Sot vizituam ekspozitën “Ditar i një hapësire” në Galerinë Kombëtare të Arteve, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Aty mësuam edhe se kjo ekspozitë lidhet me miratimin e ardhshëm të dokumenteve “strategjike”, të lidhura me vizionin Shqipëria 2030.
Nuk jam nga ata që impresionohen nga vizionet, kur vjen puna për qytetet: planifikuesit urbanë mund të bëjnë shumë dëme, po t’i lëshosh nga zinxhiri; çfarë ka ndodhur edhe me qytete dhe kryeqytete të tjera nga ato tonat.
Njëlloj mendoj edhe se Tiranën – qytetin shqiptar që njoh më mirë – e kanë sakatosur edhe zhvillimi urban i paplanifikuar, edhe planifikimi urban që u ka shërbyer interesave private ose ideologjike.
Por nuk dua të flas për këtë temë të vështirë. Përkundrazi, dua vetëm të shtoj këtu që, duke parë objektet e ekspozuara në këtë “ditar të një hapësire”, nuk mund të mos vija re sa shumë plane ishin bërë, për të rregulluar Tiranën, gjatë shekullit XX dhe më pas.
Plane të austriakëve dhe të italianëve, plane të kohës së Mbretërisë dhe të kohës së regjimit të Hoxhës; të realizuara me teknika të ndryshme e sipas vizionesh të shumëllojshme, por që i bashkonte fakti se çdo plan ia kish lëshuar vendin tjetrit.
Tirana paskësh qenë nën planifikim të përhershëm.
Cikatricet e këtij procesi krejt anormal – madje plagët ende të hapura – mund t’i shohësh sot fare lehtë në atë katrahurë që është qendra e Tiranës, me sheshin “Skënderbej” dhe rrethinat.
Ndërkohë që çdo kryetar bashkie, që në krye të herës, do ta ketë pasur të varur në murin e zyrës planin përkatës.
Mendova: plani rregullues nuk është dokument dhe koncept, i cili një ditë do të shndërrohet në forma dhe funksione urbane; por proces i pandërprerë, i pandalshëm, vetë-riprodhues; që nuk pjell ndonjë realitet të ndryshëm, përveç planit pasues.
Një imazh i ekzagjeruar, por jo dhe aq. Tirana, në këto plane të njëpasnjëshme, përvijohet si një qytet që ha thonjtë e vet në mënyrë obsesive; një qytet që vuan nga onychophagia.
Dhe ashtu edhe plani rregullues, në mishërimet e veta të njëpasnjëshme, më duket si një institucion i krijuar vetvetiu, që kërkon të ndërtojë dhe ndonjëherë edhe ia arrin; por që përndryshe me siguri dhe gjithnjë shkatërron vlera urbane dhe tradita të jetesës qytetare, në përpjekje për të mbijetuar.
Ndaj qyteti duhet t’i paraprije shtetit.