Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NDRYSHIMI MES OPINIONIT DHE FAKTIT

nga Silvana Toska

Me gjithë problemet e shumta në vend, po t’u referohesh mediave të javëve të fundit të jepet përshtypja se personat që për momentin po përjetojnë padrejtësitë më të mëdha janë kryeministri Rama dhe qeveria e tij.

Mes akuzave nga opozita dhe krahasimeve me këtë opozitë nga institucione të huaja, Rama ka gjetur si zgjidhje ose refuzimin publik të këtyre akuzave, ose injorimin e plotë të tyre, ose fajësimit të kujtdo tjetër përveç vetes. Rrjedhimisht, çdo person i pavarur nga institucione apo parti që shfaq të njëjtat shqetësime se situata nën qeverinë Rama nuk ka ndryshuar thellësisht nga ajo e mëparshmja, thjesht i jep kryeministrit “neveri” (citim nga fjalimi i tij i fundit te Pallati i Brigadave) dhe një shtysë për ta injoruar gjithashtu. Kryeministri ka të drejtën e opinionit mbi këto kritika – si çdo qytetar tjetër – por ai nuk ka të drejtën e fakteve për situatën në vend apo performancën e qeverisë së tij. Kjo ka shumë rëndësi për vendin, pasi refuzimi i fakteve shqetësuese për qeverisjen e tij, injorimi i tyre apo fajësimi i të tjerëve janë pikërisht baza e duhur për të mos zgjidhur problemet madhore në vend. Prandaj edhe i rikthehem kësaj teme këtu, duke përdorur disa nga çështjet e nxehta të ditës për ilustrim.

Çështja e personave të lidhur me krimin në listat e aleancës qeverisëse është vetëm një ndër problemet sa shqetësues në vetvete, aq edhe tronditës në përpjekjet e qeverisë Rama për ta minimizuar atë. Në një intervistë të fundit, ai theksoi se nuk do të ndryshonte asnjë emër nga listat e aleancës në dy zgjedhjet e fundit. Kjo, me justifikimin se disave (Prenga dhe Doshi) nuk u parashikohej sjellja pas-zgjedhore, ndërsa të tjerët janë pa precedentë penalë. Sipas kësaj logjike, nuk ka asnjë arsye përse të mos jenë në Kuvend apo qeveri (një justifikim ky mjaft i volitshëm që vret shumë zogj me një gurë, duke qenë se justifikon gjithashtu vetë thelbin e aleancës qeverisëse.)

Në parim, ideja se dikush duhet të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet i fajshëm është e respektueshme. Në praktikë, dhe në një status quo ku shumë pak të fajshëm vërtetohen ligjërisht si të tillë, kjo ide thjesht i shërben kapjes (në rastin tonë mbajtjes) së shtetit nga krimi. Pjesa më e madhe e personave të lidhur me korrupsion të shkallës së lartë, me trafik njerëzish apo droge, janë pa precedentë penalë. Por përfshirja e tyre me krimin shpesh nuk është një sekret i pazbulueshëm, edhe në mungesë të dënimit të tyre. Për shembull, një hulumtim shumë i shpejtë do të vërtetonte se personat që kanë marrë përsipër tenderët më të rëndësishëm në qytetin tim të lindjes, Beratit, dhe që mbrojnë interesat e LSI-së në këtë qytet, kanë qenë të përshirë me trafik njerëzish apo droge që në fillim të viteve 1990.Edi Rama1

Duhet të besojmë se Z. Rama dhe elita në përgjithësi janë të pavetëdijshëm për marrëdhëniet me krimin të shumë prej elementëve të tyre? Dhe, rrjedhimisht, duhet gjithashtu të besojmë se kjo elitë kaq e verbër ndaj realitetit është e kualifikuar të qeverisë vendin? Apo mos vallë, ashtu siç e pohoi qartazi deputeti socialist Artan Gaçi, vendosja e këtyre personave në listë është e qëllimshme në mënyrë që t’i bëjnë ballë “të fortëve” të opozitës, strategji kjo nga e cila përfitojnë vetëm ata që hiqen si të paditur për ekzistencën e saj? Shkurt: verifikimi që personat në listë për zgjedhje të jenë jo vetëm pa precedentë penalë – ashtu si po veprohet në ligjin e propozuar kundër dekriminalizimit, nëse ai zbatohet – por edhe pa veprime jo-etike të cilat mund të influencojnë pozitën e tyre të ardhshme, është detyrë e atyre që vendosin emrat nëpër listat e zgjedhjeve. Të këmbëngulësh në të kundërtën – ashtu si ka vepruar Z. Rama në shumë raste – është një halucinacion, ose një justifikim me baza logjike kaq të dobëta, sa që pavërtetësia dhe falsiteti i tij është tepër evident për të nevojitur një ekspozim më të thellë.

Prandaj edhe ulja e krimit që lavdërohet shpesh nga Z. Rama duket pothuajse pa vlerë përballë dështimit të tij në luftën e krimit në shkallë të lartë. Z. Rama tregon se krimi u ul me 25% nga viti i mëparshëm, por duke qenë se kriminelët në elitën politike deri tani janë imunë nga lufta ndaj krimit – madje në disa raste janë mbrojtur drejtpërdrejt nga qeveria – atëherë kjo arritje e qeverisë nuk ka sesi të mos humbasë nën peshën e këtyre krimeve të pandëshkuara dhe me dëm shumë të lartë për vendin. Ndërkohë që kriminelët në elitë janë mbrojtur dhe persona që vjedhin energjinë elektrike janë cilësuar si kriminelë, duket se vetë kategoria e të qenit “kriminel” po humbet kuptim në këto aksione të fundit të qeverisë. Shumë prej personave që kanë vjedhur energjinë elektrike e kanë bërë këtë si rezultat i pamundësisë së pagesës së saj, gjë që është kryesisht rezultat i aferave klienteliste nga persona në qeverinë e mëparshme dhe kësaj të tanishme, të cilat kanë shkaktuar një rritje stratosferike të çmimit të energjisë. Me pak fjalë, këta persona po vuajnë dyfish korrupsionin e elitës politike, me mospasje të energjisë së përballueshme në radhë të parë, dhe së dyti me burgim kur detyrohen ta vjedhin atë. Nuk ka si të duartrokasim këtë arritje të qeverisë në këtë kontekst, edhe pse duket një arritje në parim.

Në të njëjtën mënyrë, aksioni ndaj informalitetit është një shembull tjetër i një parimi të nevojshëm në teori, por që u ndërmor pa një analizë të mirëfilltë të situatës, e cila kërkon një analizë në detaj të burimeve dhe sektorëve kryesorë të evazionit, një analizë të strukturave që lehtësojnë atë, dhe me një plan për të ndihmuar ata që do të varfërohen brenda ditës pas pagesës së taksave. Në mungesë të kësaj analize, ky plan u ndërmor në mes të vitit, pa plan paraprijës ose të paktën paralel për luftën kundër korrupsionit në tatime dhe dogana, dhe u imponua vetëm pasi u bë i qartë dështimi i qeverisë në menaxhimin e financave. Pagesa e taksave është detyrim ligjor i çdo individi dhe e nevojshme për zhvillimin e shtetit. Por ky problem nuk zgjidhet në një mënyrë kaq ad hoc, të paplanifikuar, dhe selektive: nuk ka, për shembull, asnjë shenjë se do të godasë evazionin dhe vjedhjen e madhe në hidrokarbure, minerale, apo në biznese të lidhur me persona brenda elitës. Këto aksione ndaj krimit dhe evazionit në nivel të ulët që nuk ndiqen paralelisht me reforma ndaj krimit dhe evazionit në nivel të lartë, nuk mund të jenë baza e zhvillimit të shtetit, pasi nuk janë problemi kryesor i këtij zhvillimi. Për këtë arsye, nuk mund të evitosh ndjesinë se qeveria po godet “hajdutët” e vegjël – shpesh të shtyrë nga vetë qeverisja deri në këtë pikë – pasi nuk ka vullnetin për të luftuar, dhe shpesh ka mbrojtur, hajdutët e mëdhenj.

Por Z. Rama mundohet të shesë pikërisht këto “arritje” kaq problematike si progres i padiskutueshëm i qeverisë së tij. Sipas tij, kritika ndaj qeverisë për këto aksione të saj bëhet në bazë të disa shpifjeve, propagandës së opozitës, naivitetit të diplomatëve të huaj, apo kritikave të personave (si unë, të cilësuar si ndjekës së modës së fundit) të angazhuar në “industrinë e baltës”. Ai nënvijëzon pikërisht këto “arritje” kur kundërshton krahasimin e tij me qeverinë Berisha. Por edhe nëse supozojmë se Z. Rama ka të drejtë se qeveria e tij është më lartë se trauma që ishte qeveria Berisha apo se ç’është opozita sot: çfarë kuptimi ka realisht ky pohim?

Marrë në kontekstin shqiptar, ai nuk do të thotë pothuajse asgjë. Krahasimi i vetë Ramës me Berishën, dhe superioriteti ndaj këtij të dytit, është njësoj sikur unë ta shes veten si akademike duke theksuar se lexoj shumë më rrjedhshëm se një nxënës shumë i dobët i klasës së parë. Kjo jo vetëm që nuk thotë asgjë për aftësitë e mia si akademike, por as nuk përmban ndonjë informacion mbi faktin e thjeshtë në di apo nuk di të lexoj rrjedhshëm. Në të njëjtën mënyrë, superioriteti i supozuar i Ramës ndaj Berishës nuk thotë pothuajse asgjë mbi cilësinë e vetë qeverisë Rama. Por ajo që ky krahasim tregon është ajo që Z. Rama nuk do të donte të mendonim për të: se pritshmëria e Z. Rama ndaj vetes, pritshmëri e cila, në mungesë të plotë të një vizioni qeverisës dhe plani programatik të studiuar e afatgjatë, e bën atë të paaftë të shohë përpara dhe e mban të ngujuar në të kaluarën. Prandaj këto vetë-kënaqësi me arritjet e supozuara në krahasim me qeverinë Berisha janë thjesht një evitim i realitetit dhe një vetë-justifikim i dobët për paaftësinë e tij dhe qeverisë së tij për të patur një sukses rrënjësor.

Gjithashtu, këmbëngulja e tij se “mungesa e shkopit magjik” justifikon mungesën e ecurisë së deritanishme vetëm vërteton më tej tendencën e Ramës si për të shmangur përgjegjësitë, ashtu edhe për të mos kuptuar arsyet bazë të kritikave tona ndaj qeverisë.  Askush nuk pret përmirësim brenda ditës. Ajo që njerëzit presin është përmirësim në ato çështje thelbësore – reformë të planifikuar nga ekspertë dhe përfaqësues përkatës, vizion dhe program afatgjatë për zhvillim, reformë në institucione, dhe ndëshkimi i elementëve kriminalë brenda elitës – ndryshimi i të cilave do të hidhte themelet për përmirësim të situatës në të ardhmen. Këto aksione që po ndodhin nuk zgjidhin asnjë nga këto probleme dhe për më tepër nënvijëzojnë hipokrizinë e qeverisë në vullnetin e saj për të luftuar vetëm ato fusha ku nuk preken drejtpërdrejtë interesat e elitës.

Rama ka të drejtë kur thekson se problemi kryesor është tek vetë sistemi, por ai harron se sistemi nuk është i pavarur nga njerëzit të cilët e drejtojnë atë: reforma në sistem nuk mund të bëhet nga persona që përfitojnë nga statusi quo. Prandaj, edhe përse Z. Rama ka trashëguar sistemin, ai nuk mund t’i bëjë bisht përgjegjësisë për gjendjen e tanishme të tij, pasi ka zgjedhur vetë personat për ta menaxhuar këtë sistem. Nëse nuk është i aftë të ndryshojë as personat (dhe, sipas intervistës së tij të fundit, ai as nuk e ka këtë dëshirë) dhe as sistemin (të cilin e konsideron të pavarur prej tyre dhe prej tij), atëherë ku qëndrojnë këto arritje për të cilat kërkon respekt mbi atë të cilin i akordojmë paraardhësit të tij? Fatkeqësisht, lyerja e disa zyrave dhe hapja selektive (dhe mikro-menaxhuese) e hapësirave të artit nuk prek asnjë nga këto probleme thelbësore dhe nuk shërben për të qetësuar masat që përditshëm, dhe kuptueshëm, zgjedhin të largohen. Prandaj Rama i keqkupton kritikat dhe humbjen e legjitimitetit kur reagon ndaj barazimit të tij me Berishën: ai nuk po e humbet legjitimitetin sepse është më keq se Berisha, ai po e humbet atë pasi shumë njerëz shpresonin të ishte më mirë se ai.

Kështu që nuk ka aspak vend për lodhjen e kryeministrit me kritikat tona për paaftësitë (apo me keq) të qeverisë së tij. Është një sjellje minimalisht ofenduese që një shërbëtor publik yni të mbyllë veshët përballë kritikave tona mbi problemet reale në vend dhe e papranueshme “neveria” e tij me këto kritika. Është gjithashtu ofendues fakti që kryeministri ia hedh fajin kujtdo – opozitës, diplomatëve, kritikëve të “industrisë së baltës”, Europës, sistemit, apo dhe popullit “naiv” – përveçse të shohë mirë tek (mos)arritjet e tij dhe qeverisë së tij. Dhe, ashtu si qershia mbi tortë, kalimi i fajit tek arroganca e presupozuar e ministrave (ironia duket se është një koncept i huaj për elitën tonë) nëpërmjet letrave private të bëra qëllimisht publike, të bën të konkludosh se mungesa e aftësisë për t’ia drejtuar gishtin vetes e bën më se të justifikueshëm dëshpërimin në masë. Zhvillimi është i vështirë edhe kur diagnostikohen mirë problemet që e pengojnë atë, dhe jo më kur personat që kanë për detyrë të ndërmarrin këtë zhvillim janë të verbër ndaj rolit të tyre si një ndër pengesat kryesore të zhvillimit.

Për gjithë këto arsye, nuk ka retorikë propagandistike nga ana e qeverisë, mënjanim përgjegjësie, apo numër pikturash mbi ditët e kalendarit qeverisës me “arritje” kaq të përcipta dhe shpesh të dëmshme, që mund të mbulojë dështimin e saj në luftën ndaj problemeve më thelbësore për zhvillimin e vendit.

Pa Komente

  1. Sipas tij, kritika ndaj qeverisë për këto aksione të saj bëhet në bazë të disa shpifjeve, propagandës së opozitës, naivitetit të diplomatëve të huaj, apo kritikave të personave (si unë, të cilësuar si ndjekës së modës së fundit) të angazhuar në “industrinë e baltës”.

    Unë do të shtoja këtu dhe sjelljen dukshëm paternaliste të Ramës kundrejt të gjithëve që kanë një mendje tjetër prej tij ose ndaj atyre që e kritikojnë. Sipas motos: “Ju nuk i kuptoni mirë këto punë” ose “Janë ndryshe gjërat këtu në Shqipëri” ose “Ne i dimë më mirë këto punë”.

    Pa dashur që të ve shenjën e barazimit midis të dyve, por në komunikimin me publikun, si bullshit-i i Berishës, ashtu dhe paternalizmi fyes i Ramës, për mua janë njësoj. Të dy e shohin qytetarin nga lartë-poshtë, e bëjnë të vogël, qesharak, naiv dhe në fund e poshtërojnë me sjelljen e tyre.

    1. Këtë e kam ndier edhe unë – madje ma kanë thënë rregullisht; jo Rama vetë, por njerëz të afërt me të, përfshi këtu edhe anëtarë të kabinetit.

      1. Letra tmerruese që u pat dërguar anëtarëve të kabinetit të vet ishte ndër gjërat më fyese që kam dëgjuar ndonjëherë brenda marrëdhënieve bos-vartës…Fotografitë e koreanëve të përvuajtur që me ngut mbajnë shënime nëpër fletorka çdo fjalë të vyer që buron nga goja e liderit suprem të shkaktojnë dhimbsuri…letra e përmendur mua të paktën më shkaktoi neveri dhe turp.

        Dhe ironia më e madhe është se letra që kullonte arrogancë ashtu siç kullon nëpër gishta yndyra e qingjit në hell, ankohej as më pak e as më shumë po për arrogancën e kabinetit…Nuk e di kush e këshillon kryeministrin për këto (gjithnjë nëse e këshillon njeri), por kam frikë se do të na ndodhë si me merhumin, dashamirësit e të cilit në vakt thoshin: “Enveri është i mirë, po nuk i tregojnë realitetin shokët që ka pranë”.

  2. Nuk shoh asgje ‘problematike’ me arritjet objektive si ulje e krimit 25% dhe informalitetit 100%. Lexoj qe i kerkohet nje ‘plan’ implementimi per uljen e formalitetit se perndryshe do te deshtoje. Keto profecira me mire vertetohen kur te perditesohet buxheti e te shikohet nese jane rritur te ardhurat.

    Ekonomia e Shqiperise ka probleme te renda strukturore, dhe vazhdon te mbeshtetet te nje konsumator i keputur qe edhe 3-mujorin e dyte te 2015 ka ulur konsumin me 3%. Ama kjo mungese kerkese verehet kudo neper bote keto muaj.

    Levat e ekonomise dihet kush jane:

    GDP = G+I+C+(X-IM)

    Shqiperia ka 25 vjet ku bilanci X-IM <0 (importon me shume se eksporton) e kete nuk e rregullon dot Rama.

    Po edhe konsumatori (C) eshte pertoke se imbalancat strukturore i shqepin kuleten.

    Ketu mbetet ne loje vetem investimi privat (I = Ilir Meta) dhe investimi i qeverise (G).

    Rama vetem G kane ne dore drejtperdrejt, e paska nja USD 30 milione mangut vetem nga royalties me te vogla te Bankers Petroleum per shkak te pikiates ne cmimin e naftes.

    Keshtu qe zonja le te thellohet pak me shume e te marre parasysh cfare sfide herkuliane eshte te pastrohet ai ahur.

    Ajo që njerëzit presin është përmirësim në ato çështje thelbësore – reformë të planifikuar nga ekspertë dhe përfaqësues përkatës, vizion dhe program afatgjatë për zhvillim, reformë në institucione, dhe ndëshkimi i elementëve kriminalë brenda elitës

    Keto i presim te gjithe, dhe sa per ‘ekspertet’ historia ka treguar qe nuk vlejne 2 pare spec para nje katunari pragmatik

    1. Ajo që formula e GDP-së nuk tregon është se rritja a G-së (Blerjeve Qeveritare) sjell uljen e I-së (Investimeve) dhe të C-së (Konsumit). Kështu që ajo që po bën Rama është përpjekje titanike në krahun e kundërt, sepse edhe një katunar pragmatik e di se po filloi t’i shesi domatet e bahçes me kupon i bie leverdia e të punuarit në bahçe, por edhe myshterinjtë do t’i bien. Nuk bëhet aq kollaj bahçevani njëherësh edhe administrator, dhe kushedi mbase edhe nuk duhet.

      Dhe nëse katunari nuk e punon bahçen, as ajo pjesa tjetër e formulës që lidhet me importet dhe eksportet nuk ndryshon, por ka për t’u përkeqësuar.

      Për të mos përmendur krimin dhe drogën që kanë tash statusin e ekonomisë reale.

      Rama do bënte mirë që ta niste formalizimin e ekonomisë me ndonjë nisëm kuptimplote, si për shembull hapjen e bursës dhe listimin e kompanive dhe bizneseve për të thithur dhe investuar kapitalin vendas dhe të huaj; apo për të ndihmuar në privatizimin e atyre pak aseteve që i kanë mbetur për të privatizuar; por edhe për të minimizuar monopolet që mbajnë pushtetatrët dhe politikanët. Përndryshe, le të vazhdojme t’ia lëmë ‘economic deals’ Ilir Metës & Co, se kanë demonstruar që i bëjnë bukur.

      1. rritja a G-së (Blerjeve Qeveritare) sjell uljen e I-së (Investimeve) dhe të C-së (Konsumit)

        Prandaj po perpiqen te mos marrin borxh te brendshem. Ne nentor maturohen EUR 300 milion eurobond. Po nuk qene ne gjendja ta ‘rrotullojne’ ne treg te hapur (jashte katunit) atehere pisk do jete muhabeti se do detyrohen te thithin ate kapital nga brenda.

      2. Keto nisma ‘kuptimplota’ si bursa, e me shume privatizim jane rreceta Washingtoni qe vlejn pak me shume se leter higjenike. Besoj se e shikoni katrahuren e privatizimeve me CEZ-in. Bursen harroje kur te gjithe korporatat jane ‘black box’.

        Tjeter sugjerim keni?

        1. Kush tha se janë receta Washington-i? Përkundrazi, recetë Washington-i është “reforma fiskale”.  Lexoje raportin dhe rekomandimet e IMF-it dhe flasim.

          Rekomandimi kryesor dhe i vetëm, që solli edhe aksionin e famshëm të “formalizimit të ekonomisë”, ishte:

          The authorities should shield the 2015 budget deficit target from the risk of falling oil royalties and external disinflationary pressures. Reducing public debt over the medium term will require political commitment to sustain the significant fiscal consolidation which began in 2014. (Autoritetet dhuhet ta mbrojnë objektivin e buxhetit për 2015-ën nga rrisku i rënies së honorareve të nafës dhe nga presionet e jashtme të uljes së inflacionit. Ulja e borxhit publik në afat të mesëm do kërkonte përkushtimin politik për të ruajtur konsolidimin fiskal të nisur më 2014-ën.

          “Lufta kunder informalitetit” eshte pas-code për të ruajtur nivelin në sasinë e vjeljes së taksave, në pamundësi për të rritur nivelin e tyre në kushtet e rënies ekonomike. Kështu garantohet njëkohësisht përballimi i “uljes së inflacionit” (duke rritur çmimet), dhe demonstrohet “political commitment”. Nuk ka të bëj fare me strukturim të ekonomisë, por ka të bëj gjithcka me shpenzimet e qeverisë. Të presësh rezultatet e këtij aksioni, është humbje kohe.

          Kurse dështimi me CEZ-in, që përmëndni ju, ka të bëj me klientelizmin që karakretizon privatizimet në Shqipëri, dhe me faktin që shpërndarja e energjisë është monopol.

          Ndërkohë, të thuash që korporatat janë ‘black box’ nuk mund të jetë justifikim. Efekti i futjes së bizneseve në bursë do ishte pikërisht e kundërta, që t’u japi mundësi atyre të rrisin kapital nëpërmjet aseteve (stimulimi i ekonomisë), ndërsa i jepet mundësi publikut të rrisi kontrollin mbi to (pra që të mos jenë black-box).

          Ato që thotë Rama se aksionet e veta do rrisin rrogat e njërzve dhe ekonominë janë gënjeshtra. Përkundrazi, taksat ulin kursimet, për rrjedhojë edhe rrogat. Kurse ekonomia po del përditë jashtë kontrollit – sigurisht nëse nuk beson sikurse unë që me kupona nuk e kontrollon as e stimulon dot ekonominë.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading