Shumë vjet kanë kaluar, që nga botimi i librit “Kurban”, që tërhoqi vëmendjen jo vetëm për shkak të autorit, as thjesht për çfarë thoshte (dhe çfarë nuk thoshte), por edhe për imazhin dramatik në kopertinë – të kokës së një qengji që do të therej, në mos ishte therur tashmë, për arsye skaramantike.
Rama e pat zgjedhur vetë atë imazh atëherë, së bashku me autoren, Jutta Bezenberg dhe pat kuruar në detaj deri edhe ngjyrën e pikave të gjakut, me një kujdes jo aq prej shkrimtari dhe politikani, sa prej piktori dhe komunikuesi me anë imazhesh.
Shumë vjet kanë kaluar vërtet. Këtë mendova kur më doli sot përpara një foto e Ramës blegtoral, e përdorur si ilustrim te ResPublica.
Simbolika e kësaj fotoje të dytë, sa shumëplanëshe, aq edhe kitsch, e nxjerr imazhin nga arti, madje edhe nga dizajni, për ta futur në qerthullin e propagandës brutale.
Rama paraqitet atje i fotografuar nga poshtë, si të ishte statujë; dhe duke mbajtur në krahë një qengj – çka i mëshon efektit paternalist, ose prej prindi, në imazhin e politikanit.
Shpesh i kanë kritikuar, këta politikanë, që fotografohen duke përqafuar fëmijë ose duke kërcyer dhe luajtur me ta, veçanërisht gjatë fushatave elektorale.
Thelbin e metaforës së përcjellë nuk e prek ndërrimi i fëmijëve, në foto, me këlyshë kafshësh shtëpiake: qengja, viça, rika, këlyshë qeni dhe kotele.
Raporti i homo sapiens me krijesa të tilla të pambrojtura konoton dhembshuri dhe kujdes, ose pikërisht çka propagandistët duan që të rrezatojë politikani (që i paguan).
Politikani si baba i kombit – ky parim paternalist ka dhënë prova se funksionon mirë në shoqërinë shqiptare.
Të kemi parasysh edhe se qengji vjen në imazheri me bagazh ikonografik të pasur – meqë këtë kafshëz e gjejmë rëndom në krahët e Krishtit.
Nuk dua të them se Rama vetë, me qëllim, kërkon ta paraqitë veten si Mesian e shqiptarëve – por vetëm që disa mekanizma leximi të imazheve veprojnë edhe përtej vullneteve individuale.
Veçanërisht të lektisur pas qengjave dhe krijesave të tjera të brishta janë treguar, vitet e fundit, politikanët britanikë.
Edhe pse Papa Françesk nuk mbetet mbrapa.
Sikur të ishin të gjithë qengja… [do të thoshte Luani].
Mos ta harrojme HTH
http://lajmi.net/wp-content/uploads/2015/04/aaa4.jpg
Nga seria Erion Veliaj Saves the World
http://www.reporter.al/wp-content/uploads/erion-veliaj.jpg
http://images.botasot.info/uploads/largea_veliaj31388500735.jpg
http://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/02/veliaj-mish.jpg
Une mendoj se ky dukjen ose shfaqjen, nuk e ka strategji, por patologji. Sepse nuk eshte se nuk kupton, por nuk dihet se cfare i ndodh sapo vihet perpara nje kamere, a nje grumbulli njerezish. Eshte shume paradoksale, por ky ngjan me shume me Berishen, qe automatizohet “emocionalisht” kur i duhet te flase publikisht. Rama, ndryshe. Eshte me i ftohte ne shfaqje, ndonese po aq vanitoz, po aq delirant, ndonese me holle se Berisha. Sidoqofte Rama e ka ideuar dhe misheruar marketingun politik te ketij lloji ne Shqiperi, ndaj edhe “ben lajm” sa here e aplikon. Ky i ngjan aktorit te dyte qe synon te perceptohet si protagonist. Si shfaqje Rama perceptohet me civil, dicka si puna e atij bidonit te Coca Coles ne bufete e varfra shqiptare te para ’90-es, rast unik i dekorimit me hedhurina nga nje tjeter bote. I paraprijme modernitetit si perhere. Edhe pse ne emer te vrasjes se kotesise, me kotesi te tjera.
Dua te them, qe Veliaj meer pjese ne shfaqjen e dikujt tjeter, por qe sapo hyn ne rol, mendon se eshte e tija.
Në simbologjinë fetare qingji ka të bëjë me sakrifikimin, por në kuadrin e krishtërimit mund të lexohet edhe sipas alegorisë së “Bariut të mirë”. Zakonisht Agnus Dei (Qengji i Zotit) është Jezu Krishti, që dha jetën e vet për të shëlbuar njerëzimin nga mëkatet. Pra Qengji është Jezu Krishti. Por kur vetë Jezu Krishti jepet me një qingj në dorë, kemi të bëjmë me alegorinë e Bariut të mirë (që kujdeset për grigjën e vet, sipas Ungjillit).
Tani, unë mendoj se imazhi arketip fetar që përdoret nga politikanët ka të bëjë me leximin e dytë. Pra Politikani si Bari i mirë, si udhërrëfyes, si kujdestar, si baba i popullit. Imazhi i një politikani, të cilit i vihet një kafshë në krahë, përmirësohet në publik, sepse bëhet më njerëzor, i dhembshur, i dashur. Fuqia simbolike e qengjit është edhe më efikase, ngaqë kjo kafshë e brishtë është e ngarkuar simbolikisht si në planin fetar, ashtu edhe në atë njerëzor laik (qengji është gjithnjë i bukur, i ëmbël, i urtë, i butë, fëmijënor).
Në këtë këndvështrim, Papa me qengj në dorë është më se i natyrshëm, veçse tregon koherencën e tij si përfaqësuesi më i lartë i katolicizmit, ku qengji ka kuptimin që thamë. Papa është si të thuash brenda rolit dhe kornizës së vet, sepse edhe ai mund, madje duhet, të konsiderohet si “bari i grigjës” nga besimtarët e vet. Por këtë nuk mund ta themi për politikanët, pasi këta ia përvetësojnë fetarësinë dhe fuqinë shprehëse të qengjit për të rritur pëlqimin social. Por çfarë është politika kur protagonistët e saj duan ta shesin si fe?
Ndërsa fotografia e mësipërme që ka sjellë Parulla, me Veliajn duke inspektuar qengjat e therur, më duket përnjëmend ankthndjellës. Në qoftë se qengjat janë, nga një këndvështrim, viktima sakrifikale par excellence (kurban), në altarin e kujt janë prerë në këtë rast simbolik?