Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

SHENJA TË KOHËS TJETËR

Kujt ka qenë në Romë, mund t’i ketë rënë rasti të vizitojë kompleksin sportiv-arkitektonik të Foro Italico-s, të ndërtuar gjatë periudhës fashiste.

Në sheshin para kompleksit, spikat sot e kësaj dite një obelisk i bardhë i ngritur në vitin 1932, ku lexohet mbishkrimi “Mussolini Dux”.

Para pak ditësh, gjatë një ceremonie në Montecitorio në përkujtim të 70-vjetorit të rezistencës antifashiste në Itali, një ish-partizan u çua dhe tha se “duhet të bëjmë diçka për t’i pastruar të gjitha rrugët e Italisë nga fashizmi që po rikthehet dhe, sidomos, ta rrëzojmë atë kolonën në Foro Italico, me mbishkrimin e turpshëm Mussolini Dux…

Presidentja e Dhomës së Deputetëve të parlamentit italian, Laura Boldrini, iu përgjigj veteranit kështu: “ose të paktën është koha që ta heqim mbishkrimin.”

Që këtej edhe debati që pushtoi mediat italiane: a kish të drejtë Boldrini, që të kërkonte heqjen e këtij mbishkrimi fashist nga një prej obeliskëve të njohur në Romë, apo ky sugjerim, sado informal, duhej marrë për blasfemi?

Ndaj trashëgimisë fashiste në arkitekturë, urbanistikë dhe artet monumentale, italianët kanë mbajtur qëndrim të matur – pothuajse po aq të matur sa edhe ne në Shqipëri, ndaj ndërtimeve italiane të periudhës fashiste.

Në përgjithësi, ruajtjen e simboleve të një kulture politike të mposhtur nëmos tashmë të kapërcyer ata e kanë konsideruar si shenjë force, jo nostalgjie; pa marrë pastaj parasysh traditën e tyre shumëshekullore të ruajtjes dhe të shtresëzimit së kohës historike në hapësirë, që e ka bërë Italinë aq tërheqëse për vizitorët dhe aq domethënëse për vendësit.

Megjithatë, pakkush në Itali guxon ta mohojë që fashizmi e shpuri vendin në katastrofë – dhe që këtej, arsyet e mirëfillta për ta kujtuar dhe sidomos kremtuar në publik vijnë e reduktohen në minimum, në mos në zero.

Batuta e Boldrinit, në një kontekst të improvizuar dhe me ngarkesë emocionale, u kundërshtua me të madhe. Pati nga ata që propozimin e saj, për ta “fshirë” mbishkrimin Dux nga obelisku, e krahasuan me bëmat e ekstremistëve islamikë në Lindjen e Mesme – shkatërrimin e Budave dje dhe të monumenteve babilonase sot.

Vittorio Sgarbi, kritik arti dhe polemizues i pashembullt, tha me këtë rast se “Boldrini është injorante dhe prandaj duhet të japë dorëheqjen. Përfaqëson injorancën italiane.”

Mirëpo jo të gjithë mendojnë kështu. Pati zëra që e krahasuan qëndrimin italian ndaj trashëgimisë fashiste në kulturë me qëndrimin që mbahet në Gjermani ndaj nazizmit. Në fakt, është e pamendueshme që gjermanët të kujdesen për të ruajtur, në qendër të kryeqytetit të tyre, një obelisk me mbishkrimin “Heil Hitler” ose diçka të ngjashme.

Ky argument mund të kundërshtohet me kundër-argumentin se çdo shoqëri ka mënyrat e veta për t’u ndarë nga e kaluara – dhe se prania e simboleve fashiste në Itali nuk ka arsye të bashkëlidhet me nostalgjinë fashiste në politikën italiane.

Statuja atletësh, Stadio dei Marmi, Foro Italico

Statuja atletësh, Stadio dei Marmi, Foro Italico

Ndërkohë të tjerë vërejtën se edhe Foro Italico, ose vendi ku ngrihet sot obelisku me mbishkrimin fatal, dikur quhej Foro Mussolini, dhe vetëm pas Luftës II ia ndërruan emrin në diçka më neutrale. Dhe a nuk është ndërrimi i emrit i barasvlershëm me fshirjen e mbishkrimit?

Duke u hedhur nga Italia në Shqipëri, do të shohim se tek ne nuk ka pasur shumë lëkundje dhe pavendosmëri, sa u përket përmendoreve që i referoheshin Enver Hoxhës: statujat e tij janë rrëzuar, bustet janë çuar për gëlqere, mbishkrimet me emrin e tij janë fshirë ose shkatërruar; pa folur pastaj për veprat e plota që një popull i tërë ia hodhi në rrugë.

Qytetarët e Shqipërisë e trajtuan kujtimin e Hoxhës shumë më ashpër se ç’e trajtuan italianët Mussolini-n; sikurse trajtuan, me po aq egërsi, Stalinin. Për këtë lloj rrafshimi të historisë kushedi shërbeu si shembull mënyra si iu qas trashëgimisë historike totalitarizmi shqiptar, duke nisur që me shenjat e mbetura të mbretërisë së Zogut (të cilit deri edhe varrin e nënës ia shkatërruan me dinamit) dhe me të gjithë traditën e mëparshme që nuk përkonte me versionin zyrtar të historiografisë enveriste.

Do të më thonë, kushedi, se një lider totalitar e meriton të trajtohet me metoda totalitare, pasi është rrëzuar nga froni.

Mirëpo edhe Mussolini i tillë ishte; madje vetë termi totalitarizëm e ka origjinën në ideologjinë e fashizmit italian.

Nga ana e vet, regjimi i Hoxhës u tregua i butë dhe mirëkuptues me fytyrën urbane të Tiranës, ashtu siç e kishin projektuar arkitektët nga Roma: që nga kompleksi i ministrive dhe i Bashkisë dhe pastaj me bulevardin dhe kompleksin e stadiumit, dhe të ndërtesave sot rreth sheshit “Nënë Tereza”.

Nuk ka asgjë shqiptare, as organike në këtë faqe arkitektonike të Tiranës; ajo më shumë është parashutuar atje nga lart, sesa është produkt i një nevoje të brendshme të qytetit ose i një tradite vendëse.

E megjithatë, Hoxha e la të paprekur, madje e vuri tërësisht në shërbim të totalitarizmit të ri; duke e ripërshtatur.

Pavarësisht nga arsyet praktike dhe pragmatike që mund të ketë pasur kjo ripërshtatje, përshtypja e një bashkëtingëllimi të koncepteve totalitare për qytetin dhe jetën urbane mbetet.

Pastaj Hoxha vërtet e ruajti trashëgiminë italiane në qendër të Tiranës, por duke ia hequr përmasën diakronike ose historike: prejardhja e kësaj “Tirane të bardhë” nuk mbahej gjë e fshehtë, por as trumbetohej. Nuk kish rëndësi kush i kish ndërtuar ministritë, bulevardin, hotel Dajtin, stadiumin “Qemal Stafa”, rektoratin e Universitetit, Akademinë e Arteve – por kish ama rëndësi se kush po i përdorte dhe për çfarë.

Kuptimplotë mbetet, në këtë kontekst, fakti që funksioni kryesor i Bulevardit të Madh ishte të shërbente për paradat madhështore të festave komuniste.

Regjimi i Hoxhës e përvetësoi trashëgiminë urbane italiane (pavarësisht nëse fashiste apo jo) njëlloj si ajo gaforrja hermit crab, që gjen strehë në zhguallin e një molusku të ngordhur.

Dhe kjo u mundësua vetëm ngaqë kësaj arkitekture dhe urbanistike të italianëve i mungonin mbishkrimet: nuk kish aty as DUX as gjë tjetër që ta orientonte qytetarin drejt domethënies së gurëve, duke i ankoruar këto te një periudhë historike specifike.

Diçka të ngjashme sugjeroi edhe Boldrini, për obeliskun e Foro Italico-s – çankorimin e tij nga Mussolini dhe periudha fashiste, nëpërmjet heqjes së mbishkrimit, për ta lënë imazhin dhe simbolin vizual të pluskojë në interpretimet a-historike të italianëve të nesërm.

Një gjë është natyra haptazi falike e obeliskut dhe tradita e përdorimit të tij për të shënjuar triumfe reale a imagjinare, përballë një sfondi ushtarak dhe të dominuar nga forca; dhe një gjë tjetër lidhja pak a shumë arbitrare e një obelisku çfarëdo me Mussolini-n.

A nuk tingëllon vallë primitive, të paktën sot, që një popull haptazi t’i kushtojë udhëheqësit të vet (dux) obeliskë të bardhë?

Para disa vitesh, kujtoi që u debatua – në Tiranë dhe në Internet – për fatin e mozaikut gjigant në fasadën e Muzeut Kombëtar: vepër klishe e realizmit socialist me nota ikonografike kombëtariste dhe populiste.

Mozaikun atje e gjen sot e kësaj dite: shqiptarët nuk deshën, nuk arritën, nuk guxuan ta prishin, as ta mbulojnë. Por kam dyshim se po të kish qenë atje gjëkundi Enver Hoxha, sot veprën do ta kish mbuluar gëlqerja ose suvaja.

Në fakt, ndërhyrjet që bënë shqiptarët ndaj simbolikës totalitare pas viteve 1990 lanë të kuptohet se nuk ishte fjala për ndonjë refuzim racional të totalitarizmit, por më tepër për një lloj ekzorcizmi të identifikuesve, duke filluar nga vetë emri dhe fytyra e Hoxhës.

Në vend që të ndaheshim me të shkuarën, ne ndërtuam një dordolec shëmbëlltyrë të saj dhe i vumë zjarrin.

Ndoshta kjo shpjegon edhe pse fashizmi si kujtim urban dhe arkitektonik ka mbijetuar i integruar organikisht në qytetin e Romës, krahas rrënojave antike, Romës së hershme të krishterë, Romës mesjetare, Romës baroke dhe kështu me radhë; ndërsa komunizmi urban dhe arkitektonik ka mbetur në Tiranë më tepër në trajtën e një të çare të stërmadhe, si pas një tërmeti; trup i stërmadh dhe tani i gjymtuar keqazi e në dekompozim e sipër i një hyji të braktisur.

Mjaft të krahasosh serenitetin me të cilën e priti ndërrimin e regjimit pjesa italiane e Tiranës – ndoshta me përjashtim të Hotel Dajtit – me rrëgjimin e Tiranës së ndërtuar pas vitit 1944: që nga Pallati i Kulturës e deri te Piramida.

Kush ka shëtitur në Via dei Fori Imperiali në Romë, do t’i mbajë mend katër hartat murale prej mermeri bardhezi, që tregojnë ekspansionin e Perandorisë Romake –modelit virtual të Imperos së Duce-s.

Ma merr mendja se vendësit që kalojnë atje, i këqyrin me një farë humori këto simptoma të megalomanisë mussoliniane; ose si përkujtesa se Italisë i mjafton vetvetja, për të qenë Itali.

(Lexoj se Mussolini pat ndërtuar atëherë pesë harta – prej të cilave të pestën, që tregonte Impero-n fashiste, e hoqën menjëherë pas Luftës II.)

Ndoshta pikërisht ky lloj humori dhe distance na mungojnë ne shqiptarëve sot, në marrëdhëniet tona me të shkuarën; çka do të thotë edhe se kushedi na mundon frika se, në zgëqet e pavetëdijes dhe në pamundësi për t’u dhënë zgjidhje sfidave të sotme, të gjithë e presim nga pak Enver Hoxhën që të kthehet.

 

Pa Komente

  1. Te gjithe eshte pergjithesim i guximshem. Per te shpetuar demokracine nga pergjegjesite e veta si sistem politik perpiqemi t’ia mveshim gjithe padrejtesite politikaneve autokrate, hajdute dhe makute dhe kapitalisteve gangstera, drogaxhinj e kriminele deri ne palce, derisa me ne fund plasemi tek populli i burim i gjithe te keqijave meqe voton, punon e blihet prej kategorive me siper, se ne fund te fundit a nuk eshte populli sovrani ne demokraci. Gjendemi brenda nje rrethi vicioz, prej te cilit nuk shpetojme dot. Nqs hija e Enverit vjen verdalle ne menyre spontane kjo mund ti mvishet nevojes se privatit per ndihmen e publikes apo komunitares ne kushtet kur demokracia nuk ka mundesuar ende nje publike apo komunitare pertej perkufizimit matematikor si shumesi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin