Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

CIRCENSES PA BUKË

Kjo frymë antipolitike nihiliste, që po shtohet dita ditës në Shqipëri, na detyron t’i mbrojmë deri në vdekje politikanët tanë, thotë studiuesi Pelivan Thekra, i cili mundohet të na shpjegojë mendimin e vet me durim…

Se populli është turmë, thotë një fjalë e urtë popullore. Nuk e kupton rëndësinë e politikës shqiptare, pavarësisht se hairin ia sheh përditë.

Le të marrim thënien e famshme latine “panem et circenses”, dy nga gjërat që kërkon populli më shumë, që nga kohërat e lashta. Popullit i duhet barku plot e lojëra për argëtim. Të tjerat presin.

Tani, për barkun mund të diskutojmë deri nesër, por mjafton të shohim ca barqe rrugës, për të parë se një pjesë e njerëzve janë të ushqyer mirë, çka nuk do të thotë se janë të mirë ushqyer, por rëndësi ka që nuk ankohen.

Po circenses ka? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetje duhet të bëjmë fillimisht historinë e humorit shqiptar. Shumë vetë kritikuan mbylljen e Teatrit të Estradës në Tiranë (gjendej pas Muzeut kombëtar) dhe estradave nëpër rrethe. Shfarosja e estradave ndodhi në vitet nëntëdhjetë. Nuk kishte asgjë për të qeshur në atë akt.

Të njëjtin fat pati edhe cirku shqiptar, që gjendej pak më tutje, në drejtim nga stacioni i trenit (për shqiptarët e rinj në moshë, që nuk e dinë, jo për faj të tyre, treni është një mjet udhëtimi me rrota hekuri që ecin mbi shina). Atje kishte akrobatë, kafshë të egra, klounë.

Përse populli nuk e ndjeu mungesën e domosdoshme të humorit e të argëtimit në këto vite? Sepse rolin e rëndësishëm social të circenses e mori parlamenti shqiptar. Këto njëzetë e pesë vitet e fundit, parlamentarët i kanë mprehur aftësitë e tyre për të bërë batuta humoristike dhe për të zhvilluar një mimikë, që e kanë zili edhe klounët më të mirë në botë.

Pra merita e politikanëve është e jashtëzakonshme, sidomos në kohët e vështira që po kalojmë. Kur dalin në skenën e parlamentit, politikanët duket sheshit që janë përgatitur më parë, sepse hedhin e presin batuta të papara e të goditura. Edhe skenën e zotërojnë shumë mirë. Mendoni për një çast kur shfaqen parlamentarë të rinj, praktikisht hyjnë si aktorë në skenë. Kanë edhe nofka prej artistësh. Kjo është arsyeja që populli mbetet i gozhduar përballë telekamerave me orë të tëra, duke u zbavitur si dikur në estradë e në cirk.

Efekti pozitiv i politikës shqiptare pasqyrohet edhe në përsëritjen e batutave në popull. Dikur qarkullonin si hite, batutat e filmave bardhezi, sot nëpër kafene e lokale kalojnë gojë më gojë thumbat e politikanëve tanë në parlament. A nuk flet kjo për suksesin e politikës shqiptare?

Kjo është aq e vërtetë, saqë edhe mediat e përshkruajnë politikën duke i treguar publikut në thelb shfaqjen, çka u zhvillua si spektakël ditët pararendëse në parlament. Batutat e thëna, skenat e zhvilluara, fjalët me dy kuptime, gjestet e njëkuptimshme, akrobacitë leksikore, të futmet me lezet, fshikullimet verbale, përplasje fizike, hakërrime, skërmitje dhëmbësh, e kështu me radhë. Argëtim i pastër pra. A nuk është politika moderne spektakël, humor e cirk njëkohësisht?

Vetë humori, që është zhvilluar në epokën e demokracisë, nuk ka kuptim pa politikanët. E ç’do të ishte një emision, ta zëmë si “Portokallia”, pa politikën dhe personazhet e saj? A do ta bënte me qesh popullin? Madje, kanë qenë politikanët shqiptarë ata që kanë shpikur zhanrin e ri të metahumorit, sepse i kanë dhënë material estradës në ekran për të bërë humor mbi humor.

Populli, në këtë mënyrë, ka moral të lartë edhe në momente të vështira, përfundon dr. Pelivan Thekra. Në fakt, njerëzit mbajnë barkun me dorë, por nuk e dinë mirë përse: nga të qeshurat, apo nga uria.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin