Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

PICKIMI I BLETËS

pjalmimi-bletaPo të interesohesh për bletët në këto momente rrezikon të të kujtojnë atë shprehjen e krehjes ndërsa fshati digjet. Sidoqoftë, ia vlen barra qiranë, për arsye se fshati vërtet po digjet dhe bletët janë kallauzi më i mirë.

Nuk është hera e parë që u kushtojmë vëmendje bletëve, të cilat i kemi parë nga këndvështrimi jo i bletërritësit, por nga ai i dashamirësit, i konsumatorit dhe i vëzhguesit. Megjithatë, nuk i kemi parë kurrë nga pikëpamja e rrezikut të zhdukjes së tyre.

Në vitet 2000 u bë shumë e qartë se bletët rrezikonin të zhdukeshin, sidomos në Europë e në SHBA, ngaqë ekspertët vunë re një ulje të ndjeshme të zgjojeve. Thuhet se në Europë, gjatë viteve dymijë, bletët janë pothuajse përgjysmuar, ndërkohë që tendenca nuk është aspak pozitive. Në dimrat e fundit në Europë popullsia e bletëve është ulur me 20%, por kjo shifër në disa vende është më e lartë.

Në Shtetet e Bashkuara vdekja me 30-40% e zgjojeve më 2006 u shpjegua me sindromën e Colony Collaps Disorder, që shkaktonte zhdukjen e bletëve punëtore.

Përse vallë janë kaq të rëndësishme bletët? Natyrisht jo vetëm për mjaltin, që mbetet ushqim i shkëlqyer që nga kohët e lashta, madje ka plot njerëz që, sot e kësaj dite, e konsiderojnë më shumë si ilaç se sa produkt ushqimor. Po i lëmë mënjanë nënproduktet e tjera të kosheres, të vlefshme si edhe mjalti. Fakti është se bletët kanë rol themelor për pjalmimin (polenizimin) e luleve. Është shërbim kyç për të ruajtur biodiversitetin, florën dhe ekosistemin. Pa veprimtarinë e bletëve, që shkojnë lule më lule, pjalmimi duhet të bëhet me mjete të tjera, që janë të kushtueshme e gjithsesi jo aq efikase.

Albert Einstein-it i kanë vënë në gojë këtë thënie: “Nëse bletët do të zhdukeshin, pas katër vjetësh do të zhdukej i gjithë njerëzimi”. Sipas gjasës, fizikani gjenial nuk e ka shqiptuar kurrë këtë fjali, por fati i përhapjes së saj duhet të shihet jo tek autori, por tek rëndësia që kanë bletët në mjedisin ku jetojmë. Mungesa e bletëve do të sillte një reagim zinxhir që do të dëmtonte disa prodhime frutash e perimesh, çka do të ndikonte më pas negativisht në blegtori. Mendohet se 75% e kultivimeve do të pësonin ulje në prodhim.

Arsyet e uljes së numrit të zgjojeve janë enbletetde duke u studiuar e nuk ka ndonjë shpjegim përfundimtar shkencor. Studiuesit mendojnë se vdekja e bletëve shkaktohet nga një sërë faktorësh, disa prej tyre ende të panjohur. Këtu futen sëmundjet që prekin bletët, bujqësia industriale, përdorimi i pesticideve, ndotjet e ndryshme, ndryshimet e klimës, etj. Për ta thelluar njohjen e kësaj problematike tepër i dobishëm është raporti i Greenpeace “Bees in Decline. A review of factors that put pollinators and agriculture in Europe at risk.

Tema është aktuale në nivel botëror, sepse shumë organizata ndërkombëtare po përpiqen t’i kuptojnë shkaqet e sindromës së mësipërme dhe rrugët e mundshme të shërimit. Problemi është global, ndaj edhe zgjidhja kështu duhet shtruar.

Po Shqipëria ç’po bën në drejtim të bletarisë? Ky sektor ka pasur zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit, çka vihet re edhe nga përhapja në rrethet e ndryshme, me traditë ose jo. Sektori ka qenë dhe është pa dyshim fitimprurës. Nga një vështrim i jashtëm, vihet re mungesa e vëmendjes së duhur nga ana e institucioneve, ndonëse duhet pranuar se bletaria shfaqet të paktën si emër në vendimet e ndryshme programatike. Megjithatë, në sitin e Ministrisë së Bujqësisë mungon një rubrikë që t’i kushtohet bletarisë.

Përshtypja është se bletaria zhvillohet më shumë në plan individual, në bazë të nismave personale, pra pa një vizion sistemik, që vetëm institucionet mund ta sigurojnë. Bletaria nuk mund të krahasohet për nga vëmendja me sektorë si bujqësia e blegtoria, edhe pse, siç e pamë më sipër, mungesa e bletëve do të ishte katastrofike për të gjithë sektorët ekonomikë e për mjedisin.

bletariaPër një hov cilësor ka nevojë edhe organizimi i operatorëve të sektorit, të cilët janë bashkuar në shoqata që promovojnë herë pas here aktivitete të ndryshme. Pozitiv është edhe rritja e komunikimit në internet. Nga kërkimet në rrjet, vihet re se aktiviteti i bletarisë në Kosovë duket më energjik se ai në Shqipëri, çka na sugjeron se bashkëpunimi më i ngushtë do të sillte rezultate pozitive për të gjithë.

Edhe bletët që rriten në trojet shqiptare kanë pësuar ulje në numër, ose luhatje në rritje. Vite më parë, edhe në qytet, duhet të kishe kujdes nga pickimi i bletëve, ndërsa tani, me uljen e gjelbërimit, ky rrezik është shumë i ulët. Si të thuash, për çka përshenjon, bleta pickon edhe në mungesë. Shqetësimi për reduktimin e zgjojeve gjendet edhe në fjalët e bletërritësve, por duket se mungojnë projekte madhore për parandalimin e sëmundjeve. Nga ana tjetër nuk mund të lihet mënjanë cilësia e mjaltit, që duhet të jetë detyrimisht e lartë për të marrë rrugën e eksportit.

Italia ka ndërmarrë një projekt ambicioz, që synon regjistrimin e zgjojeve në të gjithë vendit, që do të jetë një hap përpara për bletarinë, por edhe për shëndetin e konsumatorëve, sepse do të rritet mundësia për ta kontrolluar origjinën e mjaltit, cilësinë e produkteve të ndryshme, por edhe sëmundjet që prekin bletët. Shqipëria duhet të futet menjëherë në rrjetet ndërkombëtare e në projektet europiane që merren me bletarinë dhe produktet e saj.

Një punë e mirë në favor të bletëve ndihmon ekonominë nga një anë, kurse nga tjetra rrit ndjeshmërinë dhe edukatën ndaj mjedisit. Ky aktivitet mund të fillojë që në shkollat fillore, ku vëmendja është e garantuar, pasi bleta ushtron sharm të jashtëzakonshëm tek fëmijët. Por para bletës dhe kurioziteteve të saj edhe të rriturit bëhen fëmijë.

Pa Komente

  1. PZH: “Vite më parë, edhe në qytet, duhet të kishe kujdes nga pickimi i bletëve, ndërsa tani, me uljen e gjelbërimit, ky rrezik është shumë i ulët.”

    Eshte i vertete ky fakt, por mendoj se duhet te behet dallimi, se flitet me teper jo per bletet e mjaltit(apikultura), por bletet e egra(grerezat dhe variantet e tyre) qe na pickonin ne qytete. Keto te fundit gjithmone kishin habitatin e tyre natyral livadhet, lulishtet, kopshtet si brenda, ashtu edhe ne rrethinat e qyteteve tone gjysme urbane.

    Folete e tyre i ndertonin kudo dhe shpesh beheshin te bezdishme dhe njekohesisht te frikeshme, sidomos ne vere, kur mbanim dritaret hapur nga vapa dhe hanim ne kuzhinat e tona te vobekta; kjo vecanerisht kur perdorej receli, fillonte fushata per shkaterrimin e foleve te tyre. Shume nga ne nuk harrojme friken dhe alarmin qe ngjallnin grerezat sidomos gjate vaktit te ngrenjes ne plazh, apo lekurave te shalqive te hedhura pa kujdes perreth dhe ne rere.

    Nderkohe, Shqiperia ka patur vecse nje tradite minoritare te rritjes se bleteve, kryesisht me baze krahinore apo individuale. Bletaria moderne filloi me shkollen teknike(Fulz-in). Bletarine moderne, qe i pergjigjej deri diku kohes ne Shqiperi, e ka zhvilluar nje njeri i vetem, ku shkonin te gjithe te faleshin, Ali Duma, nje nxenes i talentuar i shkolles teknike me origjine nga Borshi. Ai ishte nje njeri i shume talenteve, nder to edhe mjeshter i cirkut te Tiranes, i njohur per numrat e tij te shpejtesise, nje arritje kjo jo e vogel per kushtet mjerane per zbavitje ne Shqiperise.

    Mendoj se arsyet kryesore te renies te popullsive te bleteve ne pergjithesi, ne periudhen qe kalojme nuk jane pesticidet, kjo sidomos per SHBA. Ka dekada qe perdorimi i pesticideve ne vendet e zhvilluara eshte ne renie, per faktin e thjeshte, se po shkohet ne nje drejtim tjeter, ne inxhinjerimin gjenetik te bimeve, qe jane me rezistente karshi insekteve dhe demtuesve te tjere.

    Arsyet kryesore duhet te kerkohen ne ate qe quhet “ngrohje globale” apo reduktimi i mbuleses te gjelber, per shkak te hapjes se tokave per prodhimin e drithrave qe nuk ka nevoje per polinimin individual nga bletet, dhe perdorimi i tokes per zgjerimet urbane. Megjithate, mendohet se si pjese e evolucionit, bletet do te mbijetojne krizave ekologjike, duke u riadaptuar ne kushtet e reja. Ka prova gjeo-historike per kete.

    Te falenderoj Pishak per keto shkrime ekologjike.

    1. Rreziku nga pickimi vinte nga shumë insekte, por në këtë rast unë i referohesha atij të bletëve. Në atë kohë rrinim shumë më pranë natyrës se sa sot, ndoshta sepse kishte më tepër natyrë, ndoshta se ne ishim “më natyrë”. E këtu më vjen ndër mend, në mënyrë misterioze, ndikimi i uniformës ushtarake që përdorej në zbor, që nuk e di përse të bënte që të shtriheshe kudo ku shikoje bar, ose të zhgërryeshe edhe atje ku kishe baltë.
      Nejse, flisja për bletët, ngaqë kam qenë më shumë në kontakt, si banues në një lagje periferike, atje ku nuk dihet se ku mbaron fusha e ku fillon qyteti.
      Për shkaqet e rënies së popullsive të bletëve mund të flitet shumë. Nuk jam ekspert, por tek studimi i lartcituar flitet për disa lëndë specifike që ekzistojnë tek pesticidet. Kam dëgjuar madje se ndikojnë gjithashtu fushat elektromagnetike, ngaqë i çorientojnë bletët, por nuk e di sa e vërtetë është. Kam lexuar edhe komente që janë optimiste se bletët, pavarësisht rrezikut që u kanoset, do t’u përshtaten kushteve të reja. Nuk e di, edhe mund ta besoj, por nuk kuptoj pse duhet t’i fusim në stres me përdorime të dëmshme edhe për njeriun.
      Dikur në Shqipëri bletaria ka qenë thjesht një lloj hobby, një punë amatoriale, që bëhej për qejf nga disa persona dhe, përveç disa zonave, nuk ka qenë traditë e përhapur. Sot ka më shumë bletari se dje, por jemi ende larg nga prodhimi industrial, sasior e cilësor, në kuptimin fitimprurës. Potenciali ekziston, mendoj unë.

  2. Shkrimit te Pishakut nuk di ti hiqja asgje pervecse fjaline e meposhtme:
    Edhe bletët që rriten në trojet shqiptare kanë pësuar ulje në numër,..

    Sepse me sa di numri i bleteve ne Shqiperi vitet e fundit ka ardhur ne rritje. Madje Shqiperia eshte nder vendet qe kontribuon pozitivisht ne kete aspekt ne nivel kontinenti (europian). Kete e kam degjuar ne nje emison televiziv kushtuar bletarise dhe me ka bere pershtypje sepse edhe une kisha idene se numri ishte zvogeluar. Sidoqofte iniciativat ngelen akoma ne nivel individual.

    1. Nuk gjeta shifra të sakta për bletarinë dhe numrin e zgjojeve në Shqipëri. Besoj se ke të drejtë po të kemi parasysh numrin absolut të zgjojeve, por unë po flisja për uljen e asaj popullsie që ishte më parë, ose në vijim. Sipas disa dëshmive personale, para pak vitesh, pati rënie e gjithsesi luhatje në numrin e zgjojeve që kishin më parë. Më treguan për vdekje e për ulje të numrit kryeisisht nga veriu i Shqipërisë; fajin bletarët shqiptarë me të cilët fola ua vinin klimës e sëmundjeve. Por arsyet për të cilat folëm janë më komplekse. Sidoqoftë, si aktivitet e si numër absolut bletaria po rritet në Shqipëri. Jam dakord. Për fat të keq nuk kemi statistika të përvitshme. Ja pse duhet vëmendja e institucioneve.

  3. Meqë jemi te kjo temë, sipas një studimi të publikuar këtë javë nga EASAC (European Academies’ Science Advisory Council), duket se përdorimi i një lloji të veçantë pesticidesh – neonicotinoids – shkakton dhe dëmtimin masiv të bletëve, por edhe të insekteve të tjera.

    http://www.spiegel.de/wissenschaft/natur/bienensterben-eu-studie-sieht-pestizid-einsatz-als-grund-a-1027661.html

    http://www.easac.eu/environment/reports-and-statements/detail-view/article/ecosystem-se.html

  4. Problemi po ndërlikohet edhe më shumë. Sipas studimit të “Nature“, bletët paskan një farë parapëlqimi për disa lëndë të familjes së neonikotinoideve. Me fjalë tjera krijojnë vartësi ndaj tyre. Bletët “drogohen”? Po kush është shpërndarësi i drogës në këtë rast?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin