Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fotografi / Kulturë

NË MBROJTJE TË MACES

Ka qarkulluar një histori, për një fotografi që e tregonte kampionin e dikurshëm të botës në shah, Anatoli Karpov, duke përkëdhelur një kalë; dhe me diciturën: “Kampioni i botës në shah, Anatoli Karpov (djathtas)”. Mund edhe ta kem parë këtë foto unë vetë, mundet që historia të jetë për ndonjë kampion tjetër dhe jo detyrimisht të shahut – por lezeti i kësaj historie mbetet.

Kjo m’u kujtua kur pashë sot, krejt rastësisht, foton bardhezi që po riprodhoj këtu anash, dhe që shoqërohej me këtë diciturë: Helen Gurley Brown and David Brown, 1963. Sophia Smith Collection, Smith College; edhe pse më Helen Brown, David Brown and Cat, 1963pas e mora vesh që Helen Gurley Brown paskësh qenë një figurë kyçe në skenën kulturore amerikane, si kryeredaktorja e revistës Cosmopolitan për 32 vjet, në momentin që e pashë foton nuk e dija këtë. Përkundrazi, çfarë më tërhoqi menjëherë në foto ishte macja, kushedi më mirë daci i jashtëzakonshëm i racës siameze; dhe nuk më pëlqeu që, jo vetëm nuk e kishin identifikuar, por as që e kishin përmendur – provë kjo, po aq sa edhe stili i flokëve të Helenës, që fotoja ish nxjerrë në një epokë tjetër, me kode të ndryshme nga të sotmet.

Pavarësisht nga kodet dhe diferencat, daci në foto nuk ka dashur t’ia dijë, madje ka vjedhur paturpësisht planin e parë, siç do të bënte çdo dac modern i përkëdhelur, që e di se bota jo vetëm i sillet rotull, por edhe është e detyruar që t’i sillet rrotull; dhe mbase mu për këtë arsye, si të thuash regjisoriale, do të kish merituar një përmendje çfarëdo në diciturë – p.sh. “Helen, David dhe daci i tyre legjendar, Idris Pasha” ose “një ekzemplar i shkëlqyer i dacit siamez, i mirënjohuri Babayaga, këtu në shoqëri të disa amerikanëve çfarëdo” ose edhe “arrivistët e njohur socialë, Helen dhe David Brown, duke ia prishur fotografinë dacit siamez Sandokan” (tani marr vesh, duke kërkuar në Google, se zotnia në fjalë quhej T.S. Eliot, sipas autorit të një përmbledhjeje poemash, me titullin Old Possum’s Book of Practical Cats dhe të ca gjërave të tjera).

Është një zgjidhje që e sugjeron vetë gjeometria e fotos; dhe që, me sa duket, e kanë pranuar edhe çifti në fjalë, të cilët janë ndier relativisht të mbrojtur në shoqërinë, sado të sforcuar, të felinit në fjalë.

Pa folur pastaj që, kush ka kohë të sorollatet me interpretime të lira të imazhit, ndoshta herët a vonë do ta vërë re që daci protagonist i fotos, jo vetëm bashkon në vetvete karakteristikat e dy të fotografuarve të tjerë, por edhe tradhton një farë ankthi metafizik, që çifti Brown arrin ta fshehë mjeshtërisht; në kuptimin që kushedi dicitura Helen Gurley Brown and David Brown i referohet pikërisht atij, dacit, dhe jo çiftit që funksionon pastaj si kontekst i fotos.

Të tjerë rrëmues të historisë së kulturës, do të zbulojnë që shefja e madhe e Cosmopolitan-it dhe pionierja e seksualizimit komercial të femrës amerikane që nga mesi i viteve 1960 e më tej, e kish në fakt zakon që t’u drejtohej grave, të njohura dhe të panjohura, si pussycats – madje Dear Pussycat është titull i një përmbledhje me letrat e saj, të botuar në vitin 2004. Çfarë e bën praninë e T.S. Eliot-it në fotografinë për të cilën po flas edhe më domethënëse dhe njëkohësisht misterioze; si të ishte ky jo dac, por simboli i animus-it të femrës standard, të promovuar dhe, në analizë të fundit, të përftuar nga Cosmopolitan-i; ose, nga një këndvështrim tjetër, fëmija ersatz që mund të ishte heroina e librit të famshëm të Helen Gurley-t, Sex and the single girl; produkt i kombinimit të një vullneti për liri seksuale, dëshirës për ta perfeksionuar rolin tradicional të femrës deri në përfitim dhe ambivalencës së maces si shenjë sosyriane, që bashkon në vetvete kapriçion dhe sensualizmin, fërkimin dhe thonjtë, nënshtruesen dhe të nënshtruarën.

Interneti, ndërkohë – gati gjysmë shekulli më pas – na ka stërvitur që t’u qasemi ndryshe fotografive me mace në plan të parë; dhe pikërisht, që të supozojmë se këto paraqitin mace, dhe njerëzit janë aty sa për sfond ose skenografi; ose edhe thjesht ngaqë fotografi nuk ka qenë aq i kujdesshëm, sa t’u thotë që të largohen. Nëse gjysmë shekulli më parë portretin e një maceje, si të tillë, do ta gjeje në ndonjë libër zoologjie ose në posterin e ndonjë panairi felinësh a dyqani për pets, sot publiku do të reagonte ndryshe; duke i pranuar këto portrete njëlloj siç pranon selfie-t në Facebook ose fotot e tjera glamour, të personave krejtësisht të panjohur, por që kanë vendosur t’i tregojnë botës anën e tyre të guximshme.

Nga ana tjetër, shumë ujë ka rrjedhur, që nga viti 1963 kur është nxjerrë ajo foto; brezat e rinj vështirë ta njohin Helenën dhe aq më pak bashkëshortin e saj (David who?), madje edhe sikur t’ia kenë dëgjuar emrin dhe t’ia kenë njohur rolin që ka luajtur te Cosmopolitan dhe gjetiu; në një kohë që imazhit ikonik i maces i është rritur fuqia sugjestive; dhe jo vetëm në kuptimin që a cat is a cat is a cat. Një kompozim i ngjashëm, sot, do të kërkonte detyrimisht identifikimin e maces në fjalë – qoftë edhe ngaqë kafshët tanimë i kanë fituar disa të drejta, mes të cilave edhe të drejtën për të mos u injoruar e për të mos u trajtuar si orendi shtëpiake ose objekte zbukurimi. Tek e fundit, gjasat janë që vit pas viti, fotoja të vijë duke u perceptuar si “mace siameze me një çift të panjohurish”; çka do të thotë se, në perspektivën kohore, simbolikja gjithnjë e mund të përveçmen.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading