selfie – nga anglishtja, fotografi që ia nxjerr dikush vetes, zakonisht me anë të një telefoni smart ose një kamere për ueb, dhe që bashkëndahet përmes mediave sociale.
Kur flasim për fotografi, harrojmë se prapa së njëjtës veshje leksikore, fotografi, “fshihen” gjëra të ndryshme, ndonjëherë të kundërta mes tyre: teknologjia e kapjes së imazhit, teknika e kapjes së imazhit – si mjeshtëri ose zanat; dhe arti i kapjes së imazhit.
Për nga teknika, selfie u ngjan fotove të nxjerra nga kamerat automatike ose ato me kohëvonesë; sepse në të dy rastet mungon syri në okular; në kuptimin që edhe kur e dimë se kush po e shkrep aparatin, nuk dimë se kush po e nxjerr foton.
Por selfie është vetëm maja e ajsbergut e fotove me pozë, të cilat kanë gjithnjë natyrë spektakulare, të llojit “shihmëni mua.” Këto foto kapin pozën, jo njeriun që merr pozën; dhe dallimi është i ngjashëm me atë midis aktorit dhe rolit.
Ka edhe selfie me ndërmjetësim; si ato që nxjerr fotografi zyrtar i një shtetari – sa herë që shtetari e ndien praninë e fotografit përreth dhe pozon për publikun që do t’i shohë më pas fotot.
Çfarë nuk kufizohet vetëm me foton; sepse shtetari pozon edhe para kamerave televizive dhe mikrofonat që ia zgjatin para gojës, si lule shumëngjyrëshe, me siglat e kanaleve televizive.
Thonë, për presidentin George W. Bush, se njëherë, pak sekonda para se të shfaqej në skenën e një stadiumi dhe një publiku shumëmilionësh në televizion, pyeti ndihmësin e vet: “Do I look fat?”
Mos dukem gjë i shëndoshë? Këto janë edhe momentet kritike, të cilat më pas do të kujtohen si etapa të kalimit nga politika e spektaklit në politikën e selfie-t.
Unë që i shkruaj këto rreshta, nuk arrij dot ta shoh veten në ekran, kur më qëllon të dal ndonjëherë në TV; edhe pse tregohem më i butë me fotografinë.
Nga ana tjetër, shtetari i mësuar të funksionojë politikisht para kamerave dhe mikrofonëve, me kohë vjen dhe identifikohet me rolin e vet dhe nuk arrin dot të dalë nga pozat: ashtu përfundon i kapur peng i imazhit, ose rob i selfie-t të vet.
Çfarë mund të ishte politikë e pranueshme, përfundon në teatër të keq, për shkak të mikrofonit, të kamerës dhe të antenës: media nuk ka nevojë të marrë anë, për ta transformuar jetën politike.
Për fotografin Henri Cartier-Bresson thonë se nuk kish qejf që ta fotografonin. Arsyet që janë sjellë ndryshojnë nga burimi në burim. Mua më pëlqen versioni ku Cartier-Bresson shpjegon se, sikur fotografia e tij të bëhej publike, njerëzit do ta njihnin në rrugë dhe do ta kuptonin se ai po i fotografonte.
Ose edhe se mund t’i fotografonte.
Në kuptimin që një fotograf i njohur, në publik, do të mjaftonte për ta shndërruar “agora-në” në skenë teatri; dhe qytetarët në poza qytetarësh.
Nuk është se i druhej të fotografuarit si akt, por publikimit të fotos; sikurse nuk i druhej të fotografuarit që bënte vetë, sesa efektit që kamera e tij do të kish ndaj subjektit.
Pak kurioz dyshimi, megjithatë, që Cartier-Bresson arsyetonte nga premisa se një fotografí e tillë ku ai nuk ishte fotografuesi, por vetëm i fotografuari, do të mund të përdorej veç për ta identifikuar dhe jo për ndonjë synim tjetër, për shembull, thjesht artistik.
Ose për t’ia shkatërruar anonimitetin, padukshmërinë, mundësinë reale të mosqenies.
Përmend një vepër të tij, të titulluar “Marseille – shëtitorja e Prado-s” (1932), të cilën Cartier-Bresson e kujton kështu: “po ecja prapa këtij zotërie, kur ai papritur u kthye drejt meje.”
Këtij zotërie. I mbetur pa emër, ndoshta me të vetmen siguri identitare, se nuk ka qenë fotografi vetë.
Sot do të kishim thënë: me sigurinë se nuk ka qenë fjala për një selfie.
Ja edhe një ide e fundit për një selfie të ndërmjetësuar: shtetari i madh dhe hijerëndë, që rrëmben kamerën për të fotografuar fotografin e vet dhe pastaj e ngarkon rezultatin në mediat sociale.
Askujt nuk do t’i duhej emri.