Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

ME OSE PA GJUHË

 Kush s’ka gjuhë, ka këmbë.

Në 2007, një refugjatë nga Liberia, banues në Maryland, u denoncua për nëntë përdhunime të mbesave të tija të mitura. Gjyqi kërkoi, por nuk gjeti në kohë, një interpretues të Vai, gjuhës amtare të të akuzuarit, çka çoi në zvarritje e zgjatje të procesit, derisa së fundmi, pas argumentimit të mbrojtjes se klientit të saj i qe mohuar e drejta e një gjyqi të shpejtë, i akuzuari u lirua. E vetmja konsekuencë për nëntë përdhunimet e supozuara ishte rikthimi në Liberi.

Pa gjuhë, të vihen vetulla e të hiqen sy.

Intoxicado, e deklaruan të afërmit djalin e çuar në urgjencë, në një spital në Florida. Për intoxicated, domethënë, për marrje substancash toksike, u diagnostikua djali, nga ekipi mjekësor, e sipas kësaj diagnoze iu bë edhe trajtimi, i cili u kuptua sa i gabur qe, kur rezultoi në tetraplegji dhe në 71 milionë dollarë dëmshpërblim për pacientin e paralizuar. Kuptimi i sipërfaqshëm i intoxicado, çka të afërmit e lidhën me helmim nga një hamburger i paskuqur mirë, ndërsa mjekët e morën për përdorim substancash narkotike, i ka shtuar fjalorit bisedor një lemë të re: the seventy-one-million-dollar word – intoxicado.

Kush s’ka gjuhë, ka sy.

Zor se mund të kishte ekzituar ky proverb në shqip, në një shoqëri si ajo jona, tash në rrënoja, e injektuar me dëshirën e përvetësimit të gjuhëve të huaja, pikërisht për të udhëtuar me sytë e mendjes në botëra ku këmbët s’të shpinin dot. Mirëpo në shoqërinë prezente, në universin e ndër-rrjetësuar, edhe mund të shkojë. Jo thjesht sepse rrjeti përjeton përmbytje të përçastshme imazhesh të reja, por sepse një klikim të shpalos sisteme të huaja shënjash si të ormisura për kundrim, siç më ngjau teksti i mëposhtëm.                       

image 1

Ata që i njohin kodin inuktikutit, gjuhës së folur në territorin e Nunavut në Kanada, lexojnë në rreshtimin e shenjave artikullin e parë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Kush ka gjuhë, udhëton.

E nëse thjesht shija estetike bëhet shtysë për t’u marrë me inuktikutin, ka gjasë që xhevahire me vlera përtej pamoreve ta shpërblejnë mundin e kërkuesit. Për shëmbull, kur mëson se komuniteti në Nunavut e ka trajtuar internetin, universin e ndër-rrjetshëm, si një krijesë të re që doemos bëhet anëtare e komunitetit duke u mveshur me një emër të vjetër: ikkiaqqivik. Fjala ka rrënjë në traditën e shamanëve dhe aftësive të tyre të përtjebotshme për të udhëtuar në kohë e hapësirë, në kërkim të të gjallëve e të vdekurve. Ikkiaqqivik, për përtacët, “internet”, për ata që lëngojnë për një dimension të ri, të ndër-jetësuar me jetën e një komuniteti të largët: “të udhëtosh përmes shtresave”.

Kush ka gjuhë, shet.

E para gjë që duhet të kalojë provën e zjarrit, kur një produkt ambicionon të kapërcejë kufijë, është vetë emri. Të lëçitur e të udhëtuar u treguan magjistarët e marketingut, kur lojtën pak me germat dhe e ofruan shampon amerikane Pert (i gjallë, i hedhur) si Prêt (gati), për të evituar ngjashmërinë grafike dhe sonore me perte (humbje në frengjisht), haptazi fjalë vetë-përjashtuese për një produkt flokësh. Më i ngathët doli Ford-i kur hodhi në tregun evropian një automjet të quajtur Kuga. Emri i zgjedhur duket të ketë larguar klientë të Jugosllavisë së image 2hershme, të cilëve u ofrohej një makinë me emrin murtajë a fatkeqësi, sugjerim që të kujton autobuzat e linjës në Uganda, të quajtur nga vendasit edhe arkivola fluturues. Po ashtu Honda, me siguri, për t’u paqtuar me blerëset potenciale e ripagëzoi modelin Honda Fitta, në Honda Jazz, ngaqë fitta i referohet në regjistrin e rrugës, në suedisht dhe norvegjisht, organit gjenetal femëror. Diçka më aktuale, të paktën, për shqetësimet publike të mëhallës Shqipëri, vjen nga Mitsubishi, i cili vazhdon të krenohet për Pajeron e tij sportiv, të emërtuar sipas Leopardus pajero, maceve të Pampas, paçka (ose pikërisht sepse?), për shumë folës të spanjishtes, pajero është mashkulli që këndellet me veten e tij. Liberalët me të drejtë do thonë: emërtimi premton një makinë që i del vetes zot edhe në situatat më të djerra (lakanianët shohin potencial në fjalën e fundit, të tipit, për një h që ti s’e vë).

Unë flas, ergo shpik.

K. Rowling duket të paktën prej emrave që u jep personazheve, se i ka përvetësuar lojrat e fjalëve që e lejojnë emrin të kthehet në shenjë treguese – nomen est omen – jo rallë deri në transparencë të personazhit, për shembull, e dëlira Penelope Clearwater, keqbërësi Lucius Malfoy, i dyshimti Severus Snape, mizorja Dolores Umbridge, dhe Lord Voldemort, aleati i vdekjes, nemesis ultimativ i të thjeshtit Harry Poçarit. Pa menduar fort për përkthyesit, Rowling eglendiset mbi të gjitha me emrin e të Ligut dhe egos së tij alternative, Tom Marvolo Riddle, anagramë e “I am Lord Voldemort”. Sfidë jo e vogël për kambistët e fjalëve. Përkthyes të gjuhëve jo-alfabetike i braktisën xhingla-minglat linguistike dhe e shpjeguan shkartisjen e germave me nënshënime; gjuhë të tjera panë hapësirë shpikjeje në emrin Marvolo, për shëmbull, në bullgarisht Tom Mersvoluko Riddal, anagram i bulgarishtes “Ja ku jam-Lord Voldemort”. Francezët patën fatin e një profesionisti që brenda korsesë së gjuhës gjeti liri për të sjellë diçka të re, të kuptueshme e me peshë udhëzuese për lexuesit. Pikënisja është fjala gjëegjëzë, riddle, por në frengjisht e pasuruar si jeu du sort (lojra fati), e cila merret si bazë për krijuar anagramin: Tom Elvis Jedusor dhe Je suis Voldemort.

Kush ka gjuhë, s’ka kontroll.

Në hebraisht, shprehja tohu va vohu (Zanafilla 1:2), e përbërë prej tohu (pa formë) dhe vohu (bosh), i referohet statusit së gjërave para aktit krijues. Me të lënë trojet e hebraishtes, fraza nis të ndërroj petkë. Në frengjisht, tohu-bohu është sinonim i kaosit, rrëmujës. Të njëjtin kuptim ka Tohuwabohu në gjermanisht, apo tohuvabohu në estonisht dhe hungarisht. Imitime të trios tohu va vohu, me kuptimin e pështjellimit e ngatërresës janë edhe Irrsal und Wirrsal apo welter and waste. Fjala ka udhëtuar derisa ka prekur të kundërtën e origjinës edhe në hebraishten moderne, ku idea e boshllëkut amorf është zëvendësuar nga gjullurdia e gjërave, sendeve e krijesave.

Më kokëforte e kanë gjetur përkthyesit fjalën litost të çekishtes dhe i janë bindur këshillës së Milan Kunderas tek Libri i qeshjes dhe harresës (1979) të mos ofrojnë ekuivalente në gjuhë të tjera. Lexuesit e interesuar Kundera i sqaron se në çekisht rrokja e parë theksohet e zgjatet si angullima e një qeni të braktisur. Thonë se litost përzjen dëshpërimin me keqardhjen, mirëkuptimin, dashamirësinë, pengun dhe mallin. E çuditshme, shkruan Kundera, si mund të kuptohet shpirti njerëzor pa një fjalë si litost.

Rastësia qoftë me gjuhën tënde!

A ka fatmbarësi më të pamerituar se kur një ide e keqkuptuar bën hajër? Me siguri aksionerët e Braniff International Airways iu përgjigjën pyetjes “jo”, kur reklamuan me të madhe, në 1977, investimin e tyre të fundit: sedilje lëkure në seksionin “first class”. Pa i rënë rreth e rrotull, refreni joshës, Fly in leather, u përkthye për tregjet spanjisht-folëse: Vuela en cuero, fluturo në lëkurë, çka nënkupton të fluturosh cullak, në vetvete asgjë shokuese për pasagjerin en cuero, por vetëm premtim për një udhëtim krahëlehtë, të rehatshëm e pa angarira protokollare.

Shënim

Këto interpretime bazohen në shembuj të zgjedhur në Kelly, Nataly dhe Jost Zetzsche. Found in Translation: How Language Shapes Our Lives and Transforms the World, New York: Penguin, 2012.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin