Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

ÇELËSI I SUKSESIT

Zgjedhja për herë të shtatë e Velion Mjaftaj, në postin e kryetarit të bashkisë, ka angazhuar analistët e politologët më të mirë të Europës, por asnjë prej tyre – që prej kohësh e pyesin veten se cili është çelësi i suksesit të tij – nuk dinë të japin interpretime shteruese. Befas përgjigjen e dha vetë kryetari i bashkisë V. Mjaftaj i cili, gjatë një konference për shtyp, u shpreh në mënyrë të sinqertë e të thjeshtë: “Çelësi i suksesit tim? Është çelësi”.

Papritur, çdo gjë u bë e qartë. Që në fillim të karrierës së tij si politikan, dhe sidomos gjatë zgjedhjes së parë në krye të bashkisë, Velioni i dha përparësi imazhit në publik dhe paraqitjes mediatike. Mjeti më i mirë në këtë drejtim rezultoi çmimi “Çelësi i qytetit”.

Kryetari nuk la personazh të njohur e më pak të njohur pa i dorëzuar, se kështu thuhet, çelësin simbolik të qytetit. Më të frytshmit dolën ata që vinin nga jashtë. Këngëtarë, diplomatë, politikanë, studiues, akademikë, mërgimtarë, e të tjerë personazhe, të të gjitha gjinive, që i tërheqin telekamerat si mjalti mizat.

Me një çelës kryetari hapte disa porta, si puna e gurit me zogjtë. Natyrisht në mënyrë figurative. I bënte qejfin të ftuarit (dihet se të huajt vdesin për një medalje, një dekoratë, një diplomë, një titull ose një çelës nga institucionet); i bënte qejfin vetes (helbete, kur do t’i binte më rasti që t’i njihte personalisht personazhet e famshme, që mbushin tabloidet e gjithë botës?); i bënte qejfin publikut (njerëzit kënaqen kur shohin fotografi e shtrëngime duarsh me njerëz të famshëm e kinga).

celesa-me-ngjyraKur e pa që popullariteti i rritej dita ditës, bashkiaku ynë vendosi të krijonte nënçmime të tjera. Kështu, themeloi çmimin “Çelësi i artë”, “Çelësi i argjendtë”, “Çelësi i bronztë”, të cilat u jepeshin personazheve sipas rëndësisë dhe shikueshmërisë në media. Po të dilje gjithnjë në faqe të parë merrje çelësin e artë, në faqe të dytë e tretë, çelësin e argjendtë, e kështu me çelësat e tjerë. Deri tek ai prej kauçuku. Madje filloi t’ua përshtaste çelësat sipas ngjyrave e formave të parapëlqyera. Në disa raste u vinte edhe emrat sipër.

Nisma u vlerësua shumë nga qytetarët, të cilëve u interesonin më shumë çmimet dhe dalja në televizor, ngaqë argëtoheshin pa masë, se sa problemet e mërzitshme e të lodhshme të qytetit. Pas fitores së radhës në zgjedhjet vendore, kryetari i bashkisë Velion Mjaftaj, krijoi çmimet “Brava e qytetit”, “Kyçi i lagjes”, “Dera e pallatit”, “Doreza e katit”, duke hyrë në mënyrë kapilare në indin e qytetit.

Strategjia mediatike e kryetarit tonë doli me sukses të madh. Pothuajse nuk mbeti qytetar pa marrë çmim dhe pa bërë foto përpara telekamerave. Të gjithë ishin të kënaqur: kryetari që dorëzonte çelësa e brava sa andej këndej, njerëz të famshëm e më pak të famshëm që merrnin poza krejt të lumtur, por edhe fotografët, gazetarët, kameramanët, mediat, prodhuesit e hekurishteve, prodhuesit e kornizave, shitësit e orendive shtëpiake, spektatorët, etj.

I vetmi që doli kundër ishte një farë Hekuran Dryni, i cili në statusin e vet në FB shkroi: “Unë e di ku futet ai çelës pasi përfundon xhiron mediatike. Futet në bravën e popullit, i cili e ha keq se ka vetëm çelësat e kashtës”. Bashkiakut nuk i bëri syri tërr. Provokacionit iu përgjigj si gjithnjë me elegancë dhe ironi, po në FB por me një video: “Jam gati të krijoj çmimin ‘Çelësi i ndryshkur’, ose ‘Çelësi kopil’, vetëm për kënaqësinë e dorëzimit në duart e këtij papagalli me humor anglez”.

Batuta u pëlqeu të gjithëve. Dikush tha se edhe referimi ndaj papagallit dhe humorit anglez kishte të bënte me çelësat e njohur.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading