Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lojëra / Shah

VETMIA E FILIT

Shkrimi më poshtë edhe është, edhe nuk është për shahun – Lexuesit i kërkon vetëm pak njohuri elementare nga loja, dhe sidomos atë që fili (i njohur ndryshe edhe si “oficeri”) lëviz diagonalisht.

Duke lëvizur diagonalisht, fili ndjek një “kurbaturë” të hapësirës në thelb të kundërt me atë të torrës, e cila lëviz në vijë të drejtë.

Secili nga lojtarët e nis lojën me dy fila: filat e të bardhit janë të vendosur në c1 dhe në f1; ata të së ziut në c8 dhe në f8.

Dhe ky pozicion fillestar ia parathotë filit edhe fatin që do të ketë gjatë lojës, si të ishte i shkruar në qiell: fili në c1 do të luajë gjithnjë në kutitë e zeza, ndërsa fili në f1 në kutitë e bardha.

Kjo për shkak të natyrës si takohen mes tyre kutitë në tabelë: kufiri “vijë” ndan kuti me ngjyra të ndryshme, ndërsa kufiri “pikë” kuti me me të njëjtën ngjyrë.

Prandaj edhe në zhargon, filat ndonjëherë quhen “fili kuti-bardhë” dhe “fili kuti-zi”; i pari operon gjithnjë në kutitë e bardha, i dyti gjithnjë në kutitë e zeza.

Një dallim që edhe rimerr, edhe nuk ka lidhje, me dallimin tjetër midis filave të së bardhit dhe filave të së ziut.

Nga perspektiva e vet, secili fil e çon jetën në një botë të reduktuar, prej 32 kutish (ndryshe nga bota e figurave të tjera, mbretit, damës, kalit dhe torrës, që ka 64 kuti).

Bota e filave c1 dhe f8 kufizohet në kutitë e zeza; bota e filave f1 dhe c8 në kutitë e bardha.

Fili që e nis lojën në c1 nuk “e sheh”[1] kolegun e vet në f1 (dhe anasjelltas); a thua se u përkasin dy përmasave që nuk komunikojnë dot mes tyre.[2]

Ky “mallkim” po më kujton tani ca vargje nga një këngë e Mark Knopflerit (“The Fish and the Bird,” nga albumi Kill to Get Krimson):

The fish and the bird who fall in love
Will find no place to build a home in
The fish and the bird who fall in love
Are bound forever to go roaming

E megjithatë, tabela e shahut – si fushë beteje – nuk është vendi ideal për lektisje sentimentale, madje as për ato homo-erotike si mes luftëtarësh.

Brenda ushtrive përkatëse, secili fil vepron në rolin e ekspertit; të cilit i përcaktohet jo vetëm çfarë do të bëjë gjatë konfliktit, por edhe fusha e veprimit (ose harta).

Një situatë unike krijohet, sa herë që lojtarët në fushë kanë nga një fil, por filat u lëvizin në kuti me ngjyra të ndryshme.

Të themi, të bardhit i ka mbetur fili kuti-zi, ndërsa të ziut fili kuti-bardhë.

Pozicione të tilla thuhet se kanë “fila të kundërt”; meqë këto dy figura, duke qenë të padukshme për njera-tjetrën, gati-gati i nxjerrin pozicionet – përkatësisht të së bardhit dhe të ziut – nga sinkronizimi.

Shpesh finalet me fila të kundërt priren të përfundojnë barazim, madje edhe kur njëra palë ka avantazh material ndaj tjetrës (si në ilustrim, ku i bardhi ka dy ushtarë më tepër).

Çfarë të bën të mendosh se filat e kundërt nuk është se e anulojnë aq njëri-tjetrin, sa i bëjnë hartat përkatëse lehtësisht të papajtueshme mes tyre.

Në ilustrim, fili kuti-zi i të bardhit “sheh” vetëm mbretin e zi në f7 dhe ushtarin në f6; dhe teorikisht mund ta sulmojë këtë të fundit, edhe pse, për ta ngrënë, i duhet edhe ndihma e mbretit të bardhë. E megjithatë, fili kuti-zi i të bardhit nuk mund ta “kuptojë” dot pse mbreti i vet nuk shkon dot në f5.

Dhe pikërisht: i ziu mund ta kontrollojë kutinë f5 me filin e vet (p.sh. duke e vendosur në c8 ose b1; por fili kuti-zi i të bardhit këtë nuk “e di”; meqë e kupton lojën vetëm përgjysmë.

Nëse çdo gur në tabelë projekton “forcë”, atëherë forca që projektojnë filat e secilës palë është gjithnjë e specializuar; ku secili fil mbulon detyrën e ekspertit për një sektor të kufizuar të hapësirës.

Kjo botë e reduktuar, prej eksperti, e filit, ia bën këtij të pamundur të krijojë një imazh koherent (konsistent) të situatës në tabelë – një fil kuti-bardhë do t’i “shohë” gurët e palës së vet ose të palës kundërshtare vetëm kur këta “rrinë” në kutitë e bardha; kështu, një ushtar i bardhë është, ta zëmë, i pranishëm për këtë fil kur gjendet në c4, por pastaj do t’i “zhduket” papritur nga pamja, në qoftë se lëviz në c5 (për filin kuti-bardhë kutia c5 nuk ekziston; ose ekziston vetëm në teori, njëlloj si dimensioni i katërt për ne qeniet 3D). Kjo ia bën filit të pamundur që ta “kuptojë” lojën – sepse një ushtar që ky “e ka njohur” në c2 dhe që pastaj i është zhdukur, mund të rishfaqet në b3 ose në c4 ose në d5 dhe në kuti të tjera; por mund edhe të mos rishfaqet, po ketë shkuar në c3 ose në c5 dhe të ketë ndenjur atje, ose po ta ketë ngrënë i ziu ndërkohë.

Një eksperiment mendor: një lojë e përfytyruar nga pikëpamja e filit kutibardhë. Për shembull, në pozicionin (e thjeshtuar) më poshtë, fili në g2 “e sheh” damën e bardhë në c4 dhe mbretin e zi në g4, por jo ushtarin e zi në f4.

Ashtu fili mund të deduktojë se, në qoftë se i ziu nuk e lëviz mbretin (për t’iu larguar “shahut” hipotetik nga dama e bardhë), atëherë do të ketë diçka – në f4 ose në d4) që ia pengon damës vijën e shikimit. Kjo, me kusht që filit t’ia kenë shpjeguar konceptin e kutive të zeza – njëlloj siç na i shpjegojnë neve ultratingujt ose rrezet X ose radiovalët.

Pyetja ime: a mund ta deduktojë fili, në mënyrë të pavarur ose vetëm nga vrojtimet, ekzistencën e kutive me ngjyrë të ndryshme nga kutitë e veta? Besoj se mund, madje se duhet – tek e fundit, fili duhet ta “dijë” se loja e shahut vazhdon për sa kohë mbreti është akoma në fushë; prandaj, nëse nuk arrin “ta shohë” mbretin e vet (ose të kundërshtarit) ngaqë këta gjenden përkohësisht në një kuti me ngjyrë tjetër nga ajo e filit, dhe loja megjithatë vazhdon, atëherë fili mund të “deduktojë” se mbreti (i tij ose i kundërshtarit) gjendet në një përmasë tjetër, të padukshme por jo imagjinare; dhe gjithsesi të ndryshme nga bota “tjetër” ku shkojnë gurët “e ngrënë”, që largohen nga tabela.

Përndryshe, në pozicionin më poshtë, ku radhën e lëvizjes e ka i bardhi, fili në b1 kërcënohet nga torra në g1, por nuk mund t’i largohet këtij kërcënimi as në a2, as në c2, sepse në të dyja këto kuti do të binte pre e kalit të zi në b4; ndërkohë që mbreti i bardhë në e2 nuk i afrohet dot për ta mbrojtur.

Kësisoj, fili do të eliminohet lëvizjen e ardhshme, por ende nuk e di – meqë nuk e “sheh” dot as kalin as torrën kundërshtare, meqë këta gjenden në kutitë e zeza; dhe vetëm sa “kupton” që ushtari i bardhë në d3 ia kufizon lëvizjen. Ja një ilustrim i fatit, pra: çfarë perceptojmë si fatalitet, shpesh është produkt faktorësh për ne të pakapshëm, sepse të padukshëm; lojtari me gurët e bardhë e ka të qartë këtë, por fili jo.

Kur vlerësohen pozicionet për nga materiali, fili zakonisht gjykohet si pak më i vlefshëm se kali; dhe gjithnjë më pak i vlefshëm se torra, edhe pse një fil i vendosur në qendër të tabelës e projekton forcën në 15 kuti (krahasuar me 16 kuti për torrën). Për fat të keq të filit, gurët e kundërshtarit gjithnjë mund t’i fshihen, duke u zhvendosur në kutitë me ngjyrë të kundërt.

Natyrisht, kur njëra palë ka dy fila, ky handicap nuk vjen në vështrim; prandaj edhe thuhet se dy filat projektojnë forcë më të madhe se shuma e forcës së projektuar nga secili fil veç e veç; pa çka se këta nuk mund ta kombinojnë “zjarrin” në një kuti të vetme, siç mund të bëjnë dy torret (ose dy kuajt, ose edhe dy figura të ndryshme çfarëdo).

Ironia e këtij “bashkimi që bën fuqinë” është se këta dy fila, të koordinuar së bashku, sërish do të mbeten të padukshëm për njëri-tjetrin.

 


[1] Do të më duhet t’i përdor shpesh thonjëzat në këtë shkrim; meqë me marrëveshje po u atribuoj gurëve të shahut disa fakultete konjitive dhe volitive që përndryshe i kanë veç njerëzit dhe ndoshta edhe disa kafshë. Megjithatë, në modelin tim, gurët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, ose nuk e kanë fakultetin e gjuhës; njëlloj siç nuk e kanë këtë fakultet lojtarët vetë, të cilët nuk kanë arsye të flasin me njëri-tjetrin gjatë lojës.

[2] Shqipja fil vjen nga arabishtja ose persishtja, dhe ka kuptimin “elefant”; në anglishte, e njëjta figurë quhet bishop (“peshkop”); çfarë ndihmon për t’i përfytyruar filat si dy prelatë që predikojnë fe të ndryshme, edhe paralele edhe të papajtueshme mes tyre.

1 Koment

  1. Ish kampioni i botës në shah, Boris Spasski, ka thënë: “Të gjitha martesat e mia u kanë ngjarë finaleve me fila të kundërt.”

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin