nga Arb Elo
Të vjen zor të thuash gjëra që i dinë tërë, por ja që nuk i dinë deri në fund, siç duken qartë bathët dhe e shohim përditë në lajme.
Fjala është për tri urdhëresa që gjenden në çdo kopsht, që mësohen në shkollë dhe familje, në Bibel, në Kuran, janë të tilla edhe në budizëm e pjesë thuajse e çdo morali minimal që mëton të jetë i tillë.
Aksiomat e këtij morali mbarënjerëzor i bie të jenë:
- Mos vrit!
- Mos vidh!
- Mos gënje!
Tani le ta shohim vetëm nën këtë dritë kaq të qashtër dhe elementare kastën politike shqiptare.
Për numrin 3 nuk është e nevojshme të flitet gjatë, pasi të tërë e dimë që pushtetarët tanë, në kryeministri a jo, në presidencë a jo, në ekran, në gazeta, në gjyq e deri edhe me veten e tyre, gënjejnë.
A vjedhin këta që kemi në krye?
Shih paragrafin më sipër për të gënjyerit.
Ndërsa për urdhëresën bazë të çdo shoqërie që nuk mund e tillë, shoqëri pra e jo kanibalizëm a pishinë ku i madhi e ha të voglin, për urdhëresën „Mos vrit!“ mjafton 21 janari për të arritur në përfundimin që këta i kanë ngjyer edhe duart deri në bërryl në gjak.
Atëherë, ç’të bëjmë?
Të flasim, ta themi këtë edhe përpara togës së pushkatimit.
Le të përfytyrohet populli si dikush i dënuar me pushkatim e të cilit i kërkohet fjala e fundit.
Unë, populli, ti e ai tjetri, që nuk kemi vrarë, nuk kemi vjedhur e nuk kemi mashtruar njeri, po duam të themi veç „Qëlloni!“
Që oficeri që do të jepte urdhrin të mbetet kësisoj pa gojë e që, të paktën, fjalën e fundit ta kemi vetë. A nuk jemi ne sovrani, qoftë edhe duke vdekur? E fundmja është fjala, në fund është ajo…
Ja edhe dy pyetje për Ramën që tregojnë qartë fytyrën e tij prej Pilati:
Nëse në kortezhin për të vrarët e 21 janarit ishit në ballë të turmës, ku gjendeshit kur u qëllua? Dhe pse? Dhe në qoftë se nuk gjendeshit në ballë të protestës që kryesonit ju, atëherë ku e gjeni forcën morale të bëni të pikëlluarin në kortezhin e atyre që u vranë se u besuan fjalëve tuaja pa vepra?
Pse nuk dorëhiqeni nëse pyetja e parë nuk është vetëm retorike?