Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Mjekësi

NJË STREHË PËR TË PREKURIT

Kur kujton a dëgjon fjalën sanatorium, të shkon mendja te ca skena romanesh të fillimshekullit XX, idealisht të Thomas Mann-it; ku njerëz të ndjeshëm me gjoksin të zgavruar nga tuberkulozi kalonin muaj të ngeshëm në shoqëri të vdekjes së shoku-shokut, të rrethuar nga peizazhi mahnitës, por indiferent.

Si institucione të posaçme për të sëmurët me tuberkuloz, sanatoriumet sot i përkasin historisë, të nxjerra jashtë loje nga antibiotikët, së bashku me letërsinë tuberkulare, trishtimin romantik dyllë të verdhë dhe konsumin e përvëluar të trupit dhe të shpirtit. E megjithatë, unë gjithnjë e mbaj mend atë të Tiranës, që priste të sëmurë deri vonë; në mes të kodrave të kurorës së Tiranës, i rrethuar edhe ai, në mënyrën e vet, nga peizazhi mahnitës, por indiferent.

Në sanatorium të sëmurët shkonin për t’u shëndoshur, në të gjitha kuptimet e fjalës – sepse tuberkulozi të gërryente nga brenda. Vetë emri ishte formim i vonë nga latinishtja sanare, ose në thelb nga e njëjta rrënjë që jep proverbën mens sana in corpore sano, “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”; ku mbiemri i shëndoshë ka kuptimin edhe “i shëndetshëm” edhe “i ngjallur, i bëshëm, i trashë nga trupi.”

Përndryshe, në anglishte sëmundjen e quajnë edhe consumption që vjen, në analizë të fundit, nga latinishtja consumptio, dhe që ka pasur kuptimin “lëngatë, sëmundje që të rrëgjon trupin, që të konsumon”. Në fakt, humbja në peshë ka qenë një nga simptomat karakteristike të tuberkulozit – çfarë edhe do të shpjegonte cilësinë aq mbresëlënëse të ushqimit që servirej në sanatorium.

Të prekurit nga tuberkulozi (ja një eufemizëm i ngjethshëm i shqipes: i prekur, për “i infektuar”; a thua se së keqes i mjaftonte ta prekte viktimën me majën e gishtit, për ta bërë të vetën) shtroheshin në sanatorium për t’u çlodhur; çlodhja ishte pjesë e terapisë, jo thjesht efekt anësor. Mendohej – shpresohej se jeta e qetë, pa stres, në klimë të shëndetshme prej mali magjik, do t’u jepte të sëmurëve një shans për ta mposhtur sëmundjen.

Kur isha ende fëmijë në tetëvjeçare, mbaj mend që në sanatoriumin e Tiranës kaloi ca kohë edhe gjyshja ime, që kish vuajtur nga tuberkulozi gjatë Luftës dhe ia vuante herë pas here ndërlikimet. Shkoja ndonjëherë për ta parë, por vetëm më lejohej t’i afrohesha ndërtesës nga lëndina poshtë, dhe ajo dilte në ballkon dhe më hidhte që andej ushqime të ëmbla.

Ime më, që mund t’i shkonte për vizitë, sillte nga sanatoriumi gjëra speciale, si një rrush të zi të pjekur thellë, që e quanin “rrush tuneli”, me gjasë ngaqë ashtu e ruanin. Ja një përkujtesë për kënaqësitë e gojës, që ende u sugjeroheshin tuberkularëve të Shqipërisë, që i kishin mbijetuar tashmë së keqes.

Shqipja tuberkulozit i thotë edhe kollë e keqe, lëngatë e thatë, dergjë, murtajë e bardhë; huazime popullore janë verem dhe oftikë. Sikurse mbiemri i prekur, për personin e infektuar, edhe këto janë eufemizma, që duan ta largojnë tersin nëpërmjet një emërtimi të tërthortë.

Shqipja edhe ka pasë thënë për të sëmurin: është tuberkuloz, nëpërmjet një ndërtimi në dukje jokorrekt; në vend të ka tuberkuloz, vuan nga tuberkulozi, etj. Tek është tuberkuloz, i sëmuri dhe sëmundja bëhen një, viktima shndërrohet në fytyrën e xhelatit. Ndoshta ky formim i çuditshëm është ndikuar edhe nga formime të ngjashme si është leproz, është nervoz, është kanceroz

Të thuash se, kur vjen puna për tuberkulozin, vështirë ta ndash njeriun nga morti që i është strukur në gjoks.

Edhe leksiku satelit, që është përftuar rreth sëmundjes me ndihmën edhe të zhargonit të mjekëve, na thotë diçka për perceptimin e tuberkulozit nga shqipja: veç të prekurve, flitet edhe për hijet në mushkëri dhe kavernat, metafora që u bashkëlidhen imazheve të lastrave radiografike, me brinjë dhe organe të murrëtyera; përvijime të së vdekurit brenda të gjallit, të fantazmës brenda mishit.

Tuberkulozi është sëmundje e mushkërive dhe e frymës, kjo e fundit një ndërmjetësi mes materies dhe shpirtit; por mushkëritë janë edhe pak vegla muzikore, që të prekurve u janë ndryshkur, rënduar, mbushur me ujë. Figura e mjekut që ia “dëgjon” muzikën kësaj organoje viscerale me stetoskop e plotëson pamjen; pa përmendur pastaj praktikën edhe më të hershme të perkusionit, kur mjeku godiste gjoksin e pacientit me gisht, për të kuptuar diçka nga kumbimi dhe jehona.

Sërish një shoqërim fundja jo dhe aq i pafajshëm me muzikën, sepse për këta mjekë që e vinin diagnozën me të dëgjuar thoshin se duhej të kishin vesh muzikor; dhe vetë gjoksi ku mjeku trokiste për të kërkuar informacion përgjigjej si të ishte instrument perkusioni, herë si gong i një tempulli, herë si daulle e thatë funerali.

Sanatoriumi ashtu siç e njohim ka qenë një institucion sui generis, as shtëpi konvaleshence dhe as spital, por diçka e ndërmjetme; një vend i ndritshëm ku të sëmurët duhej të silleshin si të ishin të shëruar tashmë, nëse donin vërtet të shëroheshin. I vështruar nga sot, të kujton edhe një Grand Budapest Hotel, edhe anijet luksoze të pasagjerëve të fillimshekulli, si një “Titanik” i përbindshëm, ku orkestra fillon të luajë menjëherë pas shfaqjes së ajsbergut nëpër natë, hije e bardheme në lastrën radiografike të oqeanit.

I përket një shekulli kur fizioterapia ende e pretendonte kurorën e terapive; dhe ku tuberkulozi luftohej me ajër të pastër, gjimnastikë dhe sidomos diell, shumë diell. Mjediset e brendshme, rregulli dhe pastërtia, rutinat e ditës të zbatuara rreptë, të kujtojnë herë kuvendet e murgjve, herë burgun; pa çka se vetë tuberkulozi aso kohe lulëzonte me afsh në institucione të tilla kolektive, si kasermat, shtëpitë e korrektimit, kuvendet e murgjve dhe çmendinat. Por ishin edhe kohët e homeopatisë, ose kur plumbi nxirrej me plumb: për ta trembur sëmundjen, kjo kushedi u dashkësh gënjyer me një skenografi të ngjashme me atë që e mbante gjallë.

Ajrimi që i bëhej dhomës së të sëmurit në mëngjes duke hapur dritaret, pas një nate të vështirë plot gulç, grahmë, zjarrmi dhe kapitje, ishte edhe metaforë për ajrin e freskët që duhej lënë të hynte në mushkëritë e sëmura, së bashku me dritën e diellit (ende besohej se ajri “i ripërdorur” ishte një nga shkaqet e sëmundjes). Këshillat për helioterapi, aeroterapi dhe hidroterapi lodronin në gojën dhe në mendjen e çdo mjeku të respektueshëm.

Ku hyn dielli nuk hyn mjeku, ka qenë një fjalë e atyre viteve.

Parimi mistik i sanatoriumit ishte që tuberkulozi do të kurohej dhe kushedi shërohej duke e lënë një pjesë të përzgjedhur të botës përjashta që të hynte brenda trupit të drobitur dhe të molepsur.

Pa çka se njerëzit që mblidheshin në këto streha të shpresës, zakonisht në gjendje të mirë ekonomike, të përkëdhelur dhe arrogantë ndaj fatit të tyre të keq, me kohë mësoheshin me këtë pezullim që ia bënte rrjedhës së kohës institucioni dhe i kalonin ditët si mysafirët në një qendër konferencash, në pritje të një eventi që nuk mbërrinte.

Në kuptimin që vetë pritja e ngeshme dhe në shpengim shërbente si ritual ekzorcizmi.

Gjithsesi, sanatoriumi ynë në kodrat e Saukut nuk e përjetoi dot këtë eksperiencë epokale; pse u ngrit në një kohë kur mjekësia e kish vënë poshtë sëmundjen dhe mund ta përdorte suksesin për të çuar përpara, për të promovuar mitin e një institucioni mjekësor që prodhonte shëndet.

Si edhe shumë negativitete të tjera në atë kohë, tuberkulozi në Shqipërinë socialiste do të trajtohej si mbeturinë e së kaluarës; stigmë që viktimat e kishin sjellë me vete nga “koha e Zogut”, nga vitet e Luftës, nga jeta në skamje dhe në uri, si të ishin edhe ato vargje të “Poemës së Mjerimit”, të Migjenit.

Prandaj edhe sanatoriumi erdhi e u shndërrua, njëfarësoj, në në një vend të tuberkulozëve të plakur, në mos në një muze të heshtur të tuberkulozit shqiptar; çfarë ishte edhe përgjigje ironike ndaj faktit që tuberkulozi dikur godiste për vdekje moshat e reja.

Në fakt, në Tiranë, dhe ndoshta gjetiu në Shqipëri, sanatoriumit i thoshin zakonisht senatorium, duke e kthyer në e njërën prej a-ve, dukuri fonetike e njohur si disimilim. Sipas të njëjtave rregullsi spontane të fonetikës shqipe, edhe theksi ishte zhvendosur drejt rrokjes së fundit: senatoriúm.

Termi modern senat, që përdoret në shumë gjuhë europiane, vjen nga latinishtja senatus, që ka kuptimin “këshill i pleqve, pleqësi”, dhe vjen nga latinishtja senex, “plak, i moshuar”; nga senatus edhe senator. Sipas një etimologjie imagjinare, senatorium-i do të ishte një azil pleqsh, ose – nëse duam – një vend ku shkojnë senatorët për të luajtur me vdekjen.

Pa dashje, shqipja kish hequr dorë nga lidhja e këtij institucioni me shëndetin dhe shëndoshjen, për të krijuar një lidhje të re, të papritur, me senatin dhe senatorët.


Shënim: Një version mjaft më i shkurtër i këtij shkrimi është botuar në blogun Shqipologji.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin