Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

PAGANI TEK I KRISHTERI

Nuk do ta filloja dot këtë shkrim, nëse nuk do të shikoja vazhdimisht hulumtues po aq sa jo hulumtues, priftërinj po aq sa jo priftërinj, besimtarë po aq sa jo besimtarë dhe njerëz të shkolluar po aq jo të shkolluar që përherë ngatërrojnë botëkuptimin e krishterë me atë pagan. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të tregoj se një botëkuptim është më i pranueshëm apo më i mirë, por vetëm të tregoj dallimin midis tyre. Dua të vë në dukje dallimin midis botëkuptimit të krishterë dhe atij pagan sepse shumica e njerëzve i ngatërrojnë në mënyrë të tmerrshme. Mbase ky ngatërrim i vazhdueshëm i botëkuptimit të krishterë me atë pagan tregon diçka thelbësore për vetë kulturën europiane që nuk është asgjë më shumë se sa një përzierje e paganizmit me krishterimin. Por këtë udhë mendimi, mbase, do ta ndjek në një shkrim tjetër. Këtu dua vetëm të qartësoj dallimin midis botëkuptimit të krishterë dhe atij pagan.

Pyetjes “cili është ndryshimi thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë?” mund t’i përgjigjemi në mënyrë të menjëhershme dhe sipërfaqësore: të krishterët besojnë në një Perëndi, ndërsa paganët besojnë në shumë Perëndi. Por kjo do ishte një përgjigje mekanike që vetëm përsërit verbërisht atë që na kanë mësuar. Çështja është shumë më e ndërlikuar dhe kërkon shqyrtime më të hollësishme. Edhe në besimin e krishterë kemi një lloj besimi, jo të drejtpërdrejtë, në më shumë se një Perëndi, sepse në botëkuptimin e krishterë kemi Trininë e Shenjtë. Trinia e Shenjtë është besimi se Perëndia është e ndarë në tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Në kulturën e krishterë u vu një peshë e madhe edhe në figurën e Shën Mërisë që u kthye gati në një hyjneshë, të cilën njerëzit e adhuronin dhe i faleshin. Për më tepër u futën edhe shumë shenjtorë dhe martirë që u kthyen në gjysmë hyjni dhe që, shpesh, zëvendësuan hyjnitë dytësore të paganizmit. Prandaj, nuk mendoj se dallimi thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë qëndron tek besimi i një a më shumë hyjnive sepse edhe në krishterim njerëzit kishin pikëqendra të ndryshme hyjnore për t’ju falur dhe adhuruar.

Gjithashtu, nuk mendoj se ndryshimi thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë qëndron tek ndryshimi i besimeve morale. Niçja në librin e tij të njohur Gjenealogjia e Moralit, parashtron idenë se vlerat pagane, që sipas tij janë të egra dhe gjithmonë drejtuar nga përfitimi vetjak, janë në luftë dhe kundërshtim të plotë me vlerat e krishtera, që sipas tij janë në pamje të parë më të buta dhe kundër përfitimit vetjak. Por, kjo më duket një thjeshtëzim i tepruar, – nga ato thjeshtëzimet që e zvogëlojnë gjithësinë në pika dhe viza. Në Ungjijtë, Krishti shfaqet si një figurë e ndërlikuar që deri diku kundërshton veten: Krishti është ai që na mëson që ta duam fqinjin si vetja, por edhe ai që na thotë që ta presim pemën e keqe nga rrënja, Krishti do t’u japë njerëzve përjetësinë, por do t’u marrë veten, Krishti e pranon vdekjen, por edhe thotë se ka ardhur të sjellë shpatën, jo paqen. I them gjithë këto, për të treguar se Krishti në Ungjijtë nuk shfaqet si një personazh i urtë, i butë, që do gjithkënd e që pranon gjithçka,- e aq më pak, siç beson Niçja, si një mbartës i një morali skllavëror. Dhe nëse i krahason gjithë luftërat midis të krishterëve dhe përndjekjet e shumta në emër të kishës, e kupton se të krishterët nuk ishin as më pak e as më shumë të egër e të dhunshëm se sa paganët. Prandaj, nuk besoj se dallimi thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë qëndron tek ndryshimi moral.

Për të treguar se çfarë është ndryshimi thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë dua të ndjek një lloj shqyrtimi tepër demokratik, mbase më demokratik se sa duhet: do ta filloj shqyrtimin duke treguar se çfarë mendojnë shumica e njerëzve për këtë çështje, pra njerëzit e zakonshëm. Ende nuk kam arritur dhe nuk mundem t’i pyes shumicën e njerëzve në botë se çfarë mendojnë ata se përmban botëkuptimi i krishterë, por ndër ata që kam arritur të pyes gjithmonë më kanë dhënë pak a shumë të njëjtën përgjigje: krishterimi ka në thelb një botëkuptim ku njeriu ka një shpirt jo trupor që disi çuditshëm bashkëlidhet me trupin, dhe pasi vdes trupi, shpirti do gjykohet nga Zoti dhe si përfundim Zoti do vendosë se ku shpirti i caktuar do banojë përgjithnjë në një botë tjetër. Dhe në botën tjetër mundësitë janë dy: o në Parajsë, o në Ferr. Nëse shkon në Parajsë atëherë është mrekulli, nëse shkon në Ferr atëherë është tmerr. Ky gjykim i Zotit do bazohet tek mësimet morale që Zoti i ka dhënë njeriut nëpërmjet veprave të Krishtit. Dhe më pas, ata, nëse i mbajnë mend, më thonë disa nga parimet morale që të krishterët zakonisht i besojnë: rëndësia e dashurisë dhe bamirësisë, dhjetë urdhëresat nga Dhjata e Vjetër, etj.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, ky botëkuptim që sapo rrëfeva nuk është i krishterë. Ky botëkuptim është një përzierje e çuditshme e botëkuptimit të krishterë me atë pagan që filloi të përhapej gjerësisht gjatë periudhës së Rilindjes Europiane. Ky ngatërrim i botëkuptimit të krishterë me botëkuptimin pagan ka kohë që ka nisur, nuk është diçka që ka filluar sot. Prandaj, dhe ka zënë rrënjë shumë thellë: jo vetëm ateistët e pranojnë atë si botëkuptimin e krishterë, po edhe vetë të krishterët e pranojnë atë si të atillë. Kam pasur rastin që të bisedoj edhe me priftërinj të krishterë që e besojnë atë.

Tani pyetja është: çfarë nuk është e krishterë në këtë botëkuptim që përshkrova më sipër? Dhe këtu mbase do çuditemi: pikësëpari, në botëkuptimin e krishterë, shpirti nuk ndahet nga trupi që më pas të shkojë në botën tjetër. Ndarja e shpirtit të pavdekshëm nga trupi i vdekshëm është një besim tërësisht pagan. Një besim të tillë e hasim tek paganizmi i grekëve të lashtë që besonin se shpirtrat e tyre pas vdekjes së trupit shkonin në botën tjetër të quajtur Hadesi. Ndarjen e shpirtit nga trupi e vërejmë gjithashtu tek bashkëbisedimet e Platonit: tek Phaedo, ku Sokrati përshkruan udhëtimin që shpirti bën pas vdekjes së trupit, apo tek Phaedrus, ku sërish Sokrati përshkruan çlirimin e shpirtit nga trupi. Ndarja e shpirtit nga trupi nuk është një besim i krishterë. Besimtarët e hershëm të krishterë, etërit e kishës si Ignatiusi, Irenaeusi, Justin Martiti, apo edhe vetë Shën Pali ishin kundër mendimit pagan të ndarjes së shpirtit nga trupi. Ata besonin, siç do të tregohet më poshtë, në ringjalljen e trupit. Edhe në vetë Kredon e Apostujve, në një nga shprehjet më të rëndësishme të besimit të krishterë, thuhet se unë besoj “në ringjalljen e trupit.” Kredoja e Apostujve nuk përmend asnjë gjë për ndarjen e shpirtit nga trupi, apo ringjalljen e shpirtit.

Për çudinë tonë edhe më të madhe, në botëkuptimin e krishterë, jo vetëm që nuk ka një ndarje të shpirtit nga trupi, por nuk ka as edhe një botë tjetër ku do të shkojë shpirti. Sërish ideja e një bote tjetër, ku shpirti shkon pas vdekjes së trupit, është pjesë e botëkuptimit pagan. Në paganizmin grek, siç u përmend më sipër, bota tjetër është Hadesi, në paganizmin nordik kemi botën tjetër të quajtur Valhalla, apo në paganizmin keltik kemi botën e përtejme. Ideja e një bote tjetër, jashtë kësaj ku jeton trupi, nuk ka qenë pjesë e botëkuptimit të krishterë,- të krishterët e hershëm nuk besonin në vajtjen e shpirtit në një botë tjetër. Ideja e një bote tjetër ku shkojnë shpirtrat pas vdekjes është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vetë Dhjatën e Re: e këtu e kam fjalën për kapitullin 15 të letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintasve ku përshkruhet si duhet përfytyruar ringjallja.

Por, nëse në botëkuptimin e krishterë nuk ka një ndarje të shpirtit nga trupi dhe nuk ka një botë tjetër ku shpirti do të shkojë, atëherë çfarë thotë përnjëmend besimi i krishterë mbi çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes? Besimi i krishterë është ky: njeriu vdes, dhe shpirti vdes bashkë me trupin. Dhe njeriu qëndron i vdekur, deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit kur Krishti do t’i ringjallë të vdekurit. Krishti do t’i ringjallë si trupin ashtu edhe shpirtin e të vdekurve. Dhe, së fundmi, Krishti do t’i gjykojë të gjithë: ata që jetuan një jetë të pamoralshme do vuajnë në përjetësi të braktisur nga Zoti, ndërsa ata që jetuan një jetë të moralshme do jetojnë në përjetësi në mbretërinë e Zotit dhe pranë Zotit. Por, edhe këtu duhet të kemi kujdes: botëkuptimi i krishterë nuk është që të këqijtë do hidhen në një botë tjetër, e të mirët do ngjiten në një botë tjetër. Botëkuptimi i krishterë është që Krishti do të vijë në këtë botë dhe do t’i ringjallë të vdekurit në këtë botë, dhe të dënuarit do vuajnë përjetësisht në këtë botë, dhe të zgjedhurit do rrojnë përjetësisht në këtë botë. Askund në Dhjatën e Re dhe as në shkrimet e etërve të kishës nuk përmendet qenia e shumë botëve të ndryshme.

Në këtë shkrim të shkurtër desha të vija në pah një dallim thelbësor, që shpesh ngatërrohet, midis botëkuptimit të krishterë dhe atij pagan. Ky ndryshim thelbësor midis botëkuptimit të krishterë dhe atij pagan vjen sepse ato kanë përfytyrime të ndryshme të jetës pas vdekjes. Në botëkuptimin pagan jeta vazhdon përjetësisht nëpërmjet shpirtit, ndërsa në botëkuptimin e krishterë jeta vazhdon përjetësisht nëpërmjet Ardhjes së Dytë të Krishtit; gjithashtu, në botëkuptimin pagan jeta e përjetshme vazhdon në një botë tjetër, ndërsa në botëkuptimin e krishterë jeta e përjetshme vazhdon në këtë botë. Është e rëndësishme që gjithashtu të tregohet se kur dhe pse ndodhi kjo përzierje e botëkuptimit pagan me atë të krishterë – por kjo do dojë kohën e vet. Mbase një përjetësi të tërë.

[Shënim: Titulli i shkrimit u ndryshua për arsye vendi. Titulli origjinal: Mbi dallimin thelbësor midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë.]

4 Komente

  1. Vetem kaq? Mos gabimisht faqosesit i ka shpetuar fraza: “Dhe ne fund gjithcka deshmon se Allahu eshte Zoti i vërtetë”? (Falmeni per kete fillim, po m’u kujtua nje seri dokumentaresh qe transmetonte dikur Vizion+).

    I nderuar autor, qe nuk jeni njohes i teologjise (studiues, jo e jo), kjo duket faqeza. Kini miresine, te pakten, te tregoheni i ndershem me lexuesin, dhe te mos i jepni copeza informacionesh, tipike per broshurat e Deshmitareve te Jehovait apo te Mormoneve, dhe ashtu sic u pershtaten ideve tuaja. Me pelqen tek lexoj emra te atyre qe quhen “Eter te Kishes”, po kam pershtypjen se vetem emrat e tyre dini, jo vepren. Po ashtu, duket se nuk jeni ne dijeni te jehones qe kane ata Eter (vepra e tyre) ne krishterimin e sotshem. Besomeni, Niçja nuk eshte etaloni per te vleresuar besetarine e te krishtereve te sotshem. Merrni ate qe eshte me e lehta per t’u bere, letrat baritore te dy papeve te fundit: boshti i tyre jane Shkrimi dhe Eterit, aspak ca pohime te vagullta te krishteresh me informacion (ndoshta dhe intelekt) te diskutueshem. Merrni edhe vendimet e Sinodit te Madh Ortodoks, i cili perfundoi punimet nje muaj me pare ne Krete. Nuk thuhet atje asgje nga keto qe metoni me siper.

    Kur te keni perfunduar leximin e Eterve qe permendet, ne rreshtat e te cileve haset fort distancimi i tyre nga paganizmi, shtojini kendimeve tuaja dhe Polikarpin e Smirnes. Pastaj merrni parasysh edhe Isak Sirianin. Flet gjate per Parajsen, por jo sic e pershkruani ju dhe te krishteret qe keni intervistuar. Pastaj edhe Augustinin e Hipos, flet gjate per Parajsen mbi toke dhe perpiqet, ne menyre idealiste, te pershkruaje nje bote hipotetike ku i vetmi ligj eshte Dashuria. Pastaj Joanin e Shkalles, i cili flet per virtytet dhe peshen qe ka cdo veper ne realitetin metafizik te shpirtit, dhe pershkruan nje vegim qe pa: ndarjen e shpirtit nga trupi pas vdekjes fizike. Askush nuk pohon se Joani eshte shkencerisht i vertete, por fabula e tij eshte nje menyre orientimi ne teologjine mistike. Dhe, krishterimi ka shume misticizem, ne pergjithesi (sakramentet, p.sh., jane krejt misticitet). Mos harroni Maksim Konfesorin, ate qe flet pa fund e pa fund per meshiren e Perendise, duke pohuar pothuaj mosekzistencen e ferrit: sepse nese ferri eshte mosprania e Hyjnise, dhe nese pranojme se nuk ekziston asnje vend ku nuk eshte e pranishme Hyjnia (Simboli i Besimit thote: “qe ndodhet kudo dhe i mbush te gjitha”), atehere ferri nuk eshte nje vend ku na çon dikush, por eshte nje vend qe pergatis une vete, duke debuar Hyjnine nga brenda meje. Per çeshtjet e Trinise, nuk po permend Eterit e Sinodeve te pare dhe te dyte, se jane shume, por mjafton, si fillim, Gregori i Madh, i cili e ritrajton çeshtjen ne kontekstin e debatit me Kishen e Romes.

    Vec ketyre autoreve, te njohur sa ne Lindje, aq edhe ne Perendim, ka edhe te tjere teologe jo te pakte te Kishes se Perendimit. Ka edhe autore te pas Reformes, qe jane marre gjate me doktrinen e krishtere. Nuk i kam fort te njohur, ndaj ngurroj te flas. Keta me siper, te pakten, mund te quhen “klasiket” e teologjise se krishtere.

    I nderuar autor, jam i krishtere i Kishes se Lindjes. Merrni edhe fjalen time parasysh, para te shkruani ex cathedram per gjera te cilat nuk ju shqetesojne ne thelb, por vetem merreni me to per te shpalosur erudicionin apo karakterin tuaj prej kulleri.

  2. Përshëndetje shoku Sokol. Të lexosh me kujdes dhe të dish të përgjigjesh ndaj asaj që lexon është një aftësi e rrallë. Arritja e kësaj aftësie ka qenë një nga pikësynimet krysore të edukimit mesjetar në Europë,- por që fatkeqësisht tani është braktisur. Të këshilloj që ta përvetësosh këtë aftësi se do të duhet dikur.

    Çfarë lidhje ka Allahu këtu? A mund të ma thuash të lutem? Apo po lexon vetëm atë që ty të do mendja të lexosh, e jo atë që është aty për tu lexuar? Nuk jam i sigurtë se çfarë po të shkon ndërmend,- por mesiguri jo ndonjë gjë e ndritur.

    Për çfarë “copëza informacioni” jeni duke folur? Dhe pse mendon se po i përshtas këto “copëza informacionesh” sipas ideve të mia? Dhe, për më tepër, a mund të ma tregosh se si po i përshtas? E shikoj që ke përmendur mjaft emra, por asnjë përmbajtje. Si e kundërshtojnë këta që po permend ti, atë që kam thënë unë?

    Nëse do e kishe përvetësuar aftësinë e të lexuarit me kujdes, tani do e kuptoje pa ta thënë unë për herë të dytë që Niçja nuk u përmend në këtë shkrim si “etalon per te vleresuar besatarine e krishtereve te sotem,” por si një njeri që mendonte se kishte një dallim të caktuar midis krishterimit dhe paganizmit,- ndarje të cilën u mundova shkurtimisht ta kundërshtoja.

    Sërish, po të jap një këshillë mirëdashëse: mos përmend emra kot, nëse nuk ke vullnetin të tregosh se si këto emra kundërshtojnë atë që po them unë. Po ky përshkrimi i panevojshëm i misticizmit të krishterësi si e hedh poshtë atë që po them unë?

    I vetmi autor që mund të përmendet për të kundërshtuar atë që po them unë është Shën Augustini,- por jo për arsyen që jep ti. Shën Augustini është një zhvillim relativisht i vonë i mendimit të krishter,- gati 400 vjet pas shkrimit të Katër Ungjijve të Dhjatës së Re dhe Letrave të Shën Palit. Por, nuk mendoj se Shën Augustini mund të hedhi poshtë atë që kam thënë sepse Shën Augustini është përfaqsuesi kryesor e asaj përzierje të mendimit të krishterë me filozofinë e lashtë grekë,- ai u mundua ta bashkonte misticizmin neo-platonik me besimin e krishterë.

    Nuk më intereson nëse je besimtar apo jo. Nëse je besimtar, shumë mirë për ty. Nëse nuk je besimtar, sërish shumë mirë për ty. Ky shkrim nuk është për ty, por për ndryshimin midis botëkuptimit pagan dhe atij të krishterë.

    1. I nderuar,
      Më sipër u rreka t’ju sjell në vëmendje ca autorë dhe, përmes emrave të tyre, veprat që kanë lënë pas (apo ato që u atribuohen se kanë lënë pas – po nuk është kjo tema). Nëse i keni të njohur, atëherë keni parasysh dhe kontributin specifik që kanë dhënë në ndërtimin teorik të doktrinës së krishterë. Një përshkrim, sado të vogël, të veprës së secilit, e kam dhënë pas çdo emri. Kjo për të sjellë një shembull tjetër, zyrtar tashmë, të përgjigjes për pyetjen “Çfarë përmban botëkuptimi i krishterë”, të cilën ua keni drejtuar gjithë njerëzve që keni mundur. Ndoshta nga andej duhet të nisni mbledhjen e informacionit, për të kuptuar se çfarë është krishterimi, fillimisht. Pasi, për të dëftyer të përbashkëtat me të përveçmet e krishterimit me paganizmin, do të ishte metodoogjikisht e saktë të informoheshit për krishterimin dhe paganizmin, fillimisht. Paganizmin nuk e njoh, shkrova për krishterimin. Më tej, nuk është detyra ime t’ju korrigjoj “detyrat e shtëpisë”. Autori i tekstit jeni ju. Unë desha t’ju dëftej atë që keni harruar të referoni dhe, si rrjedhojë, keni dalë në ca përfundime të çuditshme, ku përmblidhen, në një model alla Dan Brown, gjithë herezitë apo skizmat e krishtera. Kurse arsyen pse përmenda Allahun e kam thënë që në krye, në kllapa.

      P.S. Allahilen, ajo letra e Korintasve, të cilën keni përmendur, është e para, apo e dyta? Sepse, përsëri, po më krijoni idenë se këtë tekst këtu e keni ndërtuar mbi lexime të tjera, jo të burimeve apo autorëve që citoni.

  3. Nëse ti, bashkë me ndonjë “zyrtar të shenjtë,” nuk besoni se botëkuptimi i krishterë përmban ringjalljen e të vdekurve, ringjalljen e trupit, Ardhjen e Dytë të Krishtit dhe vënien e mbretërisë së Zotit në këtë botë, atëhere duhet të lexoni një vepër shumë të rëndësishme të quajtur Dhjata e Re.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin