Të njohurit e gjuhës së huaj vendos ndokënd në siklet, ndërsa për shumë të tjerë është e vetmja rrugë për tu shpërngulur, edhe nëse do të zhvendoste një komb të tërë jashtë kufijve të shtetit.
Duket sikur të gjithë duan të ikin. Sipas një studimi të porositur nga Fondacioni Friedrich Ebert në Tiranë (2014), rreth 60% e të rinjve shprehen se duan të largohen. Sipas hartuesve të studimit kjo përqindje është rritur në krahasim me vitin 2011 (43%). Edhe pse studimi nuk përmbush kriteret minimale të besueshmërisë dhe vlefshmërisë nga pikëpamja metodologjike, gjithsesi është një tregues për situatën.
Por një tregues më i saktë për të matur gatishmërinë e të rinjve apo profesionistëve për tu larguar nga Shqipëria është të numërohen qendrat e kurseve të gjuhëve të huaja dhe numri i frekuentuesve të tyre. Ky tregues dëshmon se personat jo vetëm kanë shprehur dëshirën, por edhe se po ndërmarrin hapa konkrete për tu larguar. Sidomos rritja e kërkesës për gjuhën gjermane në këto dy vitet e fundit tregon se pas valës së parë të azil-kërkuesve të pakualifikuar shqiptarë, tani Gjermania pritet të absorbojë me sukses valën e re të emigrantëve të kualifikuar.
Në mjediset e ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Fondacioni i Friedrich Ebert kishte vendosur këtë fletushkë informative mbi mundësitë e punësimit në Shqipëri(!). Mesazhi ishte i paqartë dhe nuk pash njeri të këshillohej me studimin mbi rininë apo fletushkën që ishin shpërndarë bollshëm nëpër stenda e tavolinë. Nuk e kuptova nëse fletushka synonte të dekurajonte aplikimet e personave të pakualifikuar, apo të informonte ata mbi mungesën e mundësive për tu punësuar në tregun shqiptar të punës. Sidoqoftë mesazhi i saj, perceptimi im ishte se o burra të ikni nga sytë këmbët.
Dikush mund ta interpretojë këtë vrull për frekuentim të kurseve të gjuhëve të huaj si të motivuar nga dëshira e shqiptarëve për të mësuar. Por habi përbën fakti që shqiptarët nuk është se shquhen për vullnet në marrjen e dijeve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Sipas European Social Survey (2012) rreth 17% e të intervistuarve nga Shqipëria raportojnë se kanë ndërmarrë veprimtari për të përmirësuar njohuritë apo aftësitë e tyre nëpërmjet kurseve, leksioneve apo konferencave në 12 muajt e fundit. Edhe pse një pjesë e madhe e atyre që nuk kanë ndjekur kurse trajnimi (62%) kishin një periudhë 12 mujore ose më të gjatë pa punë (χ2=3.06, α=0.08>0.05; Cramer’s V=0.08). Ndërkohë që pjesa më e madhe e të intervistuarve (59%) shohin pak mundësi për vetë-realizim, pasi nuk ndihen të vlerësuar për aftësitë e tyre.
E ndërsa numri i sondazheve që tregojnë pakënaqësinë me qeverisjen, besimin në institucionet, sistemin e demokracisë në Shqipëri apo tregun e punës, rritet në proporcion të drejtë me paratë në dispozicion për të kryer matje të tilla të qëndrimit të publikut, për të intervistuarit e bezdisur nga këto sondazhe ngelet vetëm largimi.
Nga një vlerësim eksplorativ në terren vërej se shumë të kualifikuar në fushat e studimit të mjekësisë humane, stomatologji, mjekësi, infermieri dhe farmaci po dynden në kurset e gjuhës gjermane. Këta janë të të gjitha moshave.
Intervistova disa persona për të kuptuar më mirë zgjedhjen e këtyre individëve. Pasi diskutova me ta se në Gjermani stomatologët, farmacistët e infermierët e arsimuar në Shqipëri mund të punësoheshin thjeshtë si ndihmës-stomatologë apo ndihmës-farmacistë, për të cilat në Gjermani mjafton edhe një kurs 3-vjecar trajnimi pas shkollës së mesme, dhe se këta me gjasë do të gjenin vend pune në zonat e pak-populluara, ata ishin të gatshëm ti përkrahnin edhe këto mundësi. Mjaft të iknin nga Shqipëria. Tregu sipas tyre është i tejngopur me persona të kualifikuar në këto fusha. Kjo ka sjellë uljen e ndjeshme të të ardhurave. Persona që nuk kanë marrë provimin e shtetit në profesionet e rregulluara punësohen me rrogë minimale (nën 20 000 lekë/muaj), e preferohen ndaj atyre që kanë diploma. Farmacistë që kanë studiuar shkencë në pesë vite janë kthyer në shitës medikamentesh, edhe këto në shumicën e rasteve nën kosto kur farmacitë përballen me politikat që favorizojnë grosistët e mëdhenj të barnave. Edhe pse në Shqipëri ka zona të largëta pa mjek apo shërbim mjekësor, ka infermierë apo mjekë që në qytete paguajnë 2000-5000 euro për një vend pune, kosto që nuk justifikohen nga të ardhurat.
Më kujtohet se në vitet 90 u shtuan shumë kurset e gjuhës nëpër Tiranë. Katet e para e të dyta ose ishin kthyer në klasa për shërbimet arsimore plotësuese, ose në salla videoje e kinemaje private për këdo që kishte VCR. E megjithatë ishte e vështirë të gjendej ndonjë kurs gjermanishte i një cilësie të pranueshme. Drejtuesit e kurseve të gjuhës gjermane ishin zakonisht ish-teknikë që kishin përfunduar ndonjë trajnim në Gjermaninë lindore, apo ish-emigrantë, të cilët nuk njihnin as gjuhën, e as kishin ndonjë aftësi pedagogjike. Sot, edhe pse sipas disa supozimeve mbi 40% e personave të kualifikuar u larguan nga Shqipëria pas viteve 90, situata, të paktën në Tiranë, është përmirësuar ndjeshëm dhe niveli i kurseve është rritur.
Kjo me siguri do të sjellë një tjetër valë largimesh. Shërbimet në sektorët jetikë si shëndetësia do të përkeqësohen, partitë politikë do të pajtojnë oportunistë e karrieristë të paskrupuj, sistemi i drejtësisë do të popullohet po nga këta e qeverisja do të humbë edhe më besimin në popull. Ndërsa shoqatat civile, nëse ka ngelur ende ndonjë syresh që di të kryejë një sondazh me kriteret minimale statistikore, do të vazhdojnë të masin pakënaqësinë në popull.