Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

PANTEONI I BRENDËSIMIT INSTITUCIONAL TË KRITIKËS

Këtu e më shumë se dymijë vite më parë, Panteoni nisi të ndertohej si një tempull pagan, por me ç’dëshmojnë të dhënat historike, që prej shek. VII Panteoni u shndërrua dhe u përdor si një kishë në përkujtim të martirëve të krishterë. Forma kupolare e Panteonit dhe shndërrimi e përdorimi i tij institucional mund të na shërbejë për të vendosur një analogji me Bunkart 2, që jo më ndryshe se Panteoni, u ndërtua nga një regjim tjetër dhe perfundoi duke u perdorur nga ky regjim për të përkujtuar viktimat e po atij regjimi që e ndërtoi objektin.

Fillimisht, do ishte e udhës të nxjerrim në pah se hyrja për në Bunkart2, është një imitim i bunkerëve që ndërtoi diktatura në Shqipëri- pra një kopje në mungesë të reales e cila vihet në funksion të simulimeve muzeale të sistemit të sotshëm. Megjithatë, rëndësia e një simulimi të tillë qëndron në aftësinë që një sistem ka për të brendësuar kritikën dhe Bunkart2 është një shembull i përsosur sa i përket këtij brendësimi institucional të kritikës, sepse ky brendësim ndodh në një nivel jo vetëm material por dhe simbolik.

By Frokor – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=9378150

Do ishte shumë e vështirë të bënim një dallim mes reales dhe simbolikes apo edhe të mbanim një qëndrim në e ndikon realja simboliken apo anasjelltas, pasi ky debat është tepër i gjerë dhe i pazgjidhur në shumë disiplina të dijes dhe shkencës moderne shoqërore. Ndoshta është më e lehtë të bëjmë një dallim mes reales dhe sibolikes në rastin konkret: realja manifestohet në arkitekturë dhe institucione ndersa simbolikja në gjuhë, përkatësisht gjuhë kuratoriale apo muzeale. Një pikë-takim i mundshëm mes reales dhe simbolikes, institucionales dhe kuratoriales, është në këtë rast koncepti i diskursit. Një përkufizim tepër modest i diskursit, i cili do të ishte i diskutueshëm në shumë nivele disiplinore të dijes, është se ai përfaqëson një konstelacion idesh dhe praktikash. Si i tillë, diskursi ndërton dhe ndërtohet nga praktika dhe gjuha institucionale në një sistem të dhënë, për rastin tonë, në një sistem politik.

Përbën interes për këtë temë të themi se si mundet që një diskurs institucional ta brendësojë kritikën dhe çfarë rrjedhojash mund sjellë ky brendësim. Në radhë të parë, brendësimi i kritikës nga insitucioni ndodh në nivel gjuhësor duke përvetësuar leksikun e kritikës. Megjithatë përdorimi i këtij leksiku ndodh në një nivel sipërfaqësor, që do të thotë se sistemi mjafton duke e përvetësuar këtë leksik pa e zhvilluar më tej, pasi kjo është thelb të interesit të tyre: ta zhbëjnë kritikën. Duke brendësuar dhe zhvlerësuar kritikën ndodh që kritika per se të bëhet më e dobët dhe insitucioni më i fortë. Një shembull tepër aktual i mënyrës se si kjo ndodh është jo vetëm përgjigjja e Ramës ndaj një replike nga Eriola Pira gjatë një prezantimi të punëve të tij në galerinë Marian Goodman por dhe ekzistenca e një hapërsire si COD në katin e parë të Kryeministrisë. Përgjigja e tij ndaj pyetjes dhe kritikës, e thënë thjesht ishte: hajde në Tiranë, bëje protestën në COD.

Pira nxjerr në pah disa të vërteta të hidhura të mënyrës se si kritika në Shqipëri është e pa-zëshme, apo siç thuhet që në titull: e censuruar. Mirëpo, në përpjekje për t’u thelluar më tej në këtë temë dhe diskutim, është e nevojshme të theksohet se censura nuk është pjesë e retorikës insitucionale që ndjek sistemi i sotshëm politik, përkundrazi ky sistem ka mësuar aq shumë nga i kaluari, sa në vend që ta censurojë kritikën, e ka brendësuar atë. Pira shpreh qartësisht shqetësimin e saj ne menyrën se si çdo zë potencialisht kritik, duke mos dashur të prishë marëdhëniet me regjimin, censurohet, apo vetë-censurohet.

Pa dashur të kundështojmë mundësinë e pranisë së censurës, por duke shqyrtuar mundësinë e një brendësimi institucional të kritikës, është e udhës te evidentojmë edhe se si ky brendësim ndodh në nivelin e vetë individëve, të cilëve u reflektohet apo u mbivendoset po i njëjti diskurs që ndërtohet dhe ndërton regjimin. Pra, brendësimi nuk ndodh vetëm në një nivel gjuhësor, duke përvetësuar leksikun dhe gjithashtu edhe praktikat e kritikës, por ndodh edhe në një nivel individual ku kritikët zgjedhin (disa me vetëdije, disa pa vetëdije) të brendësojnë marrëdhëniet e pushtetit dhe retorikën institucionale nën justifikimin e përndjekjes nga sistemi nga një anë, dhe nga ana tjetër të mbrojtjes nga sistemi.

1 Koment

  1. Në një histori të thjeshtë dhe të bukur bashkohen Panteoni dhe Bunkeri, Martirë të Krishterimit dhe të Komunizmit, Diskursi (me “D” të madhe) dhe Kritika Institucionale.

    Lëre pastaj thjeshtësia me të cilën thuhen perla të tilla të papërsëritshme: nuk e knudërshtojmë dot mundësine e praninisë së censurës, por jemi duke shqyrtuar mundësinë e një brendësimi institucional të kritikës.

    Çfarë artikulimi! As vetë Lartëgjatësia e Tij nuk do mund t’a thoshte dot më bukur.

    Bravo! Kësaj i thonë të kesh Bole!

    Urime edhe PF-së!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin