Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë / Media

I DOGJA ETAPAT NË FB

Në Facebook hyra me vonesë*. E si të gjitha dashuritë në moshë të kaluar, edhe kjo doli marrosëse. Vetja m’u duk si ajo copa  e letrës me ngjyrë, që rrotullohet brenda tubit kaleidoskopik. Një lëvizje e vetme dhe merrja forma të ndryshme. Gjithnjë brenda tubit e gjithnjë me të tjerët. E si të tjerët. Praktikisht i dogja të gjitha etapat në pak kohë.

Këtu më poshtë po jap disa nga etapat që kalova në FB.

Etapa 1: “Ua, sa paska ndryshuar!”

Kur hyra për herë të parë në FB e ndjeva veten si me syrin tek vrima e çelësit. Fillova të rrëmoj mes fotografive të të tjerëve, shokë e shoqe të vjetra. Komentet e parashikueshme: “Qenka plakur!”, “Shiko si qenka bërë!”, “Shumë e shëndoshë më duket!”, “A thua të jeta ai/ajo?”, “Uaaa, i paskan rënë flokët fare!”… U mundova t’ia fsheh vetes, por ishte kënaqësi e vërtetë. Derisa shkova tek pasqyra.

Etapa 2: Unë bëj pushime, ti plas nga inati

U nisa për pushime për inat të gjithkujt. I bëja fotografitë dhe i postoja, që miqtë, të njohurit e të tjerët, të pëlcisnin nga zilia. Ata foto me det e unë me varkë në det, ata me mal e unë mbi teleferik në mal, ata me sheshe të bukura e unë me sheshe të bukura me monumente. Në fund, nuk mora vesh mirë se ku kalova pushimet. Po kjo s’ka rëndësi.

Etapa 3: Si te shkallët e pallatit

FB nuk qenkësh rrjet social, por makinë e kohës. Më ktheu menjëherë vite pas, kur thashethemet bëheshin tek shkallët e pallatit, ose diku andej nga lagjja. E di që është ndarë nga burri? Ai i katit të parë ka dashnore atë të katit të pestë. E kanë përjashtuar nga shkolla. Nuk flet me nusen. Këto muhabete i bëra edhe me chat, me bindjen se të tjerët nuk kanë folur për mua.

Etapa 4: Në plan të parë

Ka selfie e selfie. Ato të miat erdhën e u bënë gjithnjë e më në plan të parë. Pastaj fotografova sytë, buzët (e mbledhura natyrisht), qerpikët, flokët… Derisa filluan të dukeshin poret, qimet e hundës dhe pikat e zeza. Pixel me shumicë, derisa të vijë momenti i mikroskopit.

Etapa 5: Nuk të ha, të fotografoj

Deri dje ushqimet dhe gjellët i haja. Tani që jam në FB, u bëj foto, se të shkretat nuk bëjnë dot selfie. E dini sa bukur del në resme imambajalldia, llokumi dhe bakllavaja? I kap në pozat më të bukura, derisa më ikën uria. Se ha syri, jo goja…

Etapa 6: Analfabet me aparat në dorë

Pas një farë kohe aktive në rrjetin e famshëm social harrova të shkruaj. Madje më dukej krejt e kotë. Shkrepja foto, bëja video, i fusja në profil dhe kështu u bëra i njohur. Pëlqime me thasë. Edhe miqtë bënin të njëjtën gjë. Praktikisht flisnim me foto e video. Rroftë imazhi! Unë i klikoja, ata më klikonin. Kjo vazhdoi për shumë kohë. Në një pikë të caktuar dikush i bëri fotografi faqes së një libri. Shkronjave!!! E prishi magjinë…

Etapa 7: Kopjo e cito

Në një moment të caktuar, kur pashë që të tjerët citonin thënie të bukura e të mençura, më hipi edhe mua mania e citimeve. Nuk lashë proverb e mendimtar pa përcjellë e pa përmendur. Më dukej sikur i kisha thënë unë batutat inteligjente. Inteligjenca me siguri është ngjitëse. Pse, mos bëjnë më shumë intelektualët? Vazhdova kështu derisa dikush më pyeti: “Çfarë do të thotë kjo fjali?”

Etapa 8: Lajkime të gjithëve, edhe për kunj

Kur mësova se monedha e shkëmbimit në FB është “like” (më pëlqen), fillova t’u bëj lajka të gjithëve. Pa përjashtim. Sa më shumë lajkoja, aq më shumë më lajkonin. Ndaj (share) nuk bëja shumë, sepse kushton pak. Një ditë prej ditësh vura re se dy tipa (femra, ose meshkuj), që urrehen nga koha e adoleshencës, i bënin like gjithë kohës njëri tjetrit. Sidomos kur fotografia e profilit nuk ishte kaq e bukur. Paska edhe hipokrizi virtuale? Një ditë prej ditësh fillova t’i shikoj me dyshim pëlqimet që më vinin.

Etapa 9: Edhe kur shkoj në banjë ju njoftoj

Erdhi periudha e informacionit permanent. Fillova t’u tregoj miqve në FB çdo gjë. Ja, sapo u zgjova. Po çohem nga shtrati. Po laj dhëmbët. Po vesh çorapet. Po… Po shkarkoj ujin e banjës. Po pres autobusin. Sapo mbërrita në zyrë. Po bëj një kafe, po pi një kafe, po laj filxhanin e kafes… Derisa dikush më shkroi privatisht se as i plasi fare për ditën time të mërzitshme. I hoqa urgjent miqësinë dhe njoftova në FB se sapo i hoqa miqësinë dikujt.

Etapa 10: Qen e mace

Ardhka një çast e celulari inteligjent u drejtuaka vetë nga kafshët shtëpiake. Po vetë i boton të gjitha. Kështu nxora në FB kotelen e Lames, macen e Xhikut, qenin e Çimit. Pastaj trishtimin e qenve të rrugëve. Më pas bleva një mace, më tej birësova një qen. Njerëzit filluan e u zhdukën nga fotografitë e postuara. Me siguri FB i qenve dhe i maceve duhet të jetë plot me njerëz të bukur e me lypsa rrugësh. Nuk jam në asnjërën prej tyre.

Etapa 11: Shyqyr që kam fëmijë

Si t’i bësh për vete njerëzit? Si t’ua ëmbëlsosh shprehjen e fytyrës? E thjeshtë: posto fotografi fëmijësh dhe mbushe profilin tënd me kalamaj. Të tutë e të lagjes. Në plazh, para pallatit, duke luajtur, mbi motor (pa kaskë)… Këtë mësova në rrjet dhe këtë bëra. Kjo etapë mund të vazhdojë gjatë, derisa fëmijët të mbushin moshën madhore, të hapin profilin e tyre e të të kërcënojnë me gjyq për botimin e fotografive pa pëlqimin e të interesuarve. Dihet, kur rriten fëmijët…

Etapa 12:  Atdhetar me pëllëmbë

Kur fillova të bëj postime e ndarje me pëllëmbët që bëjnë shenjën e shqiponjës, e ndjeva që isha bërë atdhetar. Kjo ishte edhe prova përfundimtare e dashurisë sime për Shqipërinë dhe për flamurin kuqezi. Kudo që shkoja bëja shqiponjën, vetëm e me të tjerë, pastaj postoja fotografinë. Pëlqime me okë. Atdhetarët janë gjithnjë bujarë dhe kjo është provë e pakundërshtueshme.

Etapa 13: Komplimente pa doganë

Nuk e di pse, por më kapi një mirësi e çuditshme. Komplimentet më dilnin nga goja si kurrë ndonjëherë. Edhe fotografinë më koti, të profilit më koti, e komentoja në FB me fjalët: Je kinge, je si yll, fantastike, yll bote, je si shpirt…  Kur pashë që femrat u bënin më shumë komplimente femrave se sa meshkujve, me fjalë superlative e të sinqerta, u binda se FB i ndryshuaka njerëzit. Për mirë natyrisht.

Etapa 14: Se shkruj aq mir shqipen

Trimi i mirë me shokë shumë. Vura re se askush nuk i jepte rëndësi gjuhës në FB. A nuk jemi miq? Le të flasim miqësisht. Në fakt, rregullat gramatikore nuk merrnin asnjë pëlqim. Ater edhe un fillova me bo gabime me thas pa e lodh trunin hic fare e po shkruja si po flisja.

Etapa 15: Çifti i lumtur

Nuk dua t’ju mërzis, por ishim çift i bukur. Kjo ishte arsyeja që botoja në FB vetëm fotografi të çiftit. Statusi im ishte i çiftit dhe përditvsohej në çift. Në plazh, dorë për dore, në perëndim, të përqafuar, me romantizëm, duke u puthur… Asnjëherë vetëm. Kohë e bukur. Atëherë. Derisa pashë, diku në rrjet, se fotografohej edhe brenda një çifti tjetër…

Etapa 16: Po reflektoj, pa seriozitet

Tani jam në fazën e reflektimit për etapat që kam kaluar deri më sot. Shumë prej tyre në pak kohë. Po kushedi, të tjera do të vijnë. Nëse keni parashikime, se ç’do të më ndodhë më tej, më thoni, pa problem. Unë jam njëri prej jush. Ne miq jemi. Në FB.

 


* Shënim:

Ky ditar anonim, të cilin po e riprodhojmë vetëm pjesërisht, na ka rënë në dorë në trajtë letre të përpiluar me bojë shkrimi, por jo me stilograf, me penë të ngjyer në kallamar. Njollat dhe gërvishtjet e tregojnë qartë. Letra është aq e trashë sa duket si letër thithëse. Si fletoret e dikurshme. Grafologu i konsultuar u shpreh se shkruesi ka personalitet të shumëfishtë. Minimumi.

Fillimisht menduam ta botojmë ditarin pa e treguar burimin, me qëllim që t’i jepnim mundësinë autorit ta nxirrte kokën nga turma virtuale, ose nga vetmia natyrale. Ishte një farë karemi për ta ndjellë që të dilte nga errësira e padukshme ose drita verbuese ku është futur. Kureshtja se cili është autori, dikur përdorues i thekur i FB, dhe se çfarë bën sot është pa dyshim e madhe.

Deri tani ka disa pista dhe disa hipoteza për fatin e ditarshkruesit. Ja disa prej tyre:

1. Është bërë murg dhe është mbyllur në një manastir deri sa të mbyllë sytë.
2. Ka bërë betim solemn se nuk do të prekë më me dorë tastierë në jetën e vet.
3. Ka udhëtuar drejt një ishulli të pabanuar në Paqësor e atje ka zënë rrënjë.
4. Ka ndryshuar profil në Facebook.
5. Gëzon besimin e mijëra miqve në Facebook dhe miliona ndjekësve. Ka aq shumë “më pëlqen” sa nuk i pëlqen më.
6. Është penduar dhe ka firmosur dokumentin për të drejtën e harresës në ueb.
7. Është zhgënjyer dhe për hakmarrje ka hapur me qindra profile.
8. Jeton në një shtëpi pa energji elektrike.
9. Nuk është person i vetëm, por pak nga të gjithë. Edhe nga ai vetë.

Në vija të përgjithshme dy janë rrugëdaljet e tij: harresa ose fama. E para mund të jetë arritur nëpërmjet eutanazisë virtuale, e dyta duke kuptuar thelbin e mekanizmave të rrjetit social. Letrën me bojë shkrimi mund ta ketë shkruar nga zhgënjimi, por edhe për snobizëm.

Në qoftë se keni informacione, lutemi na kontaktoni nëpërmjet profilit në FB, ose komentoni në faqen tonë kushtuar personazhit misterioz.

 

3 Komente

  1. Jo po se ia vinim fajin turkut ne qe ishim me mbrapa. Po tani qe s’eshte turku!

  2. Dardo, ke harruar të shtosh se ku u gjet ky ditar, që ti ia dhurove tani lexuesit. Sepse ka një stil që të bën të dyshosh se shkruesit do t’i ketë ndodhur ndonjë e pathënë.

    1. Komentin e mëparshëm e futa si shënim në fund të tekstit, çka mund ta ndihmojë lexuesin të krijojë një ide për autorin e panjohur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin