Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Komunikim / Totalitarizëm

NE TANËT

Për tmerret që heqin interpretët, ose përkthyesit gojorë, në takime politike në nivelit të lartë janë qëndisur deri balada – por shembulli i mëposhtëm, i sjellë rastësisht nga përkthyesi Myfit Mushi i delegacionit shqiptar në një takim të Enver Hoxhës me udhëheqës të lartë të Bashkimit Sovjetik, në 10 nëntor 1960, tregon se disa moskuptime ose keqkuptime prekin drejtpërdrejt premisat që mundësojnë komunikimin.

Citoj autorin nga intervista që ia dha para disa ditësh gazetës “Dita”:

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të tensionuar. Enver Hoxha herë pas here përdorte shprehjen “ne jemi marksistë-leninistë dhe problemet duhet t’i trajtojmë në këtë frymë”. Qysh në rastin e parë, Mikojani e ndërpreu: “Pra, ju qenkeni marksistë-leninistë, kurse ne jo!”. Pak më vonë Enveri përdori të njëjtën shprehje. Edhe Mikojani përsëriti të njëjtin reagim.

Më duhet të theksoj se deri atë ditë partia jonë ende nuk i kishte quajtur revizionistë udhëheqësit sovjetikë. Pas reagimit të përsëritur të Mikojanit, u ndodha shumë ngushtë. Duhet të bëja një sqarim. Mora parasysh edhe pasojat e rënda, por e kisha detyrë si përkthyes. Ndërhyra: “Shoku Mikojan, me sa duket e kam unë fajin. Po sqaroj se kur shoku Enver thotë ‘ne jemi marksistë-leninistë’, ka parasysh jo vetëm palën shqiptare, por të dyja palët”.

Pështjellimi këtu ka të bëjë me kuptimin e përemrit të vetës së parë shumës ne, i cili në shqip (dhe në rusisht) mund të ketë kuptimet: (1) unë & ca të tjerë dhe ju; (2) unë dhe ti; (3) unë dhe ju; (4) unë & ca të tjerë dhe ti, nga njëra anë; ose kuptimet (5) unë & ca të tjerë por jo ti dhe (6) unë & ca të tjerë por jo ti & ca të tjerë.[1] Kur Hoxha thotë “ne jemi marksistë-leninistë”, ai përdorte mbase qëllimisht një “ne” të kuptimit (5), ose që i veçonte udhëheqësit shqiptarë nga sovjetikët, por pa dalë haptazi kundër tyre; kur Mikojani e kapi këtë dhe protestoi (“Pra, ju qenkeni marksistë-leninistë, kurse ne jo!”) përkthyesi e shfrytëzoi hapësirën që i jepte gjuha për t’u shfaqësuar: [Hoxha] ka parasysh jo vetëm palën shqiptare, por të dyja palët”.

Në gramatika, këto dy kuptime të ndryshme të vetës së parë shumës (në vija të trasha: “ne por jo ju” dhe “ne dhe ju së bashku”) janë përshkruar mirë dhe janë quajtur, përkatësisht, “ne-ja inkluzive” dhe “ne-ja ekskluzive”. Është për t’u çuditur që ky dallim, edhe pse gjithnjë i rëndësishëm në komunikim, në gjuhët indo-europiane i është besuar vetëm kontekstit. Përfytyroni sa me rëndësi kritike është për fëmijën të marrë vesh qartë se çfarë ka parasysh prindi kur i thotë: “ne do të shkojmë në kinema tani” (ne: mami dhe babi por jo ti, apo ne: të tre bashkë).

Në gjuhë jo-indoeuropiane, dallimi është i gramatikalizuar: gjuha cherokee, për shembull, i jep përemrit “ne” katër kuptime: “unë dhe ti” (duali inkluziv, ose ne të dy); “unë dhe një tjetër” (duali ekskluziv); “unë dhe të tjerë” (shumësi ekskluziv) dhe “unë, ti dhe të tjerë” (shumësi inkluziv).

Vetinë e vetës së parë shumës për t’i grupuar palët në komunikim në mënyra të ndryshme e kanë quajtur “kluzivitet”. Natyrisht, këto kategorizime u interesojnë kryesisht linguistëve dhe antropologëve, por efekti në vetvete i kapërcen kufijtë e gramatikës për t’u shtrirë në pragmatikë, sikurse e pamë për shqipen dhe për shumë gjuhë të tjera, indo-europiane dhe jo.

Disa studiues të ligjërimit juridik, kanë vënë re domethënien e këtij dallimi në dokumente themeltare si kushtetutat, duke filluar që nga fraza e mirënjohur, “we the people”, në Kushtetutën Amerikane, vetën e parë shumës tek e cila tani janë duke e interpretuar gjithnjë e më shpesh si “ne ekskluzive”.

Nga ana tjetër, Judith Butler, në një ese tani vonë, me titull “We the People, Thoughts on Freedom of Assembly” (botuar këtu), argumenton se “we the people” është një akt ligjërimor, “që kërkon të sjellë në jetë pluralitetin social që e shqipton.”

Dallimi mes dy “ne-ve” në vetvete është trivial; që ky dallim nuk është gramatikalizuar në shumë gjuhë, përfshi këtu gjuhët indo-europiane intrigues. Duket sikur, gati-gati, komunikimi jo vetëm e ka toleruar ambiguitetin e pashmangshëm të kësaj ne-je, por edhe ka pasur nevojë, njëfarësoj, për këtë ambiguitet.

Këtë supozim duket sikur e mbështet përdorimi i vetës së parë shumës në ligjërimin publik, dhe veçanërisht në ligjërimin politik publik: shpesh e njëjta ne në gojën e një demagogu mund të ketë kuptimin “unë dhe ju, që krijojnë grupin tim, por jo ata të tjerët, që janë kundërshtarët tanë”; por edhe kuptimin “të gjithë ne qytetarët e këtij vendi” ose fundja, “ne njerëzit.” Edhe një togfjalësh në dukje i pafajshëm, si “ne shqiptarët” mund të ketë kuptimin “ne shqiptarët, por jo ju të tjerët, që nuk jeni shqiptarë”; dhe që këtej të marrë kuptimin “jemi ne – grupi im – që e vendosim se cili do të jetë shqiptar dhe cili jo.”

Ligjërimi publik shndërrohet kështu në një instrument për krijimin, riprodhimin dhe kolaudimin e grupeve, në bazë të kësaj vetie gati “magjike” (për ta thënë me Butler-in) të vetës së parë shumës, për të afirmuar një lloj sovraniteti kolektiv, ose për të legjitimuar të vepruarit dhe të menduarit së bashku. Prandaj edhe ajo ne-ja e Hoxhës në bisedat me sovjetikët shënjon jo vetëm nervin paranojak, por edhe konstituimin e herezisë shqiptare në Moskë.

Në ligjërimin e vet, Hoxha rregullisht i është drejtuar “ne-së” ekskluzive, për të shprehur ballafaqimin, kundërvënien dhe armiqësinë; ose për ta identifikuar dhe kompaktuar palën e vet, nëpërmjet përballjes me një palë tjetër. Këtë ligjërim të dominuar nga ne-ja ekskluzive do të mund ta quanim edhe ligjërim paranoid – i cili e riprodhon, sa herë që përdoret veta e parë shumës, qoftë në përemra qoftë në folje, ndarjen e komunitetit ose të kolektivitetit në grupe në armiqësi mes tyre.[2]

Në këtë kontekst, fakti që kjo ne ekskluzive nuk ka shënjues morfologjikë të vetët i ofron një bazë të sigurt demagogjisë, ose aftësisë për t’u thënë gjëra të ndryshme grupeve të ndryshme, duke përdorur të njëjtat fjalë.

Dhe nëse është kështu, mbase do të na lejohet të pyesim, në mos sot një ditë tjetër, se sa ka ndikuar në institucionet politike europiane kjo pamundësi për të dalluar, në mënyrë eksplicite, midis inkluzivitetit dhe ekskluzivitetit në vetën e parë shumës; dhe jo aq pse i njëjti përemër mund t’i shprehë të dy konceptet, por më tepër për shkak të lehtësisë me të cilën mund të kalohet, brenda të njëjtit kontekst diskursiv, nga një lloj dinamizmi grupi te një tjetër.

Bibliografi:

  1. Jim Chen, First Person Plural 
  2. Badiou, Alain et al., What Is a People? New Directions in Critical Theory, Columbia University Press, 2016.

[1] Në çdo rast, ne nuk ka asnjëherë kuptimin “unë në shumës”, përveç në rrethana specifike, pak a shumë artificiale, si kur është fjala për një kor që reciton në skenë. Kuptimi formal i ne është “unë dhe së paku një person tjetër.” Këtu nuk na interesojnë përdorimet figurative të vetës së parë shumës (si “ne-ja” mbretërore, “ne-ja” autoriale ose editoriale, “ne-ja” padronizuese dhe “ne-ja” diktoriale), të cilat i referohen, në fakt, vetës së parë njëjës.

[2] Kjo është karakteristikë e përgjithshme e ligjërimit totalitar në Shqipëri, siç besoj se e kam përshkruar në studimin tim Shqipja totalitare, Çabej 2010.

5 Komente

  1. Thua se nuk të intereson kuptimi “unë në shumës” i përemrit “ne”, por shpesh në ligjërimin politik, përtej kuptimeve gramatikore, kuptimi pragmatik është pikërisht ky. Kur Enver Hoxha në bisedimet e Moskës thoshte “ne”, duhej kuptuar si “unë”. Dhe sovjetikët në fakt kështu e kuptonin sepse dihej se ishte ai që vendoste aty dhe askush tjetër.

    Madje përemri “ne” në këtë lloj diskursi shpesh ndërron vetë. Në gojën e ambasadorëve merr kuptimin e vetës së tretë: “ai”, “qeveria”, “ata që përfaqësoj unë”. Për shembull, kur në bisedimet e Moskës Mehmet Shehu thoshte “ne”, kuptimi ishte “ai, Enver Hoxha”. Por mund të marrë edhe kuptimin e vetës së dytë: kur Enveri thoshte: “Ne edhe bar do të hamë…” donte të thoshte “Ju do të hani bar” dhe njerëzit kështu e kuptonin, sepse askush nuk mendonte se Enveri do të hante bar.

    1. Relapso, ti e kupton se për çfarë e kam fjalën, kur them “nuk më intereson” – dhe pikërisht për ato përdorime të vetës së parë shumës që njihen si pluralis majestatis, pluralis modestiae etj.; sepse janë trajtuar mirë, ose nuk hyjnë tamam në temën që doja unë të cek. Por edhe shembujt që sjell ti nuk më bindin. Për shembull, në Moskë Enveri ndihej krejt i izoluar, prandaj kish nevojë të ngutshme për solidaritetin e grupit; dhe ajo “ne” në gojën e tij ishte një përpjekje për të gjetur shokë dhe përkrahës, jo ushtrim egocentrik. Po ashtu, ajo “ne-ja” e Mehmetit në bisedimet e Moskës nuk është doemos një mënyrë për t’iu referuar Enverit. Vetë ky i fundit thotë, në kujtimet, se Mehmeti po tregohej egërsisht anti-sovjetik atëherë, aq sa praktikisht i acaroi artificialisht marrëdhëniet me Hrushovin dhe të tjerët – unë nuk e përjashtoj mundësinë që Mehmetit t’i interesonte PERSONALISHT në atë kohë prishja me sovjetikët; prandaj “ne-ja” e tij do të thotë pikërisht “unë dhe Enveri”. Sa për “ne-në” e Enverit kur thoshte “ne edhe bar do të hamë”, kjo besoj duhet të trajtohet në një analizë të ligjërimit përfaqësues, ose të mënyrës si flet dikush, kur flet NË EMËR të një grupi. Këto janë të gjitha me interes, por interesi im në trajtesën më sipër është tjetër.

      1. E kuptova ate qe thua ti, po une desha te thosha se ne rastin e peremrave kufijte mes gramatikes dhe pragmatikes jane teper te levizshem. Peremrat marrin kuptim te plote vetem ne kontekst dhe konteksti eshte pragmatike.

        Sa per ate punen e Moskes une e mendoj ndryshe. Ne gjirin e delegacionit shqiptar Enveri kishte pushtet absolut, pra ishte nje lloj sovrani i shoqeruar nga nje shpure oborrtaresh te bindur. Pertej syprines dhe preteksteve qe u paraqiten aty si mbledhja e Bukureshtit, çeshtja e grurit etj. prishja me Mosken nuk ndodhi as per arsye politike, as per arsye parimore, as per arsye ekonomike. Arsyeja e vetme ishte se, po te pranonte kritikat sovjetike ndaj kultit te individit dhe teprimet e tjera te Stalinit, Enveri i hapte gropen vetes. Pra u prish me Mosken vetem per te mbrojtur pushtetin e tij personal. Anetaret e tjere te delegacionit nuk guxonin te kundershtonin, se e pane si e pesoi Liri Belishova. Aty nuk kishte as trima, as idealiste, por vetem oportuniste qe shqetesoheshin per interesat e tyre meskine.

        Qendrimi i Mehmetit buronte nga natyra e tij e kercyer dhe nga zelli i tepruar per t’i deshmuar besnikerine shefit. Pavaresisht dukjes se jashtme te eger, autoritare etj., Mehmeti ne te vertete ka qene vetem nje vartes i bindur i Enverit, pa nje vullnet te vetin, pa guximin per te shprehur nje mendim sadopak te ndryshem nga i shefit. Synimi i tij i vetem ishte si t’i pelqente shefit.

        Sa per ate punen e ligjerimit perfaqesues, analiza vlen kur vertet ligjerimi eshte perfaqesues, jo vetem gjuhesisht dhe formalisht. Nuk eshte ky rasti yne.

  2. Me bezdis shume ‘ne-ja’ autoriale, dhe sado qe shitet si shenje modestie e ndiej si padronizuese. Ndoshta ngaqe “une” me eshte normalizuar krejt. Nga ana tjeter, ne Shqiperi uni akademik perceptohet ende si arrogant.
    Peremrat kane pragmatiken me te larmishme e interesante nder pjeset e ligjerates per shkak te lidhjes aq jokonkrete me referentin

    1. Presje, ka disa lloj shumësash autorialë, pavarësisht traditave të shkrimit apo gjuhëve të ndryshme, përfshi këtu edhe anglishten.

      Një prej këtyre llojeve, por jo i vetmi, është ai i përfshirjes së lexuesve:

      Kur autori shkruan “të marrim, për shembull, rastin e…” në të vërtetë fton edhe lexuesit ta marrin bashkë me të atë shembull. Po ashtu kur shkruan: “në dritën e fakteve dhe argumenteve të mësipërme nuk na mbetet tjetër veçse të vijmë në përfundimin se…” në të vërtetë përfshin edhe lexuesit, duke i bërë bashkëpërgjegjës në përfundimin e tij, sepse pas gjithë atyre fakteve dhe argumenteve që u solli, s’kanë nga ia mbajnë tjetër.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin