Ja një argument që kushedi ndihmon për debatin nëse gënjen dot apo jo letërsia.
Kush e ka lexuar “Kronikë në gur” do ta mbajë mend edhe Aqif Kashahun, si një nga bashkëqytetarët e rrëfimtarit dhe personazh i dorës së dytë në roman.
I prezantuar nga kronisti Xivo Gavo si një nga njerëzit më të rëndë të qytetit (106 okë/159 kg në përkthimin anglisht), dhe babai i një vajze të treguar me gisht për një lidhje dashurie “skandaloze”, Aqif Kashahu është edhe ai që sjell në qytet krahun e këputur të pilotit anglez të vrarë, për t’ua treguar të tjerëve – duke klithur me të egër njëlloj siç do të klithte më pas, kur e kapi të bijën duke u puthur me jaranin, në terrin e strehimit kundërajror dhe pastaj e hoqi zvarrë për ta nxjerrë në rrugë, mu në mes të bombave që binin.
Në fund të romanit, për Aqif Kashahun na thuhet se ka dalë rrugëve i veshur ballist.
Gruaja e tij, dy djemtë dhe nëna e tij shurdhe shfaqen gjithashtu në roman, në role të vogla, mbushëse, episodike; ndryshe nga Aqifi vetë, i cili është mes protagonistëve të fantazive “horror” të rrëfimtarit, meqë mund ta ketë mbytur vajzën me duart e tij – një dhunë së cilës i bën jehonë skena me krahun e pilotit anglez.
Qëkur doli për herë të parë romani, u tha se Aqif Kashahu paskësh qenë njeri real në Gjirokastër, madje kushëri i ca kushërirave tona; por që për arsye “politike” nuk duhej përmendur.
Pas viteve 1990, për Kashahun këtë herë qytetar real shkruan Arjeta Kokalari, Pëllumb Çabej, Tajar Kokalari, Kastriot Myftaraj dhe me siguri të tjerë; për të ravijëzuar një portret krejt të pangjashëm me atë të adashit të tij në “Kronikë në gur” – ky Aqif Kashah ishte një djalë elegant nga qyteti, zanatçi dhe afarist, por edhe shok i fëmijërisë së Enver Hoxhës.
I akuzuar si spiun, kolaboracionist, tradhtar dhe ndoshta edhe spekulator, Aqif Kashahu “real” u pushkatua nga komunistët, në vitin 1946, kur ishte vetëm 37 vjeç.
Lexuesit do të pyesin, në këto rrethana, se deri sa mund t’i identifikojmë këta dy Aqifë, që kanë çuar jetë të ndryshme, në botë të ndryshme.
Pyetja merr kuptim më të mbështetur, po të kemi parasysh një disclaimer që e ndesh shpesh në kreditet e filmave dhe faqet e para ose të fundit të veprave të letërsisë “fiction” në Perëndim:
This is a work of fiction. Names, characters, businesses, places, events and incidents are either the products of the author’s imagination or used in a fictitious manner. Any resemblance to actual persons, living or dead, or actual events is purely coincidental.
Ose në italishte:
Ogni riferimento a fatti realmente accaduti e/o a persone realmente esistenti è da ritenersi puramente casuale.
Ky mohim përgjegjësie bëhet për të parandaluar ndonjë akuzë të mëvonshme, kundër shtëpisë botuese ose autorit, nga ndonjë person a entitet tjetër që e gjen veten të keq-pasqyruar në vepër.
Natyrisht, një praktikë e tillë nuk ndiqej në Shqipëri në kohën kur u botua “Kronikë në gur” dhe, në çdo rast, familjarët e Aqif Kashahut nuk ishin në pozitë të tillë, që të kërkonin zhdëmtim nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” a nga Kadareja vetë, nëse e gjenin fyese paraqitjen e “Aqif Kashahut” në roman.
Por, edhe në rast të një padie hipotetike, pala e akuzuar mund të ish mbrojtur, duke thënë se ky Aqif Kashah i romanit nuk kish lidhje me realin, por bëhej fjalë për një përkim emri, jo personi.
Çfarë më sjell ndërmend një barceletë të vjetër:
Dy burra ndeshen rastësisht në rrugë. Thotë njëri: “Hej, Alfredo, sa paske ndryshuar! Shoh që paske lyer flokët, le pastaj sa je shëndoshur; madje po më dukesh edhe sikur je zgjatur.!” I përgjigjet tjetri: “Nuk e kam emrin Alfredo!” Dhe i pari: “Ah, paske ndërruar edhe emrin, pra!”
Pyetja tani shtrohet kështu: çfarë kushtesh duhet të plotësohen, që Aqif Kashahu i romanit “Kronikë në gur” të konsiderohet – ligjërisht – si përmendje e qëllimshme e Aqif Kashahut gjirokastrit të pushkatuar në 1946?
Ndonjë si Myftaraj, nuk ka dyshim se Kadareja e pat përmendur qëllimisht Kashahun në roman, madje duke e karikaturizuar, për t’i bërë qejfin Enver Hoxhës, i cili Kashahun nuk e paskësh dashur – por ky është veç spekulim.
Ironikisht, i njëjti emër rishfaqet në veprën e Kadaresë, këtë herë te sprova “Hamleti, princi i vështirë”, ku flitet për një deputet plak në parlamentin e vitit 1924, Aqif Kashahu, i cili – sipas Nolit – me dorën që dridhej ia pat drejtuar koburen armikut të tij të vjetër vetjak, Vërlacit.”
Myftaraj sqaron se Noli flet në fakt për Aqif Pashë Biçakçiun, jo Aqif Kashahun. Atëherë ç’kërkon ky i dyti, në parlamentin shqiptar “real” të vitit 1924?
Kadareja ka qenë dhe mbase mbetet akoma adhurues i Balzakut dhe i konceptit të tij të “Komedisë njerëzore”, ku të njëjtat personazhe shëtitin e zhvendosen nga një libër në tjetrin, si të ishin heronj eposesh dhe legjendash.
Kështu bën edhe yni me disa nga personazhet e veta, si Besnik Struga, Skënder Bermema, Ana Krasniqi, e ndonjë tjetër, në romanet “Dimri i madh” dhe “Koncerti”.
E megjithatë, vështirë të besohet, edhe brenda ligjësive të lirshme që rregullojnë tekstet e shkrimtarëve, se Aqif Kashahu deputet në Parlamentin shqiptar të vitit 1924 rishfaqet si gjirokastrit provincial, kaba dhe ndoshta edhe gjakësor, te “Kronikë në gur” – aq më tepër që sprova për Hamletin u referohet personazheve historike, jo fiksionale.
Nga njëra anë, kemi një Aqif Kashah në Parlamentin e vitit 1924, gjë e pavërtetë që mund të shpjegohet si gabim e shkrimtarit; nga ana tjetër, kemi një Aqif Kashah në romanin “Kronikë në gur”, vepër fiksionale; që edhe i afrohet edhe i largohet Aqif Kashahut “real” – që ka jetuar vërtet në Gjirokastër, por një jetë disi të ndryshme nga ajo e Aqifit të “Kronikës”.
A mjafton, pra, emri i njëjtë, për të konsoliduar identitetin?
Ekziston, në ShBA dhe me siguri edhe gjetiu, një praktikë e çuditshme ku lexues, miq e dashamirës i kërkojnë një shkrimtari të njohur që t’ua përdorë emrat në romanin e tij të radhës.
Kjo praktikë, vanitoze në vetvete, dëshmon megjithatë se këta lexues besojnë, në mënyrën e vet, se diçka e tyrja do t’i përcillet tekstit dhe do të jetojë në një univers më të rralluar dhe më “elitar”, se realiteti i tyre i përditshëm; në kuptimin që, në mos ata vetë, të paktën emri i tyre ka shanse të bëhet i famshëm.
Anasjelltas, në vende të mëdha, asnjë shkrimtar nuk mund të jetë i sigurt se një emër që ka zgjedhur për personazhin e vet nuk është edhe emri i një personi real.
Për shembull, sipas sajtit howmanyofme.com, sot në ShBA ka 1,036 vetë që quhen John Cameron; 30,302 vetë që quhen John Williams; dhe 5,328,576 vetë që quhen John. Përveçse që janë përgjithësisht meshkuj që duhet t’i përkasin sferës kulturore-gjuhësore anglo-saksone (dhe që janë të regjistruar në databazë dhe që janë të gjallë e realë, jo personazhe veprash fiksionale), këta John-ër nuk kanë gjë tjetër të përbashkët mes tyre.
Këto të dhëna mbase nuk vlejnë për Aqif Kashahun – me një mbiemër tipik gjirokastrit dhe një personazh të cilit Kadareja, edhe në rastin më të keq, do t’ia ketë dëgjuar emrin të paktën në fëmijëri; por të paktën vlejnë për të pranuar, së paku në teori, se një shkrimtar ase autor çfarëdo e ka të vështirë të sigurohet se emri që ia vë personazhit të vet nuk do t’i hapë punë me realitetin.
(Gjithnjë sipas këtij sajti, sot në ShBA ka 1021 vetë që quhen James Bond.)
Si nje lexues i zakonshem, e kam cilesuar “Kronike ne gur” si vepren me te arrire artistike te Kadarese. Kuptohet, pa i ditur keto perkime emrash, te cilat i mbetet ti sqaroje vete shkrimtari yne ne ballafaqim me akuzuesit e tij.
Cfar do sqaroj Kadareja! Jetoj aventurene tij sa reale ashtu dhe artistike dhe asgje nuk e ka te rastesishme ne krijmtarine e tij.
Kadare i zgjidhte me shume kujdes, gati maniakal emrat qe do u vinte personazheve te vet. I zgjidhte te ishin te fort per peshen qe do u ngarkonte per kaluar lumi-roman. Mendoj se edhe po te mos ekzistonte ai do e krijonte kete emer. Mua me benin gjithnje surprise ne cdo roman te ri (flas per para ’90 sepse keto pas i kam harruar qe i kam lexuar!) emrat e personazheve, me mrekullonin.