Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

TATUAZHI NË GUR (II)

Në nëntor të vitit 1969, regjimi festoi me zulmë 25-vjetorin e çlirimit. Nga ato festime unë fëmija veç mbaj mend dritat shumëngjyrëshe të dekorit dhe fishekzjarrët; por ka të ngjarë se bash atëherë ndonjë aparatçik i shkathët a sekretar politik i propagandës, do të ketë hedhur idenë që të shkruhej diçka e madhe, diçka epike, në kanavacën natyrore të malit të Dajtit.

Ashtu do të ketë zënë fill mbishkrimi me shifra romake XXV, për shumë kohë i dukshëm nga qyteti poshtë; i bardhemë mbi kaltërsinë e mjegullt të malit.

Si formë notacioni numerik, shifrat romake e kishin aso kohe, siç edhe e kanë ruajtur, një farë solemniteti të mermertë; pa përmendur pastaj që ajo XXV ishte edhe zgjidhja më praktike, në krahasim me alternativat.

Kam qenë fëmijë, vetëm 12 vjeç; dhe vitin 1969 e mbaj mend më shumë për Apollon 11 dhe shëtitjen e Armstrong-ut në Hënë, sesa për përvjetorin e një çlirimi që për mua nuk kish ndonjë domethënie; por ajo XXV, e përvijuar në shpatin gjigant të Dajtit, më linte gojëhapur; si gjest i triumfit të njeriut mbi natyrën, të shoqërisë mbi gjeografinë dhe të ideologjisë mbi peizazhin apolitik.

Atë majë të Dajtit do ta quanim më pas “njëzet e pesa”, për ta dalluar nga tjetra, që pak më vonë do të thirrej “antena”, për hir të objektit që do të ndërtonin mu në kreshtë kinezët. Na përhiheshin kështu përbri njëra-tjetrës dy antipodet e teknologjisë mediatike – nga njëra anë njëzet e pesa e mbishkruar mundësisht amshueshëm në gur; nga ana tjetër antena e radiovalëve aq të padukshme dhe efemere; edhe pse të dyja, edhe mbishkrimi edhe antena, të njëjtit qëllim do t’i shërbenin, ndoshta edhe duke plotësuar njëra-tjetrën.

Vetëm tre vjet më vonë, në 1972, jemi ngjitur në Dajt – kam qenë në klasë të 8-të, dhe ishte hera e parë për mua që kuturisesha aq lart mbi Tiranë. Të shtyrë nga kurioziteti, të nesërmen e natës që kaluam te “kampi”, vendosëm të kapnim edhe lartësinë e fundit nëpërmjet një inkursioni të paautorizuar; të joshur edhe nga shpresa se do të vizitonim “shpellën e ariut.” Kushedi do të kem ecur atë ditë edhe në hapësirën e shenjave të 25-ës, duke i shkelur bulevardet e zbrazëta të X-ve dhe të V-së; por nuk më kujtohet të kem vënë gjë re. Në kontakt të drejtpërdrejtë, e madhja bëhej e padukshme, si të ishte provë e pranisë së Zotit në univers; ose kushedi ishim ne që zvogëloheshim shumë, milingona mbi gjeometrinë e një hapësire tashmë të rekrutuar nga politika “e lartësive.”

Vetëm dy-tre vjet më vonë, në kinematë e Tiranës do të shfaqej një film që na tronditi të gjithëve: dokumentari “Vizitorë nga kozmosi”, i Harald Reinl, i mbështetur në hipotezat e Erich von Däniken për kontaktet e njerëzimit, në rrjedhë të historisë, me astronautë nga botë të tjera.

Një nga gjeoglifet në Nazca.

Një nga gjeoglifet në Nazca.

Filmi na rrëfeu për vizatimet e mrekullueshme të rrafshnaltës së Nazca-s në Peru, të cilat, sipas autorëve të filmit, ishin menduar dhe ekzekutuar për t’u parë nga lart; ose gjithsesi nga një distancë e madhe.

Logjikisht, imazhet u drejtoheshin, në mos aviatorëve të lashtësisë dhe astronautëve nga Siriusi dhe Epsiloni i Eridanit, kujtdo në gjendje t’i shihte nga lart – ose Zotave.

Më vonë kam mësuar se gërvishtje të tilla në faqe të planetit, herë vizatime e herë mbishkrime, të quajtura gjeoglife, ndeshen praktikisht kudo – si provë se njeriu, pavarësisht se për ç’arsye, gjithnjë ka kërkuar, gjithnjë është rrekur të shkruajë mbi truall, të lërë gjurmë të fuqishme, shenja të pashlyeshme të lavdisë së vet ose dëshmi njëlloj të pashlyeshme, të mirënjohjes për lavdinë e kujt do t’i shohë ato imazhe dikur.

Me gjeoglifet ngjajnë, së paku në koncept, edhe gjestet ambicioze, në mos megalomane, të disa arkitektëve, starkitektëve dhe urbanistëve që kanë skalitur, nëpërmjet ndërtimeve të reja dhe planimetrisë qytetëse, mesazhe në fytyrat e qyteteve ku kanë ndërtuar.

Unë e kam pasur një imazh të tillë mu në zemër të qytetit ku kam kaluar 30 vjetët e parë të jetës – Tiranës; ku, siç dihet tashmë gjerësisht, kompleksi i sheshit “Skënderbej”, bulevardit të madh dhe stadiumit, të soditura nga lart, riprodhojnë sëpatën fashiste të Liktorit, simbol i mirënjohur i pushtetit të Mussolini-t në Italinë e viteve 1930.

Shumë kohë më pas, kur eleganca e vijave kapitoline të bulevardit kish humbur tashmë mes ndërtimeve dhe arnimeve të panumërta të periudhës që pasoi, ideja e një ndërtese emblematike, e tillë që të mund të lexohej nga lart si imazh, u rishfaq pas vitit 1985, me projektin e Muzeut të Enver Hoxhës, të njohur në vijim si “Piramida”; dhe që do të ngjante, që nga qielli, si shqiponja dykrenore e flamurit kombëtar.

Qytetari i Tiranës nuk kish asnjë shans, në ato vite, që ta pikaste drejtpërdrejt këtë tipar figurativ të ndërtesës; prandaj piramida shqiponjë i drejtohej “syrit në qiell”, ose padronit simbolik të jetëve shqiptare nën diktaturë.

Përkundrazi, ne të tjerët ndërtesën e pagëzuam si “Piramidë”, emër që i ka mbetur deri sot e kësaj dite. Gjithsesi, nga “syri në qiell” te “Piramida”, konteksti i ikonave dhe simboleve masonike nuk është se ndërron shumë.

Në rrafshin simbolik, i vetmi që mund ta shihte Tiranën dhe në përgjithësi Shqipërinë nga sipër ishte Enveri; dhe aq më e vërtetë u bë kjo pas vdekjes së tij, ose ngjitjes së tij “në qiell”.

Te ky orientim vertikal shohim mishërimin e pushtetit; dhe te këndi i vështrimit nga lart poshtë syrin e leader-it total, i vetmi në gjendje të shfrytëzojë përmasën e tretë, madje ta banojë atë.

Simbologjia totalitare sugjeron shembuj të tjerë të këtij vështrimi nga lart-poshtë: nga manifestimet sportive në stadiume te paradat me rastin e festave dhe të përvjetorëve.

Sot këndvështrimin publik e kushtëzojnë, para së gjithash, kamerat e televizionit; në mënyrë të tillë që jo vetëm publiku i percepton ngjarjet me syrin e kamerës, por edhe ngjarjet vetë shtjellohen në mënyrë të tillë, që t’i kapë kamera.

Por nuk ka qenë gjithnjë kështu e aq më pak në Shqipërinë totalitare, ku formën realitetit publik nuk ia jepte kamera e televizionit, por syri i udhëheqësit.

Si në eksperimentet e fizikës kuantike, ky farë realiteti materializohej në momentin që vinte në kontakt me syrin e diktatorit.

Ndryshimi me kamerën është thelbësor; sepse kamera është anonime, është syri im dhe yti; ndërsa pamja që i shpalosej diktatorit nuk ishte menduar, as ndërtuar ndonjëherë për mua, as për ty.

Kujtoni paradën e 1 majit, banderolat, portretet e klasikëve dhe fytyrat e polit-byroistëve, kamionët e shndërruar në makete ose skena teatri, valltarët e ansambleve folklorike që jepnin shfaqje duke parakaluar: për kë shpalosej ky spektakël, në mos për diktatorin në tribunë?

Televizioni iu shtua këtij karnavali relativisht vonë; madje pa arritur ndonjëherë të integrohej mirë me shfaqjen në bulevard, që i drejtohej gjithnjë tribunës jo kamerave.

Populli poshtë i shfaqej udhëheqësit lart si disiplinë koreografike, ndërsa udhëheqësi lart i shfaqej popullit poshtë si syri në qiell.

Të fluturoje mbi Tiranën totalitare ishte praktikisht e pamundur dhe, teorikisht, e ndaluar; në dukje për arsye sigurie, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte me të drejtën për ta parë qytetin dhe qytetarët nga lart, e cila i përkiste ekskluzivisht udhëheqjes, të mishëruar në personin dhe personalitetin e diktatorit.

Në këtë kuptim, ndërtesa e ish-muzeut Hoxha mund të ketë pasur vërtet formën e stilizuar të shqiponjës, por kjo pamje e saj mbetej pamje simbolikisht “diskrete”, madje “sekrete”, si gjithçka tjetër e rëndësishme.

[vijon]

Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.

Pa Komente

  1. Po i bie shkurt kesaj rradhe. Xha Xha, te gabon kujtesa nuk ka qene asnje here XXV, ka qene XX. Une jam nja 7 – 8 vjet me i moshuar se ju dhe kete pune e mbaj mend mire, madhe dhe i thoshim “ke njezeta”. Pyet edhe te tjere, mundohu edhe te gjesh ndonje fotografi, po mos e lere XXV se nuk eshte e vertete. Respekt.

    1. Ndoshta ia kanë shtuar një V më pas. Edhe unë e mbaj mend me siguri që i kemi thënë ‘ke istepesa‘. Punë brezash do të ketë qenë.

      1. Xha Xha, une e bera timen, sepse desha mos te le te gabosh. Now, it is up to you.

        1. Falemnderit – do ta verifikoj me të tjerë. Por ki parasysh që dy versionet, yti dhe imi, nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Mund të ketë qenë “XX” në fillim (1964) dhe pastaj është bërë “XXV” më pas (1969).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin