Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Kulturë / Letërsi

KËRKOJ NJË VARG

Shumë u turrën këto ditë në ueb, në kërkim të poezive të Dritero Agollit: kush nga kurioziteti, kush nga meraku, kush për të gjetur një varg që i duhej, kush për ta cituar në një eulogji, kush për të verifikuar kujtesën.

Mes këtyre dhe unë. Por çfarë gjeta, nuk më mbushi me shpresë e frymëzim, dhe jo për faj të poetit.

Natyrisht, Interneti shqip (ende) nuk e zëvendëson bibliotekën; dhe vendi më i mirë për të gjetur çfarë ka shkruar Agolli dhe çdo shkrimtar tjetër është libri.

Por sot libri nuk mjafton; ose po specializohet për përdorime të tjera; në një kohë që disa funksione i ka marrë përsipër uebi.

Nga përvoja që kam me administrimin e “Peizazheve të fjalës”, jam bindur se një pjesë e madhe nxënësish dhe studentësh sot kërkojnë materiale dhe referenca, për detyrat e shtëpisë dhe temat dhe gjithçka tjetër në linjë.

Madje më mjafton t’i hedh një sy listës me terma kërkimi që i kanë sjellë vizitorët në faqen tonë, për të krijuar një ide se me çfarë kanë parashikuar, në këtë apo në atë moment, programet mësimore në Shqipëri e në Kosovë.

Pa e diskutuar këtë dukuri këtu më tej – edhe ngaqë do të meritonte vëmendje të një lloji tjetër – po dua veç të vërej se që nga momenti kur nxënësit dhe studentët i drejtohen Internetit për referencë, atëherë është detyrë së paku morale e institucioneve mbikëqyrëse të traditës, që të kujdesen për këtë referencë.

Sepse ja çfarë ndodh: poezi të Driteroit në ueb gjenden, por janë të seleksionuara sipas orekseve subjektive të autorëve të faqeve; mbizotërojnë krijimet e viteve 1990; edhe këto janë kopjuar shpesh keq, shkeleshko, me gabime gjithfarësh, dhe sidomos janë shkruar me alfabetin e mangët të shqipes.

Ky alfabet i mangët e i cungët, që edhe mund të tolerohet për komunikime e shkëmbime informale, e shëmton dhe e përdhos poezinë; sepse vargu është edhe art i tingëllimit të bukur të fjalës; dhe tingëllimi i bukur ka gjithnjë nevojë për tipografi korrekte.

Në një numër alarmant sajtesh, poezia e njohur “Malli i Shqipërisë”, nga Ismail Kadareja, i është atribuar gjithashtu Agollit (!).

Ka një kulturë që lëvrin e ndoshta gjëllin në këto lloj shtrembërimesh; një kulturë aproksimative, sentimentale, kitsch-patriotike, ku veprat letrare përdoren për të zbukuruar vitrinat; dhe vlerat letrare zbythen prapa biografive.

Brenda kësaj kulture, qëllon që Agolli dhe Kadareja të jenë, në fakt, i njëjti poet. Qëllon kjo dhe kushedi ç’tjetër: kush i ka parë, kush i ka kontrolluar?

E megjithatë, administratorët e këtyre faqeve shumë me faj nuk i bën dot; shpesh janë amatorë, që nuk pretendojnë të ofrojnë ndonjë shërbim publik, por vetëm t’u japin një kënaqësi sado vikare miqve dhe vizitorëve të rastit.

Çfarë mungon në këtë mes, është prania e institucioneve më serioze; duke filluar nga Biblioteka Kombëtare, ose bibliotekat e institucioneve të tjera kulturore, publike dhe private; të cilat me pak mundim mund të vendosnin në linjë materiale referimi falas.

Për shembull, Biblioteka Kombëtare mund t’ia kushtonte një dossier në linjë Agollit, jo me foto të ministrave dhe as të kopertinave të librit; por me poezi të zgjedhura.

Nuk është puna vetëm tek Agolli, por edhe poetë të tjerë të shqipes, që nga De Rada dhe Naimi dhe Fishta deri te Mjeda dhe Migjeni, Lasgushi e Camaj. Vargjet e tyre në format lehtësisht të përdorshëm nga publiku duhej ta ndriçonin Internetin shqip si beacon e landmarks të kulturës; sepse mezi i kemi.[1]

E kështu me radhë. Në një nivel tjetër, kjo punë mund t’u besohej studentëve vetë, ose nxënësve. Kultura jonë është ende në atë fazë, kur ka nevojë për shkrues dhe materiale të shkruara të vëna në dispozicion të publikut falas; sikurse ka nevojë për mirëmbajtës të këtyre teksteve.

Përndryshe, nuk do ta shmangim dot rrëgjimin; i cili do të vijë jo aq nga pakujdesia, as nga vrazhdësia me të cilën disa prej nesh i qasen artit; sa nga lehtësitë që të krijon Interneti, për shumëfishim.

Ti mund ta ruash veprën e plotë poetike të Agollit në raftin më të mirë të bibliotekës e në një dhomë me temperaturë të kontrolluar; por ndërkohë kopja e keqe, në Internet, u ka rënë në dorë dhjetëra-mijëra vetëve.

Dhe një e keqe si kjo nuk mund të luftohet as me polici, as me herbicide; dhe as duke u shpjeguar njerëzve ex cathedra se pse duhet shkruar kështu dhe ashtu. E vetmja mënyrë që mund të funksionojë, është konkurrenca, haptazi dhe ballazi.

Ashtu, nxënësi nesër që do të kërkojë në Internet një varg nga Camaj a nga Podrimja a nga Zhiti, do të shkojë ta marrë këtë nga sajti i Bibliotekës Kombëtare, Universitetit Europian të Tiranës ose Universitetit të Shkodrës – jo nga faqet patriotike të dashamirësve naivë.

 


[1] Nuk flas këtu për botime diturore, fotostatike dhe kritike, të cilat u duhen para së gjithash specialistëve të fushës; por për tekste që të qarkullojnë në nivelin e publikut të gjerë. Për të parat nuk mungojnë përpjekjet – edhe pse teknologjia e kërkimit dhe e aksesit lë ende shumë për të dëshiruar. Në fakt, nuk mund të shpresohet, me arsye, që një nxënës gjimnazi të shkojë e ta gjejë e ta lexojë e ta citojë një poezi të Fishtës në faqet e riprodhimit fotostatik të revistës “Hylli i Dritës”, në sajtin jashtëzakonisht të plogët të Bibliotekës Kombëtare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin