Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TË SHKRUASH ME GABIME (VII)

Ka nga ata që shkruajnë mbarë e mbrapsht dhe shkeleshko, pa e vrarë mendjen për gabimet drejtshkrimore që mund të bëjnë, madje edhe kur e dinë se teksti do t’i shkojë në duar (në sy) publikut; por këta janë me siguri një pakicë. Pjesa tjetër shkruajnë dhe pastaj vrasin mendjen nëse po përdorin format “e duhura” të fjalëve, ose nëse po ndjekin rregullat e drejtshkrimit apo jo. Këta e kuptojnë, në masa dhe mënyra të ndryshme, se disa tekste duhet të konformohen me drejtshkrimin, por nuk i njohin mirë rregullat.

Për shembull, shumë përdorues nuk janë të sigurt nëse fjala shfaros shkruhet me një sh- në krye, apo me një ç- (çfaros), sikurse fjala fonetikisht e ngjashme çfarë; ose nuk dinë nëse duhet të shkruajnë anëtar apo antar, dhe përkatësisht, lojëtar apo lojtar. Mëdyshje dhe lëkundje të tilla i kanë quajtur “ankth drejtshkrimor” dhe dukuria njihet dhe është përshkruar gjerësisht; në mënyrë tipike, ajo dëshmon nga njëra anë mangësitë e sistemit arsimor – i cili arrin t’u ngulitë nxënësve bindjen se duhet shkruar sipas rregullave, por nuk arrin t’ua ngulitë rregullat vetë; dhe nga ana tjetër, mangësitë e vetë rregullave, të cilat jo rrallë janë të ndërlikuara dhe shoqërohen me shumë përjashtime.

Ankthi drejtshkrimor është nga ato patologji të komunikimit që ka një farë kostoje, edhe pse kjo kosto është e vështirë të matet; pa çka se shumë nga ata që shkruajnë, jo rrallë detyrohen ta ndërpresin rrjedhën e mendimit, në mënyrë që të preokuptohen me një rregull drejtshkrimore, ose me diçka që në thelb nuk ka fare lidhje me atë çfarë po shkruajnë. Ky lloj distraksioni, i cili u ndodh shqipshkruesve me mijëra herë në ditë, vjen dhe akumulohet me kalimin e kohës dhe, në analizë të fundit, e dëmton komunikimin kolektiv. I njëjti ankth drejtshkrimor i bën disa përdorues t’i shmangen të shkruarit krejt, meqë nuk duan që të tjerët të gjejnë gabime në tekstet e tyre; dhe ndërkohë nuk kanë aq motivim ose aq energji sa t’u kthehen rregullave të drejtshkrimit për t’i mësuar nga e para.

Dhe, në të vërtetë, nuk është e lehtë për një jo-specialist të kuptojë se parashtesa mohuese sh-/zh-/ç- shfaqet si sh- para bashkëtingëlloreve të shurdhëta (shpalos), si zh- para bashkëtingëlloreve të zëshme (zhbëj) dhe si ç- para zanoreve dhe bashkëtingëlloreve likuide dhe sonante (çabonohem, çnderoj); sepse ky shpjegim nënkupton njohjen eksperte të sistemit fonologjik të shqipes; ndërsa për ata që nuk e njohin sistemin fonologjik dhe nuk dinë se ç’janë bashkëtingëlloret e shurdhëta apo të zëshme, pa folur pastaj për sonantet dhe likuidet, rregulla është thjesht arbitrare dhe duhet mësuar veçan për çdo shkronjë (p.sh.: përdor zh- kur fjala fillon me b; përdor sh- kur fjala fillon me p-; përdor ç kur fjala fillon me m-); çfarë çon pastaj në ankth.

E njëjta dukuri shfaqet me disa shumësa: gramatika standard kërkon që emrave mashkullorë që e bëjnë shumësin me prapashtesën -ra, t’u ndërrohet edhe gjinia nga mashkullore në femërore: fshat i braktisur (mashkullore), por fshatra të braktisura (femërore); duke u nisur nga ky rregull, i cili përforcohet vetvetishëm nga përdorimi, folësit dhe shkruesit e shqipes do të thonë: libra të reja dhe jo libra të rinj (njëlloj: emra ilire dhe jo emra ilirë), duke e interpretuar rrokjen fundore -ra të fjalës libra si prapashtesë të shumësit; pa çka se fjala libër e bën shumësin me prapashtesën -a, ndërsa -r është thjesht pjesë e temës; mirëpo është pak e ekzagjeruar të pretendosh prej përdoruesve të zakonshëm që të jenë në gjendje të ndërmarrin me sukses zbërthime të tilla; në një kohë që rregulla -ra > gjini femërore perceptohet sakaq si intuitive dhe nuk përbën problem. Dysorët janë një tjetër burim ankthi: a duhet të shkruajmë këpus apo këput, në vetën e parë njëjës të së tashmes? Mbys apo mbyt? Jo të gjithë e dinë se të dyja format janë të pranueshme. Dhe asnjë nga këto dilema nuk krahasohet me pështjellimin që shkakton, te shkruesit, një emër i përveçëm i huaj: si ta shkruash një emër vendi si Worcestershire? Këtu janë vetë rregullat drejtshkrimore që dështojnë, kur sugjerojnë që emra të tillë të shkruhen “ashtu siç shqiptohet”, çfarë parakupton që shkruesi t’ua dijë shqiptimin fjalëve paraprakisht; ose, përndryshe, ekzistencën e listave të plota, me dhjetëra mijëra njësi, të cilat të tregojnë si duhen shkruar fjalë të tilla.[1]

Zgjidhja tjetër do të ishte që të ruhej drejtshkrimi i origjinalit; por si ta bësh këtë me emra njerëzish dhe vendesh nga gjuhë që nuk përdorin alfabetin latin standard, ose, më keq akoma, me gjuhë që nuk e përdorin fare alfabetin? Sa kohë që nuk ekziston asnjë institucion që të përcaktojë si duhen shkruar fjalë të tilla dhe të hartojë rregulla të transliterimit, ankthi drejtshkrimor i duhet faturuar tërësisht sistemit të rregullave, jo mangësive të shkollës a të përdoruesit; dhe aq më serioze bëhet kjo, në rrethanat e sotme të globalizimit dhe të integrimit të botës mbarë në komunikimin shqip.

Ankthin drejtshkrimor priret ta rëndojë edhe më tej fakti, elementar në vetvete, se ka vetëm një mënyrë “të drejtë” për ta shkruar një fjalë; ndërsa mënyrat jo-korrekte janë potencialisht shumë – prandaj zgjedhja midis trajtës së rregullt të shkrimit të një fjale dhe trajtës së parregullt, përfshi këtu parregullsitë drejtshkrimore dhe ato gramatikore, është asimetrike; çfarë do të thotë se, kur shkruesi nuk i zotëron rregullat drejtshkrimore, gjasat për ta shkruar një fjalë problematike gabim janë më të mëdha se gjasat për ta shkruar atë fjalë mirë.

Një ilustrim: fjalën anëtar mund ta shkruash “keq” si antar dhe si anëtarë – dy forma që i ndesh rëndom në tekstet; dhe përdoruesit i duhet të zgjedhë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, midis jo dy, por tri formave. Po ashtu, e tashmja e habitores e foljes jam në vetën e tretë njëjës mund të shkruhet qenka, sipas rregullave, por del edhe në format qënka dhe qenkërka dhe qënkërka (këto dy të fundit një kombinim formash jo-standarde të drejtshkrimit dhe të gramatikës).

E vetmja garanci që mund të ketë shkruesi i shqipes se po u përmbahet rregullave drejtshkrimore pa u këshilluar hap pas hapi me fjalorët dhe vegla të tjera të referencës, lidhet me përdorimin e dendur, ose kontaktin e pandërprerë me format “e drejta” të shkrimit, që mund të arrihet nëpërmjet leximit – por jo më leximit të mass mediave dhe të faqeve në Internet, të cilat e kanë ulur stekën, sa i përket korrektësisë në të shkruar; dhe e kanë bërë këtë jo në emër të ndonjë parimi anti-konformist ose rivendikimi të së drejtave lokale ose revoltimi ndaj autoritarizmit drejtshkrimor, por thjesht për ta shndërruar inkompetencën në normë, ose për ta normalizuar atë.

Përndryshe, mbetet gjithnjë korrektori ortografik automatik i shqipes, të cilin Microsoft Office e ofron falas; por edhe ai kërkon që ta kesh Microsoft Office të instaluar – dhe gjithnjë lë për të dëshiruar, sidomos kur ai që e përdor nuk e njeh drejtshkrimin e shqipes paraprakisht mirë.


[1] Kjo lidhet me një mangësi metodologjike të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes, dhe pikërisht me mosdallimin midis rregullave për përdoruesit e zakonshëm të shqipes dhe që duhen studiuar në shkolla; dhe rregullave të tjera, të cilat destinohen për mirëmbajtësit e shqipes, që nga korrektorët teknikë te redaktorët dhe tipografët. Për këtë do të shkruaj sërish dhe gjerësisht në vijim.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin