Panairi i punës që u zhvillua në Tiranë në prill të këtij viti do të kujtohet veçanërisht për sloganin, tashmë të famshëm, për punën dhe profesionistët. Arsyet e suksesit të sloganit “Punë ka, por duhen profesionistë” duhen parë fillimisht tek ekspozimi i tij ndaj publikut shqiptar, duke pasur parasysh jehonën mediatike të panairit; por kryesisht tek kuptimi i tij i fortë, sepse pohon haptazi se në Shqipëri ka punë, por mungon profesionalizmi.
Siç e shpjeguam më parë, Panairi i radhës ishte rast i munguar për trajtimin e konceptit të punës, që ka rëndësi thelbësore për të gjitha shoqëritë, veçanërisht për Shqipërinë e dekadave të fundit, që ka kaluar dy sisteme ekonomike dhe që vuan një sërë problemesh socio-ekonomike. Jo vetëm titulli i nismës, pra “Panairi i punës”, por i gjithë organizimi dëshmonte se në qendër të nismës ishin kompanitë, jo punëkërkuesit; dhe se puna konceptohej si një mall çfarëdo, duke lënë mënjanë disa përmasa të rëndësishme, që kanë të bëjnë me dinjitetin dhe identitetin e njeriut.
Panairi ishte ndërtuar i tëri mbi parullën e mësipërme, e cila qëndronte në shpinë të të gjithë folësve zyrtarë (e përmbajnë pothuajse të gjitha fotografitë) dhe sintetizonte në këtë mënyrë thelbin e diskursit qeveritar në lidhje me punën. Mesazhi qendror u interpretua nga shumë vetë si mbrojtje e aktivitetit qeveritar në luftën kundër papunësisë dhe si fajësim të qytetarëve të cilët nuk kanë formimin e duhur për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës. Me pak fjalë, slogani qeveritar “Punë ka, por duhen profesionistë” donte të thoshte se qeveria e ka bërë punën e vet, meqë punë ka, por tani u takon njerëzve të formohen profesionalisht e më në fund të punësohen.
Për fat të keq, në Shqipëri nuk jepen të dhëna të pakontestueshme e të padiskutueshme për papunësinë. Shifrat lëkunden sa andej këtej, por asnjëherë nuk bien poshtë përqindjeve me dy shifra, çka tregon se situata, pavarësisht nga entuziazmi qeveritar, është përnjëmend e vështirë. Në mungesë të statistikave të besueshme, çdo lloj slogani mund të ngrihet në rangun e së vërtetës. Pra dikush mund të thotë se në Shqipëri ka punë boll (raste pozitive nuk mungojnë), sikurse mund të thotë të kundërtën, se vendi vuan nga papunësi e madhe (raste negative nuk mungojnë). Madje mund të jepen për konsum edhe shifra të sakta për vendet e lira të punës, sikurse bëri Kryeministri, i cili foli për tetë mijë vende pune bosh, pavarësisht se nuk u shpjegua qartë se si është përftuar ky numër dhe pse nuk ishin, ta zëmë, 8.123 vende të lira pune[1]. Megjithatë, në kushtet shqiptare, ku mungojnë të dhënat e institucioneve të pavarura, shifra e qeverisë duhet të merret si e mirëqenë, të paktën në nivelin e qëndrimit politik.
Është e kuptueshme që narrativa e qeverisë Rama ka përvetësuar variantin pozitiv, për t’i treguar vendit se punë ka me bollëk. Mirëpo, nga një anë realiteti e nga ana tjetër logjika, i sugjerojnë se papunësia nuk mund t’i fshihet shoqërisë tërësisht, prandaj është adoptuar pjesa e mëpasshme problematike, ajo që shpjegon se përse nuk zihen vendet e punës: faji është i mungesës së profesionalizmit.
Formimi profesional është problem i të gjitha shoqërive moderne. Tregu i punës, në të gjitha vendet, kërkon punonjës me përgatitje e arsim të kualifikuar. Kjo vlen patjetër edhe për Shqipërinë. Mirëpo, nuk mund të mohohet se Shqipëria vuan prej dhjetëvjeçarësh nga brain drain, ndërkohë që nga ana tjetër ajo i ofron tregut ndërkombëtar “krahë pune” në vend për të ashtuquajturit call center, të cilët punësojnë qytetarë shqiptarë që njohin shumë mirë të paktën dy gjuhë.
Duhet të shtojmë se narrativa publike i ka paraqitur call center, si shenja të zhvillimit ekonomik, duke harruar se kemi të bëjmë me fasonë të trurit, vlera e të cilëve nuk mund të hidhet poshtë e të mohohet, por pa i idealizuar dhe pa i shitur si receta kundër papunësisë. Tek e fundit, janë aktivitete që vijnë aq shpejt sa edhe ikin, sepse shikojnë kryesisht koston e trurit (ose më mirë të krahut të punës). Nesër, të njëjtat struktura mund t’i gjesh në lindje ose në jug të planetit, atje ku kushton më pak puna, për sa kohë largësia gjeografike, falë mjeteve teknologjike, nuk përbën ndonjë problem për kompanitë call center.
Slogani “Punë ka, por duhen profesionistë” nuk u shfaq për herë të parë në Panairin e Punës. Ky qëndrim është mbajtur nga qeveria edhe më parë. Le të kujtojmë deklaratat e Kryeministrit Rama i cili, në shkurt të këtij viti, duke folur në një aktivitet në Vaqarr për nxitjen e punësimit, u shpreh se në Shqipëri “vende pune ka, nevojë për punë ka, por nuk ka profesionistë që t’i përgjigjen kësaj nevoje”. (shiko videon e Top Channel).
Që slogani dhe narrativa optimiste e vendeve të lira të punës – që ekzistojnë, por nuk mbulohen për shkak të paaftësisë së njerëzve – kishin disa probleme funksionimi të paktën në rrafshin komunikativ, e vërtetuan edhe ndreqjet e saktësimet e mëpasshme. Në fjalimin e tij në Panairin e punës, Kryeministri Rama, tha se “në të gjithë vitet që pararendën ardhjen tonë në qeveri është sponsorizuar dembelizmi masiv, është incentivuar dembelizmi masiv”[2], çka shkaktoi edhe disa debate për dembelizmin e shqiptarëve dhe mosdëshirën e tyre për të punuar. Nuk është e rastit që gazeta “Zëri i popullit”, organ zyrtar e partisë në pushtet, rendi dhe e titulloi fjalimin e Ministrit të Punës me kuptimplotin: “Shqiptarët nuk janë dembelë”. Në atë fjalim Ministri rrekej ta drejtonte pak timonin e diskursit qeveritar, sipas gjasës për të shmangur keqkuptime, duke pranuar se “në Shqipëri ne e dimë që ka të papunë, por që ne duam t’i orientojmë ndaj tregut të punës […] Pastaj, lind debati në janë shqiptarët dembelë! Jo, por duhen orientuar në tregun e punës”[3].
Le të kalojmë në një plan tjetër, por jo shumë larg. Ndonjëherë humori dhe satira tregojnë shumë më tepër seç mund të thotë publicistika normale dhe debati politik. Storytelling qeveritar ka qenë së fundi në qendër të një skeçi të emisionit humoristik “Portokalli”. Aty del një bojaxhi simpatik, por i zemëruar keq, që i ankohet Edi Ramës se nga halli “po hollon bojën me ujë shiu”, ngaqë uji kushton tepër dhe se paguan shumë taksa. Pastaj i thotë Kryeministrit (imituesit): “Shyqyr që të pashë, se vetëm në televizor po të shoh”, e si përfundim: “Do të iki fare nga ky vend, se na çatë… kuponin, na çatë”. Më pas hyjnë në skenë dy personazhe të tjera, që tallen me borxhet e njerëzve dhe me punën në fasonë. Në fund, shfaqet një vajzë, që shpjegon se si e zgjidhi problemin e papunësisë: “Bëra buzët botoks dhe u bëra sekretare e Ministrit”. E imagjinueshme se si vijoi me karrierën…[4].
Nuk është hera e parë që ka një mospërputhje midis narrativës politike, perceptimit të realitetit dhe realitetit vetë. Megjithatë, në Shqipëri problemi del në pah më qartë, sidomos po të kujtojmë se humori e kap më shpejt humorin e popullit, kurse politika jo gjithnjë është e sintonizuar me qytetarët e vet.
[1] Fjalimi i Kryeministrit, Edi Rama, në Panairin e Punës mund të lexohet këtu: http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/tete-mije-vende-pune-ne-panairin-e-punes-2016-31-mije-ne-zyrat-e-punes.
[2] Po aty.
[3] Blendi Klosi, Shqiptarët nuk janë dembelë, “Zëri i Popullit”, 1 maj 2016.