshme, kulture kjo qe do te jete tjetersuar 100% nga ajo e para 20-30 vjeteve, si dhe shqipja e viteve 70 -bie fjala- as qe do te kuptohet fare. Biles edhe sot, gjuha e Adriatik Kallullit p.sh. nuk kuptohet fare nga te rinjte e sotem. Cfare kerkojme atehere?

  9. Saktesim: e kam fjalen per gjuhen shqipe letrare; ndersa gjuha shqipe ne zhargonin e perditshem, e perhere e me e cdeformuar, do te vazhdoje.

  10. Mund te duket sikur po e kritikojme anketen e Keshillit te te Rinjve por ne fakt duhet pershendetur per percjelljen e veshtrimit ne thellesi te botes rinore shqiptare, si dhe duke theksuar qe cdo ankete ka metodologjine dhe perceptimin e vet. Sugjerimet per permiresim apo per nevojen e anketave me te detajuara per boten e librint shqip mund te ishte me me vend tu adresohen shtepive botuese apo enteve a personave qe jane te lidhur drejtperdrejt me boten e librit. Sigurisht ketu po rrahim ide, pasi ata e njohin me mire gjendjen, edhe ju z.Vehbiu e njihni shume mire tregun e librit, dinamikat etj.

    Nje element tregues i anketes se mesiperme eshte dhe koha qe harxhon rinia ne internet (rreth 27% kalojne 5-8 ore, ndersa rreth 5% rrine mbi 8 ore!), qe sigurisht ka ardhur ne rritje progresive krahasur sidomos me 10 apo 20 vjet me pare kur mund te ish me nje shifer, rritje qe perkon edhe me perdorimin e internetit ne bote.
    Eshte e kuptueshme qe perdorimi ne rritje i internetit nga rinia shqiptare eshte nje nga faktoret qe kane cuar ne uljen e lexuesve te librit shqip, ashtu sic edhe nje pjese e tyre mund te lexojne falas e ne gjuhe te ndryshme. Por si eshte prirja (“trendi”) i lexuesve ballkanike per librat ne gjuhen e tyre ametare? Ne rritje a ne ulje? Te dhenat e 2016 nga kompania Nielsen, qe ndjek shitjen e librave ne vende te ndrsyhme te botes, tregojne qe shitjet e librave ne 2016 kane rene ne Itali, Spanje, Australi, Afrike e Jugut e Brazil, nderkohe qe jane rritur ne SHBA, Britanine e Madhe dhe Irlande. Per keto te fundit rritja eshte lidhur me kohet e trazuara politike ne vend dhe rritjen e deshires per libra me tema politike, nderkohe qe gjen edhe shkrime te llojit tjeter,
    https://newrepublic.com/article/144029/trump-ruining-book-sales

    Disa thone qe pergjithesisht rritja e liberbleresve lidhet me gjendjen ekonomike, sidomos nqs ekziston perceptimi ne popullsi se ekonomia po ecen mire. Arsyet ndryshojne sipas vendeve e koheve, dhe ndoshta tregu shqiptar ka nevoje per Tolkien e Rowling vendas, ndoshta duhet njohur me mire se cfare kerkon lexuesi i sotem, ndoshta ka nevoje qe autoret shqiptare te fitojne me shume cmime ballkanike, europiane e me gjere, ndoshta ka nevoje per me shume panaire libri e ne vende e menyra te ndryshme per te ringjallur interesin per librin vendas, packa se per disa lexues mund te jete edhe ceshtje financiare. Jo te gjithe kane dore per te shkruar, e jo te gjithe duhet te publikojne, por liria e botimit ka hapur dyert dykanatesh, duke shpresuar qe te gjenden rruge bashkekohore per promovimin e penave te arta, te argjendta, e te bronxta vendase/shqip si dhe qe te dalin talente te rinj shqiptare.

  11. Ndoshta nuk eshte vendi dhe menyra e duhur, por une do t’ia beja kete pyetje Virion Graçit, qe na erdhi ketu ne PTF me nje shkrim, pasi mendoj se Virioni e njeh gjendjen e botimeve dhe te leximeve ne Shqiperi ndoshta me mire se ne te tjeret.

    Pra Virion, ç’lexojne me shume te rinjte sot ne Shqiperi dhe pse?

  12. Nuk mund të rrija pa iu kthyer kësaj faqeje pasi pikasa disa komente interesante, po edhe ca gabime në komentin tim, të shkruar në ngut e sipër, në krye të fillit (po më duken si të gdhendura në gur, pasi nuk shoh ndonjë mundësi editimi :-).

    Pas leximit të anketës (më parë i kisha hedhur një sy vetëm grafikëve), vërej se anketimi ka përfshirë edhe të rinj nga universitete jashtë Shqipërisë dhe i vetmi sugjerim që do të kisha (duke patur parasysh që anketa financohet nga një ambasadë e huaj dhe jo nga ndonjë institucion i yni (si psh. Ministria e Arsimit, apo ajo e Kulturës), ka të bëjë me transparencën. Do të ishte mirë që në fund të saj të vendosej një kopje e pyetësorit të përdorur. Kjo ndoshta do t’i përjashtonte disa prej vërejtjeve që shoh në komente, po edhe do ta bënte më serioze e të kuptueshme.

    Në një situatë futuriste, kur dikujt (ose disave) në ndonjë prej ministrive të përmendura më sipër (ose në të dyja bashkë) mund t’i bjerë në mendje të marr mundimin e ta bëjë një të tillë anketë me të rinjtë në të gjitha trevat (e kioskëzuara në shtete, a krahina) shqipfolëse, them se tre mund të ishin pyetjet boshtore në lidhje me leximin e librave:

    – Çfarë?
    – Sa?
    – Si?

    Është e vërtetë që librat e autorëve shqiptarë ekspozohen në kënde modeste nëpër librari, ndoshta edhe sepse ndarjet rëndom bëhen sipas një renditjeje tematike dhe prurjet e tyre janë më të pakta krahasuar me begatinë e përkthimeve, por është e vërtetë gjithashtu që prania e të rinjve në librari nuk haset, apo është aq e rrallë sa mund të duken si alienë-jashtëlibërorë nëse ndodh t’i hasësh rastësisht, diku…

    Ky tëhuajëzim nga libri i shtypur them se mund të matet nga pyetja e fundit: Si lexojnë të rinjtë shqiptarë? Unë kam qënë për disa kohë në një ambient ku kishte të rinj shqiptarë dhe të huaj që bënin praktikën e masterave. Vure re se ndryshe nga shqiptarët, bashkëmoshatarët e tyre të huaj gjatë orës së pushimit nguteshin të printonin materiale të cilat duhet t’i lexonin (na lodhen sytë në kompjuter, thonin). Kjo nuk ndodhte me shqiptarët, të cilët me sa dukej preferonin të lexonin nga ekrani dhe jo nga letra. Në këtë pikë, disa edhe i kam pyetur dhe më janë përgjigjur se jo vetëm që ju dukej më praktike të mos ngarkoheshin me një barrë letra, por preferonin gjithashtu të dëgjonin leximin e librave (nga Audible, ose Librivox) kur ishin në udhëtim, ose para se të flinin. Se sa efikas dhe i plotë është ky lloj digjestimi i librave, kjo është një temë tjetër, por autorët shqiptarë që kanë libra të afishuar për shitje në “Amazon”, apo “Barnes & Noble” janë të rrallë dhe unë nuk kam hasur ndokënd që të ketë edhe versionin e lexueshëm elektronikisht në “Kindle”, përveç atij në letër (Paperback), për të mos folur pastaj për “Audible”.

    Rruga që ndjekin autorët shqiptarë për të mbërritur tek lexuesit është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, jo më pak e rëndësishme, është ajo që ata kanë për të thënë me librat e tyre. A mundet një anketë më e zgjeruar të pasqyrojë shijet dhe interesat e të rinjve, dhe pse jo, edhe ato të lexuesve të të gjitha moshave? Unë besoj se ca piketa do të mund t’i hedh si fillim.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin