Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Totalitarizëm

TATUAZHI NË GUR (VI)

Nga periudha totalitare kemi trashëguar një Shqipëri palimpsest – faqe e një dorëshkrimi, pergamenë e ripërdorur vrazhdë, ku shenjat i mbivendosen abuzivisht njëra-tjetrës dhe ku tejdukshmëria shndërrohet në premisë të leximit historik.

Gjakimi totalitar ishte edhe gjakim për ta njerëzuar mjedisin, ose për ta shndërruar në diçka të kuptimshme dhe të lexueshme – nëpërmjet zbutjes së gjeografisë, shpyllëzimit, industrializimit, tharjes së kënetave, bonifikimit, ndërrimit të shtretërve të lumenjve, bunkerizimit.

E gjithë kjo ndërmarrje, me shtrirje mbresëlënëse anembanë territorit, sot ka mbijetuar në trajtat e përkujtesës për disfatën e djeshme; ose për ndëshkimin e hubris-it totalitar.

Qytetarëve të Shqipërisë së sotme u kanë mbetur trashëgim moria e kapanoneve industriale, trojeve të vdekura, të degraduara; zonave të ndotura, mini-Çernobylë që ende vrasin në heshtje; fushëtirave të braktisura, që popullohen nga krijesat e skajeve – endacakët, të pastrehët, të ikurit, të ardhurit, qentë e zgjebosur, bimësia kufitare me rrënjë që ia shpojnë betonin; pyjeve me kulla çeliku të impianteve të djeshme, që tash veç rrjedhin ndryshk; oxhaqeve të kërrusura, të vithisura e gjysmë të rrëzuara; shinave që nuk shpien më asgjëkund, si në një videolojë të programuar me ngut e keq; vagonëve me sponde të zbërthyera, zetorëve të shkrumbuar, tankeve përjetësisht të ngecura në baltërat e betejës heroike që në fakt nuk e luftuam dot kurrë, puseve të naftës që ende rrjedhin qelb të zi nga nëntoka; skeleteve të krijesave dikur krenare dhe hijerënda, por që sot s’vlejnë as për muze; zoopark i pamatë dinozaurësh të trishtë, të ngecur në limbin përtej jetës dhe vdekjes.

Arti është nga mënyrat me të cilat mund të komunikohet ende me këtë botë, së cilës i ka mbijetuar hija; një mënyrë, një orvatje, një mundim për të rikuperuar që andej skrapin shpirtëror të domethënies dhe për ta riderdhur atë në forma të reja, të kuptueshme dhe komunikative, të cilat të shërojnë traumën gjithë duke u ri-integruar në peizazh.

Kjo qasje ndryshon nga kundërveprimi pothuajse instinktiv, entropik, në thelb revolucionar i fillimit të viteve 1990; kur ndarja nga e kaluara u orvat nëpërmjet rindërtimit, ose restaurimit të një Shqipërie të djeshme, pristine, të papërlyer; pa çka se kjo do të kërkonte jo vetëm ethe shkatërruese dhe energji negative të jashtëzakonshme, por edhe vetë mundësinë, në fakt zero, për ta rikthyer në jetë këtë Shqipëri imagjinare.

Sot i gjen, të shpërndara anembanë vendit, krahas rrënojave të erës totalitare, edhe rrënojat e shkatërrimeve përkatëse; në trajtë piedestalesh të mbetura pa monumente dhe statujash të mbetura pa piedestale; rrasa varresh të ngecur si dhëmbë të kalbur në troje simbolikisht të djegura me napalm, por tashmë të privuara edhe nga skeletet përkatëse.

Njëlloj sikurse gjen, ende të shpërndara anembanë shqipes së sotme, mbeturinat e totalitarishtes së djeshme, klishetë e Enverit në gojën e oligarkëve të rinj dhe përftesat e vjetra, të lodhura e të dala boje, të rekrutuara sërish, si veteranët e luftërave pothuajse të harruara – kur PARTI ENVER shndërrohen në LIRI DEMOKRACI, dhe vendin El Dorados socialiste ia zë Europa, po aq teorikisht e paarritshme.

Shqipëria, reale dhe e imagjinuar nëpërmjet fjalës, është e zhytur gjer në grykë, në llurbën e rrënojave, mesazheve të trashëguara nga periudha totalitare dhe plehrave të përftuara sërish, gjatë përpjekjeve sa voluntariste, aq edhe naive, për t’i hequr ato qafe nëpërmjet shkatërrimit.

Nëse të djeshmit u qepeshin maleve dhe kodrave, për t’i bërë ato po aq “pjellore” sa edhe fushat; dhe parapëlqenin të zgjidhnin si kryesimbole dy nga veglat më shkatërruese që ka njohur ndonjëherë njeriu, kazmën dhe pushkën; të sotmit kanë mbetur peng i një marrëdhënieje paradoksale me të shkuarën, duke vegjetuar mbi mbeturinat e saj, duke u ngrohur me energjinë e keqe të dekompozimit të saj dhe duke u përpjekur të ushqehen ende me qumësht nga gjiri i një kufome, si viçi që thith e thith sisët e një lope të çarë më dysh nga një predhë topi.

Prandaj, në këtë kontekst melankolik, me shqiptarët të cilëve po u zihet fryma nga arkeologjia e përgjithshme, gjesti i Lulajt merr domethënie epike, duke i tejkaluar caqet e një vepre arti ose e një angazhimi simbolik në kufirin midis sendeve dhe shenjave; dhe duke u ofruar si model i ri i leximit të realitetit, të sotëm dhe të djeshëm.

Rishkrimi i ENVER si NEVER është gjetje pothuajse homeopatike, për ta luftuar kulturën e djeshme, të rrafshimit të mendjeve: po të kemi parasysh similia similibus curantur, ose moton e mirënjohur të mjekëve homeopatë, sipas të cilëve sëmundja kurohet me barna të tillë që përftojnë efekte të ngjashme me ato të sëmundjes vetë. Diçka si plumbi nxirret me plumb, që kanë pasë thënë shqiptarët, në kohët kur plagët mjekoheshin duke u qëlluar me armë zjarri.

Gjithnjë bukur e dukshme në shpatin e Shpiragut, e shpalosur po aq madhështore sa edhe mbishkrimi i djeshëm, kjo fjalë e anglishtes, NEVER, megjithë asociacionet e reja kuptimore dhe simbolike që sjell me vete, e ruan të fortë lidhjen me të shkuarën; pse ajo, në vetvete, nuk ka arsye, nuk gjen dot arsye të mjaftueshme për të përligjur qenien e vet aty; as përmasat gjigante; as tatuimin e truallit; as efektin gjeoglifik. NEVER në faqen e Shpiragut mund të përligjet vetëm në kundërvënie me ENVER-in e djeshëm; ose si mutacion, i përçudshëm si shumica e mutacioneve, e një shenje, e një simboli, e një ishareti deri dje të shenjtë, sakral, të pacenueshëm për totalitarizmin – emrin e udhëheqësit, le nom du père.

Është mbishkrimi që mbulon mbishkrimin tjetër; jo duke e shkatërruar, por duke e riformuluar lehtësisht, duke ia lëvizur e ri-renditur strukturën molekulare, për të zbuluar kuptimin e nëndheshëm mbi kuptimin sipërfaqësor; dhe pikërisht paralajmërimin që japin figura të kalibrit të Enver Hoxhës, kur përfshihen në histori; një paralajmërim të ngjashëm me atë të farit që dikur kujdeseshin ta mbanin ndezur në zonat me shkëmbinj të nënujshëm, në mes të detit: NEVER.

[fund]

Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.

Shënim: Këtë ese të gjatë ma patën kërkuar në 2013, për një botim të posaçëm të Tirana Institute of Contemporary Art, i cili pastaj dështoi (siç dështojnë rëndom ose mbeten në gjysmë të rrugës projekte të tilla pompoze). Tani që videoja e Armando Lulajt, mbi të cilën ndërtohet eseja ime, është integruar në trilogjinë me të cilën ky artist përfaqësohet në Bienalen e Venezia-s, mendova që t’ia sjell veprën time lexuesit të Peizazheve të Fjalës pjesë-pjesë, që të mos më shkojë puna dhe përkushtimi dëm, por edhe për hir të perspektivës semiologjike që kam zgjedhur për analizën.

(c) Peizazhe të Fjalës, 2015. Ndalohet çdo lloj riprodhimi, pa lejen eksplicite të autorit.

Pa Komente

  1. Koncepti i Foucault-s, heterotopi, simotra hibride e eu- dhe dis-topisë, më ngjan i përshtatshëm për mbivendosjen e kuptimeve dhe asociacioneve në stampën e gurëzuar “NEVER”, ku “ENVER” dhe kulti i udhëheqësit total, shtratëzohet e manipuluar nga mohimi kohor, detyrimisht utopik, sepse asnjë garanci nuk kemi që N nuk bie, a nuk e zhvendos një artist apo maniak i ardhshëm, apo një tjetër si enveri nuk ngrihet përsëri (a s’ka thënë një dëshmitar i mençur se udhëheqësi ka vetëm ditëlindje?). Duke menduar se Foucault i kupton edhe muzeumet si hapësira heterotopike, ky monument zvarritës, që ka funksionuar si përmendore vlerash e pikësynimesh në dy epoka që duan ta përjashtojnë njëra-tjetrën, është heterotopik, në rradhë të parë për statusin muzeal, por aq më shumë edhe për ndryshueshmërinë e mesazhit nga një “po” në një “jo” totale kundrejt diktaturave.

    Faleminderit, Xha Xha, që e ndave esenë me ne!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin