Në 2 gusht 1914, Franz Kafka shkroi në ditar: “Gjermania i shpalli luftë Rusisë. Shkoj të bëj not pasdite.”
(2. August. Deutschland hat Rußland den Krieg erklärt. – Nachmittag Schwimmschule.)
Biografët kanë vrarë mendjen për të kuptuar arsyet e këtij qëndrimi kaq të shpenguar e të distancuar, të shkrimtarit çek, ndaj fillimit të Luftës I Botërore, ose të një eventi që kultura gjermanike, së cilës Kafka vetë i përkiste, do ta quante më pas “Urkatastrophe.”
Disa e kanë marrë këtë faqe ditari si një dëshmi tjetër të çfarë e kanë quajtur “bota kafkiane”, ku ngjarjet peshohen sipas kriteresh të tjera, të ndryshme nga ato të zakonshmet, të çuditshme.
Sipas këtij leximi, Kafka ishte i jetërsuar nga bota, duke përjetuar çka gjermanishtja e quan “Weltfremdheit”; po aq i jetërsuar sa edhe Gregor Zamza, i Metamorfozës.
E megjithatë, për ta kuptuar këtë shënim kaq bizarr të një autori që bizarren e kish ngritur në rangun e një parimi krijues, vjen në ndihmë një paralele në dukje e largët, nga letërsia ballkanike.
Dhe pikërisht një shënim i kronistit Xivo Gavo, në romanin “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë; që i referohet pushtimit të Gjirokastrës prej ushtrisë greke, gjatë Luftës Italo-Greke:
Dritarja e Xivo Gavos pati dritë gjer natën vonë. Gjithë fqinjët e kronistit plak e morën me mend se ai po përshkruante me hollësi hyrjen e grekëve. Por më vonë u mor vesh se Xivo Gavoja në kronikën e tij i kishte kushtuar hyrjes së grekëve vetëm një frazë: “Më 18 nëntor në qytet hynë g.” Askush nuk mund ta shpjegonte një kursim të tillë fjalësh për një ngjarje kaq dëshpëruese, e aq më tepër shpenzimin vetëm të një shkronje (g) për gjithë mizërinë e grekëve.
Edhe pse Kafka shkruan në ditar, ndërsa personazhi Xivo Gavo në kronikë, të dy zgjedhin t’i lënë fare pak vend akteve kulmore të historisë në shënimet e tyre, për t’u marrë me gjëra të tjera, më pak dramatike.
Kafka kujtohet të shënojë se pasdite do të shkojë të notojë; Xivo Gavoja u kthehet martesave, lindjeve dhe vdekjeve; të dy preferojnë ta shpërfillin tërmetin, për të regjistruar tik-taket e orës.
Edhe pse ajo g-ja aq minimale e Xivos i ka rrënjët në inate të vjetra të gjirokastritëve me fqinjët e tyre, sërish kronika e munguar nuk i detyrohet aq mospërfilljes, sa mbylljes së syve, para një çarjeje të qiellit më dysh.
Gjirokastra si qytet dhe si mikrobotë, sado provinciale, e kish gjetur normalitetin pikërisht duke vendosur një distancë dyanshëm të respektuar me Greqinë – veçanërisht pas traumës së Janinës pak dekada më parë.
Kafka, nga ana e vet, që e përjetonte konfliktin global brenda vetes në përmasa metafizike, e përdorte normalitetin ose rutinën e së përditshmes (“shkoj të bëj not pasdite”) si të vetmen ankorë që i kish mbetur me realitetin a si të vetmen armë ndaj jetërsimit.
Ditari i tij, si shumë ditare të tjera; por edhe kronika e Xivo Gavos, si shumë kronika të tjera, janë edhe përpjekje për të vendosur rregull në kaos, pikërisht nëpërmjet rikrijimit të banales dhe rimarrjes së riteve ditore.
Shumë prej nesh kanë nevojë ta rikrijojnë jetën duke e mbajtur shënim, për ta përballuar. Ka gjithnjë diçka terapeutike, tek ajo “Nachmittag Schwimmschule”: Lufta I Botërore mund të shpërthejë vërtet, por kjo nuk më pengon mua të vazhdoj të gënjej veten me gjërat e mia të vogla; njëlloj sikurse hyrja e grekëve (g.) në Gjirokastër, nuk do ta pengojë dot kronistin Xivo Gavo të vazhdojë të mbajë shënim, me dorë të sigurt, të gjitha ngjarjet e ngjarjezat e qytetit të vogël – thashethemet, çikërrimat, triviat.
Përndryshe ngjarje të tilla, si fillimi i një Lufte Botërore a një pushtim, që po të lejohen të ekzistojnë në letër, do ta shponin këtë tej për tej.
Prandaj edhe shmangia e fjalëve, si shpresë magjike se ashtu do të shmanget katastrofa; ose më mirë zëvendësimi i ca fjalëve me ca fjalë të tjera, ose favorizimi i një lloj të shkruari të historisë ndaj një lloji tjetër.
Efekti është i ngjashëm me mbylljen instinktive të syve, përballë një drite të fortë, një shkrepëtime rrufeje, një shpërthimi verbues.
I mbyllim sytë jo vetëm për t’i mbrojtur, por edhe për të mos e lejuar atë lloj drite të keqe të na hyjë brenda, të zërë vend në eksperiencë, të na kushtëzojë mënyrën si e përjetojmë realitetin.
Dhe ashtu me sy të mbyllur, rikthehemi në botën familjare të qelisë së vetes, ose të dhomës që mbetet e njëjtë, edhe kur banori i saj i vetëm qëllon të gdhihet insekt.
Veshtrim interesant, por per diskutim do te shtoja se ka diçka, si pune kokerrizash rere, qe me pengojne ta shoh krejt te perputhuar paralelen e Kafkes me ate te Xixos, te besoj ne mbeshtetjen qe ata mund t’i japin njeri-tjetrit.
Pra, nga nje ane kemi Franc Kafken, shkrimtarin, me mish e kocka (gjithsesi, me shume kocka se mish), qe sipas zakonit te tij, le shenimin e zakonshem ne ditarj dhe me tej, kete pune ben edhe Xivo Gavoja (qe une e kisha harruar).
Ndryshimi eshte se Xivo nuk ka as mish e as kocka, eshte thjesht nje personazh qe na vjen nga ajo kohe por jo qe e ka jetuar ate kohe, se thesht nuk ka ekzistuar, se ne nuk dime asgje per te, se nuk kemi mundesi te lexojme veprat e tij per te gjykuar per peshen e mendimit qe ka, se ato nuk ekzistojne, sikunder nuk ekziston as ai vete.
Pamja behet interesante dhe nuk ka si te mos na kujtoje nje shkrim tjeter te Ardianit, qe vlet per te verteten historik dhe ku permend (po flas me aq sa me ka mbetur ne kujtese) dhe ku permend problematiken qe ngrihet para fiksionit ne trajtimin e ngjarjeve historike, sikunder eshte rasti i trajtimit te lire te Iliades (nje nga shembujt qe sillen ne ate shkrim), gje qe shkakton nganjehere reagimin e atyre qe thone se x-i nuk i ka qendruar besnik asaj historie ashtu siç e ka trajtuar Homeri, ngerkohe qe ky i fundit nga ana e tij e ka perdredhur si i ka dashur qejfi ciklin trojan, se ka bere nje poeme dhe jo nje kronike te kohes, se as qe ka qene bashkekohes i atyre ngjarjeve dhe per pasoje askush nuk ka detyrimin t’i betohet per besnikeri.
Shkurt, F. Kafka i ben nder Xixos, por nuk e di nese mund te thuhet e kunderta.
E shoh qe jam ca konfuz pak me siper por ideja ime eshte se me pak perpjekje mund ta shoh Gregor Zamzen, Josef K. e te tjere krijesa te letrare duke diskutuar per problemet e kohes me Xivo G. por e kam ca te veshtira ta shoh kete te fundit duke diskutuar me vete Franc Kafken, ia beri ai.
Për muhabet: e kuptoj se çfarë thua, por tani më ngacmove që ta vazhdoj këtë temë.
Duke filluar me atë që edhe Xivo Gavo-ja, te “Kronikë në gur,” nuk është tamam personazh, por vetëm një emër, ose autor i pak radhëve të një kronike të cilën Kadareja e fut midis kapitujve të romanit. Si i tillë, më shfaqet më shumë si një këndvështrim ndaj ngjarjeve që ndodhin në qytet, të mëdha dhe të vogla; dhe kur them këndvështrim, kam parasysh vetëm përzgjedhjen që ai bën, çfarë lë jashtë dhe çfarë vendos që të përmendë – tek e fundit, njëlloj siç bën edhe autori i romanit. Pa folur pastaj për paralelizmin midis këtij “kronikani” të Gjirokastrës dhe titullit të romanit, “Kronikë në gur”, gjë që e shndërron Xivon në një farë alter ego-je, sado groteske, të I.K. si autor i librit. Këtu po shtoj anash, për të gjithë ata që nuk e dinë, se në dialektin e qytetit të Gjirokastrës, “xivo-gavo” do të thotë “zhgarravina”, si p.sh.: “E ç’shkruan ashtu gjithë ditën, xivo-gavo.”
Nga ana tjetër, mua nuk më tërhoqi thjesht fakti që Kafka shkoi të notonte ditën kur plasi Lufta I Botërore, por fakti që ai e shkroi këtë në ditar; me çfarë kam parasysh edhe përzgjedhjen e këtyre dy ngjarjeve mes shumë të tjerave që do të kenë ndodhur atë ditë; por edhe pranëvënien e tyre, në një rresht të vetëm. Tek e fundit, ditari, çdo ditar, nuk është thjesht “kronikë” private ose gjysmë-publike, por përmban edhe një element idealizues, jo në kuptimin e zbukurimit, por në kuptimin që, kur mbajmë ditar, kjo na ndihmon edhe për ta organizuar veten, ose për ta disiplinuar njëfarësoj identitetin, duke iu përgjigjur pyetjes: kush jam unë xhanëm? Dhe nëse është kështu, Kafka që del si rrëfimtari në vetë të parë në ditar është deri diku edhe personazh i përfytyruar, i organizuar, i artikuluar; madje edhe sikur zgjedhjet që bën personazhi t’i ndjekë pastaj edhe Franzi real.
Tek shkrimtaret eshte e natyrshme qw tw jetw njeriu i pavdekshem, si i tille ne qender, ndersa popujt, ushtrite, koalicionet shkojne e vijne per ta, si te tilla jane periferike. Ndersa tek analistet, historianet, ekonomistet, etj., eshte e kunderta e asaj qe mendojne shkrimtaret.