Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Ekonomi

SIPËRMARRËSIT SHQIPTARË

njerez-grafikMediat u japin skenën kryesisht rasteve të suksesshme individuale, politika përmend rolin e tyre të rëndësishëm për ekonominë italiane. Mirëpo, përtej dritave të skenës mediatike dhe furçave të retorikës politike, çfarë thonë statistikat për situatën e sipërmarrësve shqiptarë në Itali?

Rastin e përkryer na e jep “Raporti për Imigracionin e Imprenditorinë” (Rapporto Immigrazione e Imprenditoria 2015), realizuar së fundi nga qendra studimore IDOS në Romë. Ky raport përmbledh statistikat për dukurinë e imprenditorëve imigrantë në Itali dhe analizon evoluimin e saj. Të dhënat e mëposhtme janë marrë pikërisht nga ky raport i porsabotuar.

Le të themi që në fillim se ndërmarrjet që administrohen nga punonjës imigrantë janë më shumë se gjysmë milioni. Praktikisht 1 ndërmarrje në 12 drejtohet nga një i huaj. Imigrantët kanë zakonisht ndërmarrje të vogla, që e respektojnë traditën italiane në këtë drejtim. Në fakt, pjesa më e madhe e tyre (80,2%, 421.004) janë ndërmarrje individuale.

Cilat kombësi shquhen në panoramën e sipërmarrjes italiane? Nuk janë të shumta. Në ndërmarrjet individuale vendin e parë e zënë marokenët (15,2%), pastaj vijnë kinezët e rumunët (11,2% secili), më tej shqiptarët (7,3%) e bangladeshët (6,2%).

Meqenëse janë ndërmarrjet individuale ato që përbëjnë shumicën, le të analizojmë praninë e shqiptarëve në këtë kategori. Në fund të vitit 2014 ndërmarrjet individuale që drejtoheshin nga shqiptarë ishin 31.016 (7,3% e totalit). Raporti i Idos vëren diçka interesante: ndonëse shqiptarët përbëjnë një nga bashkësitë më të vjetra në Itali, 40,4% e ndërmarrjeve të tyre ka filluar punë midis vitit 2008 e 2013. Rezulton mesatare prania e ndërmarrjeve në vitet 2000, dhe shumë e ulët në vitet 1990-1991. Habit fakti që përqindja e ndërmarrjeve të krijuara gjatë 2014-s është më e ulët se mesatarja e përgjithshme.

Po kështu bie në sy prania femërore. Gratë shqiptare që kanë ndërmarrje në Itali janë rreth 9%, megjithëse midis shqiptarëve rezidentë janë pothuajse gjysma e tërë bashkësisë.

Për nga grupmoshat, të dhënat e Raportit tregojnë se shqiptarët sipërmarrës janë të rinj, ose të rritur që nuk e kalojnë moshën 50 vjeçare. Kuota më e lartë i takon grupmoshës 36-50 vjeç, por edhe 18 – 35 vjeçarët janë të shumtë.

Gjatë viteve të krizës (2008 – 2014) numri i tyre ka qenë në rritje, çka duhet parë në mënyrë pozitive, por të bën të mendosh fakti se ritmi i rritjes së tyre është më i ngadaltë se mesatarja e imigrantëve të tjerë. Ky trend verifikohet edhe gjatë vitit të kaluar.

Siç mund të merrej me mend, krahina që ka më shumë sipërmarrës shqiptarë është Lombardia (5.910 ose 19,1% e totalit). Në vend të dytë Toskana (5.460, baras me 17,6%), në vend të tretë Emilia Romagna, (4.604 – 14,8%) e më pas Piemonte (3.451 – 11,1%), Liguria (2.962 – 9,5%), Veneto (2.094 – 6,8%), Lacio (1.209 – 3,9%) e Marke (1.155 – 3,7%).

Sektori ku janë më të pranishëm sipërmarrësit shqiptarë është ndërtimi (75,8%). Pastaj vjen sektori i shërbimeve (17,8%), ku futet tregtia, turizmi, hoteleria, etj. Bujqësia shënon një përqindje vërtet të ulët (1,9%).

Profili i sipërmarrësit shqiptar në Itali nuk është i vështirë për t’u përvijuar. Është relativisht i ri, mashkull, që punon kryesisht në ndërtim, më së shumti në veri e në qendër të Italisë.

Mirëpo, realitetin e sipërmarrësve shqiptarë nuk mund ta shohim jashtë historisë së emigracionit drejt Italisë, sikundër nuk mund ta shohim jashtë psikologjisë kolektive dhe kontekstit aktual që po kalojnë. Në këtë mënyrë do të kuptojmë përse-në e thjeshtë të numrave të ulët të sipërmarrësve shqiptarë në fillim të viteve 1990. Për sa i përket shpërndarjes sektoriale, nuk mund të harrojmë praninë e tyre në këtë sektor si të punësuar, çka bën që ta shohim sot pozicionin e sipërmarrësit si një lloj evoluimi të profesionalizmit të tyre. Nga ana tjetër, arsyet e dallimeve mes kombësive të ndryshme duhet t’i hulumtojmë në psikologjinë kolektive dhe historinë e emigracionit. Së fundi, mbeten ende disa tema për t’u zbërthyer me durim, e nga këndvështrime të ndryshme, siç është prania e ulët e femrave sipërmarrëse.

Nuk mund të lëmë pa përmendur, gjithashtu, situatën që po kalon ekonomia italiane. Fakti që sipërmarrësit shqiptarë janë rritur gjatë viteve të krizës mund të merret si faktor pozitiv, si një tregues i dinamizmit natyral të tyre, por edhe si një shtysë e detyrueshme, ngaqë kriza të detyron ta krijosh punën vetë, kur punë nuk ka.

Sipërmarrësit e huaj në Itali dallohen nga vitaliteti dhe dinamizmi i tyre, megjithatë nuk janë imunë nga dobësitë e ndryshme, që lidhen me strukturën e ndërmarrjes, marrëdhëniet me burokracinë, marrja e kredive, etj. P.sh. shoqëritë me kapital nuk kanë përhapje të madhe ndër të huajt. Kanë pasur rritje vitet e fundit, e ky është element pozitiv, megjithatë përfaqësojnë pakicën (një të dhjetën e të gjithë ndërmarrjeve të regjistruara në Dhomat e Tregtisë, gjithsej 57 mijë, pra 10,8% të numrit të përgjithshëm).

Potenciali i ndërmarrjeve të imigrantëve është i madh, edhe në lëmin e punësimit, por ky realitet vuan edhe nga brishtësia socio-ekonomike e punonjësve imigrantë në Itali. Me fjalë të thjeshta, të njëjtat probleme për sipërmarrësit, duken më të rënda mbi supet e të huajve. Prandaj edhe Raporti sugjeron të zhvillohen politika industriale, që të marrin parasysh dinamizmin e ndërmarrjeve të imigrantëve dhe të krijojnë kushtet për zhvillimin e tyre. Kjo mund të bëhet nëpërmjet thjeshtimit të praktikave burokratike, lehtësimit të kredive bankare, uljes së taksave, promovimit të novacionit, nxitjes së karakterit transkombëtar, e kështu me radhë.

Pra realiteti i sipërmarrësve të huaj në Itali, përfshirë shqiptarët, ka dritëhijet e veta, pikat e forta e të dobëta. Megjithatë, duhet pranuar se ndërmarrjet e imigrantëve ndikojnë pozitivisht mbi integrimin e të huajve, mbi internacionalizimin e aktiviteteve ekonomike dhe mbi ekonominë e vendit. Nuk duhet të harrojmë, gjithashtu, se sipërmarrësit shqiptarë dhe kolegët e tyre të huaj përbëjnë një urë lidhëse konkrete me vendlindjet, ku shpesh kthehen të investojnë, vetëm ose të shoqëruar, ngaqë kanë njohjet e duhura të realiteteve ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Mirëpo ky rol i rëndësishëm, së pari duhet të pranohet nga institucionet e vendeve të interesuara, pra edhe Shqipërisë, së dyti duhet të nxitet me politika të posaçme për ta vlerësuar atë konkretisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin