Jam përpjekur të kuptoj pse disa gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë janë shqetësuar aq shumë ngaqë Ambasada e Shteteve të Bashkuara u ka hequr të drejtën e vizës jo-emigruese; dhe anasjelltas, pse mediat dhe politika e kanë bërë kaq të madhe këtë punën e vizave, sa kohë që gjyqtarët dhe juristët nuk është se e kanë të domosdoshme të udhëtojnë drejt ShBA, për të kryer detyrat që ua kërkon posti; aq më tepër këta gjithnjë mund të shkojnë gjetiu, p.sh. në Maldive ose në Turqi ose në Dubai, fundja edhe gjetiu në Europë. E kam fjalën edhe që asgjëkundi nuk kam parë, as në kushtetutë as në ndonjë akt tjetër, që për një gjyqtar a prokuror të thuhet se ky, që të emërohet a të zgjidhet në postin përkatës, duhet të jetë në gjendje të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, por mbase e kam gabim. Vetëm se tani që shoh si disa media “heqjen e të drejtës për vizë” e kanë shkurtuar në “heqjen e vizës”, po më lind dyshimi mos shumë nga të përfshirët në këtë shqetësim gjithë-kombëtar e kanë keqkuptuar shprehjen në fjalë dhe kanë ngatërruar refuzimin e një dokumenti që vlen për të hyrë në territorin e shtetit që e lëshon, me shprehjen e mirënjohur “i hoqën vizën”, që do të thotë “e fshinë nga defteri”, “nuk e përfillin më” e kështu me radhë; me një fjalë, mos shprehjen “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i hoqi vizën këtij apo atij gjyqtari a prokurori” e kanë keqkuptuar si “Amerika nuk e ka më në kandar”, “nuk e vlerëson më”, “nuk ia njeh hyqmin”, etj.; çfarë do të ishte diçka serioze, madje edhe në perspektivën aq lemeritëse të vettingut. Në fakt këtu e ka fajin shqipja – si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme – sepse në gjuhën tonë vizë (1) me kuptimin “vijë e shkurtër dhe e hollë” dhe vizë (2) si “shënim zyrtar me vulë të posaçme në pasaportë…” janë thjesht homonime, ose fjalë që tingëllojnë njëlloj, por që nuk lidhen kuptimisht mes tyre; ose të paktën nuk lidheshin deri dje, sepse nesër mund të ndodhë që të mblidhet Kuvendi a Qeveria dhe të vendosin se kur ambasada amerikane të heq vizën (2) është njëlloj si të të ketë hequr edhe vizën (1); dhe ashtu nuk do të na mbetet veç ta rishkruajmë Fjalorin e Shqipes, për ta përditësuar.
1 Koment
Komentet janë mbyllur.
Mendimi im eshte per te ardhur keq sa shume hapesire dhe kohe hane kotesirat ne memedhe.
Te duket vertet se je ne :PANAIRIN E KOTESIRAVE” Kur jeta vete eshte aq BUKUR!
EMA