Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin / Kulturë

EKZISTOJMË DHE REZISTOJMË

“Peizazhe të fjalës” ka qenë, që prej nëntë vjetësh, pjesë e diskursit publik shqip, me një numër lexuesish dhe dashamirësish që ka ardhur duke u rritur. Gjatë gjithë këtyre vjetëve kur kemi botuar në faqen tonë mbi 3,000 poste tërësisht origjinale, nga një numër i konsiderueshëm autorësh tanët dhe të ftuar, të vetmet fonde që kemi pranuar me mirënjohje kanë qenë dhuratat individuale të lexuesve, të pamjaftueshme për t’u quajtur si të ardhura, por gjithnjë të vyera dhe motivuese për ne. Nga ana tjetër, dëshira jonë ka qenë që Peizazhet të tërheqë edhe pena të tjera, edhe qasje të tjera ndaj diskursit publik; dhe sido që ne vetë jemi angazhuar në këtë punë me dëshirën tonë, nuk mund të pretendojmë që edhe të tjerët të ofrojnë punët e tyre pa u shpërblyer.

Prandaj, kur u bë e njohur thirrja për mbështetje publike nga Ministria e Kulturës, menduam të aplikojmë për të zgjeruar prurjet në faqe, si dhe për të çuar përpara modelin e shpërblimit të autorëve nga media. Menduam të mundësojmë për bashkëpunëtorët tanë, edhe pse në shkallë të kufizuar, atë çfarë do të kishim dashur për krijuesit dhe autorët e rregullt të kësaj faqeje. Aplikimin e bëri, si individ, një nga drejtueset e faqes sonë, Elona Pira, me projektin e titulluar “Laboratori i diskursit kritik shqip”, i cili parashikonte botimin, në “Peizazhe të fjalës,” të një serie prej dhjetë esesh të përzgjedhura me temë nga fusha e kulturës. Ky do të ishte, pra, fond nga ato që u jepen individëve, pa çka se do të përdorej për të mbështetur 10 bashkëpunëtorë, të cilët do të përgatitnin ese relativisht të gjata (prej 5,000 deri 10,000 fjalësh); dhe, në masë minimale, edhe përpjekjen tonë editoriale. Natyrisht, të gjitha këto ese do t’i ofroheshin publikut falas, ndryshe nga revistat e librat që gjithashtu mbështeten me fonde publike, madje shumë më fuqishëm, por që lexuesi përsëri duhet t’i blejë në treg. Me anë të projektit tonë, gjithashtu dëshironim të sugjeronim një standard të ri për revistat, me të cilin puna krijuese të shpërblehet; standard i cili sot pothuajse nuk ekziston, jo vetëm si praktikë, por edhe si pritshmëri.

Kërkesa jonë u miratua dhe Ministria e Kulturës na akordoi një fond modest prej 400,000 lekësh, prej të cilëve çdo autor do të merrte një honorar prej 30,000 lekësh, ndërsa pjesa e mbetur do të shkonte për punën editoriale. Përndryshe projekti për të cilin aplikuam, “Laboratori i diskursit kritik shqip” , si dhe fondet që iu dhanë, ishin pjesë e një nisme me natyrë të kufizuar për botimin e një serie esesh, pa kurrfarë pretendimi për të mbështetur vetë faqen “Peizazhe të fjalës”. Me fjalë të tjera, kërkuam një fond publik vetëm e vetëm sepse dëshiruam të shpërblenim monetarisht, sado pak, autorët që do të merrnin pjesë me esetë e tyre te “Laboratori”; ndërkohë që ne vetë, administratorë, editorë dhe autorë që shkruajmë dhe kujdesemi rregullisht për këtë faqe, nuk kemi pretenduar ndonjëherë të shpërblehemi dhe as të nxitemi për përpjekjet tona me para publike.

Përndryshe kemi besuar, dhe ende besojmë, se fondet publike duhet të vihen në dispozicion për të mbështetur të gjitha ato produkte kulturore bashkëkohore, të cilat nuk mund të mbijetojnë ndryshe, në rrethanat e sundimit të logjikës së tregut dhe të fitimit.

Megjithatë, që nga koha e aplikimit tonë dhe deri më sot, disa gjëra kanë ndryshuar dhe disa prirje në politikën kulturore të institucioneve publike janë bërë, të paktën për ne, më të qarta se më parë, sikurse janë kristalizuar disa të meta dhe mangësi që dikur, me dashamirësi, ia kishim atribuuar mungesës së përvojës nga ana e ekzekutivit të tanishëm në Tiranë.

Për këtë arsye, kemi vendosur që ta refuzojmë publikisht fondin që na kish akorduar Ministria e Kulturës.

Në kontekstin politik-kulturor të tanishëm, kur shohim si pushteti po i përdor fondet publike jo për t’i shërbyer kulturës dhe vetë publikut, por për të promovuar politikat e veta dhe si pjesë e përpjekjeve për të ngritur kulte të caktuara, edhe politike edhe kulturore, nuk mund të rrimë indiferentë dhe të pranojmë të jemi pjesë e kësaj shfaqjeje të pahijshme, që luhet çdo ditë në sytë e taksapaguesve.

Meqë asnjë pjesë e fondit ende nuk na është dorëzuar, e kemi edhe më të lehtë për ta refuzuar atë; për fat të mirë, do të shtonim. Aparatçikët e Ministrisë së Kulturës e kanë bërë tërkuzë këtë transaksion elementar, mu në një kohë kur paratë e taksapaguesve po shpenzohen dhe shpërdorohen, haptazi dhe ditën për diell, për projekte të dyshimta dhe që bashkojnë, në vetvete, megalomaninë me klientelizmin.

Ndërkohë, ne si “Peizazhe të fjalës” kemi paguar honorarët e dy autorëve që kanë dorëzuar esetë e tyre dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe për autorët e tjerë të përfshirë në projekt, me fondet e përgjithshme të faqes dhe me ato tonat personale, në mënyrë që ky projekt të dalë me sukses.

Kontratat tona me autorët e projektit “Laboratori i diskursit kritik shqip” mbeten në fuqi, përveçse kur ndonjë prej tyre vendos të tërhiqet nga projekti ose ta refuzojë honorarin, tani që kanë ndryshuar rrethanat; dhe aq më tepër nëse ndonjë autor vendos t’i bashkohet gjestit tonë simbolik të protestës.

Me këtë rast, duam t’ia bëjmë të qartë të gjitha atyre autoriteteve publike që administrojnë marrëdhëniet e shtetit me kulturën bashkëkohore në Shqipëri, se kjo kulturë nuk mund të jetë pronë e një partie politike ose e një grupi njerëzish; dhe aq më pak mund të jetë pronë e pushtetit ekzekutiv kritika edhe kulturore edhe politike nga ana e shoqërisë civile, pjesë e së cilës mbetet “Peizazhe të fjalës”.

Ne nuk mund të ndalojmë pushtetin e sotëm që të zbatojë atë politikë kulturore që ai e gjen me vend dhe të arsyeshme; por nuk duam të jemi dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj politike, edhe pse e kemi të qartë se fondet publike, që pushteti shpesh po i përdor për të promovuar axhendat dhe interesat e veta ngushtësisht politike, i janë besuar këtij pushteti thjesht që ky t’i administrojë për të mirën e publikut, jo për të pompuar njerëz dhe grupe që i pëlqejnë dhe për synime të tjera mirëfilli klienteliste.

E kemi thënë edhe më parë dhe do ta themi sërish: është fat i madh, për ne të “Peizazheve të fjalës”, që veprimtaria jonë publike nuk ka nevojë për bekimin e pushtetarëve të Tiranës, që të vazhdojë. Jemi të vendosur të mbetemi një zë i pavarur në diskursin publik shqip dhe të japim shembullin e një institucioni të shoqërisë civile që mbahet gjallë falë marrëdhënieve horizontale që ka me publikun, jo ngaqë i pëlqen pushtetit.

Edhe vetë këtë refuzim po e bëjmë publik, me shpresën se ashtu do të arrijmë të përcjellim një mesazh më të pasur dhe domethënës, se vetë pakënaqësinë dhe zhgënjimin tonë; meqë nuk duam të bëhemi pjesë e një narrative që e lejon shtetin të marrë kredit për ekzistencën e zërave kritikë, pa çka se zëra të tillë, si yni i “Peizazheve”, kanë qenë të pranishëm në arenën publike për një kohë të gjatë (shumë më të gjatë se grupi i tanishëm në fuqi) dhe janë mbështetur publikisht nga lexuesit, miqtë, dashamirësit dhe të gjithë ata që nuk e konsiderojnë shoqërinë civile si trampolinë drejt pushtetit.

Por le të themi në mbyllje edhe këtë: qëllimi dhe misioni i “Peizazheve të fjalës” nuk janë të ndjekë hap pas hapi bëmat e pushtetit në Tiranë, dhe as t’i kritikojë ose t’i lavdërojë ato sipas rastit – sepse ashtu njëlloj do t’i kishim shërbyer atij pushteti duke e konsideruar si faktor kulturor të mirëfilltë dhe lojtar po aq të mirëfilltë në skenën e kulturës. Në të vërtetë jeta dhe veprimtaria kulturore as fillojnë dhe as mbarojnë në kancelaritë dhe burokracitë e institucioneve që administrojnë fondet publike të kulturës; madje sa më shumë që pushtohen këto institucione nga klientelizmi dhe interesat politike meskine, aq më peshë fiton hapësira tjetër, ajo alternative, ku kultura mund t’i rezistojë pushtetit dhe politikës jo vetëm duke e kundërshtuar, por edhe vetëm duke e shpërfillur.

Si edhe më parë, publiku që na lexon e ka vetë në dorë të na mbështetë, jo vetëm moralisht por edhe financiarisht, nëpërmjet mekanizmit të dhuratës së lirë dhe vullnetare, i cili nuk ka nevojë për ndërmjetësinë as të shtetit as të pushtetit, dhe aq më pak mund të uzurpohet, për mburrje dhe protagonizma të ditës.

8 Komente

  1. Ja u refuzuea! Po pastaj?
    I duhet dhene nje kuptim?
    Si ndodhi? Pse ndodhi? Per faj te kujt ndodhi? Apo eshte “too personal” kur behen emrat e atyre qe punojne me taksat publike ne institutcione publike?

  2. Pa dashur të zhvlerësoj qëndrimin tuaj publik karshi asaj që ju e shikoni si qëndrimi i papranueshëm dhe i politizuar e Ministrisë së Kulturës si lexues mirënjohës ndaj gjithë punës tuaj plot vlerë në Peizazhe të Fjalës do të kisha dëshirë që qëndrimi juaj të shoqërohej me fakte të qenësishme dhe të provueshme. E di që kjo nuk është e lehtë dhe ndoshta është edhe e pamundur. Megjithatë mos-shoqërimi me fakte hap rrugën për keqinterpretim të vendimit dhe motivimit tuaj ose të paktën dobëson vlerën morale të tij. Ky nuk është një “qortim” apo kërkesë; më shumë vjen nga dëshira për ta parë Peizazhe të Fjalës në një nivel të lartë integriteti intelektual e moral që padyshim do të kishte një efekt pozitiv afatgjatë në diskursin publik mediatik në gjuhën shqipe.

    gjithë të mira,

    Ilir M

  3. Ministria e Kultures drejtohet nga një zonjë që ka dëshirë të thotë se vjen nga shoqeria civile dhe jo nga politika.

    Shkrimi qartëson se ka dalluar tendencë “për t’u përdorur” ky fond dhe …se kjo kulturë nuk mund të jetë pronë e një partie politike ose e një grupi njerëzish…
    Jam shumë dakort. Japin fonde për shtëpinë botuese ku botohen librat që përkthen zonja Ministre.

    Unë dua të jem i drejpërdrejtë : zonja që drejton Ministrinë e Kulturës është model i njeriut që s’ka haber nga administrimi publik si nga formimi ashtu dhe nga ajo çfarë po ndodh në atë ministri.
    Askush nuk e përmend por vajza që u abuzua nga kryetari i bashkisë Dibër u punësua në një institucion kulture por që nuk është në radarët e qëndrës. Jo se habitem, por nuk më bindin se mund të ketë ndryshuar ndonjë gjë.
    Në atë ministri është folur edhe për cilësinë e diellit edhe për Pashkët në Krishlindje. 😀

  4. “na akordoi një fond modest prej 400,000 lekësh”. Po nese fondi nuk do te ishte modest, te ishte psh me nje 0 me shume, do te rezistonit?. Pardon skepticizmin po kjo fjala “modest” sikur….Per te tjerat, pena top!

    1. Ajo fjalë, “modest”, në cilësimin e grantit të Ministrisë së Kulturës, gjendet aty për tre arsye: (1) ngaqë ne vetëm për aq mund të aplikonim si individ. Peizazhe nuk gëzon status OJQ-je që të kerkonim më shumë, edhe pse projekte me më pak impakt kanë përfituar deri katër herë më shumë se aq, (2) ngaqë ne vetëm ashtu do ta kishim pranuar, ose si “modest”, pra të tillë që të mos cenonte pavarësinë e ndërmarrjes sonë as tani as në të ardhmen dhe (3) për të mbrojtur A.V. nga akuzat që ia kanë bërë dhe sapo ia bënë sërish se ka përfituar, deri më sot, nga pushteti.

      1. Aha, kuptova. Ministria duket qe ka vendosur nje hierarki grantesh duke i dhene perparesi OJF-ve ndaj individeve aplikues. Kjo eshte absurde. Grantdhenesi duhet te vleresoje projekt idene dhe impaktin e supozuar dhe jo staturen ligjore te aplikuesit. Nejse, faleminderit njehere per pergjigjen dhe sukese per Peizazhe.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin