Duke folur për përçudnimin e diskursit publik nën totalitarizëm, Christopher Hitchens-i i referohet një pasazhi të Hanna Arendt-it, sipas së cilës një nga arritjet e mëdha të stalinizmit ishte që ky ia doli të zëvendësojë çdo lloj diskutimi argumentesh dhe provash me një diskutim rreth motiveve. Kështu, nëse dikush do të thoshte se ka shumë njerëz, në Bashkimin Sovjetik, që nuk kanë për të ngrënë, këtij mund t’i jepej përgjigjja e arsyeshme se “nuk është faji ynë, por i motit të keq, i të korrave etj.” Por në fakt, çfarë vjen gjithnjë si përgjigje është: “Pse po e thotë ky këtë dhe pse po e shkruajnë në këtë apo atë revistë? Duhet të jetë pjesë e ndonjë plani.”
Filozofi C.S. Lewis i dha një emër kësaj rrejshmërie logjike: bulverizëm; sipas shpikësit të saj imagjinar, një farë Ezekiel Bulver, i cili – ende fëmijë – pat dëgjuar një dialog mes prindërve të vet, ku i ati kish thënë se shuma e dy brinjëve të një trekëndëshi është gjithnjë më e madhe se brinja e tretë; dhe këtu e ëma kish thënë “Kollaj për ty që të thuash kështu, sepse ti je burrë.” Në atë moment, vazhdon Lewis-i, Bulver-i e kuptoi se hedhja poshtë nuk është doemos pjesë e argumentit. Mjafton të supozosh se kundërshtari yt e ka gabim dhe pastaj të shpjegosh pse ka gabuar.
Eseja e Lewis-it për bulverizmin mund të lexohet këtu.
Sipas logjicienëve, bulverizmi është një kombinim i arsyetimit rrethor (të supozosh se kundërshtari yt e ka gabim) dhe i rrejshmërisë gjenetike (të shpjegosh se pse e ka gabim, duke thirrur në skenë motivet).
Ndoshta nuk e teproj po të them se bulverizmi – ky trashëgim i trishtuar nga mendësia totalitare – sundon i pasfiduar në çdo debat dhe argument politik publik, që nga parlamenti te përplasjet televizive dhe takimet e politikanëve me mediat dhe vetë opinionistët në mediat. Aleati i tij kryesor, dhe bateria që e ushqen me energji, është ad hominem-i.
Bulveristi hyn në debate jo për të provuar se teza e tij është e drejtë, por për ta shkatërruar kundërshtarin; dhe, për ta realizuar këtë, niset nga supozimi se kundërshtari i tij e ka gjithnjë gabim; e ka detyrimisht gabim; ose e ka gabim në një mënyrë të tillë që nuk ka nevojë të argumentohet.
Kësisoj, çfarë duhej të ishte provuar, në rrethana ideale, shndërrohet sakaq në premisë të arsyetimit.
Pasi e ka vendosur këtë në premisë të arsyetimit të vet, bulveristi vihet të shpjegojë arsyet që e çuan kundërshtarin e vet të gabojë; duke i kërkuar këto në motivet, interesat, biografinë ose të dhëna të tjera irrelevante.
Për shembull:
Deputeti A: Në onkologji mungojnë deri edhe barnat elementare, të vijës së parë. Duhet të bëjmë diçka për të dalë nga kjo situatë.
Deputeti B: Ti e thua këtë, sepse kunati yt po pret që t’i shesë shtetit një sasi të madhe barnash kimioterapeutike të skaduara.
Tani, nëse në onkologji mungojnë apo jo barnat e vijës së parë, kjo mund të provohet lehtë, dhe që këtej të zbulohet nëse akuza e deputetit A është e vërtetë apo e rreme; meqë mungesa e barnave të tilla objektivisht nuk mund të tolerohet.
Deputeti B as që e vret mendjen për ta verifikuar këtë; por mjaftohet të vërë në dukje se Deputeti A, duke denoncuar një mungesë barnash, në fakt synon të përfitojë materialisht.
Kësisoj, një debat që duhej të ishte për një çështje aq jetike sa mungesa e barnave për një sëmundje të rëndë në shërbimin shëndetësor publik, shndërrohet – si me magji – në një debat tjetër, rreth integritetit moral të Deputetit A, për ta frikësuar këtë, për ta diskredituar ose për ta detyruar të mbyllë gojën.
Debatet e sotme publike jo vetëm janë të mbytura në bulverizëm, por edhe pjesëmarrësit në to nuk e kuptojnë që janë duke arsyetuar në mënyrë gjysmake, ose thjesht qesharake; madje jo vetëm nuk e kuptojnë, por edhe e kërkojnë me mund boutade-n bulveriste dhe shprehin vetëkënaqësi në momentin që arrijnë ta përdorin.
Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se kritikat publike sot motivohen thjesht a kryesisht nga interesi publik dhe shqetësimi për të mirën e përgjithshme; meqë një numër i madh i atyre që angazhohen publikisht, e bëjnë këtë edhe, në mos sidomos të shtyrë nga nevoja për të mbrojtur interesat e tyre private.
Te shembulli i sjellë më lart, ka të ngjarë që Deputeti A, i cili shpreh publikisht një shqetësim për mungesën e barnave, ta ketë vërtet hallin te stoku farmaceutik i kunatit të vet; dhe sikur të mos e kish këtë shqetësim, nuk do ta kish marrë mundimin të ndërhynte.
Që barnat mungojnë në onkologji, kjo nuk ia kthjellon gjë motivet Deputetit A; dhe po ashtu, që Deputeti A ka interesin e vet privat në mendje dhe jo atë publikun, kur kritikon, nuk ia zhvlerëson gjë vetvetiu argumentin.
Nuk është e lehtë t’i përcaktosh dhe aq më pak t’i gjykosh motivet që i shtyjnë njerëzit për të vepruar; veçanërisht në sferën publike. Megjithatë, në një botë të vogël si ajo e diskursit publik shqip, ku të njëjtat fytyra dhe pena riciklohen sa në forumet politike në ato televizive dhe në mediat elektronike, personalitetet shpesh ua zënë vendin argumenteve dhe ad hominem imponohet si e vetmja përmasë, nëpër të cilën të shtjellosh një argument ose ta hedhësh poshtë atë.
Kjo do të thotë, mes të tjerash, se kur ngrihen që të argumentojnë diçka në publik figura si Edi Rama ose Sali Berisha ose Spartak Ngjela, ajo çfarë këta thonë praktikisht perceptohet dhe interpretohet nga publiku vetëm në atë masë që ia konfirmon, publikut, pritjet e tij kundrejt personazheve të tilla; dhe me personazhe këtu kam parasysh një tërësi specifike motivesh.
Bulverizmi në Shqipëri, pra, vërtet i duhet faturuar periudhës totalitare, ose diskursit paranojak; por ama atij i duhet njohur edhe atësia e krejt diskursit të sotëm publik post-totalitar, ku fjala vazhdon të gjykohet në bazë të motiveve – të supozuara – të atij që e thotë. Dhe kjo sepse ad hominem nuk është vetëm rrejshmëri a patologji e komunikimit publik, por ka prekur dhe përfshirë krejt politikën, në artikulimet e saj të shumëllojshme.
Nëse politika publike gjithnjë shtjellohet si teatër, kjo jona ende i ngjan një teatri infantil, në shpërgënj, ku rolet kryesore janë fikse, krejt të parashikueshme dhe rregullisht të riprodhueshme; dhe publiku nuk eksitohet aq nga narrativa, sa nga përsëritja e saj ose konfirmimi. Vetëm kështu ajo çfarë thuhet do të perceptohet se i shërben riprodhimit të rolit, jo komunikimit të një arsyeje ose arsyetimi. Prandaj në një realitet diskursiv të krijuar nga bulverizmi, të kërkosh rrejshmëritë logjike do të kish ndoshta veç vlerë akademike.
Me duket si nje shkrim i vjeter, apo tema e ngjashme me nje shkrim te hershem! Nuk me kujtohet nga kush! Por do thoja, se kjo teme (bulerizmi, apo si quhet) duhet risjelle shpesh per injorancen e shtuar shqiptare, e cila nuk del nga ky lloj imponimi (“argumentimi”). Biles, shume mire qe jane sjelle ne shkrim edhe persona qe e perdorin vend e pa vend kete lloj shmangie nga argumenti dhe arsyeja, si Sala, Edi dhe Ngjela. Biles ky i treti eshte akoma me tipik ne kete lloj shmangie arsyeje dhe argumenti. Fatkeqesi e ketij vendi!
Komentuesit r.th. i duket si shkrim i hershem, ndersa mua me kujton nje nga shkrimet e fundit ne PTF ku disa diskutues te nderuar ne vend qe te merreshin me premisat, argumentet dhe perfundimet e shkrimit, i kerkonin autorit te rrefente se ç’interesa vetjake fshiheshin pas shkrimit te tij. Ne fakt, tani qe po e mendoj, ka pasur shume shkrime ne kete log ku eshte shtruar pyetja: kush te paguan ty?
Kjo histori nuk fillon me stalinizmin, por eshte e vjeter sa bota. Eshte pjese e retorikes klasike. Nga pikepamja formale nuk me duket si rrejshmeri logjike. E shumta mund te pranohet si “rrejshmeri joformale”, çka do te thote se del nga kufijte e logjikes per te hyre ne fushen e retorikes ku edhe e ka vendin. Nuk eshte e nevojshme te supozohet se premisa eshte e gabuar per te vene ne dyshim motivet a mirebesimin e dikujt. Premisa mund te pranohet si e vertete, mund te konsiderohet i drejte edhe perfundimi e prape, po me te drejte, mund te vihet ne dyshim mirebesimi i argumentuesit, por ne kete rast arsyetimi dhe argumenti, pra premisat dhe perfundimet jane te reja, te ndryshme nga ato te parat. Kjo ne retorike njihet me shprehjen latine: “Cui prodest”, qe gjen perdorim edhe ne jurisprudence.
Per ta konkretizuar, deputeti B mund te mos e vere ne dyshim argumentin e deputetit A per mungesen e barnave, as domosdoshmerine e blerjes se tyre e prapeseprape ai nuk eshte ne pozita logjikisht te rrejshme kur i kujton parlamentit se deputeti A ka interesa vetjake ne kete mes.
Mbi kete baze logjike mbeshteten normat ligjore qe merren me konfliktin e interesit. Pyetja “cui prodest” nuk eshte rrejshmeri, por plotesisht logjike dhe legjitime.
Relapso, me lejo te bej nje qartesim te nevojshem per nderhyrjen time ne shkrimin qe permendni. Ndryshe nga c’pandehni, nderhyrja ime nuk ishte aspak ne frymen e bulverizmit, te pakten jo qellimisht. E imja ishte nje verejtje fusnote, qe autori te bente transparente cdo lloj mbeshtetjeje institucionale, pa e marre te mireqene nje te tille, te pakten jo publikisht. U nisa nga pohimi i autorit se “Nuk duhet të harrojmë se pjesa më e madhe e të pranishmëve erdhi në Samit me shpenzimet e veta” cka linte hapesire per mundesine se vete atij i ishin mbuluar keto shpenzime. Gje qe eshte plotesisht normale ne rrethana te tilla, ku te ftuarit enkas per pjesemarrje dhe angazhim ne aktivitetet kompensohen deri diku (rruga, hoteli dhe honorari).
Autori ne kete rast nuk ishte thjesht nje pjesemarres, por i ftuar ne nje panel kryesor te ketij samiti. Ky detaj, sado i vogel, me duket i rendesishem, pasi lexuesit nuk i ishte bere e qarte si dhe perse autori gjendej ne kete Samit, te pakten jo qe ne krye dhe jo pa u konsultuar me linkun e axhendes. Nuk kerkoja te zbuloj motivet e shkrimit sesa rrethanat qe e frymezuan ate, qe lexuesit ta kishte te qarte pikenisjen qe ne fillim. Autori ne kete rast eshte gjithashtu dhe bashkeadministrator i kesaj hapsire dhe meqe nuk mori pjese ne Samit ne emer te PTF, e mendova te arsyeshme qe te kishte edhe me shume transparence ne rastin konkret. Ndoshta, ne nje mundesi te dyte, verejtjen do ta kisha bere qe ne fazen editoriale. Sidomos duke pasur parasysh keto udhezime nga Shoqeria e Gazetareve Profesioniste, te cilat me drejtojne ne punen time si administratore e kesaj faqeje. E gjykova te nevojshme thirrjen per “disclosure” pikerisht per te menjanuar ndonje paragjykim te ngarkuar nga supozime te padrejta per motivet e autorit, i cili kete teme e ka trajtuar dhe here te tjera me shume kujdes.
Relapso, kam përshtypjen se po flet për diçka tjetër.
Bulverizmi, për të qenë i tillë, duhet të plotësojë dy kushte: (1) Të niset nga premisa që argumenti i tjetrit është i gabuar; dhe (2) Të përpiqet pastaj të provojë jo që tjetri e ka gabim, por PËRSE e ka gabim.
Disa bulverizma mund të lidhen me konfliktin e interesit, por jo çdo konflikt interesi është bulverizëm.
Sa për këtë të fundit, shtoj se në politikë nuk gjen dot argumentime të mirëfillta, pa një investim personal të argumentuesit – çfarë do të thotë se konflikti i interesit nuk mjafton, për ta rrëzuar një argument.
Për shembull, nuk do shumë mend për të kuptuar se debatet në një fushatë elektorale motivohen nga dëshira e debatuesve për t’u zgjedhur, por është absurde ta kundërshtosh një kandidat duke i thënë: “ti thua kështu sepse kërkon të zgjidhesh.”
Një metodë praktike do të ishte që pala tjetër të krahasonte rëndësinë e problemit të sjellë në vështrim me rëndësinë e konfliktit të interesit për argumentin përkatës: për shembull, që në onkologjik mungojnë barnat, kjo ka shumë më tepër rëndësi sesa ajo puna e kunatit.
Bulveristi e injoron krejt këtë; sepse niset nga premisa që kundërshtari i vet e ka gabim. Mundimi i tij nuk është të provojë gabimin e tjetrit në argument, por ta denoncojë atë dhe mundësisht ta diskreditojë.
Efekt i menjëhershëm i bulverizmit është që ashtu hiqen qafe të gjitha temat delikate, të vështira për t’u përballuar dhe zhvendoset vëmendja në gjëra anësore, si motivet.
Natyrisht, këtë taktikë nuk e zbuluan stalinistët, por këta e masivizuan.
E kuptova fare mire ate qe thua ti. Nga ana ime une desha te them se, pertej skemave dhe rregullave te logjikes, ndonjehere ka rendesi jo ajo çka thuhet, por besueshmeria e atij qe e thote dhe sidomos motivet e verteta te tij. Motivet nuk jane gjithmone “gjera anesore”. Sidomos ne politike ato marrin rendesi paresore. Qe argumentet e politikaneve shqiptare te merren seriozisht, ata duhet te gezojne besimin dhe respektin e kolegeve dhe te publikut, perndryshe eshte e pashmangshme te dalin ne plan te pare motivet.
Ne krye te shkrimit permende Hannah Arendt-in. Eshte po ajo qe ka shkruar librin “A Report on the Banality of Evil” ku duke marre shkas nga gjyqi i nazistit Eichmann ne Izrael analizon mekanizmat sociologjike dhe psikologjike qe e bene te mundur katrahuren. Ne ate liber ka shume shembuj ku autorja e ve theksin te motivet dhe nuk merret me koherencen logjike te pohimeve te te pandehurit, çka ne kete rast nuk ka fare rendesi. Sepse sipas kategorive te logjikes formale Eichmann-i duhej te dilte i pafajshem!
Ne thelb, e perseris, ne thelb, bulverizmi eshte zhvendosje e fokusit nga argumentet tek motivet. Pra vlera e argumenteve e humbet mevetesine dhe vihet krejtesisht ne funksion te motiveve te atij qe i parashtron. Me fjale te tjera, i njejti argument merr vlera te ndryshme varesisht nga argumentuesit e ndryshem. E ketu nuk ka pune fare logjika formale me rrejshmerite e saj. Formalisht kjo eshte çeshtje retorike dhe pragmatike gjuhesore, ndersa thelbesisht eshte edhe çeshtje morale.
Kur dikush me thote, fjala vjen, se “feja eshte opiumi i popujve”, une nuk merrem fare me vertetesine a pavertetesine e ketij pohimi, por perpiqem te kuptoj shtysat dhe motivet e bashkebiseduesit. Shtysat dhe motivet e Marx-it, Enver Hoxhes dhe Umberto Eco-s ndryshojne shume mes tyre.
Nje diskutim mbi te mirat, te keqijat, vlerat ushqyese ose demet e mishit te derrit varet shume nga motivet e pjesemarresve ne diskutim, te cilet mund te jene tregtare mishi, mjeke, qoftexhinj, vegjetariane apo hoxhallare. Ne kete rast me shume sesa vertetesia e pohimeve mua me intereson identifikimi i motiveve te pjesemarresve ne diskutim. Kur mjeku me thote te eliminoj mishin e derrit nga dieta se me ben dem, jam i prirur t’i jap te drejte e t’ia ve veshin, por kur ma thote nje vegjetarian ose nje hoxhe jam i prirur t’i kundershtoj, t’u them se e kane gabim e te mos ua ve veshin. Ndryshimi i qendrimit ndaj te njejtit pohim ne kete rast nuk varet nga pohimi ne vetvete, por nga motivet.
Argumenti: “Duhen zbatuar ligjet e shtetit” i marre ne vetvete eshte i drejte. por ne gojen e Eichmann-it, te Nexhmie Hoxhes, te Aranit Çeles apo te gjyqtareve te korruptuar shqiptare zhvleresohet pikerisht nga motivet.
Kisha ndermend te sillja nja dy shembuj konkrete nga politika shqiptare per te deshmuar se ndonjehere qendrimet bulveriste jane jo vetem legjitime, por jane te vetmet qendrime logjikisht, moralisht dhe politikisht te drejta. Madje do te ishte infantile, ne mos e pamoralshme, te merreshin ne konsiderate argumentet. Por u zgjata shume. Po mjaftohem te kujtoj ketu se bulveristi me i famshem dhe me i rendesishem ne kulturen perendimore eshte Jezu Krishti, i cili, kur takoi djallin ne shkretetire, i gjykoi motivet jo koherencen logjike.
Po bej nje bulverizem; autori nuk i veshi petkun latin po e quajti bulverizem sepse nuk ishte filozof i mirefillte.
Ne fakt bulverizmi im vjen sepse i mesuar me terminologji latine per rrejshmerite llogjike, me ngec ne fyt fjala bulverizem. Do beja nje bulverizem tjeter per kete gje, autori e quajti bulverizem sepse si anglosakson i periudhes imperialiste/kolonialiste donte terminologji anglosaksone per te treguar superioritetin anglez.
Tani, nqs nuk gaboj, kjo rrejshmeri me perhapje te gjere lidhet me faktorin psikologjik qe njeriu ka disa pritshmeri ose kritere ne legjitimimin e nje pohimi te nxjerre nga goja e cdokujt. Keshtu nje pohim nga nje individ pa motive apo perfitime personale vlen shume me teper sesa po i njejti pohim i nxjerre nga goja e dikujt qe ka interesa apo perfitime. Ne rastin e dyte njeriu eshte i prirur te mendoje, kujt po ia fut ky apo kujt do t’ia shese keto ky.
Normalisht ai qe shet nje argument duhet ne radhe te pare te qartesoje pozicionin e tij, ne menyre qe te futet gjithcka brenda logjikes se gjerave, sikunder shembulli i xhaxhait me dy kandidate ne fushate elektorale, ku te kundershtosh duke thene qe po thua keshtu apo ashtu se do te zgjidhesh eshte nonsens, pasi kandidati e ka te qarte pozicionin e tij, ai eshte kandidat dhe normal qe cdo gje qe thote e ka te lidhur me interesin e tij per t’u zgjedhur,
Pra nje pozicion i qartesuar qe ne fillim e nxjerr bulverizmin apo taktiken bulveriste si nonsens.
Nga ana tjeter, nqs s’ka kurrfare interesi, tjetri e kupton dhe nuk sulmon, por s’flet fare ose injoron.
Do te thoja se perhapja e gjere ka nje dobishmeri, pasi detyron transparencen e argumentuesit, kur ky i flet publikut. Mandej qe ka vlere shkaterruese ne debat kjo as qe diskutohet pasi eshte nje debat mes personash qe nuk kane besim tek njeri-tjetri, por ketyre nuk eshte se u duhet bulverizmi per t’u zene, me apo bulverizem do perfundojne gjithnje ne zenke,sepse per ate qellim jane nisur.
Me sa kuptoj unë nga shkrimi ‘bulverizmi ‘ ka të bëjë me përpjekjen për ta paraqitur argumentin e tjetrit të pa vlerë, shumë më përpara se të fillosh të shpjegosh se përse tjetri e ka gabim.
Për këtë zhvlerësim mund të shërbejnë jo vetem ‘motivet’, por edhe çdo arsye tjetër që nuk ka patjetër lidhje me argumentin. Përshembull, ti nuk mund të flasësh dot për katastrofën urbane nëse nuk je arkitekt apo urbanist, nuk mund të flasësh dot për taksat apo partneritetin privat-publik po qe se nuk je ekonomist. Pra ti nuk i përket një grupi të caktuar që mban ekskluzivitetin e të vërtetës për një argument të caktuar. Ti mund të jësh komunist ose ballist, sipas rastit. Mund të jesh i blerë ose i shitur. Pra çdo lloj arsyeje e mjaftueshme, boll që argumenti yt të mund të shpallet gabim pa pasur nevojë për vërtetim dhe shpjegim.
Në fakt, siç vihet re këtu edhe nga të tjerë komentues (shih shembullin e Krishtit), bulverizmi e ka zanafillën të hershme, dhe argumenti si i tillë ka vdekur bashkë me Sokratin, kohë më pare se ta shpallnin edhe shqiptarët të vdekur.
Veçse në sytë e shqiptarit finok, ky lloj i vdekuri nuk meriton respekt.
Me ne fund nje debat i mirefillte.
Fillimisht, me njohurite e mia huazuar nga Wikipedia, mendoja pak a shume si Vehbiu.
Por analiza e Relapsos, nga me te rrallat ne blog per nga thellesia e arsyetimit dhe qartesia e paraqitjes,te detyron ta miratosh. Nga njera ane nje shikim teresor e i painteresuar i konceptit, ne anen tjeter nje perdorim pragmatik ne hulline e nje objektivi . Jo se eshte e palejueshme por duke ngushtuar fushen e percaktimit te konceptit kalohet paradoksalisht ne pozita bulveriste duke perjashtuar apo vene ne pozite te disfavorshme edhe rastet e justifikuara (shembujt e relapsos).
Besoj bulverizem eshte edhe kur paragjykohen palet duke i dhene dikujt, per arsye te ndryshme , psh meqe eshte shefi, nje pozicion me te larte, jo moral,por kulture apo inteligjence duke i dhene kredite e afirmim, pavaresisht se argumentet e atij ne rang me te ulet mund te jene me te forta ne nje rast te dhene. Nje konformizem intelektual ,qe eshte me i demshem se ai moral.
Thua: “më në fund një debat i mirëfilltë” dhe unë po lejohem të pyes: pse ndodhi kjo? Sepse të gjithë ne që morëm pjesë nuk i morëm argumentet e tjetrit si a priori të gabuara, dhe as e gjykuam për motivet që e shtynë për të hyrë në debat, por dëgjuam se çfarë kish për të thënë dhe pastaj iu përgjigjëm me argumentet tona. Ndryshe do të kish ndodhur, bie fjala, sikur ti të më kishe thënë mua: “ti vjen këtu me ndonjë gjë që e lexon në Wikipedia dhe kërkon të na impresionosh” – në një rast të tillë, kushedi unë do ta kisha humbur interesin për debat, sepse do të gjeja në fjalët e tua një bulverizëm banal. Tani, edhe motivet kanë vendin e tyre; unë, kur merrem me këto “patologji” të komunikimit, nëse mund t’i quaj kështu, nuk është se kam ndonjë interes për t’i klasifikuar ose koleksionuar, por dua të kuptoj më mirë se çfarë i shkakton dhe si mund të mënjanohen. Prandaj, në një kontekst më të gjerë, këtu debatohet për mundësitë e një debati publik pak a shumë normal, dhe sidomos në politikë dhe në mediat, ku pjesëmarrësit përndryshe janë gjithnjë dhe intensivisht të motivuar. Dhe pyetja ime është: a mund të shpresohet qoftë edhe për një minimum debati të mirëfilltë, edhe atje ku pjesëmarrësit janë zëdhënës të grupeve të interesit? E vetmja shpresë, besoj unë, është arsyeja; sepse arsyen e kemi të përbashkët, edhe kur na ndajnë motivet, qëllimet dhe interesat; dhe arsyen mund ta mbajmë të përbashkët, me kusht që të dimë se për çfarë po flasim. Sepse përndryshe do të arrinim në përfundimin se debati publik është i pamundshëm; çka do të ishte kontradiktore, sa kohë që edhe këtë përfundim do ta kishim arritur nëpërmjet debatit.
Do shtoja, (ne fakt dua ti mbledh diskutimet, sepse u hapen shume, pa i vene koke muhabetit), nese ne e pranojme kete term (bulverizem) si shmangie nga tema e caktuar pa denuar te sjellesh fare argumentat kundershtues, perkundrazi te gjurmosh motivet tek diskutanti i asaj teme te caktuar, (nje fenomen ky i cili dallohet gjate gjithe historise njerzore dhe tek te gjitha shoqerite, por mua me intereson me shume intesiteti i saj i rritur sot tek shoqeria shqiptare), kjo do te thote me fjalet e popullit tone, qe ti rrish muhabetit ne koke, ose ti shmangesh (dridhe Like dridhe), pra te pergjigjesh me ate dije te arritur nga mendja njerezore, duke shmangur mundesisht sa me shume stereotipet dhe motivet hipotetike te diskutantit tjeter, ose perkundrazi te merresh me gjithfare motivesh te tjetrit e ti shmangesh temes ne fjale. Keshtu, nese Jezu Krishti i ka treguar Djallit motivet, i bie qe Memistofeli ti tregoje favorin e motiveve Faustit, (sic dhe ia ka treguar nen humorin e Gwtes), pra edhe ketu (anti)bulverizmi gjen fushe veprimi, vetem se fatkeqesisht te pafundshme e te perjetshme, si ne te gjitha debatet fetare te njeriut, gjate gjithe historise se tij, ndaj do thoja (pra do nxirrja argumentin, ne kete rast) qe te ashtuquajturin bulverizem nuk mund ta provojme me tema dhe argumentime fetare, por ne ato jashte ketij kuadri qiellor. Keshtu duke mbetur me kembe ne toke, ne ne te gjitha temat dhe diskutimet, qofte ato te gjyqit te Eiqmanit, te gjyqeve te zyrtarve te ndryshem te diktaturave, te Sokratit te ditur, te gjyqeve qe mund te na behen neve, etj., do te mbeshtetemi ne statuquone aktuale te ligjeve, (nga kodi civil romak e deri me sot kjo ka qene rruga mbeshtetese e cdo lloj argumenti), ndaj mbetet bulverizem nese ne e gjykojme dike nga pozita te tjera. Keshtu faktori “pozite” dhe “pozicion” nuk vlen dhe nuk nuk duhet perzier ne gjykimin e nje qendrimi bulverist ose jo! Nese ne e gjykojme Arianit Celen si nje kriminel dhe dallkauk, kjo nuk do te thote ta gjykojme nga kjo premise dhe nga ligjet e sotme! (Panvarsisht se ai si njeri ka qene dallkauk dhe kriminel!) Ai do gjykohet nen ligjet dhe normat e kohes qe jetoi. Po nen keto ligje dhe norma te atehershme duhet te gjykohem edhe une qe u arratisa nga vendi me ambasadat, pra dal fajtor. Po keshtu, nen ligjet dhe normat e sotme duhet ta gjykojme Spartak Ngjelen, i cili nga motivet duket ne rregull, (sepse don te luftoje korrupsionin), por nga ana tjeter favorizon shkeljen e ligjeve te vendit, (ja pra argumenti dhe qendrimi brenda temes), tek i jep krahe nje ambasadori te huaj te ushtroje sugjestion dhe presion psikollogjik tek pushteti legjislativ shqiptar (parlamenti), cfare eshte e ndaluar me ligjet e sotme.
Pra, mos e perzieni temen (e bulverizmit) me Jezuin dhe fene, ku stereotypet nuk kane te sosur, mos e justifikoni me idete dhe pozicionin tuaj subjektiv, qe nuk ka si te jete etalon, as me idete dhe normat e nje shoqerie te caktuar, (si tek rasti klasik dhe aq i bukur qe sjell L.A. me urbanistet), sepse edhe ne kete rast mund te dali nje individ cfardo, (sic ka dale perhere ne historine njerezore), i cili mund te sjelle nje mendim te vlefshem per temen ne fjale, (le te marrim p.sh. projektin e LungoMares ne Vlore, ku dhe gomari i Qazos do te jepte nje mendim me te vlefshem nga arkitektet dhe urbanistet me “dipllome”), por qendroni tek fakti se cdo shmangie nga tema ne fjale me gjithfare stereotypesh te caktuar, quhet bulverizem! (Mund ti gjejme edhe emertim shqiptar, kjo nuk e ndryshon problemin me duket! Edhe per mua ky eshte term i ri, por kjo aq me pak ndikon tek fenomeni ne fjale!) Dhe ky lloj fenomeni eshte mjaft tipik sot ne bote, ku po rikthehen populizmat, tragjik me duket per Shqiperine, e cila eshte nje vend i vogel dhe cdo erw e forte perendimi apo lindjeje e valvit sa andej-kendej, aq me shume kur bulverizmi sundon mbi qendrimin argumentues, i cili (ky i fundit) qendron i patundur ne temen e caktuar. (U zgjata shume dreqi e morri!)