Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

MË THUAJ Ç’LIBËR LEXON…

nga A.A.B.

Rasti e solli, para pak javësh, të merrja pjesë në një mbrëmje letrare për Han Kang-un, autoren koreano-jugore libri i së cilës, « Vegjetariania »,  fitoi Man Booker International-in për vitin 2016. Po atë natë, shtypa titullin, në shqip, në motorin e kërkimit në internet të kompjuterit tim. Rezultatet ishin ato që prisja, dy apo tre përkthime të shkurtra shqip të copëzave lajmesh mbi Man Booker-in, njëri prej të cilëve, madje, nuk kishte marrë as mundimin as të shqipëronte titullin e veprës në krye të paragrafit lajmërues. Po ashtu, për fat të keq, nuk kishte asnjë dije publike për ndonjë plan a përpjekje për të marrë të drejtat e botimit të librit në shqip, megjithëse, duke hamendësuar sesa mund të vlejnë ato të drejta tani për tani, nuk është e habitshme.

Disa ditë të shkuara, duke ripërtypur këto mendime, më bëri shumë më tepër përshtypje padija ime e plotë mbi mënyrën e përzgjedhjes së titujve që më ofrohen në librarinë time të zakonshme në Tiranë. Mendoj se nuk jam krejt fillikat në padijen time, e se doemos do të ketë njerëz të tjerë që vuajnë nga po e njëjta varfëri titujsh dhe po i njëjti irritim me shitësit e ngratë që detyrohen të na i servirin. Natyrisht, nuk mund të ketë asnjë detyrim redaktorial të botuesve-përzgjedhës për të dëgjuar ankesa individuale të njërit apo tjetrit e për t’i dëgjuar apo shpërfillur secilën. Nga ana tjetër, zgjedhja e titujve më pak të botueshëm nëpër fotografi Instagram-i e të lexueshëm pasdrekeve në shezlong, por me recensione ndërkombëtare të besueshme, përpos përmirësimit të shqisës letrare të lexuesit të zakonshëm, shtyn të besosh, së paku teorikisht, në një shtim të mundshëm të kësaj klase leximtarësh.

Diskutimi i vlerave relative të politikave ekzistuese dhe propozimi i alternativave të reja të shpërndarjes dhe propagandimit të lajmit letrare dhe librit nuk i përket këtij artikulli. Në fakt, nuk mund t’i përkasë asnjë artikulli apo qasjeje pjesërisht subjektive të artikuluar nga një individ apo grup i vetëm, qoftë ky një grup pune i “ministrisë së linjës”, në zhargon burokratik. Megjithatë besoj, plotësisht subjektivisht, se do të ishte fort e pazakontë që cilësia artistike e librit të botuar në vend gjatë dy dekadave të fundit të mos ketë patur kurrfarë ndikimi mbi zakonet e leximit të popullsisë. Prandaj, është plotësisht miqësor e me vend sugjerimi që ekipet përzgjedhës të titujve për botim të mos të marrin për të mirëqenë modestinë e detyrueshme të kërkesave letrare të shqiptarit. Po ashtu, sidomos në kohërat tona, është e detyrueshme që ata të mos shkërbejnë për letërsi botërore një listë autorësh pothuajse plotësisht perëndimore, me ca pak vepra ‘botërore’ që kanë kaluar sitën e Nobelit ngucur midis për kolorit.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, prekur dhe këtu nga A.V., është ai i mungesës së referencave kritike të veprave që lexojmë. Botimi i titujve të huaj shmang nevojën për krijimin e kornizave mbi të cilat do të zhvillohej një kuadër i tillë (redaksi letrare shtypi dhe televizioni, strategji koherente e kërkimit, inkurajimit dhe promovimit të autorëve vendas, e me radhë), pasi mjafton huazimi e përkthimi i atij të gatshëm nga vende të tjera. Sidoqoftë, mospasja e kornizës vendase është e pamundur, e për më tepër e dëmshme, në planin afatgjatë. Kjo nuk mund të zgjidhet nëpërmjet një qarkoreje apo fondi zhvillimi të filan fondacioni, por vetëm nga dëshira e njerëzve që lexojnë e që shkruajnë për të pasur një letërsi më cilësore në dispozicion të tyre, në gjuhën e tyre. Progresi, nëse mund të quhet ende kështu, do të jetë i copëzuar dhe i ngadaltë, sepse e tillë është natyra e evolucionit. Proliferimi i blogjeve dhe botimeve virtuale krijon mundësi të mëdha, dhe, natyrisht, rreziqe të reja prej botimit jashtë paradigmës tradicionale shqiptare.

Gjithsesi, retrospektivisht, thelbësore është shmangia e përfundimit lehtësisht të arritshëm se letërsia shqiptare, si të gjitha fushat e tjera të jetës bashkëkohore, është e lidhur pazgjidhshmërisht me ‘zhvillimin’ e atdheut, pra me harkun e ndryshimit politik dhe zhvillimin ekonomik që ky i pari sjell apo shkakton. Në këtë optikë, del se jemi në një deflacion gjithashtu letrar, një ndër pikat më të ulëta të letërsisë shqipe në këtë peizazh pas-bërthamor të perëndimit të diellit kadarean. Përkundrazi, krizat e zgjatura të vendeve dhe kontinenteve, turbullirat historike, mbarsin letërsi përgjithësisht të shkëlqyer. Për shembull: Virgjili dëshmoi epopenë e themelit të dinastisë perandorake (dhe luftërat e vrasjet pararendëse) të Augustit, Dante-ja jetoi një luftë civile brenda qytetit të tij dhe braktisjen e paprecedent të Romës prej Papatit, Cervantes-i jetoi epokën më luftarake dhe fillimin e fundit të Perandorisë Spanjolle, Hugo-i u lind nën Konsullatin napoleonik dhe vdiq nën Republikën e Tretë, pasi ndërroi gjashtë regjime politike; Dostojevski, Tolstoi shkruan gjatë dekadencës fund-cariste, Kadareja vetë jetoi pjesën më të madhe të shekullit të parë modern të tërë shqiptarëve.

Lëngata shqiptare, për sa u dhemb disave prej nesh, e për sa trumbetohet papërgjegjshmërisht në të katër anët prej mediave e politikanëve, duke zymtuar shumë, vrarë shumë shpresa e pjellë shumë cinikë, me gjasë do të përbëjë një hop cilësor të paparë në letërsinë shqiptare. Objektivisht, shkrimtari, apo ‘letrari i ri’ për të cituar Kadarenë, ka me tepër mundësi për njohuri sot dhe më tepër material për të trajtuar, se kurdoherë më parë, për shkak të dinamikës së ndryshuar të komunikimit. Ai apo ajo ka gjithashtu përparësinë e masivitetit të trajtimit të njëanshëm e të vjetruar të shumicës se fenomeneve të përditshmërisë që i rrethon. Me pak fjalë, informacion pothuajse pa kufi, numri më i lartë i intelektualëve të formuar jashtë në historinë e vendit, liri e konsiderueshme shprehje, modele politike, shoqërore e kulturore drejt perëndimit, e një shoqëri goxha vokale dhe e angazhuar në një sërë kauzash qartësisht jo-politike. “Pritja për letërsi të madhe, të mirëfilltë”, pra, rezulton një koncept kryekëput debil që nuk i takon as këtij vendi dhe as kësaj kohe.

 

1 Koment

  1. Një hollësi teknike lidhur me të drejtat e botimit, si përgjigje ndaj hamendësimit të autorit të shkrimit: zakonisht ato janë diku aty te 20% i çmimit mbi kapak të librit.
    E thënë ndryshe, me paratë e një makine 35 mijë euroshe – me të cilën parapëlqen të udhëtojë 20km në ditë nëpër Tiranë pronari i një shtëpie botuese imagjinare – mund të garantohen të drejtat e botimit të 5 titujve me nga 2 mijë ekzemplarë titulli, me çmim shitje 15 euro.
    Hesapet më sipër janë bërë duke patur në mendje ajkën e katalogëve dhe përkthimin në një gjuhë të madhe. Për vepra më të vjetra, ose jo aq në modë jo më larg se pardje, dhe për gjuhë të vogla, rrethanat mund të jenë edhe më favorizuese, pasi agjencia e të drejtave nuk pret të fitojë miliona nga disa mijë kopjet që mund të shiten në shqip.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin