Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10 / Përkthim

1×10: NJË FRYMËMARRJE JETE

Titulli: Një frymëmarrje jete & Pasioni sipas G.H.
Autori: Clarice Lispector
Përktheu: Ermira Danaj
Ombra GVG, 2016

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Ermira Danaj

 

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

1.

Unë shkruaj sikur do të shpëtoj jetën e dikujt. Me shumë mundësi, jetën time. Të jetosh, është një lloj çmendurie e shkaktuar prej vdekjes. Të vdekurit jetojnë për aq kohë sa jetojmë ne, në mendimet, kujtimet tona.

 

2.

Dita vrapon aty jashtë pa qëllim dhe hapet në heshtje brenda meje. Hija e shpirtit tim është trupi. Ky libër është hija ime. Më falni, a mund të kaloj pakëz? Ndihem me faj kur nuk ju bindem. Jam i lumtur në çastin e gabuar. I palumtur kur të gjithë hedhin valle.

 

3.

Jam duke dëgjuar muzikë. Debussy përdor shkumën e detit që jep shpirt në rërë, duke u lëkundur e rilëkundur. Bach është matematik. Mozart është hyjnori i papërcaktuar. Chopin tregon jetën e tij më intime. Schoenberg, nëpërmjet unit të tij, depërton në unin klasik të gjithkujt. Beethoven është eliksiri i stuhishëm njerëzor në kërkim të hyjnores, që e gjen vetëm tek vdekja. Përsa më përket mua, nuk kam të bëj fare me muzikën. Arrij vetëm deri tek pragu i një fjale të re, pa e pasur kurajën pët ta prezantuar atë. Fjalori im është i trishtuar dhe shpeshherë “vagneriano-polifoniko-paranoiak”. Shkruaj në mënyrë shumë të thjeshtë dhe shumë transparente. Prandaj lëndon. Jam një peizazh gri dhe bojëqielli. Lind nga një burim i thatë dhe nga një dritë e akullt.

4.

Nëse ky libër del në dritë ndonjëherë, profanët u largofshin prej tij. Sepse të shkruarit është një gjë e shenjtë ku mosbesuesit nuk lejohen të hyjnë. Me qëllim po bëj një libër të keq. Për të larguar profanët që duan “ta pëlqejnë”. Por një grup i vogël do e kuptojë se ky “pëlqim” është sipërfaqësor dhe do të mund të hyjë brenda asaj që vërtet shkruaj. Dhe që nuk është as “e keqe” as “e mirë”.

 

5.

Deri ku shkoj unë dhe ku filloj të jem Anxhela? Jemi fruta të së njëjtës pemë? Jo, Anxhela është gjithçka që unë doja të isha dhe nuk qeshë. Çfarë është ajo? Ajo është “valët e detit”. Ndërsa unë jam pyll i dendur dhe i zymtë. Unë jam në fund të thellësive. Anxhela shpërhapet në copëza të ndritshme. Anxhela është marramendja ime. Anxhela është riartikulimi im, rrjedh prej meje. Ajo është “unë”. Unë, autori: i panjohuri. Është rastësi që “unë jam unë”. Anxhela duket si diçka intime që doli jashtë. Anxhela nuk është një “personazh”. Është evoluimi i një ndjenje. Është një ide e mishëruar në qenie. Në fillim ishte vetëm ideja. Më pas fjala erdhi tek ideja. Dhe më pas fjala nuk ishte më e imja por ekzistonte përtej meje. Ishte e të gjithëve, ishte e Anxhelës.

 

6.

Unë e kam humbur nga sytë fatin tim. Pyetjet e mia nuk reshtin kurrë. Unë kërkoj. Çfarë kërkoj? Këtë: mundësinë e të pyeturit në pafundësi. Nuk kam asnjë mision. Jetoj sepse linda. Dhe kam vdekur sepse vdekja më simbolizon. Jashtë meje jam Anxhela. Brenda meje jam anonim. Të jetuarit e kërkon një guxim të tillë. Ndihem kaq i humbur. Si të isha duke fjetur në shkretëtirën e Ministrisë së Financës.

 

7.

Shquaj vetëm shkrimin tim të dorës. Dhe mendoj se ka një lloj bukurie në lirinë e frazave, pa u shqetësuar shumë që nuk ka lidhje mes tyre. Frazat nuk kanë ndërhyrje nga koha. Ato mund të ndodhin në shekullin e ardhshëm, siç mund të kishin ndodhur në atë të fundit, me ca ndryshime të papërfillshme.

 

8.

Unë, autori i këtij libri, jam i pushtuar nga mijëra djaj që shkruajnë brenda meje. Duhet të rrjedhë. Ah, kurrë, asnjëherë mos ndalë së rrjedhuri! Është e tmerrshme nëse burimi që ndodhet brenda secilit prej nesh, ndalon. Është burim misteresh, misteresh të fshehura. Dhe nëse ndalon, do të thotë që vdekja po afron. Në këtë libër po përpiqem të jem pak i çmendur, pak mburravec, duke kërcyer lakuriq nëpër rrugë, pak klloun, pak gaztor në oborrin e mbretit. Unë, mbreti i gjumit, unë di vetëm të fle dhe të ha. Nuk kam mësuar asgjë tjetër. Sa për të tjerat, zonja dhe zotërinj, po e kafshoj gjuhën. Nuk do t’jua tregoj sekretin e jetës sepse nuk e kam mësuar ende. Por një ditë unë do të jem sekreti i jetës. Çdokush prej nesh është sekreti i jetës, dhe njëri është tjetra, dhe tjetri është njëra.

 

9.

“Të shkoj të fle”, ngjan shumë me mënyrën, se si tani më duhet të shkoj drejt lirisë sime. T’i dorëzohem asaj që nuk kuptoj, është si ta vendos veten në buzë të “asgjësë”. Thjesht eci, si një e verbër e humbur në një fushë. “Të jetuarit” është kaq i mbinatyrshëm. “Të jetuarit”, unë e kisha zbutur si një kafshë shtëpiake. Kjo, diçka kurajoze siç është dorëzimi, është njësoj sikur t’i jap dorën dorës fantazmagorike të Zotit për të hyrë në atë “gjë” pa formë, siç është parajsa. Një parajsë që nuk e dua!

 

10.

Dhoma ishte kaq e ndryshme nga pjesa tjetër e apartamentit, saqë të hyje në të, ishte sikur të dilja prej vetes e të hyja tek dikush tjetër. Dhoma ishte e kundërta e asaj që unë kisha krijuar në shtëpi, e kundërta e bukurisë së butë që vinte prej talentit tim për të mobiluar, prej talentit tim për të jetuar, e kundërta e ironisë moskokëçarëse, e ironisë sime të ëmbël e pa hile: ishte dhunimi i thonjëzave që më bënin të isha referencë ndaj vetes. Dhoma ishte portreti i një stomaku bosh.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

 

1×10 është një seri e re që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.

1 Koment

  1. Me pelqen ideja e ndarjes ne rubrika. Them se edhe shkrimet me humor qe jane sjelle ketu mund te futen ne nje rubrike si ajo e Borowitz Report te New Yorker

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin