Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

GURËT APO VITET

Një numër aksidentesh dhe incidentesh me monumente arkitekturore pak a shumë të mbrojtura nga shteti, e kanë sjellë në qendër të vëmendjes përkufizimin e atij autenticiteti që supozohet se duhet ruajtur në këto monumente.

Në kronikën e këtyre ditëve, u përcollën reagimet e shumta ndaj shkatërrimit të dy bareliefeve në fasadën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, të cilat në fakt nuk ishin pjesë e projektit origjinal të Bozio-s, por u shtuan më pas.

U debatua në këtë kontekst nëse këto dy bareliefe meritonin apo jo të ruheshin së bashku me fasadën e stadiumit; një debat që duhet mbajtur detyrimisht më vete nga debati tjetër, nëse transplantimi i fasadës brenda një stadiumi tjetër është mënyrë e ruajtjes së saj; dhe nga një debat të tretë, në lidhje me prishjen e stadiumit ekzistues. Përzierja e këtyre tre debateve në një nuk ngre veçse tym dhe pluhur në një mjedis diskursiv ku duhet para së gjithash kthjelltësi.

Gjithsesi, argumenti që solli kryeministri Rama për të përligjur këtë prishje ishte se (1) u prish çfarë ishte shtuar më vonë dhe (2) bareliefet ishin pa vlerë artistike.

Premisë e këtij argumenti është shenja e barazisë midis autentikes dhe origjinës, çfarë e përjashton nga autenticiteti jetën e monumentit në kohë dhe komunikimin e tij me brezat.[1]

Premisë tjetër është se një kryeministër, qoftë ai edhe artist, mund ta përdorë mungesën e vlerës artistike si arsye për të përligjur prishjen e një vepre.

Pesha e këtij argumenti varet drejtpërdrejt nga përgjigjja që i japim pyetjes se pse po ruhet fasada: sepse kemi marrë zotimin solemn që të ruajmë dhe të promovojmë veprën e arkitektit italian Bosio, apo ngase stadiumi “Qemal Stafa”, me atë fasadë që kishte deri dje, përfshi aty edhe bareliefet, ka qenë pjesë e rëndësishme e skenografisë sportive dhe kulturore të kryeqytetit, për disa breza (ja edhe një debat i katërt).

Bareliefet që u shtuan aty nuk ishin vërtet pjesë e konceptit origjinal të Bozio-s, por u bënë pjesë e përjetimit të stadiumit nga ana e sportdashësve në Tiranë për disa dekada.

A përfshihet ky përjetim në autenticitetin e fasadës së stadiumit? Ose edhe më tej: a mund të flitet akoma, për autenticitet të fasadës si monument kulturor, jashtë këtij përjetimi, ose duke e lënë mënjanë funksionimin simbolik të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” brenda komunikimit të qytetarëve të Tiranës me qytetin e tyre?

Kryeministri Rama u kujdes të sqaronte edhe se gurët “origjinalë” të fasadës janë numëruar dhe magazinuar me kujdes të madh dhe se do të rivendosen në fasadën e rikrijuar brenda strukturës së re; duke nënkuptuar se edhe këta gurë, si të tillë, ose me karakteristikat e tyre fiziko-kimike, janë pjesë e autenticitetit të stadiumit, në një mënyrë të tillë që bareliefet nuk ishin.

Në mënyrën e vet, ky argument i bën jehonë Kartës së Venezia-s, e cila, në raport me ruajtjen e autenticitetit të monumenteve, përcakton që rindërtimi i tyre me materiale të reja ose restaurimi i mbështetur në hipoteza nuk lejohet dhe se vetëm anastiloza (rimontimi i pjesëve origjinale të shkëputura) mund të lejohet.[2]

Karta e Venezia-s është e vitit 1964; dhe më pas është kritikuar, me të drejtë, për identifikimin që ia bën trashëgimisë kulturore me arkitekturën monumentale, një konstrukt Perëndimor. Pas kundërshtimeve që i erdhën nga shumë anë, u arrit në të ashtuquajturin Nara Document of Authenticity, i adoptuar gjatë një konference të mbajtur në Nara, Japoni. Në fakt japonezët kishin interes të veçantë që ta ripërkufizonin autenticitetin, për shkak se në atë vend, mirëmbajtja e tempujve të lashtë, të ndërtuar me dru, kërkon çmontimin e tyre të herëpashershëm dhe zëvendësimin e pjesëve të dëmtuara. Çfarë ruhet nuk është lënda ose materiali, por teknologjia e ndërtimit.

Në Nara u fol për “autenticitete progresive”, ose të shtresëzuara; një koncept që i bën vend edhe përshtatjeve të njëpasnjëshme të vendeve historike në rrjedhë të kohës.

Problemet e Japonisë me autenticitetin në arkitekturë i gjen edhe në Kinë. Simon Leys, ky njohës i shkëlqyer i historisë dhe i artit kinez, përmend[3] një poemë të Victor Segalen, Aux dix milles années, të shkruar në vitin 1912, pasi autori kish kaluar një periudhë të gjatë duke shëtitur në Kinë.  Segalen vë përballë njëra-tjetrës qasjen kineze me qasjen gjetiu në botë, ndaj efektit shkatërrues të kohës. Nëse gjetiu kulturat përpiqen të ndërtojnë me materiale që t’i rezistojnë kohës dhe të sfidojnë entropinë, p.sh. me gur, kinezët – sipas Segalen-it – e lënë kohën të bëjë punën e vet, duke ndjekur një strategji tjetër. Ata ndërtojnë me materiale të dobëta e të brishta, që e kanë jetën të shkurtër; duke u dhënë monumenteve të tyre një “built-in obsolescence”, thotë Leys duke komentuar vargjet në fjalë; çfarë kërkon pastaj nga njerëzit mirëmbajtje të pandërprerë. Sipas kinezëve, përjetësia nuk duhet të bujë tek arkitektura, por tek arkitekti.

Specialistët e ruajtjes së monumenteve kulturore përmendin ndonjëherë edhe fatin e çuditshëm të kishës Fantoft stavkyrkje në Norvegji; e cila, e ndërtuar origjinalisht në fshatin Fortun in Sogn, rreth vitit 1150, rrezikoi të rrënohej krejt në shekullin XIX dhe prandaj një qytetar privat, Fredrik Georg Gade, e bleu dhe e çmontoi, për ta rindërtuar në Fantoft, në 1883. Sikur të mos mjaftonte kjo, kisha u shkatërrua krejt nga një zjarr që ia vunë satanistët në vitin 1992, dhe u rindërtua nga e para në 1997. Çfarë i ka mbetur autentike kishës, përveç një tërësie abstrakte, që kombinon moshën e saj, praninë e pandërprerë në vetëdijen kolektive norvegjeze dhe besnikëria strukturore ndaj origjinalit?

Shembulli të çon ndërmend paradoksin e anijes së Tezeut: athinasit e ruajtën me shumë kujdes anijen me të cilën Tezeu dhe të rinjtë athinas u kthyen nga Kreta; duke ia zëvendësuar dërrasat e kalbura me të reja më të forta, dhe kështu me radhë, derisa nuk mbeti më asnjë pjesë “autentike” e anijes origjinale. Po a ishte më kjo anija e Tezeut?

Këto përsiatje nuk i japin përgjigje pyetjes që ka qarkulluar me frenezi këto ditë në mediat shqip – dhe pikërisht, nëse duheshin ruajtur apo jo bareliefet e fasadës së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”; por vetëm duan të provojnë, qoftë edhe tërthorazi, se koncepti i autenticitetit, ashtu siç është përqafuar nga diskursi mediatik, nuk i përgjigjet as realitetit dhe as mënyrës së i qasen trashëgimisë kulturore sot institucionet ndërkombëtare. Kjo do të ishte edhe një arsye bindëse, që vendimet për ndërhyrje të tilla sa të dukshme aq edhe të pakthyeshme në monumentalitet të merreshin me qetësi dhe nga institucione me ekspertizën e duhur, jo në mënyrë impulsive e aq më pak si reagime ndaj vendimesh të tjera; dhe sidomos jo nga politikanët.

[divider style=”shadow” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]

[1] Ky argument do ta kish hedhur sakaq poshtë përpjekjen e parapakmuajshme, për mendimin tim të dështuar, për ta restauruar Kullën e Sahatit në Tiranë duke e lyer pjesën e sipërme me bojë të bardhë.

[2] Në sa kam shkruar më poshtë, veçanërisht për Dokumentin e Nara-s, jam mbështetur tërësisht në artikullin An Introduction to Authenticity in Preservation, nga Pamela Jerome, botuar në APT Bulletin 39, no. 2-3, 2008.

[3] Leys, Simon, “L’attitudine dei cinesi nei confronti del passato,” në La foresta in fiamme, Saggi sulla Cina, Casa editrice Le Lettere, 2006, f. 7-28.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin