Kam lexuar këto ditë reagimet e shumta, në mediat, rreth pllakës së rivendosur në murin e kalasë së Lezhës, ku kremtohet rindërtimi i saj nga Sulltan Sulejmani.
Çfarë më ka bërë përshtypje, është partizanllëku brutal i atyre që kanë ngritur zërin “kundër” restaurimit të kësaj dëshmie historike: të pakënaqurve, të fyerve, të lënduarve në identitet.
Sikurse më ka bërë përshtypje mungesa e një autoriteti publik që të shqiptohet për mënyrën si do të stabilizohet dhe kremtohet historia – madje edhe jo vetëm ajo mesjetare – në Shqipëri.
Nuk mund të përmbledh këtu gjithçka është thënë për atë pllakë të bekuar, por po mjaftohem të vërej se thelbi i kritikave ka të bëjë me të që ne (“ne” – gjithnjë del ky përemër, kur është fjala për të imponuar një fanatizëm) nuk mund të kremtojmë gjeste historike të “pushtuesit” turk.
Debati varet kështu në kremastarin e një debati tjetër, primordial, në lidhje me natyrën e periudhës osmane për shqiptarët: pushtim apo sundim?
A thua të jenë vërtet njerëzit kaq të shqetësuar, për një rindërtim kalaje në shekullin XVI?
Natyrisht jo. Këtu bëhet fjalë për luftë mes grupeve për supremaci në “normalizimin” e historisë; luftë që i ka rrënjët në dasitë fetare, ndoshta edhe ato gjeografike dhe kulturore.
Këtyre grupeve nuk është se u bëhet vonë për sulltan Sulejmanin dhe tenderat e tij të ndërtimit; por thjesht e përdorin kundërvënien ndaj “osmanëve” si platformë për t’u përftuar si grupe dhe për të fituar truall ndaj kundërshtarëve të tyre, lokalisht dhe në shkallë kombëtare, sidomos tani që, për të parafrazuar me Sami Frashërin, cave po u duket se kordhën e të fortit në Shqipëri e ka ngjeshur në brez Katolicizmi.
E kam fjalën për të njëjtën kordhë simbolike që dikur e kishin në dorë osmanët. Ka njerëz që nuk jetojnë dot pa një padron; dhe këtu nuk e kam fjalën për ata që nuk jetojnë dot pa një Zot. Madje shpesh dy kategoritë janë ndërsjellazi të përjashtueshme.
Por pllaka, ah pllaka. Pati nga ata që u rrëmbushën për kalanë e Lezhës dhe arbrit e flijuar në bedenat e saj gjatë shekujve. Padije në salcë infantile. Që në fund të shekullit XIV, Lezha i kish kaluar Venedikut – madje edhe Skënderbeu prandaj e zgjodhi për të mbledhur krerët e zonës dhe për të formuar “Lidhjen”. Dhe Venediku nuk është se ua mori gjë arbërve me luftë: thjesht Dukagjinët ia dhanë.
Më parë akoma, Lezha i ka përkitur kujtdo të huaji që e ka lakmuar. Edhe sikur maúrët e Sicilisë të kishin zbarkuar në brigjet tona, Lezhën do ta kishin marrë të parën.
Le pastaj që, po të kishin zbuluar dhe restauruar gjëkundi ndonjë mbishkrim ku të shkruhej se muret e kalasë i restauroi ky apo ai dozh i Venedikut, me siguri asnjë historian lokal nuk do të kish vënë kujën. Përkundrazi, do ishin ndezur së brendshmi e do të kishin kërkuar ndonjë binjakëzim me Venezia-n, ose të paktën me Mestre-n (kur s’ke pulën…).
Se vërtet pushtuesit janë njëlloj, por disa pushtues janë më të preferuar se të tjerët; dhe jetojmë në kohëra kur është cool të kesh qenë i pushtuar nga Venediku – pa çka se të parët e tu biologjikë do t’i kishin shkuar venecianët në hell, po t’u dilnin këta gjëkundi përpara në pyll.
Sa për osmanët, ne shqipot qenkemi me ta në luftë akoma; përndryshe nuk shpjegohet dot gjallëria “intelektuale” madje agresiviteti i Frontit Anti-Osman Nacional-Çlirimtar, të paktën në mediat. Dhe kjo luftë me penë e pështymë nuk ka ditë që të mos nxjerrë në pah ndonjë trim të ri, që të merr gjak në petull.
Megjithatë, le ta themi edhe se këta kreshnikë të vonuar të shpatës e të penës po përfitojnë rëndshëm nga kornizimi që i është bërë historisë kohët e fundit pikërisht nga ato institucione që duhej të kujdeseshin për historinë dhe ta ruanin nga kornizime të tilla.
E kam fjalën për idenë – që tashmë ka zënë rrënjë dhe është kthyer në program – se historia mund të modulohet sipas dëshirës dhe interesit të elitave; dhe se e vërteta mund edhe të sajohet, me kusht që kjo të jetë “në favor të çështjes kombëtare” ose “të na e ngrejë imazhin para të huajve.”
Këtë e kanë pasë quajtur një herë e një kohë falsifikim; por falsifikimi tashmë është bërë i modës, duke filluar me letërsinë dhe letrarët kombëtarë, që prej dekadash i bien kësaj culeje të shtrembër dhe e paraqitin të shkuarën shqiptare mu sikurse dëshirojnë që t’u jetë shqiptarëve të tyre e ardhmja.
Duam t’i bashkohemi Europës? Atëherë le të qëndisim një histori ku rezulton se “ne” paskemi lënë kockat për të shpëtuar Europën. Duam t’i largohemi së shkuarës osmane se nuk na pëlqen (më)? Atëherë le të sendërtojmë një histori ku osmanët dalin si burim i gjithë të këqijave që “na” kanë gjetur, duke filluar që me tërmetin e Durrësit, në shekullin XIII.
Nga ana tjetër, prej vitesh po bëhen lëmsh – jam i bindur se qëllimisht, meqë vetëm inkompetenca nuk do të mjaftonte – (1) dëshmitë historike ose monumentet e mbijetuara, (2) rikrijimet e tyre në trajta instalacionesh gjysmë-artistike dhe (3) riformatimi i tyre, për të tërhequr turistët, ose për synime rikreative.
Ky delir nisi që me ndërtimin e muzeut “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Krujë në vitet 1970; ose veprës së parë në Shqipëri të shkollës estetike dhe semiologjike të Las Vegasit.
U tha se nuk kish ndonjë të keqe që dëshmitë historike të munguara të rikrijoheshin, sa kohë që kjo bëhej me “besnikëri”; por nuk e tha se ku do të gjendeshin këto modele, ose cili version i historisë a historian do t’i ofronte, dhe cili autoritet do t’i sanksiononte.
Dhe kështu u veprua, për të arritur tani vonë te kombinimi mes artit dhe muzeut, që u pa në ekspozitën “Bunk’Art.”
Mirëpo nuk kam parë as dëgjuar të debatohet seriozisht, në tryezat publike, për raportin mes ruajtjes dhe restaurimit të së shkuarës dhe shndërrimin e saj në një park tematik dëfryes.
Paradoksalisht, edhe elemente autentike, si pllaka e rivendosur në Kalanë e Lezhës, e humbin autenticitetin kur dalin nga konteksti – sikurse ndodhi tani. Kish të drejtë Artan Fuga, në një koment të vetin, kur tha se dëshmi të tilla duhen shoqëruar me mbishkrime dhe kontekstualizime të kujdesshme – sepse përndryshe nuk përftojnë histori, por antihistori.
Për shembull, me një pllakë tjetër, përbri, në gjuhën shqipe, ku të shpjegohet se ç’është ky mbishkrim me shkronja arabe dhe ç’vlerë ka për historinë e kështjellës dhe të shqiptarëve.
Se nëse nuk bëhet kjo, ndonjë si unë që nuk i di harfet e arabishtes, mund të qëllojë që të kaloj aty dhe ta admiroj pllakën si ndonjë farë ornamenti gjeometrik ose mandala që sjell fat; dhe të mendoj kështu turbullisht për periudhën osmane (pushtim e sundim bashkë), por të mos kuptoj dot arsyen e restaurimit.
Tek e fundit, ekspertët e osmanishtes mund ta gjejnë këtë shpjegim të tepërt, por pllaka dhe mbishkrime të tilla restaurohen dhe ekspozohen jo për konsum të ekspertëve, por të publikut.
Ashtu edhe publiku, përfshi këtu edhe protestuesit në mediat dhe luftëtarët anti-osmanë postumë të Lidhjes së Lezhës, kushedi do ta merrnin vesh se kalaja e Lezhës, të cilën dukagjinasit ua dorëzuan venecianëve, nuk ishte kjo në kodër por një tjetër, në Breg të Lumit; dhe se vetë Lezha zotërim venedikas, ndryshe nga Shkodra, nuk i bëri kurrfarë rezistence përpjekjes së sulltan Mehmetit për t’i dhënë fund një herë e mirë rezistencës arbërore, pas vdekjes së Gjergjit në vitet 1470.
Pas gjase, në ato kohë të mbrapshtë për Arbrin, kalaja e sipërme ishte rrënuar dhe me sa duket nuk u përdor fare në konfliktin e venedikasve dhe arbërve me osmanët – prandaj edhe u desh restauruar në Sulejmani pak më vonë.
Këtë fakt të fundit unë nuk e dija, por e mësova nga një ekspert i fushës, Gjerak Karaiskaj. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo kështjellë a kala e Lezhës ku është (ri)vendosur pllaka, nuk ka luajtur ndonjë rol kushedi çfarë në historinë e arbërve dhe të shqiptarëve.
Për ta përmbledhur: ka qarqe të caktuara në Shqipëri, ende pa ndonjë spesor intelektual por mjaft agresive në mediat, që kërkojnë ta rishkruajnë historinë, në mënyrë të tillë që t’ua pastrojnë shqiptarëve çdo gjurmë prej 5 shekujve sundim osman; duke e çliruar edhe historinë nga Perandoria Osmane, sikurse “çliruan” Shqipërinë të parët e tyre nga turqit, ose sikurse luftoi kundër turqve Skënderbeu vetë.
Për mendimin tim, motori kryesor i këtij agresiviteti ka të bëjë me dëshirën e cave për revansh kulturor kundër një padrejtësie herë reale dhe herë të përfytyruar; dhe e merr energjinë nga fërkimet e sotme ndërfetare në Shqipëri, jo nga debatet mes historianëve të Mesjetës.
E gjithë kjo nuk do të ndodhte, ose nuk do të kish pasur rëndësinë që ka marrë papritur, sikur të mos kishin lejuar institucionet një lloj qasjeje krejt voluntariste ndaj historisë – si të ishte kjo e fundit një lloj kapitali kulturor abstrakt, që mund të materializohet rishtazi, sipas rastit dhe kontekstit, në narrativa kombëtarisht të favorshme.
Në emër të luftës kundër qasjes totalitare ndaj historisë, këto institucione i kanë hyrë një eksperimenti – për mua të pamenduar mirë – të ri-inskenimit solemn të historisë, ku kufiri midis dëshmisë autentike dhe (ri)krijimit gjysmë-artistik nuk dallohet gjithnjë mirë.
Dhe pikërisht ky është konteksti kur një rikrijim “tradicional”, si vendosja e një pllake të periudhës osmane, në një mur kalaje nga ku mendohej se ishte shkulur prej keqbërësve ordinerë, nuk gjen dot përligjje në doktrinën e re historiografike a vizionin e ri historik që u nënvendoset politikave muzeografike të elitave të sotme; sepse nuk i “shërben” ideologjisë kombëtariste – prandaj edhe ata që duan të protestojnë, sepse vetëm nëpërmjet protestës konsolidohen si grup dhe faktor, e gjejnë rrugën të shtruar.
Ma gostiti mendjen dhe shijen ky shkrim! Ne menyren e duhur, per çeshtjet e duhura.
Ne vend te nje footnote, shtoj se informacionin per dy kalate dhe shkaterrimin e kalase, asaj qe eshte shkak debati, informohemi nga dokumentet venedikase, botuar nga Injac Zamputi. Venediku beri marreveshje me Bajazitin dhe leshoi Lezhen. Kur osmanet hyne ne Lezhe, i drejtuan nje “leter proteste” Venedikut, se kalaja ishte djegur se fundmi, ne kundershtim me marreveshjen. Venedikasit pergjigjen se djegia nuk eshte bere prej tyre, por prej vendasve (te cilet ishin shperngulur te gjithe ne Ulqin). Bajaziti pati “taksiratin” e ca shpenzimeve te paparashikuara, dhe ndertoi kalane…
Fakti qe sjell ketu, pra djegia e kalase nga vendasit (ke harruar te shtosh fjalen “barbare”…), eshte shume domethenes dhe madje shkon krejt ne te kundert me interpretimin qe ke bere ketu. Oh, desh harrova! Duhet te shtoje edhe: “I shkreti Bajazit, c’e kishte gjetur me keta! Pfff!”… 😛
Rasti ne fjale kerkon almise historike per t’u pertypur. Nuk interpretova, por shtova. Le te mos e metaforizojme situaten.
Nje pyetje- sipas almisave kush e ka rindertuar kalane e bekuar : Selimi I( Ippen pas Karaiskaj), Sulejmani (Meksi,etj) me gjithe versionin Sula( pas Fuges) apo Bajaziti( pas s.çunges) ? Apo mbase te gjithe kane vene ndonje gur,po Sulejmani si i madherishem edhe ka firmosur mbi porte…
Mbase në atë kohë njerëzit nuk e kishin bërë akoma zakon të pëllitnin në inaugurime punimesh, si sot. Kam frikë se Bajaziti do të jetë marrë me kalanë tjetër, atë të fushës; ndërsa këtë të sotmen, që ishte gjysmë e shkatërruar në majë të kodrës, do ta ketë përfunduar Sulejmani. Kështu po më rezulton, nga sa po lexoj kështu poshtë e lart, sidomos nga Karaiskaj (libri i tij për fortifikimet mund të shkarkohet falas online). Një gjë më duket me rëndësi: që kështjella e sotme në kodër, me siguri e ndërtuar që në në antikitet, por pastaj e shkatërruar, nuk është përdorur në periudhën e Skënderbeut, pse do të ketë qenë gërmadhë. Prandaj edhe Sulejmani tha se “e rindërtoi”. Përndryshe, po ta kishin marrë osmanët një kështjellë prej venedikasve ashtu pa luftë (në 1478), nuk kish arsye pse ta shkatërronin, apo jo? Kështu për muhabet (por pa prova), po shtoj edhe se, kushedi, Venediku kish ndonjë marrëveshje me osmanët, që para kohës së Skënderbeut, për të mos e rindërtuar kështjellën në majë të kodrës, pse kjo mund të konsiderohej si një akt lufte (po të kemi parasysh pozicionin strategjik të saj).
Ç’pyetje ben edhe ti! Doemos qe e ndertoi Sulejmani. Na e thote vetem mbishkrimi:
“Sulltan Sulejmani ka rikonstrukturar kete keshtjelle te bekuar … me ndihmen e arkitektit Dervish Muhameti, i biri i Uzgurit”.
Perfytyro skenen: Sulejmani i madherishem, zbathur, me brekushet te pervjelura deri ne gju qe kuturiset me mistri dhe me koven me llaç, dhe arkitektin Dervish Muhameti, te birin e Uzgurit, qe e ndihmon duke i zgjatur guret e latuar qe t’i vere ne mur. Rreth e qark ca lezhiane te ngeshem rrine e bejne sehir.
Meqenese u hap thesi, une them qe te veme nje pllake te madhe ne hyrje te bulevardit te Tiranes ku te shkruhet ne latinisht se bulevardin me gjithe kompleksin e ndertesave qe e rrethojne, e ndertoi Shkelqesia e Tij Benito Mussolini me ndihmen e Lartmadhnise se Tij, Mbretit Perandor Vittorio Emmanuele III.
Të lëmë mënjanë vështirësitë për të krahasuar një ngjarje të paqartë të 5 shekujve më parë me pushtimin italian të Shqipërisë (ka akoma rrotull, në Shqipëri, njerëz që ua kanë vrarë familjarët e ua kanë djegur shtëpitë italianët); të lëmë mënjanë edhe që pllakën e Sulejmanit këta tanët thjesht e vunë, nuk është se e gdhendën vetë; sërish, unë nuk do të kisha problem që, po të kish pasur një pllakë të tillë te Luogotenenza, të mos e preknin; ose po ta kishin vjedhur halldupët, t’u merrej dhe të rivendosej atje ku kish qenë.
Te them te drejten, mua diskutime te tilla per pune pllakash qe hiqen e qe vihen me lene krejt indiferent.
Me ben pershtypje fakti qe çeshtje te tilla, krejt periferike dhe teknike te cilat duhej t’u liheshin specialisteve, zene kryet e vendit ne debatet tona publike, a thua se i zgjidhem te gjitha hallet dhe na mbeti vetem kjo puna e pllakes se Sulejmanit.
Gjithsesi nuk me duket se çeshtja ka te beje me ndonje “doktrine te re historiografike” ne kuptimin akademik te fjales. Perkundrazi, kam pershtypjen se historiografia jone aktuale, perfaqesuar nga autoret kryesore qe merren sot me ate periudhe historike, eshte krejt e hapur ndaj restaurimesh dhe revizionimesh te tilla muzeale-historiografike. Ketu kemi te bejme me disa sensibilitete popullore, ekstrahistoriografike, te cilat mendoj se nuk duhen gjykuar, as duhen neperkembur, por duhen vetem respektuar.
Eshte pak a shume si çeshtja e Shen Kozmait apo si ajo puna e kishes se Dhermiut. Historiografia dhe “e verteta” historike eshte nje gje, ndersa ndjeshmeria popullore eshte tjeter gje. Keto te dyja nuk eshte e thene te perputhen. E para e ka vendin ne libra dhe ne monografi akademike, e dyta ka perparesi ne oborrin e shtepise dhe ne murin e kalase qe ngrihet aty afer.
Relapso, më vjen mirë që e degëzove këtu debatin.
Thua, historiografia dhe “e vërteta historike” është një gjë, ndërsa ndjeshmëria popullore është tjetër gjë.
Dakord. Mirëpo këtu mund të pyesim se si është përftuar kjo “ndjeshmëri popullore.” Ja, sot m’u fut një “intelektual lezhian” në FB dhe më la të kuptoj se ishte fyer, ai dhe shumë të tjerë, nga çfarë kisha shkruar unë.
Dhe veçanërisht, ngaqë kisha thënë se “Lezha nuk u ka bërë ndonjë qëndresë osmanëve” dhe se “Lezhën e ka marrë kush ka dashur” dhe kushedi për ç’tjetër. Unë këtë e thashë ngaqë Lezha nuk mund të mbrohej dot, për shkak të gjeografisë së saj; por ky më shkroi se e kisha nxjerrë Lezhën si të ishte ndonjë grua moralprishur që ua jep të gjithëve.
Po parafrazoj natyrisht. Kush është kurioz, le të shkojë dhe të lexojë te faqja ime atje.
Tani, nga sa dyshoja që nga deklarata e “Forumit të historianëve” të Lezhës, dhe nga sa më konfirmoi ky koleg, këta njerëz, që u ngritën njëzëri kundër restaurimit të një mbishkrimi, qenkan të bindur se Lezha paska qenë bastion i rezistencës anti-osmane dhe se te kalaja lart në kodër qenka bërë kërdia. Edhe pak dhe do t’i kërkojnë reparacione Turqisë për të vrarët!
Dhe unë pyes: nga u bindën këta kështu? Si u bindën? Këto nuk thuhen në asnjë libër serioz historie. Këto janë përralla me mbret.
Më tej akoma: sa mund të tolerohet, kështu në nivel të përgjithshëm, që lezhianët e sotëm të identifikohen me ata të 5 e kusur shekujve më parë? E kam fjalën, a duhet të ndihen lezhianët e sotëm të lënduar thellë, që osmanët kanë bënë masakra ndaj banorëve të atëhershëm të Lezhës?
A fyhen këta të sotmit, po t’u thuash se banorët e Lezhës venedikase, kur panë që u afruan osmanët, ikën me të shpejtë drejt detit dhe e braktisën qytetin? Sepse shumë burime historike e thonë këtë.
Dhe në vazhdim: a është e pandjeshme t’u thuhet këtyre të sotmëve se nuk kanë ndonjë lidhje kështu të drejtpërdrejtë me qytetarët e Lezhës venedikase (të cilët nuk e dimë mirë as ç’etnie i përkisnin)? Në kuptimin që nëse ka ndonjë trashëgimi të Arbërisë Venedikase sot në Shqipëri, ajo u përket gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm lezhianëve, madje as vetëm lezhianëve të besimit katolik?
Edhe unë jam dakord që përfytyrimet popullore për historinë nuk kanë shumë lidhje me dijen; mirëpo le të hedhim një sy se ç’ndodh në Maqedoninë fqinje: sipas teje, do të ishte e pasjellshme, t’u thoje fqinjëve që ata nuk kanë ndonjë lidhje me Aleksandrin e Madh, të cilin kanë vendosur ta nderojnë në mes të Shkupit?
Me një fjalë: në raste të tilla, ndjeshmëria popullore është rezultat i indoktrinimit; nuk ka ardhur ashtu vetvetiu.
Xha xha,
pikerisht kete them une. Eshte e pasjellshme t’u thuash maqedonasve te sotem se nuk kane lidhje me Aleksandrin e Madh, sepse do te fyheshin. Eshte çeshtje ndjeshmerie. T’u thuash italianeve sot se nuk kane shume lidhje me banoret e Perandorise Romake nuk u mbetet fare hatri, ndersa t’u thuash grekeve te sotem se nuk mund t’i bien gjoksit me grusht per bemat e grekeve te lashte, do te ishte e pasjellshme sepse ata fyhen. E verteta eshte nje gje, ndersa ndjeshmeria dhe miresjellja eshte tjeter gje. Qe ta ekstremizoj, eshte njesoj si t’i thuash nje besimtari te krishtere se bibla eshte perralle, se shkenca nuk e pranon qe Maria ta kete ngjizur Krishtin me frymen e shenjte etj. etj. Eshte e pasjellshme.
Meqe te permenda italianet, te sjell edhe nje shembull tjeter ekstrem, per hir te argumentit:
Ti i ke pare shtatoret e Garibaldit neper sheshet kryesore te qyteteve italiane.
Kujtesa popullore dhe historiografia zyrtare, sidomos ajo shkollore, Garibaldin e kane shpallur shenjtor per arsye qe i dime te gjithe. Mirepo ka edhe nje te vertete historike qe na thote se Garibaldi, ai heroi i dy boteve i teksteve zyrtare, ne te ri te tij ushtronte zanatin e piratit dhe kusarit, vriste, priste, vidhte e grabiste. Mbante floke te gjate per te mbuluar nje vesh te prere qe ia kishte keputur me dhembe nje vajze kur ky perpiqej ta perdhunonte. etj. etj. Historianet na thone se edhe keto jane te verteta. Mirepo eshte e paperfytyrueshme t’i lexosh keto te verteta ne nje tekst shkollor, ose ne piedestalin e nje shtatoreje te Garibaldit. Pikerisht per hir te asaj ndjeshmerie popullore per te cilen flisja.
Sa per “te verteten” historike, une e shkruaj gjithmone mes thonjezash, sepse ajo eshte thjesht iluzion, a me mire te them, eshte objekti ideal drejt te cilit synohet te shkohet, me vetedijen e plote se nuk ka per t’u arritur kurre. Kete historianet e dine mire. Nuk ka nje, por shume te verteta historike. Varet nga pikeveshtrimi, nga burimet qe perzgjidhen, nga synimet e atyre qe i hartuan burimet e nga nje sere faktoresh te tjere qe nuk eshte vendi t’i rendis ketu. Komentuesi “Postbllok Reviste” permendi nje fjale qe permbledh gjithe thelbin e çeshtjes: “KRITIKA E BURIMEVE”. Ky togfjalesh i thote te gjitha. Historiografia serioze eshte ajo qe i analizon ne menyre kritike burimet. Por qofte burimet, qofte kritika e tyre, ne thelb jane thellesisht subjektive. Prandaj edhe thuhet se historiografia nuk eshte shkence e sakte, nuk eshte objektive.
Me ka thene nje here nje mik historian: “Merr rastin e 5 veteve qe kane ngrene darke bashke ne nje restorant para dy javesh. T’u kerkosh atyre sot te pershkruajne me shkrim hollesisht daten dhe oren, menune, mjedisin, mobilimin, sjelljen e kamarierit, çmimet, pershtypjen e pergjithshme, shijen qe u lane gjellet etj. do te marresh si rezultat 5 shpjegime te ndryshme, e ndonjehere te kunderta. Cila eshte “e verteta” historike e asaj darke? Si do te duhet ta shkruajne historianet e ardhshem te verteten historike te asaj darke, bazuar mbi ato 5 pershkrime?”
“E verteta” historike ne rastin e pllakes sone eshte se ti nuk mund te vendosesh nje pllake turke me alfabet arab ne murin e kalase se Lezhes, ku pak me tej ke memorialin e Skenderbeut dhe te Lidhjes se Lezhes, ne nje qytet te banuar kryesisht nga katolike, ne kushtet dhe rrethanat aktuale ku ekuilibrat fetare po behen gjithmone me te brishte. Kjo “e vertete” eshte me e forte dhe me e vertete se çdo lloj “e vertete” tjeter akademike.
Ato “te vertetat” qe rendit ti, mund t’i shkruash fare mire neper libra dhe monografi shkencore, te kundershtosh e te debatosh me historiane dhe autore te tjere, por nuk ka nevoje te dalesh neper rruge e t’ua kendosh njerezve me altoparlant diten e pazarit. Eshte e pasjellshme!
Dakord Relapso – por dhe jo. Sepse jam dakord që historiografia nuk është shkencë por dije; por nuk jam dakord që, ngaqë është dije, duhet trajtuar si të ishte fe.
E di që ti nuk e thua këtë; por ajo që ndodh në Maqedoni sot, dhe që në përmasa shumë të vogla ka ndodhur dhe ndodh edhe te ne, është përdorimi i historisë nga një ideologji: kombëtarizmi, e cila kur thjeshtohet në rrafshin vulgar, merr edhe ajo trajtat e një feje.
E kanë thënë edhe të tjerë: kombëtarizmi është ajo fe ku kombi adhuron vetveten si të ishte Perëndi.
Tani, unë nuk jam që të dalim në Lezhë dhe të shpjegojmë gjërat me altoparlant; as në Lezhë as në Gjirokastër, madje as në Tiranë. Por jam për atë që tekstet e historisë, ku kullotin të gjithë këta njerëz, të spastrohen seriozisht nga kombëtarizmi. Kombëtarizmi, kur mësohet në shkollë, pjell ngushtësi mendore, intolerancë, ksenofobi, frikë dhe ndonjëherë edhe fashizëm.
Natyrisht, nuk është se po them që të zëvendësohet një histori me një tjetër – aq më tepër që, sikurse e shohim edhe në këtë debat, nuk ekziston ndonjë variant “i vërtetë” i historisë, por vetëm përqasje pak a shumë të arsyeshme.
Çfarë duhet mësuar në shkollë, besoj unë, nuk është historia e revizionuar; por vetëm ideja që historia – përfshi edhe historinë e kombit tonë – ekziston në trajta paralele, shpesh të papajtueshme ose kontradiktore mes tyre.
Me fjalë të tjera, pluralizmi i dijes.
Nuk ka asgjë të keqe të thuhet se nuk e dimë me siguri se ku është varrosur Skënderbeu: në kala sipër apo atje ku është ngritur monumenti i vendvarrimit. Kjo madje do t’u nxitë fëmijëve kurreshtjen për të zbuluar, për të mësuar më tej, për të pyetur.
Nuk ka asgjë të keqe të thuhet se ne nuk dimë me siguri përbërjen etnike të disa qyteteve të bregdetit shqiptar të periudhës para-osmane: Durrësit, Vlorës, Lezhës, Shkodrës e më tej.
Përkundrazi, është e dëmshme, e gabuar dhe krim ndaj fëmijëve, t’ua zëvendësojmë atyre vizionin e historisë si një mbivendosje versionesh jo kret të përputhshme, me një narrativë gati fetare, etnocentrike (shqiptarocentrike). Kjo e dyta na veçon nga bota, njëlloj siç janë veçuar, madje janë bërë gaz i botës, maqedonasit e Shkupit.
Nëse duam fe, atëherë fetë i kemi me bollëk – mjaft të zgjedhësh (më duket se gjen edhe mormonë tani). Por feja ka specifikën e vet. Nuk e lë unë mësuesi priftin apo hoxhën të më futet në klasë dhe të më thotë se e ke gabim teorinë e evolucionit ose astronominë ose ku di unë ç’tjetër.
Dhe meqë flasim për fetë: kombëtarizmi është i rrezikshëm, por kur përzihet edhe me fenë, shndërrohet në dinamit. Unë shoh një prirje, shpesh agresive, për ta identifikuar kombëtarizmin me katolicizmin shqiptar: e cila nuk i shërben kujt, madje as atyre që po e promovojnë.
Shqiptarët nëse ekzistojnë si komb, e bëjnë këtë duke u marrë vesh t’i injorojnë dallimet fetare mes tyre. Ose të mësojnë të sillen me Tjetrin sikur ky të ishte i së njëjtës fe me ta. Edhe shkolla këtë duhet të synojë – sepse ekuilibrat fetarë janë shumë delikatë në vetvete, por bëhen edhe më delikatë, kur vëmendja institucionale përqendrohet artificialisht vetëm tek njëra fe.
Relapso, nuk po kuptoj çfarë sugjeron. Mos vallë duhet t’i mbulojmë apo t’i çmontojmë gjithë gjurmët e Perandorisë Osmane, sepse nuk na pëlqen ideja? Je duke shprehur pikërisht atë ide që kundërshton vetë shkrimi i Xhaxhait: falsifikimin e historisë për “arsye kombëtare”. Mos harro, je duke thënë të njëjtën gjë edhe me kërkesën që bëri Turqia para ca kohësh, rishikimin e teksteve të historisë, dhe heqjen e atyre pjesëve ku osmanët paraqiten si pushtues, vrasës, plaçkitës. Sipas variantit “modern”, shqiptarët ishin “bashkëadministratorë” me osmanët. (Kjo, e vërtetë, por brenda kufijve të veta, gjithsesi.) Dhe, si rrjedhojë, nuk kuptoj, po flet si lezhjan-katolik i ofenduar, apo si osman i rimishëruar?
Injoranca e “vandaleve” te Lezhes dhe ajo e “eksperteve” te Ministrise se Kultures eshte ne proporcion te drejte me duket. Ka vetem nje dallim: te paret paguajn rrogat e te dyteve. Ne pak fjale, rikthehemi tek problemi i “tenderit te Sulejmaneve te rradhes”.
Që nga faqja e vet në FB, Aurel Plasari kundërshton një gjë fare anësore në shkrimin tim, duke vënë në dukje se Lezha u paska bërë rezistencë të madhe turqve në vitet 1470, dhe pastaj përmend disa kronika osmane të kohës.
Shkruan:
Si i fushës që është, do të ketë të drejtë – por unë nuk e gjeta dot këtë fakt në burimet që pashë, duke filluar nga shënimi i ekspertit Karaiskaj.
Karaiskaj citon Ippen-in, i cili shkruan për kështjellën veneciane të Lezhës, e cila ka qenë kalaja e poshtme në Breg të Lumit, JO ajo e rindërtuar nga Sulejmani: “Dukagjinasit i dorëzuan venecianëve këtë kala. Në vitin 1478, ndryshe nga kalaja e Shkodrës e cila i bëri rezistencë të gjatë turqve, banorët e Lezhës, ngaqë ishin të pambrojtur, u shpërngulën në ishullin e Lezhës.”
Ja edhe Oliver Jens Schmitt-i:
“Lezhën venedikasit e braktisën në panik, kur morën lajmin e marshimit osman. Osmanët iu qepën nga pas arratiakëve dhe u ngjitën atje dhe mbi anijet e tyre në ujërat e cekëta të Drinit.” [Skënderbeu, f. 416]
Ja edhe “Historia e popullit shqiptar I”:
“Në 5 shtator [1474] trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit, që ishin strehuar në Ishullin e Lezhës, u kapën dhe u vranë përpara mureve të kështjellës së Shkodrës.” [TOENA, 2002, f. 471]
Mua kaq më mjafton dhe më tepron, për argumentin që dua të shtjelloj, i cili nuk ka natyrë historiografike. Sa për kronikanët osmanë, po mjaftohem të shtoj se ata e kishin zakon t’i ekzagjeronin fitoret e ushtrive osmane, sikurse e kishin zakon t’i minimizonin humbjet; dhe këtë Plasarit nuk ka nevojë që t’ia kujtoj unë.
Sikurse nuk ka nevojë që t’ia kujtoj se fyerjet dhe epitetet për kolegun i vijnë në gojë dikujt që e ka humbur debatin që pa e nisur mirë (e them këtë, ngaqë nuk e akuzoj dot këtë njeri se është amator ose gjysmak ose i vonuar në formimin e vet intelektual, ngaqë ia kam vlerësuar dhe ia vlerësoj punën).
Megjithatë, nëse u ka bërë apo jo rezistencë osmanëve Lezha venedikase, kjo është diçka krejt anësore për argumentin tim; madje po ta kem kuptuar drejt Karaiskajn, kjo rezistencë nuk ka ndodhur te kështjella/kalaja e sotme (ku edhe u rivendos pllaka) por tek një kështjellë tjetër poshtë në fushë.
Por këto janë gjithsesi fakte dhe argumente historike, të cilat unë i mësoj nga historianët, përfshi këtu edhe Plasarin vetë. Më vjen keq për gjuhën që përdor Plasari në reagimin e tij – prej tij prisja një farë klasi tjetër.
Nuk po arrij t’i përgjigjem Plasarit drejtpërdrejt në faqen e tij, sepse nuk qenkemi “friends.”
Kronistët osmanë kopjojnë rëndom njëri-tjetrin, prandaj roli i historianit, ku Plasari përkundet, është analiza kritike e burimit, përveçse përzgjedhja sipas preferencave.
1 – Selami Pulaha, historiani që ia ka mundësuar citimin e mësipërm Plasarit, është i mendimit se vepra e Këvamiut «nuk ka ndonjë vlerë të madhe si burim bashkëkohës», për shkak se ngjarjet «janë përshkruar cekët dhe në një forme shumë të mangët». Pulaha arrin në këtë konkluzion duke iu referuar Franz Babinger-it, një studiues i mirënjohur i burimeve osmane (Pulaha, 1968: 110). Për më tepër Plasari e ofron burimin/ilustrimin të cunguar. Fjalia vijon: «e cila [kështjella e Lezhës] ishte liman dhe ndodhej në bregdetin e atij vendi dhe të përpiqeshin për pushtimin e saj». Pak reshta me poshtë Këvamiu përsërit pozicionin bregdetar të kështjellës: «Kur të gjithë komandantët […] mbërritën të kështjella e Leshit që ndodhet në brigjet e detit, të pafetë dhe paganët […] u tmerruan, nuk i nxinte më vendi, por menjëherë futën në anije familjet e tyre, njëkohësisht ngarkuan edhe plaçkat. Nga ana tjetër ata me duart e tyre i vunë zjarrin kështjellës dhe u larguan në drejtim të detit. Ushtria islame vendosi një top në breg të detit, pranë kështjellës» (Po aty: 23). Deduktohet se kështjella e përshkruan nga Këvamiu nuk është ajo që bën hije sot mbi Lezhë, ose duhet të besojmë se deti është tërhequr. Edhe në qoftë, ishin lezhjanët që e dogjën. Kështu rrëfen burimi.
2 – Tursuni , me gjasë i vetmi nga të sipërcituarit që mori pjesë në fushatën e Shkodrës, shkruan:
«Fortesa e Shkodrës gjendet në maje të një kreshte shkëmbore të lartë e të paarritshme, me sipërfaqe të gjerë. Nga të katër anët ajo ka hone. Nga njëra anë sheh bregun e Bunës, një lum plot ujë i ngjashëm me Nilin […]. Përveç kësaj fortese ishin edhe tri të tjera po aq të rëndësishme. Njëra është fortesa e Drishtit […]. Pastaj është fortesa e Zhabjakut, që mbron liqenin, një liqen që do të ishte e pranueshme ta quanim vëllanë e vogël të Detit të Zi […]. Fortesa e Lezhës që është e ndërtuar në vendin kur lumenjtë Drin e Buna bashkohen në një rrjedhe uji të gjerë si vetë deti» (Tursun Beu, 2011: 193).
Praktikisht Tursun beu i pozicionon dy kështjellat në një vend. Edhe Tursuni pranon se, «njëherësh me arritjen e ushtrisë fitimtare, nga deti mbërriti një flotë e madhe galerash», «gjatë natës banorët e Lezhës u vunë zjarrin banesave të veta dhe hipën në anijet e të pafeve» (Po aty: 195). Pas kësaj ngjarjeje rrëfen atë pjesë që mjeshtërisht Plasari ka shkëputur.
3 – Edhe Bitlisi e ka të paqartë pozicionin e Lezhës ose, më saktë, e ngatërron me Shkodrën (Pulaha: 166). Siç e ka cituar edhe Plasari, rrënimi i kështjellës u krye, por pas pushtimit, çka do të thotë se nuk ishte pasojë e luftës së “lezhjanëve” – mes të cilëve Bitlisi kujdeset të përmendë frëngët, ndërsa Plasari i thjeshton për ta enticizuar konfliktin – por zgjedhje e diktuar nga faktorë të panjohur: «me që kështu e donte puna» (Po aty: 171). I rëndë qe ndëshkimi i drishtjanëve të mbetur, por kështjella u rindërtua, e nëse rrënimi i kështjellës së Lezhës vërteton pjesëmarrjen e Lezhës në luftë, rindërtimi i kështjellës së Drishtit nuk do të thotë se banorët e asaj fortese nuk morën pjesë në luftë. Argumentimi teorik i përdorur nga Plasari është i pavlefshëm.
4 – Ibn Kemali ose Kemal Pashazade ishte 10 vjeç kur ndodhen ngjarjet dhe duke konsideruar të njëjtin pozicionim të gabuar të Lezhës (Po aty: 218-219), njohuritë e tij mbi ngjarjen duhet të jenë të huazuara. Ashtu si te Tursuni, që duket burimi i Ibn Kemalit, edhe këtu rrëfehet se «në mbrëmje ata [banorët] i vunë zjarrin të gjithë kalasë dogjën krejtësisht ç’kishte brenda […]. Ata me duart e veta e dogjën vendin e tyre dhe me veprimet e tyre tiranike shkatërruan çdo gjë» (Po aty: 223).
5 – Mynexhimbashi (shek. XVII) shkruan se banorët e dorëzuan kështjellën (Po aty: 317). Sollakzadja dhe Hoxha Saddedin flasin për pushtim, gati si dorëzim (Po aty: 305-306). Aliu shkruan se e rrënuan (Po aty: 288).
Nga tetë burimet, pesë e përmendin shkatërrimin e kështjellës. Nga këta pesë, tre, praktikisht 75% e referencës së Plasarit, pranojnë qartësisht se kështjellën e dogjën banorët e saj. Kjo nuk i shfajëson osmanët nga të qenurit pjesë e këtij shkatërrimi e as nuk kundërshton faktin se “Lezha është marrë me luftë” (po cilët lezhjanë ama?), por një historian (“i ndershëm”) duhet t’i pasqyrojë ngjarjet siç janë e jo siç i shkon për shtat, pra te pasqyrojë ngjarjen përmes burimit në tërësinë e tij dhe jo burimin si mozaik. Më shumë se pjesëmarrjen e Lezhës në luftë, Plasari përpiqet të evidentojë shkatërrimin e kështjellës nga osmanët, ndërsa, siç e pohojnë 75% e burimeve të tij, ata trashëguan një objekt të rrënuar. Në gjuhën akademike do të quhej ‘pasaktësi’. Në gjuhën e Plasarit është diçka tjetër.
Me ato fragmente Plasari ka vepruar identik si te libri mbi Skënderbeun, e nuk po e komentoj atë të fundit apo të “hershmin” ‘Rrëmbimi i Europës’. Nuk po hyj pastaj te gjuha e Plasarit. Mjafton për këtë të lexohet ‘Rrëmbimi i Europës’ ose ndonjë “replikë” te Panorama. Aty ilustrohet edhe katandisja jonë elitare, që shpjegon mjaftueshëm aresyen e ekzistencës së mjeranëve shkatërrues të trashëgimisë kulturore. E në vend që Plasari të distancohet qartësisht nga vandalizmi, i ofron llogores baza teorike. Kjo për mua është më e ulët se spekullimi.
Të dhëna për kalanë e Lezhës – këtë të pllakës – jep edhe Machiel Kiel, në monografinë “Arkitektura osmane në Shqipëri 1385-1912”. Citoj nga përkthimi i Holta Vrionit:
Kur kalaja [e Lezhës] u rindërtua në vitet e para të mbretërimit të sulltan Sulejmanit, u përdorën gjerësisht themelet e saj antike dhe ato bizantine. Sipas Von Shuflajt, më 1398 kalaja ishte ndërkaq një rrënojë edhe pse hijerëndë. Kërkimet e fundit shqiptare kanë mundur t’i gjejnë këto mbetje para-osmane. […] Në kohën kur e vizitoi Shuflaj, gjendej ende një mbishkrim osman mbi hyrjen kryesore të kalasë, i cili cilësonte se kalaja ishte rindërtuar nga “Sulltan Selimi” (1512-1520). Mbishkrimi ishte zhdukur dekada më parë, por u rigjet sërish nga Frano Prendi, i përfshirë në muret e një shtëpie në Lezhë.
Brenda mureve të kalasë gjenden rrënojat e një xhamie të ndërtuar nga sulltan Sulejmani. Dikur mendohej se kjo xhami ishte ngritur mbi rrënojat e një katedraleje të vjetër, por kërkimet e Prendit e provuan këtë teori të pabazë. Në kala në fakt nuk ka pasur asnjëherë ndonjë kishë.
Sipas Kiel-it, arkitekti Dervish Mehmed bin Uzguri, që përmendet në mbishkrim, “është me siguri një anëtar i familjes së njohur fisnike Skura.”
Disa gjëra për t’u vërejtur në bazë të sa më lart:
Kalaja e Lezhës, edhe pse me origjinë të hershme, ishte rrënojë që në vitin 1398, ose shumë dekada para periudhës së Skënderbeut.
Sulltan Selimi ka hyrë në këtë muhabet pas një gabimi në atribuim, që ka bërë Shuflaj.
Pas çdo gjase, kalaja në kodër nuk ka luajtur asnjë rol gjatë luftrave të arbërve dhe venedikasve kundër osmanëve, thjesht ngaqë në atë kohë ishte gërmadhë.
Xhaxhai: “Kalaja e Lezhës, edhe pse me origjinë të hershme, ishte rrënojë që në vitin 1398, ose shumë dekada para periudhës së Skënderbeut.”
Mu duk me interes ta lidh kete “konkluzion” me komentin e PostBllokut duke iu referuar Franz Babinger-it, si nje burim me te besueshem.
Eshte pikerisht Babinger-i qe ne librin e tij ndoshta me te njohur “Mehmed the Conqueror and His Time”, qe shkruan se: “The second campaign against Albania had not turned out as the Ottomans wished, and beyond a doubt that mountainous country with its freedom-loving inhabitants would soon have called Mehmed to new and difficult tasks if once again fate had not come to his assistance:taken with a malignant fever, Skanderbeg died on January 17, 1468, in the castle above Alessio in Upper Albania after a brief illness.”
Nese do ta marrim kete pohim si te mireqene, mendoj se Skenderbeu nen kujdesin e Signoria-s ne ditet e fundit, nuk do te jete dergjur i rrethuar nga rrenojat e nje keshtjelle, ne qiell te hapur. Aq me teper qe Lezha ishte administruar nga Venecianet, ashtu si edhe Shkodra e Durresi duke ofruar veten nen skeptrin e liges te Stato Da Mar qe ne 1392 e ndoshta me heret. Po ashtu mund te thuhet se per periudhen ne fjale e vetmja shprese per nje qender urbane sic ishte Lezha, per tu mbrojtur, per te mos rene ne duart e cfaredo ushtrie mbeteshin qendrat e fortifikuara, keshtjellat.
Dhe nje gje tjeter, ka patur dhe ka vecse nje Kala ne Lezhe, maje nje kodrine simetrike jo shume te pjerret dhe jo shume te larte te rrethuar dikur ne te shumten nga mocalishtet e krijuara nga ujrat e Adriatikut dhe Drinit. Lezha ka qene nje vend ideal per gjueti shpezesh te egra dhe peshkim.
Ishte e pamundur te ndertohej nje kala ne ujrat mocalore poshte kalase aktuale. Qe situata ujore perreth kalase ishte e tille, kishte te bente me natyren, proceset bregdetare(coastal processes), qe ne rastin me te mire, ndertonin kete “buffer zone” natyrale mocalesh per te mbrojtur brendatoken. Lezha sot eshte rezultat i nderhyrjes se njeriut, qe kujton se mund te fitoje betejen me natyren dhe proceset bregdetare.
Në fakt ka edhe një tezë se Skënderbeu jo vetëm ka vdekur, por edhe është varrosur te kalaja në kodër (ajo e pllakës). Këtë e përsëritin shumë udhëtarë perëndimorë që vizituan trojet shqiptare në shekullin XIX, me siguri duke ia përcjellë njëri-tjetrit dhe nga ku e ka marrë Babinger-i. Një analizë të hollësishme të kësaj teze e gjen te “Skënderbeu” i Kristo Frashërit. Kam përshtypjen se teza tjetër, që Lezha ka pasur një kështjellë buzë detit, është më e re dhe mbështetet në të dhëna arkeologjike dhe arkivore të shekullit XX.
Te shohesh my sy analitik/kritik faktet qe i perkasin nje periudhe gjysem mijevjecari me heret dhe te revizionosh historine, praktikisht mbetet nje detyre e pamundur.
Po flitet per nje periudhe qe kane sunduar tre sulltane, Murati i II-te, Bajaziti i II-te dhe Selimit. Murati i II-te e ndihu edhe fati me vdekjen e Skenderbeut, qe e hodhi eliten feudale shqiptare ne kunfuzion dhe panik total, pasi shumica e kishte abandonuar ate kohe me pare.
Tranzicioni i zoterimeve venedikase ne duart e osmaneve, zgjati per me shume se dy-tre-kater dekada. Lezha pas nje rimarrje te shkurter nga Venediku 1501-1506 iu rikthye perfundimisht turqeve, sulltan Bajazitit te II-te, por pasi ishte braktisur e shkaterruar, djegur, duke shembur, rrezuar edhe muret mbrojtese prej vete ikanakeve. Ishte akti i fundit i deshperimit, kur te gjitha shpresat per tu rikthyer serisht ishin humbur. Por nuk mund te revizionohet sot si akt vandalizmi, mungese civilizimi. Dhe ti njihet sulltan Selimit, si nje akt i lavderueshem, rindertimi i saj.
Sulejmani beri rindertimin e kalase. Si mund ta interpretojme kete akt? Mendoj se shpjegimi me elementar mund te jete nje shenje e stabilizmit te sundimit perandorak ne keto vise qe do te ishte i gjate. Akti i tij nese do te shihet si akt historik, mund te konsiderohet vecse si nje lloj vendosje e sovranitetit osman per shekujt e ardheshem. Popullsia origjinale vendase, nese nuk ishte shkuar ne shpate apo skllaveruar, kishte marre malesine. Kalate gjithmone restaurohen nga sundimtaret e rinj.
Nuk mund te gjej e nuk jam ne dijeni te ndonje teze revizionuese rreth ekzistences te ndonje keshtjelle tjeter ne Lezhen venedikase apo qe Skenderbeu te ishte varrosur ne ndonje kishe tjeter, pervecse ne katedralen e dioqezes te Lezhes. Logjika ta thote qe si qytetar i nderuar i Venedikut, rangu dhe pozita e tij, do ta kerkonte qe te varrosej ne oborrin e Shenkollit.
Do ishte me interes te silleshin ketu te dhenat arkeologjike apo dokumentare, qe do t’i benin nje sfide geomorfologjise te marsh-eve te Lezhes, per ta mbrojtur ate si qytet. Ndoshta edhe mundet, perderisa ndertime dhe jete urbane eshte ndertuar edhe mbi marsh-e, mocale. Kemi shembull Venecian.
Citoj nga Gjerak Karaiskaj, Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri (theksimet janë të miat):
Kalaja mesjetare e Lezhës, duke përfshirë në të krejt fazat e evolucionit të saj, përbëhet nga disa pjesë: kështjella, qyteti i fortifikuar, i cili ndahet nga një mur tërthor me qytetin e sipërm dhe të poshtëm dhe më në fund kështjella e poshtme që shtrihet në zonën fushore midis lumit dhe kodrës. Kështjella e sipërme zë pjesën më të lartë të kodrës dhe ka formën e një shumëkëndëshi të çrregullt. Ajo ndjek linjën e Akropolit të dikurshëm të Lisit.[…]
Në pjesët fushore të Lezhës, midis lumit dhe rrëzës së kodrës, kohët e fundit, gjatë prishjes së banesave të dëmtuara nga tërmeti i 15 Prillit 1979, u zbuluan trakte muresh mbrojtëse, që i përkisnin një kështjelle, të cilën për ta dalluar e kemi quajtur «kështjella e poshtme».
Kështjella e poshtme ka pasur një planimetri drejtkëndëshe të përzgjatur në drejtimin veri-jug. Muri perëndimor i kështjellës është ngritur mbi linjën e murit antik që rrethonte dikur qytetin e poshtëm, ndërsa si mur verior është shfrytëzuar muri mesjetar i hershëm me kontraforte, i cili shkon paralel me të parin, i spostuar nga ai rreth 65 m më në thellësi të vendbanimit, ndënsa muri jugor i kështjellës bashkonte këto dy linja më të vjetra fortifikimesh. Në drejtim të veriut kështjella e poshtme mund të ndiqet deri në një largësi prej 150 m, më tej gjurmët humbasin, kështu që nuk dimë nëse ajo bashkohej me murin verior të qytetit antik apo përfundonte diku para se të arrinte tek ai, por më i pranueshëm është varianti i parë. Muret e këtij fortifikimi përforcoheshin në intervale të caktuara nga kulla katërkëndëshe, tri prej të cilave dëshmohen nga gjurmët e ruajtura. Edhe në kështjellën e poshtme dallohen dy periudha ndërtimi. Periudhës së parë i përket një trakt i murit jugor me gjatësi rreth 30 m dhe trashësi 4 m, ndërsa gjithë pjesa tjetër e kështjellës, muret e së cilës kanë një gjerësi prej 2.50 m, i përket një periudhe më të vonë.
[fund i citimit]
Tani shikoje me kujdes, Read Me, këtë hartë të Lezhës, ku kam shënjuar, me yje, pozicionin e kështjellës së sipërme dhe vendin ku mendohet se është varrosur Skënderbeu, duke pasur parasysh çfarë thotë Karaiskaj më lart; dhe pikërisht që kështjella e poshtme gjendej në pjesët të qytetit fushore, midis lumit dhe rrëzës së kodrës.
https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/10/lezha-harta.png
Nëse është kështu, atëherë gjasat janë që Skënderbeu të jetë varrosur brenda në kështjellën e poshtme, jo tek ajo e sipërmja, e cila ishte rrënuar prej kohësh (sipas Shuflajt). Babingeri, dhe të tjerët para tij, do të jenë ngatërruar, ngaqë nuk e kanë ditur se në Lezhë kishte edhe një kështjellë të poshtme, e cila ishte shkatërruar më pas dhe ishte mbuluar me dherat (pas gjase sedimentet që sillte Drini). Kjo pajtohet edhe me të dhënat e tërthorta që sjellin kronikanët osmanë.
Padashje po bejme arkeologun dhe historianin. 🙂
Besohet sic permenda dhe me pare se Skenderbeu eshte varrosur ne katedralen e Lezhes. Sot ne diskutim eshte vendodhja e kesaj kishe.
Sic konfirmohet edhe ne harte, duke iu referuar edhe citimit te librit te Karaiskajt, Lezha ka qene e rrethuar nga mure mbrojtese qe ne antikitet.
Germimet e mevoneshme kane konfirmuar ekzistencen e mureve fortifikuese ne krahun shkembor lindor te Drinit, po ashtu edhe zbulimin e nje pagezore ne afersi te Memorialit te Skenderbeut. Flas jo per vitin 1981 kur eshte botuar libri, por ne vitet 2006-2015.
Mendohet se Lezha urbane venedikase ka pasur si qender te veten zonen perqark Memorialit te sotem, ku mendohet se ka ekzistuar edhe katedralja e Shenkollit. Besoj se kjo eshte e justifikueshme, duke e menduar kishen si nje objekt te rendesishem te jetes urbane.
Mendohet se mjete lundrimi te vogla i qaseshin kesaj zone dhe ankoroheshin ne afersi te njeres prej portave te qytetit te ndertuara ne murin mbrojtes. Kjo jo nepermjet detit, por lumit Drin qe mendohet se kishte prurje me te medha ne ate kohe, para disa devijimeve natyrore me ne veri dhe ne afersi te Shkodres.
Kjo zone e urbanizuar justifikohet edhe nga topografia e ngritur, e mbrojtur. Mendoj se zhvillimi urban nuk mund te lihej ne meshiren e Drinit apo Adriatikut. Njerezit ishin me te perulur karshi trilleve te kohes dhe natyres.
Keshtu qe muret mbrojtese dhe qendra urbane ndertoheshin atje ku e justifikonte topografia, ne rreze te kodres ku ne lartesi ngrihet kalaja e Lezhes. Kish prandaj nuk mund te ishte ne anen perendimore te Drinit, ne zonen qe vazhdimisht permbytej, me afer detit.
Xhaxha, per te kompletuar dhe vizualizuar me qarte komentet e mija te meparshme, po sjell nje link qe sapo gjeta qe na jep nje pamje me te qarte te shtrijes se qytetit te Lezhes, mureve dhe fortifikimeve qe prej antikitetit.
Pra Lezha urbane(pjesa e poshte dhe e siperme e qytetit) shtrihej vecse ne brigjet lindore te Drinit, rreth 3 km larg brigjeve ekzistuese te Adriatikut, apo 2 km prej lagunes.
http://archaeologie.uni-graz.at/de/forschen/projekte/abgeschlossene-projekte/lissos-albanien/
“Kryengritësit që gjendeshin brenda kështjellës së Leshit dhe kufomat [e të vrarëve] u dogjën krejtësisht; tymi i tyre pushtoi horizontin dhe ngjeu kupën e qiellit.” (Ibn Kemal)
Në turqishten e origjinalit fjala ‘kufomë’ del zakonisht si ‘lesh’ dhe ka fare pak mundësi që Ibn Kemali me shokë ta kenë lënë t’u ikë dore rastin e artë për të konfirmuar, si e do zakoni, poetikisht, historinë në këtë ogur të rradhës. Imagjino të të ofrohet falas toponimia për një fushëbetejë të përkryer fitoreje, sa e vogël bëhet pastaj mundësia, me kalimin e kohës, të mos e kremtosh fitoren – deri në kupë të qiellit.
Kurse Evlija Çelebiu, duke përshkruar Lezhën, transmeton dhe anekdotën me Mehmet Fatihun, që pasi ua merr “me vështirësi” kështjellën vendore venedikasve, e krahason atë me një luan, pra “lejs” (turqishtja e origjinalit arab “lejth”). Sepse sulltani ngadhnjen vetëm mbi luan, meqë ia do rangu.
“Pas betejës ajo u quajt Kalaja Luan (Kale-yi Leys), por pak e nga pak Leys (“Luan”) erdhi e mori trajtën Lesh (“Kufomë”).”
Sic transit gloria mundi.
(Citimi nga “Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër”, Tiranë: 2008)
Ps: Ajo që kuptojmë sot me shprehjen “e bëri lesh filanin” (e dërrmoi, e degjeneroi etj) dikur nuk ka qenë edhe kaq e butë si shprehje (nëse i besojmë shembullit tek fjalori i Dizdarit).
Relapso, je ngutur kur merr në konsideratë ndjesitë e njerëzve për kultin e shenjtorëve të feve të ndryshe në vijim të një diskutimi për një të vërtetë objektive historike. Ose ke bërë një lajthitje, e cila shpjegon edhe thelbin e problemit. Është një gjë feja dhe dija e buruar prej saj, e cila mbështetet në mit, dhe është një gjë tjetër historia, e cila në vetvete analizon edhe fenë vetë në vijim të analizës së proceseve historike.
E vërteta objektive historike, edhe pse duket si diçka e pamundur ekziston dhe mund të përkufizohet si nivel i dijes momentale, i mbështetur në konkluzionet e nxjerra nga analiza objektive e njohurive të mbledhura deri në momentin në fjalë. Dalin njohuri të tjera, dija zhvillohet në një nivel të ri dhe kjo dije e re e fituar vlen si e vërtetë historike objektive. Më fal që po shkruaj gjëra që me siguri i di shumë mirë dhe nuk dyshoj, që ndoshta edhe më mirë se unë, por do të doja të dilja diku tjetër. Kur kërkon që disa të vërteta historike të vështrohen në kombinim dhe për pasojë në funksion të ndjesive emocionale të popujve apo komuniteteve fetare të caktuara e zhvendos argumentin tënd detyrimisht përtej kufijve të shkencës. Sepse në fund të fundit, në rast se ky apo ai sulltan paskan restauruar një kala dikur në mesjetë në ato rrethina ku sot gjendet qyteti i Lezhën dhe se nuk qenka oportune, që ky vakt të vihet sot në dukje në një plan të dukshëm publik për hir të ndjesive të banorëve aktualë të atyre rrethinave, atëherë në një farë mënyre ka ndodhur një manipulim i dijes dhe vetëm kjo nuk duhet që të ndodhë, që që besoj fort, se e dëshiron edhe ti. Sepse në fund të fundit, në rast se e heqim nga plani i parë i dukshëm një informacion të tillë, për hir të oportuniteve politike të epokës kur jetojmë dhe këtë shkencë e quajmë histori (“histeri” do të thoja më mirë), cila do të duhej të ishte ajo shkencë pastaj, ku kjo dije do të duhej të renditej në vendin e duhur? Pa folur për shembull, për rastin hipotetik, kur largqoftë perëndimi zbythet (Michel Houellebecq të bën të fala) dhe erërat e ngrohta për Ballkanin fillojnë e früjnë përsëri prej lindjes. Çdo bëjmë në këtë rast? Do të MOS shkruajmë që Aeroporti i Gjadarit u rikonstruktua nga NATO (po e marr si shembull hipotetik, se nuk e kam idenë se ç’ndodh atje sot; a ngrihen avionë ushtarakë, apo kullosin thjeshtë lopët), etj., etj., etj.
Xha xha,
dakord me idene qe duhen moderuar termat pe te mos shkare ne nacionalizem. Kam pershtypjen se shqiptaret ne tekste dhe libra kete e kane bere, duke u permiresuar ndjeshem ne kete drejtim. Nuk mendoj se ka ndonje rrezik iminent nacionalizmi tek ne. Pertej disa shfaqjeve siperfaqesore, kete e deshmoi rezultati i zgjedhjeve te partise “aleanca kuq e zi”.
Gjithsesi duhet pranuar se çdo shoqeri, ne nivele popullore, e ka nje mase fiziologjike nacionalizmi, qe gjen shprehje p.sh. neper stadiume. E kane edhe shoqeri shume te emancipuara (si hollandezet kunder gjermaneve, vendet skandinave mes tyre, etj., per te mos folur pastaj per patriotizmin endemik amerikan).
Eshte çeshtje nivelesh komunikimi. Ka nje nivel akademik, ka nje nivel shkollor, ka edhe nje nivel popullor. Çdo nivel perdor kode te ndryshme komunikimi, si te thuash, veshje te ndryshme gjuhesore, qe shprehin “te verteta” te ndryshme. Pllaka e Sulejmanit eshte pjese e ketyre kodeve. Nuk hyn fare “e verteta” historike ketu, sepse muret e kalase nuk jane hapesira ku te shkruhet “E verteta historike objektive”. Une nuk mund te them me siguri se ç’duhej bere me ate pllake, te vihej a te mos vihej. Di te them vetem se kjo nuk eshte çeshtje historike, por çeshtje komunikimi. Mendoj se ne hyrje te kalase duhet vene nje pllake shpjeguese per vizitoret dhe turistet, si ne te gjitha monumentet e botes, ku te shkruhet ne shqip dhe ne anglisht nje skede permbledhese e historise se kalase. E aty mund te thuhet fare mire se ne nje moment te caktuar historik kalaja u rikonstruktua nga turqit etj. Ky do te ishte nje komunikim normal dhe i pershtatshem per rastin ne fjale.
Thua: “Unë shoh një prirje, shpesh agresive, për ta identifikuar kombëtarizmin me katolicizmin shqiptar”.
Une nuk e kam vene re nje prirje te tille, nuk kam vene re qe vemendja institucionale te jete perqendruar artificialisht gjekundi, ndoshta se nuk kam qene shume i vemendshem ndaj ketyre zhvillimeve, ose ndoshta se kam nje ndjeshmeri te ndryshme nga ajo e jotja.
Para disa ditesh shoqerova me makine nje te njohur ne nje lagje periferike te qytetit ku banoj. Nuk kisha qene kurre ne ate lagje. M’u duk shume e keqe, me rruge te ngushta e te prishura, me plehra etj. Pa u menduar gjate, ia thashe pershtypjen time atij tjetrit, mirepo vura re se nuk i pelqyen fare komentet e mia.
Kushedi, do te kete menduar me vete “u be tani ky shqiptari te na shaje qytetin”, por, ndryshe nga une, u tregua aq i sjellshem sa te mos e thoshte hapur. E pra, ai do te kete qene doemos i vetedijshem se komentet e mia ishin te verteta, por prapeseprapse nuk i pelqeu qe ia thashe hapur. Çeshtje miresjelljeje dhe komunikimi.
E njejta gje edhe me maqedonasit qe permend ti. Ata e dine fare mire se nuk kane lidhje me Aleksandrin e Madh. Nuk jane aq injorante sa te mos e dine. Eshte e kote t’ua thuash. Maqedonia eshte nje shtet i ri me nje popull qe nuk e ka ende nje identitet kombetar. Etnikisht jane bullgare, por nuk u pelqen te identifikohen me bullgaret. Jane ne kerkim te nje identiteti te ri dhe, si çdo popull dhe komb modern, perpiqen ta shpikin ate. Si do ta bejne kete? Ashtu si e kane bere te gjitha kombet pa perjashtim, duke shpikur, duke sajuar, duke krijuar mite dhe legjenda. Nuk di a do te funksionoje, se jane pak si te vonuar ne kohe. Por mua nuk me shqeteson fare shtatorja e Aleksandrit te Madh ne mes te Shkupit apo simbolet kombetare qe vendosin te perdorin maqedonasit sot. Eshte pune e tyre dhe e drejte e tyre.
Xha Xha, une i kuptoj shqetesimet e tua, por mendoj se nuk duhen ngaterruar nivelet. Perndryshe, duke u munduar t’i veme vetullat, rrezikojme t’i nxjerrim syte.
Flasim për Maqedoninë e Shkupit, sepse është një rast flagrant.
Jam dakord me ty që do të ishte e pasjellshme t’i kapnim maqedonasit pas xhaketës dhe t’u shpjegonim se ata e kanë uzurpuar Aleksandrin e Madh dhe krejt periudhën historike para dyndjeve sllave në Ballkan.
Por si i bëhet në rastin tjetër, kur të vjen maqedonasi dhe të kap për xhakete dhe nuk të lëshon derisa te ta kete shpjeguar historinë sipas versionit të vet? A duhet kundërshtuar ky? A duhet shpërfillur? A duhet toleruar?
Nuk është se kam përgjigjen për këto pyetje. Por kam një problem me trysninë nacionaliste që po bëhet mbi institucionet e dijes – jo me gjepurat që i thonë njëri-tjetrit fanatikët në forumet ose tifozët në shkallët e stadiumit.
Ky është problemi që kam unë, në lidhje me temën tonë: kapja e dijes, përfshi edhe dijen historike, nga kombëtarizmi.
Nuk di në e lexove një intervistë të Gjerak Karaiskajt: thoshte se “sikur këta” – e kishte fjalën për protestuesit kundër pllakës “të kishin qenë në pushtet dikur, unë do të isha pushkatuar.”
(http://www.balkanweb.com/site/gjerak-karaiskaj-kalate-qe-u-ndertuan-nga-pushtuesit-ti-shembim/)
Ka edhe më: në kontekstin e debatit të tanishëm, është rihapur edhe çështja e “pushtuesit” osman. Kjo, natyrisht, e kornizuar si çështje kombëtare: osmanët pushtuan Arbrin. Por po ta shohësh me kujdes, ata që e ngrenë, kanë parasysh jo pushtimin e Arbrit nga Perandoria Osmane, por pushtimin e të krishterëve nga myslimanët. Pse e them këtë? Sepse nuk dëgjoj gjëkundi të flitet për një pushtues tjetër: Venedikun!
Lezha – të cilën po detyrohemi ta quajmë Lezha martire – nuk ishte pjesë e Arbrit aso kohe, por i përkiste Venedikut, një shtet i huaj. Dhe ka të dhëna se, nëse fisnikët arbër, përfshi edhe Skënderbeun, dëshironin marrëdhënie të mira me Venedikun dhe merrnin para prej tij, bujqit dhe barinjtë e zonave përreth preferonin t’i paguanin haraç “turkut”.
(Fakt pak i njohur: Dukagjinët ia shitën Lezhën Venedikut në fund të shekullit XIV – përkundrejt një të tretës të së ardhurave që merrte qyteti nga tregtia; do t’i quajmë tani “tradhtarë” siç e bëjnë ca me Zogun që e fali Shën Naumin?]
Të gjitha këto tregojnë sa e vështirë është ta shtrish historinë e Mesjetës në shtratin e hekurt të këndvështrimeve kombëtariste të shekullit XIX. Unë nuk dua të krahasoj sundimin osman me sundimin venedikas, sepse s’e bëj dot edhe sikur të dua, nuk kam ekspertizën e nevojshme; por nuk më pëlqen manipulimi që po bëhet me ideologjinë kombëtariste, sikurse nuk më pëlqen manipulimi që po i bëhet vetë ideologjisë kombëtariste.
Nesër vjen në Tiranë një historian amerikan, Justin McCarthy, i cili ka studiuar përndjekjet e myslimanëve, në periudhën e rënies dhe të kolapsit të Perandorisë Osmane; përfshi edhe një numër të madh myslimanësh në Ballkan, mes të cilëve edhe shqiptarë. Bëhet fjalë për një spastrim etnik me përmasa të frikshme – janë me miliona viktimat e shfarosura, të dëbuara ose të shpërngulura; aq sa brenda një shekulli u riformatua krejt demografia e Ballkanit.
Të shohim si do të përcillet kjo; në një kohë kur Aurel Plasari shpjegon te “Panorama” se pse duhet ta urrejmë sulltan Sulejmanin, një burrë shteti të para pesë shekujve.
Po nderhyj ne kete shkembim midis Relapsos dhe Xhaxhait, por duke u perpjekur t’i largohem nevojes per te permendur kombetarizmin, per hir te asaj qe konsiderohet “e vertete historike”.
Duam apo s’duam historia jone kombetare fillon me daljen ne histori te Skenderbeut. Jane shkruar libra se perse Skenderbeu beri ate qe beri, duke u bere heroi kombetar i shqiptareve. Mendoj se pavarsisht “cheap shots”, Skenderbeu pervecse ishte nje ushtar(ak) i zoti, kishte nje vizion te thjeshte, por te qarte se cfare perfaqesonte perandoria osmane dhe sulltanet e saj per shqiptaret, Ballkanin dhe pertej, Europen.
Nderkohe kur fuqite e tjera kristiane te kohes, si Venecia, Raguza, Gjenova, apo cilido princ apo mbret tjeter, mendonin se mund te bashkejetonin me turqit ne nje lloj bashkekzistence paqesore, Skenderbeu e dinte, qe heret a vone, kur osmanet sapo kishin filluar ekspansionin e tyre perandorak, nuk do te mjaftoheshin me kaq. Sulltanet, si Mehmeti II, apo para tij e ne vazhdim nuk vuanin nga skrupuj morale. Fundi me to do te ishte nje skllaveri, ku jeta njerezore nuk kishte asnje lloj vlere, pervecse koka te prera qe zbukuronin kamaret e pallatit perendorak. Jeta e njeriut te territoreve qe ata venin nen hyqem nuk kishte kurrfare vlere. Per sulltanet idea e sundimit, ishte vecse skllaverimi, nenshtrimi total.
Skenderbeu kishte vecse nje ambicie, krijimin e nje shteti, te nje mbreterie te centralizuar arberore. Ambicjet e tij nuk shkonin pertej Arberise. Per te realizuar kete atij i duhet te bente zap lordet feudale arber, qe ishin te ngerthyer ne ambiicjet dhe zenkat tyre te vogla per te mbajtur te parcelizuar Arberine. Skenderbeu nga njera ane dhe princit e tjere shqiptare nga ana tjeter kishin dy menyra te ndryshme kendveshtrimi te lirise dhe pavarsise.
Princerit dhe kapedanet arber “i gezoheshin” lirise te tyre maje rrepirash ne ate rrumujen dhe mungesen e nje shteti te centralizuar. Keshtu e mendonin ata indipendencen e tyre, por kurrsesi nen nje shtet arber me ne krye nje master arber. Sic e tregoi koha, dhe “e verteta historike”, ishte me e lehte. e me e kollajte per ta te pranonin nje master te huaj, sic ishte sulltani. Kurse Skenderbeu ishte me i qarte ne vizionin e tij, friken qe kishte ai prej sundimit turk.
Sundimi i gjate turk provoi friken e heroit, ate cfare ai parashikonte; Skenderbeu ishte perpjekur t’i bindte princerit arber, arbitraritetin e nje sunduesi te huaj dhe shkeputjen e gjate te Arberise nga qyteterimi kristian europian, Evropa e krishtere.
Nderkohe qe flasim per genocitet e mevoneshme, te hulumtojne se cfare Ferri krijoi turku ne token e arberit.
Keto i lexon ne historiografine e Enver Hoxhes. Edhe ajo historiografi i mvishte Skenderbeut vizione dhe qellime. Koha nuk i dha te drejte. Princet u bene pashallare e bej, mbajten pasurine dhe ofiqet. Shqiptaret, ata qe ndejten luftuan per vete e per perandorine si rralle kush. Ky qe Ferri? Ndoshta Muri i Perendimit eshte i pakapaercyeshem per shqiptaret. Edhe po te lexosh Plasarin, heroi nuk u prit mire ne Perendim, aq sa sic na thote po i njejti edhe Krujen e shiti, edhe flitet qe e helmuan. Pa folur per financat qe po ky Plasar na kujton se me shuje nga te gjithe i ndenji afer peshkopi i Ohrit.
Enveri nuk ishte origjinal, merrte andej kendej. Keshtu qe edhe historiografia e tij ishte pershtatje sipas nevojave. 🙂
Princerit arber u fshine nga faqja e historise. I shkoi ne hell turku ose morren rruget e arratise. Ndonje pinjoll andej kendej, u perdor si vegel, ne fillimet e sundimit turk. Kush degjoi me per ta. Ballabane, pra mercenare prej katuni dilnin plot, mendoj se eshte e kuptueshme. Keshtu funksiononte sistemi otoman. Te vetmin qe kujton akoma historia mbetet heroi, Skenderbeu.
Fatkeqesia eshte se historia sot po perpiqet te revizionohet nga ciniket. Ato qe thote Plasari, i ka lexuar diku, por nuk ben dot historianin. Vecse eruditin, sipas rastit dhe shpesh nderhyrjet e tij jane joproduktive.
Vertet, Skenderbeu ishte ne pike te hallit, por kjo tregon shume per heroin. E ngre, nuk e ul.
Ambasadoret e princerve europiane prane papes e pershkruanin: “Scanderbeg povereto”, qe mund te kuptohet dy llojesh, i verfer dhe pa mbeshtetje. Thuhet se Skenderbeu vonoi largimin nga Roma, sepse nuk kishte para per te paguar hanin ku rrinte. Nje kardinal i dha dyqind dukate per te paguar detyrimin. I plakur, i revoltuar i tha nje kardinali se ndoshta do te kishte me mire ti shpallte lufte Kishes se sa Turkut. Ishte njeri me gjak edhe ai. Papa Piu II, kur degjoi kete histori te nje njeriu krejt te varfer, qe ishte kthyer ne nje lypsar, i dha rreth 2000 dukate, si per ta hequr qafe. Papa e shihte te humbur grigjen kristiane ne anen tjeter te Adriatikut dhe e kishte humbur interesin per heroin.
Skenderbeu Krujen nuk e shiti, e dha se nuk ishte ne gjendje ta mbante me. Koha i dha te drejte, sepse Arberia nepermjet kujtimit te tij i mbijetoi zhdukjes, kur te gjitha shanset ishte te fshihej si etni. Ishte memoria historike, “e verteta historike”, me duket qe siguron mbijetesen(survival) e nje kombi.