Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Muzikë

PËRRALLA ME SALIER

Cili prej nesh nuk ka dëgjuar për Salierin e poshtër dhe smirëzi, që e pengonte në çdo hap gjeniun Mozart, derisa më në fund e helmoi?

Cili prej nesh nuk është drithëruar, kur e ka parë këtë histori të konfirmuar në filmin Amadeus, të Milosh Forman-it?

E megjithatë, nuk duket të ketë praktikisht asgjë në jetën e Salierit, siç njihet kjo nga dëshmitë e shumta bashkëkohore, që t’i japë ndonjë farë besueshmërie historisë.

Kompozitor dhe muzikant i respektuar i periudhës habsburgjike, Antonio Salieri (1750-1825) luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e operës gjatë shekullit XVIII në Europë dhe sidomos të operës italiane në Vjenë.

Mësues i arteve muzikore, pati mes nxënësve të vet Beethoven-in, Schubert-in dhe Liszt-in.

Marrëdhëniet e tij me Mozart-in, që u bënë subjekt për gjithfarë spekulimesh më pas, ishin të paktën korrekte, mes kolegësh. Madje disa biografë besojnë se këto spekulime e kanë origjinën në aluzionet paranojake të së jatit të Mozart-it, Leopoldit, prind super-ambicioz që nuk toleronte asnjë lloj pengese në karrierën e të birit.

Gjithsesi, pas vitit 1785, kur Mozart-i u vendos në Vjenë, të dy mendohet se kanë qenë miq, madje e kanë mbështetur njëri-tjetrin. Jo vetëm që Salieri ka drejtuar meshat e Mozart-it dhe ndoshta edhe një simfoni (nr. 40), por ata edhe kanë kompozuar një kantatë së bashku.[1]

Zhurmat për armiqësinë mes tyre mund të jenë nxitur disi nga kompozitori Carl Maria von Weber, që kish krushqi me Mozart-in; dhe gjetën terren të përshtatshëm në atmosferën romantike të shekullit XIX, që e kish huq të lektisej pas fatit tragjik të artistit, sidomos kur ky qëllonte edhe të ishte ose të paktën të mbahej si gjeni.

Megjithatë, pakkush në Perëndim do të kujtohej për këto mite romantike gjatë shekullit XX, së paku derisa nuk ishte shfaqur më parë drama Amadeus e Peter Schaffer-it në 1979 dhe pastaj filmi edhe më i suksesshëm, i mbështetur në këtë dramë, i Formanit në 1984; i cili fitoi edhe Oscar-in.[2]

Përkundrazi, në Lindje, interesin për Salierin smirëzi e mbajti gjallë në fillim Pushkini, që shkroi një tragjedi të shkurtër, Mozarti dhe Salieri, në 1830, të bazuar në temën e zilisë; të njëjtën që pastaj kompozitori Rimski-Korsakov do ta përshtaste për një opera me të njëjtin titull.

Pas gjase, nga Rusia dhe më pas Bashkimi Sovjetik, miti për Salierin si nemesis-i i Mozart-it dhe për smirën si efekt anësor serioz të gjenialitetit artistik, do të ketë shtegtuar deri në Shqipërinë e viteve 1950, së bashku me studentët e kthyer dhe entuziazmin romantik-revolucionar të kohës.

Ishte një mit që u shkonte për shtat egove hipertrofike të artistëve të asaj kohe, ende viktima të mendësisë romantike – duke i aftësuar që ta përçmonin çdo lloj kritike, duke ia atribuar zilisë, herë reale dhe herë fiktive.

I njëjti mit tashmë i rrëgjuar në klishé, për Salierin artist mediokër dhe shpirtkatran që nuk i ndahet gjeniut derisa e fundos, do t’i ndihmonte disa të tjerë që të besonin se, sa kohë që të tjerët i luftonin dhe i përndiqnin, ndoshta nga zilia ose edhe nga keqdashja, atëherë të persekutuarit realë a të përfytyruar duhej të ishin vërtet gjenij si Mozarti.

Vlera shpjeguese e kësaj klisheje për marrëdhëniet midis artistëve do të ketë qenë në përpjesëtim të drejtë me egot e atyre që i besonin; meqë klisheja jo vetëm dramatizonte deri në legjendë intrigat meskine të oborrit të kulturës shqip, por edhe ndihmonte edhe për ta shndërruar paranojën në megalomani: derisa nuk më duan dhe më përndjekin, atëherë qenkam vërtet i madh.

Dhe ashtu do të kish përfunduar ky mit-klishe, si pjesë që kundërmonte naftalinë, e një bagazhi provincial dhe demode të trashëguar nga periudha e ndikimit sovjetik në kulturën shqiptare të viteve 1950 – sikur të mos ia kish behur filmi i Formanit, që aty-për-aty trajnoi një brez të ri të indinjuarish rishtas me Salierin, madje edhe mes atyre që nga Mozarti nuk kishin dëgjuar kurrë gjë tjetër, veç muzikës në film dhe ndoshta edhe “marshin turk.”

Sot për sot, anembanë botës, ma merr mendja se për çdokënd që ka dëgjuar qoftë edhe një pjesë të vetme nga Salieri, do të ketë të paktën një mijë të tjerë që e njohin këtë kompozitor si mishërimin e së keqes – për shkak të filmit.

E megjithatë, do të ishte pak qesharake, sikur të thuhej se Salierit i është bërë kështu padrejtësi; thjesht ngaqë ky bashkëkohës i Mozart-it nuk do të kish mbetur veçse një fusnotë në historinë e muzikës, sikur të mos ia kishin behur të gjithë ata rrëfimtarë, që nga Pushkini te Formani, dhe ta kishin bërë të famshëm.

Madje specialistët e muzikës klasike thonë se, falë këtij nami të keq të rifituar, Salierin po e rivënë në skenë dhe publiku po e dëgjon sërish.

Tek e fundit, edhe e keqja e ruan një farë joshjeje, sidomos për të ngeshmit.

Për më tepër, njerëzit sot e njohin Salierin nga mitet pop të kultivuara prej filmit dhe parateksteve që shoqëruan filmin; edhe pse ka pasur vërtet një Salier kompozitor bashkëkohës të Mozartit, për ne ky i tanishmi nuk dallon nga një personazh i njohur i një vepre letrare – të themi Jagoja a Uriah Hipi.

Dhe nëse është kështu, atëherë imazhi që kemi, për Salierin artist mediokër dhe smirëzi dhe kushedi edhe vrasës të gjeniut Mozart është po aq i vërtetë, në mos më shumë, sa edhe ç’thonë kronikat dhe arkivat muzikore të shekullit XVIII.

Nga perspektiva e publikut të gjerë, fakti që ka pasur një Salier kompozitor në oborrin e Habsburg-ëve përtej trajtimit që i është bërë në kulturën pop nuk ngre ndonjë peshë.

Ky lloj shtrembërimi ndodh sa herë që një vepër arti merr përsipër të risjellë një ngjarje ose personazh historik, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për histori të mirënjohura e të pranuara, madje të studiuara në shkollë.

Për shembull, kronikat dhe dëshmitarët e kohës e lëvdojnë mbretin a Anglisë Rikardi III, si udhëheqës të urtë dhe largpamës; e megjithatë, më pas gjithfarë mitesh u përhapën për të, sidomos pas portretit që ia bëri Shekspiri në tragjedinë e mirënjohur; dhe ku mbreti përshkruhej si fizikisht i deformuar dhe vrasës patologjik.

Madje shkruan për të se ishte gungaç dhe shkurtabiq, me qafën të shtrembër, i çalë dhe me njërin krah të tharë; dhe se kish ndenjur plot dy vjet në bark të s’ëmës para se të lindte, çfarë duhej të provonte jo vetëm shëmtinë e tij fizike, por edhe atë shpirtërore. Pas gjase, disa nga këto atribute nuk i përgjigjen së vërtetës historike[3] – por ç’ishte kjo e fundit, në krahasim me ç’kish shkruar Shekspiri?

Në mënyrë të ngjashme, filmi “Helena e Trojës”, që pati sukses të pazakonshëm jo vetëm në botë por edhe në Shqipëri, e paraqit mes të tjerash Paridin si trim në luftë dhe udhëheqës sypatrembur – çfarë bie tërësisht ndesh me imazhin e princit të Trojës, përshkruar nga Homeri si frikacak, i ligësht dhe i urryer nga bashkëqytetarët.

Askush nuk e di me siguri nëse Paridi ka ekzistuar dhe as nëse ka qenë trim apo frikacak, i mefshtë apo kokëkrisur; vetëm se kemi aq të drejtë sa ta konsiderojmë tekstin homerik si “të vërtetë”, dhe pastaj të matim shmangiet prej tij në film.

Këto shmangie mund t’i kenë kërkuar ndjeshmëritë e publikut modern; meqë vetëm një Parid hyjnor dhe heroik mund t’ia përligjte pasionin një femre hirplotë sa Helena.

Madje këtu mund të argumentohet deri edhe se çdo formë arti narrativ a paraqitës, që merr për lëndë historinë, nuk mundet veçse t’i largohet “së vërtetës” historike, për të qenë art.

Me Salierin dhe Rikardin III, sikurse në raste të tjera me shumicë, kujtesa historike nuk ka qenë aq e fortë, sa ta vërë në pikëpyetje imazhin artistik – prandaj i pranojmë të dyja këto personazhe si pjesë të enciklopedisë së botës sonë, pa e vrarë shumë mendjen për besnikërinë historike të rrëfimit.


 

[1] Kjo kantatë kujtohej e humbur, para se të zbulohej në arkivin e Muzeut Çek të Muzikës në 2016.

[2] Ky ngram nga Google Books, që numëron okurrencat e emrit Salieri në tekste të shkruara në anglishte, tregon zgjimin e interesit kulturor për Salierin, pas vitit 1979, kur u shfaq për herë të parë drama e Shaffer-it; dhe sidomos pas vitit 1984, kur u shfaq filmi i Formanit.

salieri-english

I njëjti ngram, por këtë herë për tekste të shkruara në gjermanishte, e konfirmon këtë.

salieri-german

[3] Megjithatë, pasi ia zbuluan varrin Rikardit III në vitin 2012, skeletin e analizuan dhe gjetën prova të qarta të skoliozës në vertebrat – çka do ta përligjte atributin “gungaç” dhe ndoshta edhe disnivelin e supeve.

1 Koment

  1. Degjon Mozartin, behesh njesh me Natyren! Degjon Salierin, gjithashtu perfshihesh nga shushurima te lehta ererash . Pa diskutim muzika e te parit eshte me fuqishme, me e paperseritshme, me e gjalle! Historia e konfliktit Mozart-Salier dhe e helmimit ka qene qysh ne fillim histori e dyshimte dhe e pabesueshme, histori per mendje feminore! Koha ka rihabilituar dhe vendosur ne vend gjithshka!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin