Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

NJË KËNGË PËR ROLANDIN

Ditët e fundit kishim vënë re një rritje të pazakonshme vizitash në blog, që për një moment kujtova se kish të bënte me interes të shtuar për temat që kishim cekur së voni. Mirëpo mjafton një verifikim në faqen e statistikave të WordPress, për të marrë vesh se punët janë më të ngatërruara.

Fluksi i vizitave, që është i barasvlershëm me një mini-përmbytje, i detyrohet një shkrimit tim të vitit 2009, Rolandi në Epir, ku unë kryesisht i referohem disa hipotezave për marrëdhëniet midis epit të Rolandit dhe toponimisë së Epirit dhe Arbërisë, të formuluara së pari nga bizantinologu belg Henri Grégoire në fund të viteve 1930.

Në tabelën e mëposhtme, po sjell numrin e saktë të herëve kur është lexuar ky shkrim që prej datës së botimit:

VITI LEXIME
2009  851
2010  450
2011  206
2012  437
2013  726
2014  795
2015  2045

Sa për të krijuar një ide, po mjaftohem të shtoj se vetëm sot, më 20 tetor 2015 në mesditë, Rolandi në Epir është “lexuar” 809 herë (krahasuar me 241 herë dje, 226 herë në 15 tetor, 317 herë në 14 tetor, 344 herë në 13 tetor, dhe 11 herë në 11 tetor).

Çfarë ka ndodhur kështu me Rolandin?

Pas gjase, një detyrë u është dhënë nxënësve të shkollave të mesme (shpresoj), për t’u thelluar në historinë e këtij dokumenti disi misterioz nga Mesjeta, në mos për të parë lidhjet – gjithnjë hipotetike dhe të brishta – me trojet ku jetojnë sot shqiptarët.

lr5003204Në fakt, një kërkim në Google, me fjalëkyçet “Kënga e Rolandit”, të sjell menjëherë në blogun tonë.

Shkrimi im, përveç parashtrimit të hipotezës së Grégoire, përmban edhe tekstin e asaj pjese të këngës që lidhet me temën; në origjinal dhe të përkthyer. Shpresoj që nxënësve të interesuar t’u ketë shërbyer si hyrje ose portëkalim drejt materialeve të tjera, më të përshtatshme, ku mund të mësohet për këngën dhe epokën së cilës i referohet ajo.

Që nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët universitarë vijnë në Peizazhe të fjalës nëpërmjet motorëve të kërkimit, dhe i shfrytëzojnë pastaj materialet e këtushme për nevojat e tyre, përfshi edhe kopjimin e thjeshtë, kjo nuk është ndonjë gjë e re: mjafton t’u hedhësh një sy termave të kërkimit që sjellin vizitorët në blog.

Pa çka se mua, dhe besoj edhe autorëve të tjerë, mund të na vijë disi e papritur që tekstet tona shërbejnë, falas dhe haptazi, për edukimin e moshave të reja, në hapësirën shqiptare në Ballkan; e papritur, sepse për nga natyra e vet blogu gjithnjë ka synuar ta problematizojë dijen, duke e marrë një nivel bazë të lexuesit për të mirëqenë.

Prandaj edhe nuk di nëse duhet të gëzohem për këtë, apo të shqetësohem. Edhe që për “Këngën e Rolandit” nuk ka shumë materiale të tjera në shqip (tani vonë më rezulton të kenë shkruar Moikom Zeqo dhe Luan Rama); dhe sidomos që nuk ka materiale referimi, për shembull një zë në shqip në Wikipedia, tregon se brezave të rinj u mungojnë burimet e dijes, sidomos ato të normalizuarat – dhe jo marrëzitë pellazgjike (si kjo këtu, shembull i freskët) ose vetëshërbyese, që e kanë krimbur krejt Internetin shqip.

Edhe një çudi tjetër: vizitorët që janë dyndur te Rolandi në Epir nuk e kanë përfillur shumë pjesën e dytë të esesë, Rolandi në Arbëri, ku sqarohen më tej disa prej çështjeve të prekura në pjesën e parë. Për këtë mund ta ketë fajin Google-i; por mundet edhe që ardhësit ta kenë gjetur menjëherë çfarë kërkonin. Ky akses i pjesshëm tregon edhe limitet e kërkimit online, nga përdorues që nuk zotërojnë mekanizmat e kërkimit: shpesh radha e paraqitjes së rezultateve të kërkimit nga motori përcakton edhe shkallën e aksesit.

Natyrisht, s’e bën dot me faj Internetin, as motorët e kërkimit. Mësuesit që u kanë dhënë nxënësve si detyrë shtëpie “Këngën e Rolandit” duhej t’i kishin kontrolluar vetë të parët materialet që gjenden online – dhe të sugjeronin një bibliografi të përshtatshme. Kjo duhej të ishte pjesë e misionit të tyre: në parim.

Vërejta më lart se materialet në blog nuk u drejtohen nxënësve të shkollave të mesme; sepse kërkojnë nga lexuesi një nivel paraprak, një njohje fillestare të dijes bazë – të cilën ne pastaj e problematizojmë. Kjo do të thotë, në vija të trasha, se blogu ynë, sado të përgjegjshëm të kemi qenë ne autorët, nuk mund të zëvendësojë tekste mësimore ose ndihmëse, ku të ruhet balanca mes parashtrimit dhe debatit.

Mirëpo, ky efekt anësor disi i papritur i blogut më jep edhe shpresë; dhe këtë e them si i një brezi që është rritur dhe mëkuar me sendet që ia nxirrte deti; ose me produkte kulturore të lëshuara në qarkullim me të tjerë konsumatorë në mendje, ose pa na pasur autorët pikërisht ne parasysh.

Bëje të mirën dhe hidhe në det, thotë një fjalë. Të mendosh që populli e ka pasur vite, në mos shekuj para se Interneti të ripërkufizonte pronësinë mbi dijen.


Shënim: do t’i lutesha kujtdo që ka informacion më të saktë, se ç’është kjo detyrë dhe ç’u është kërkuar pikërisht të bëjnë nxënësve për Këngën e Rolandit, të komentonte më poshtë në blog ose të më shkruante privatisht.

7 Komente

  1. Nga kerkimet e ndryshme qe jane bere arrita te kuptoj se behet fjale per nje detyre per Gjuhen Shqipe te klases se 6-te.

    Keto dy variante shfaqen rregullisht pervec te tjerave per informacion mbi Kengen e Rolandit.

    “beni nje krijim per kengen e rolandit”
    “sa e rendesishme eshte kenga e rolandit ne kulturen franceze”

    1. “sa e rendesishme eshte kenga e rolandit ne kulturen franceze”

      Ç’pyetje! Si mund t’i pergjigjen nxenesit e klases se gjashte? Me dy fjale te vetme: “shume e rendesishme”. Mbaruan detyrat e shtepise! 🙂

      Shkrimi i Xhaxhait jo vetem qe nuk i ndihmon per te bere detyrat, por u hap pune mesuesve. Perfytyroni nxenesit qe, pasi kane lexuar shkrimin e Xhaxhait, pyesin mesuesin ne klase: Pse nuk i permend kenga e Rolandit arberit? 🙂 Ka rrezik qe te na e shpallin Rolandin armik kombetar.

  2. Ne faqen online e shtepise botuese Albas mund te shfletohet Libri i Mesuesit per Gjuhen Shqipe 6.

    Me poshte eshte konteksti si i paraqitet studentit Kenga e Rolandit, por jo kerkesa per detyren e shtepise.

    Kënga e Rolandit
    (legjendë)
    Punë me tekstin. Lexon:
    a. për të dalluar legjendën mesjetare, si lloj letrar me karakter fantastik;
    b. për të nxjerrë kuptimin dhe mesazhin e legjendës, nëpërmjet pesë
    pyetjeve kyç;
    c. për të gjykuar dhe arsyetuar për personazhet dhe karakterin e tyre
    heroik;
    d. për të dalluar fjalët kyç që përcjellin atmosferën e luftës;

    Kënga e Rolandit
    (legjendë)
    Punë me tekstin. Lexon:
    a. për të dalluar veçoritë e legjendës; rrëfimi si element i rëndësishëm i
    legjendës;
    b. për të dalluar elementet fantastike nga elementet reale;
    c. për të krahasuar legjendën për heroin me legjendën për krijimin e
    vendit (legjenda e liqenit të Prespës);

  3. Qenka me hile. Nxenesit me kot i drejtohen internetit. Pyetja e librit, indirekt i fton te shkojne ne sallen e hartave ne Kryeministri.

  4. une e mora kete pjes dje dhe me pelqeu shume une si senatori dhe me i dadhuari i klasave te gjashta kisha nje detyre qe te merrja nje informacion me te tepert ne internet nga te tjeret dhe ja ku e gjeta

  5. Nuk di te te them per Landin, por kujtoj qe perpara 3-4 vitesh, nje pjese e mire e studenteve, si realizim te nje eseje te kerkuar, me sollen nje shkrim tendin xhaxha, te publikuar te Piezazhet…
    Une e kisha lexuar tek blogu dhe u kujtova menjehere. Natyrisht qe nuk pranova asnje prej tyre; s’kishin ndryshuar asnje shkronje nga teksti origjinal.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin