Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

PËR NJË KIOSKOLOGJI SHQIPTARE

Në Shqipëri mungojnë studimet historike apo kulturore mbi kioskën. P.sh. për Tiranën nuk besoj se ka një rrëfim mbi historinë e kioskave, që nuk fillon në kohën e pellazgëve apo ilirëve, por diku me urbanizimin e qytetit të Tiranës, ose pas viteve 80, dhe që mund të përmbajë edhe gjurmë orientale pa urrejtje ndaj turkoshakëve. Le të jetë ky artikull një fillim për këtë ndërmarrje që kërkon përpjekje kolektive.

Mbi teorinë e kioskografisë shqiptare
Kioska, sipas Wikipedias, i paska fillesat e saj në traditën otomane dhe emërtimin nga persishtja. E konceptuar fillimisht si një ndërtesë shtesë në oborrin e xhamive apo e tyrbeve, kioska u shndërrua në zbukurim nëpër kopshtet me lule të anglezëve e gjermanëve, e më vonë në dyqan nëpër gjithë Evropën. Në Gjermaninë e shekullit XIX kioska përkufizohej në fjalorin “Brockhaus” si “një ngrehinë e lehtë në qytetet e mëdha prej druri apo hekuri dhe xhami, që shërben për shitjen e gazetave, pijeve freskuese, duhanit dhe produkteve të ngjashme”. Elementi i saj dekorativ, si një mobilie urbane (street furniture) i ka qëndruar kohës.

Sipas Naumann (2003) në Berlin lejet e para të lëshuara nga administrata (gjithmonë e interesuar të kontrollojë shpërhapjen dhe shpërndarjen e tyre) datojnë prej 1859, si “pijetore të lëvizshme”. Suksesi i tyre tregtar i shpuri kioskat në Paris, të cilat mbartën me vete emrin berlinez “Trinkhalle”. Pijetore, nënkuptohet për të pirë, dhe jo pije alkoolikë. Këto shisnin ujë me gaz e madje duhet të shërbenin si prita ndaj proletariatit të turbulluar nga birrat e të tjera pije alkoolike. Më vonë kioskat në Gjermani filluan të shisnin edhe gazeta, e pas Luftës së Dytë Botërore edhe salsiçe apo ushqime të shpejta. Atëherë ndryshuan edhe materialet e konstruksionit të kioskave, në metal, dru apo xham, nga prej lecke që ishin fillimisht. Veç të tjerave, duke qenë se ato vendoseshin nëpër vende ku mblidhen gjithfarësoj njerëzish për arsye të ndryshme, si spitale, shkolla, godina qeveritare etj., në qytetet e mëdha kioskat plotësonin edhe funksione të rëndësishme sociale. Sipas Naumann (2003) ato ishin vende fikse në mes të çoroditjes së metropolit, të cilat shërbenin si pika takimi, mbledhjeje apo arratisjeje.

Edhe në Tiranë dikush mund të imagjinojë një zhvillim të ngjashëm. Sikur edhe në Perëndim, tanimë kioskat duhet t’ia lënë vendin kioskave multi-mediale apo automatëve të kafesë e produkteve të tjera të gatshme të instaluara nëpër spitale, shkolla e mjediset e administratës. Por jo!
Nëse në Gjermani apo gjetkë në Perëndim borgjezia distancohet nga shërbime të tilla të shpejta, duke ja lënë këtë kënaqësi më shumë rinisë se paskrupullt e të nxituar, në Shqipëri shërbimi kioskor nuk njeh dallime të tilla klasore apo brezash, e madje përjeton çdo mandat të ri qeveritar nga një shtysë të re për shumëzimin e tyre. Besnikëria partiake po paguhet me kioska, veç lejeve apo licencave të ndryshme që janë shndërruar me kohë në monedhën e këmbimit të pushtetit dhe rrisin volumin e tyre gjithmonë para e pas zgjedhjeve elektorale të përgjithshme apo vendore. Por ca më keq, kioska në këtë fazë zhvillimore nuk njeh pluralizmin, ajo po përqendrohet gjithmonë e më shumë në duart e oligarkëve.

Kësisoj, nga një vend i përkohshëm e fragmentues për shkak të funksionit dhe materialeve të saj të ndërtimit, kioska është bërë një vend i përhershëm dhe totalitar në fytyrën e Tiranës. Kioska si një simbol i totalitarizmit me kokë poshtë (inverted totalitarianism, S. Wolin). Madje, kioska si parim organizimi nuk rresht të përshtatet e transformohet në organizata e fusha të tjera të jetës: në parti kioskë, shoqata kioskë, politikan kioskë, mjek kioskë, e deri tek mësues kioskë.

E këtu nuk bëhet fjalë veç për aftësimin neo-liberal të brezave të rinj për sipërmarrje, si p.sh. programi i ri shkollor “Junior Achievement” në arsimin e mesëm, apo inkubatorë të biznesit në arsimin e lartë, ku predikohet i gjithë populli sipërmarrës, me ose pa kioskën e vetë. Por edhe për kioskëzimin tanimë korporatist të jetës qytetare në Tiranë: jo popull sipërmarrës, por skllav. çfarë të sjell të mendosh se këto programe për aftësimin e sipërmarrjes janë mashtrimi i madh: ato na përgatisin të mirëpresim, pranojmë e madje urojmë përqendrimin e madh të pasurisë në pak duar “sipërmarrësish” të aftë e përligjur të mendojnë e veprojnë edhe për ne.

Mbi kioskëzimin shqiptar

Kioska është materializimi i historisë së zhvillimit të sistemit kapitalist në vend. Kush injoron kioskën, ka injoruar edhe historinë e këtij vendi pas viteve 90.
Unë propozoj që në Tiranë të dallohen kryesisht katër faza të kioskëzimit. (1) Kioskëzimi, para viteve 90; (2) zgjerimi i kioskave gjatë 1992-2002; (3) kioskë-derdhja në sektorë të tjerë (spill-over) 2005-2013; dhe (4) rikioskëzimi, 2013-2017. Nëse do të ri-rrëfenim historinë e kapitalizmit shqiptar të pas viteve 90 nga perspektiva e kioskëzimit, atëherë mund të vërehet zhvillimi i sipërmarrjeve nga mikro, individuale e lokale, në ato korporatiste e globale të lidhura me krimin e organizuar.

Kioska e parë lindore, K67, u prodhua për herë të parë në Slloveni nga arkitekti Saša J. Mächtig në 1969 dhe u shpërnda më tej në gjithë vendet socialiste. Kioska modulare ishte prej materiali plastik (poliestër) e mund të montohej sipas konfigurimeve të nevojshme.

Në Tiranë i kam parë për herë të parë nga fundi i viteve 80, nëpër stacione autobuzi apo buzë urave. Kam dëgjuar se vinin nga Jugosllavia. A ishin këto vijim i traditës së kinkalerive, ekzistente në Tiranë prej viteve 20 e mejhaneve prej llamarine, apo kërpudha importi jugosllave të konsumerizmit socialist (consumer socialism)? Duhet sqaruar. Por me transformimin e sistemit në vitet 1990 kioskat, sikur edhe ndërmarrjet shtetërore, u privatizuan dhe i gjithë populli u gdhi aksionar brenda natës. Ca vajtën dhe më tej e u ngrysën investitorë në skemat piramidale, për të dalë që andej të ri-militarizuar me të vetmin kapital „të gjithë popullit ushtar“, kallashnikovin.

Doktrina kapitaliste shërbeu për të vijuar kioskëzimin e Shqipërisë, tanimë nën çmendurinë kolektive të dirigjuar jo nga shteti, por nga premtimi kapitalist nën nxitimin e terapisë së shokut. Gjithsekush dëshironte kioskën e vetë. Ane e mbanë u shtuan karrocat me qofte (që për dikë pakësoi edhe qentë endacakë si viktima të rritjes së konsumit të mishit) dhe kutitë me banane e çokollata Hilal, si vatrat e para të kapitalizmit shqiptar. Të tjerë investuan në sipërmarrje më shumë ose më pak të fisme, si mbjellja e pikave të karburantit, trafiku njerëzor apo prostitucioni.

Ndoshta është përshtypja ime, por prej 2002 vërehet një përqendrim i veprimtarive ekonomike dhe kjo vërehet pikërisht tek kioska. Nismat private fillojnë me kioskat, si ato të arsimit të lartë pas 2004 apo spitalet e laboratorët private, dhe përfundojnë me kompani të mëdha në parajsat fiskale. Kështu kioska vazhdon ekzistencën e saj të përçudnuar në një instrument korporatist të korruptimit të sistemit politik.

P.sh. numri i sipërmarrësve të vegjël, mikro-biznesit, është zvogëluar, ndërkohë që numri i sipërmarrjeve të mëdha nuk pëson ndryshime. Sipas gazetës Monitor.al biznesi i vogël ka një numër të madh të vetëpunësuar (60%), kryesisht në tregti, dhe falimentimi i tyre do të rriste papunësinë, edhe pse kontributi i tyre mbi ekonominë vlerësohet i vogël. Kioskat dhe shitësit ambulantë po zëvendësohen kështu nga kompani të mëdha, të cilët janë të interesuar të skllavërojnë punëtorët me rroga minimale, dhe ato jo të paguara në kohë. E kjo bëhet me ndihmën e shtetit.

Nga një analizë e një projekti në fushën e gazetarisë – PSE del që janë mbi 100 kioska në gjithë Tiranën të shtuar në këta muaj. (PSE është një tjetër model kioske digjitale e projekteve të Ambasadës Amerikane, sikur disa portale të financuara nga oligarkët). Kioskat e ngulura, që siç vërehet në foto kanë pjellë kioska të tjera elektronike, janë në pronësinë e dy kompanive, me individë të lidhur me Vjollca Hoxhën, pronare e Top Channel, sipas një burimi tjetër. Bashkia e Tiranës, sipas gazetarëve, ka vepruar në mungesë të plotë transparence për këtë çështje dhe nuk ka denjuar ti kthejë përgjigje gazetarëve të PSE.

Kioskat kanë zaptuar hapësira publike, e nuk është çudi që në valën e legalizimeve dhe zgjedhjeve të privatizojnë truallin, sikur po bën kjo qeveri me çdo shërbim apo pronë publike. Kioskat, si simbole të kapitalizmit shqiptar, sikur edhe dëshmohet nga individë të ndryshëm: përqendrojnë tregtinë në disa duar, ndërpresin qarkullimin në rrugë, konkurrojnë në mënyrë të pandershme, shfrytëzojnë shitës ambulantë me rroga minimale dhe me siguri ndihmojnë në financimin e paligjshëm të partive politike. P.sh. rregullorja e bashkisë për zënien e hapësirave publike nuk respektohet dhe shkelet në dëm të kalimtarëve.

Zaptimi më i fundit i hapësirave publike nga kioskat me tabela Pepsi dhe Coca-Cola ka zbythur partikularizmin e dikurshëm të Zanit, Bules apo Tosit. Tosi, Bulja apo Zani, të cilët rrinin 24 orë hapur (mund edhe ti bije xhamit të dritares pas orës 12 të natës ose kur kishte fushatë nga tatimet), ishin njëkohësisht qendra komunitare të shërbimit e socializmit, ku banorët loznin ndonjë shah, pinin kafe me shokë e vëzhgonin ndonjë shalë femre apo merrnin nëpër gojë gjithë lagjen. Edhe pse pakkujt i interesonte ta konceptonte kioskën si një mobilie urbane, por ca më shumë si një strehë-hedhurinë të përkohshme, ato kishin normat e tyre sociale dhe pse mungonte etiketa e sjelljes e mbizotëronte harbutëria.

Korporatizimi dhe përqendrimi i pronësisë mbi kioskat nuk solli gjithsesi ndryshim estetik, e aq më pak të mirësjelljes. Në një shpifurinë urbane të ngjashme rri sot edhe skllavi anonim i pajtuar 8 orë në ditë, që shet produkte industriale kaps-ndjellëse për një pagesë të mjerë. Veç atij i duhet edhe të mbajë në këmishë apo ballë Pepsi apo Coca-Cola, pasi nuk zotëron as krahun e tij të punës, e jo më kohën apo hapësirën për t’ia ofruar komunitetit. Ndërsa harbutërinë e Tosit apo gojën e ndyrë të Bules e ka zënë makutëria e kompanive që pushtojnë çdo hapësirë publike, të ndihmuar në orekset e tyre nga qeveria.

Përfundimisht, ftoj hulumtues shqiptarë ta kthejnë këtë ese në një projekt kërkimor antropologjik apo sociologjike dhe ekonomik.


Elisabeth Naumann (2003) Kiosk. Entdeckungen an einem alltäglichen Ort – vom Lustpavillon zum kleinen Konsumtempel. Jonas Verlag: Marburg.

1 Koment

  1. Une mbaj mend qysh nga fundi i 70-ave disa pak kioska ne Tirane! Nje perballe ekspozites kineze, nje (apo dy) ne kombinat, me vone nje e madhe perballe shkolles se bashkuar (dy stacione para Kinostudios), nje tek (ish) komiteti ekzekutiv (sot muzeu kombetar), nje-dy tek treni, tek xhamlleku per mbledhje letrash e plastikash, e ne ndonje vend tjeter ralle-tek, pa llogaritur pikat e vajgurit, qe ishin te bera me mure e qe gjindeshin kudo. Po keshtu edhe ne qytete te tjera kishte pak te ralla kioska. Si fenomen kioskat dalluan ne fillim te 90-ave, kur Shqiperia u be shesh dhe kushdo bente pershesh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin