Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Ekonomi

KRIME TË DJERSITURA

Lexoja dje rastësisht, një intervistë të një funksionari të doganave, i cili fliste mes të tjerash për “pulla fiskale të falsifikuara”, si dhe për kuti shishesh birre ku vetëm rreshti i parë e kishte pullën fiskale.

Këto janë vetëm dy nga mënyrat e shumta si falsifikohet identiteti i mallrave të konsumit në Shqipëri.

Pak ditë më parë u njoftua për një punishte, në periferi të Tiranës, ku fshiheshin datat e skadimit të produkteve ushqimore, për t’u zëvendësuar me të reja.

Natyrisht e gjithë kjo bëhet herë për t’iu shmangur detyrimeve ndaj shtetit, dhe herë tjetër për të fituar nëpërmjet mashtrimit, ose keq-paraqitjes së mallit.

Gjetiu dëgjojmë për vaj industrial që aromatizohet dhe pastaj shitet si vaj ulliri ekstra-i virgjër; për kos që përmban niseshte; për detergjentë të holluar me ujë; për mjaltë që përpunohet me shurup sheqeri dhe gjithfarë marifetesh të tjera.

nkieNë përgjithësi, blerësi në Shqipëri bën mirë të supozojë, a priori, që informacioni i jep ambalazhi i mallit dhe identiteti i asaj çka blen synojnë që ta mashtrojnë.

Çka edhe i jep dërrmën marrëdhënies së besimit gjatë transaksionit të shitblerjes; duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e tregut.

Gjithsesi, të gjitha këto falsifikime të identitetit të mallrave kërkojnë shpesh punë intensive prej falsifikatorëve (janë labor intensive). Disa prej tyre madje nuk mund të bëhen veçse me dorë.

Nuk do shumë mend për të nxjerrë përfundimin se kriminelët, ose të gjithë ata që e nxjerrin bukën duke shkelur ligjin, janë nga njerëzit që punojnë më shumë në Shqipëri: qoftë kur transportojnë drogë, qoftë kur pastrojnë para të pista, qoftë kur ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, qoftë kur falsifikojnë pulla fiskale ose u ndërrojnë etiketat djathërave.

Po çfarë pune është kjo? A mund ta klasifikojmë si punë të fshehtë ose të heshtur? Çfarë vlere ka kjo punë në vetvete? Dhe a ekziston kjo vlerë në mënyrë të pavarur nga krimi të cilit i bashkëlidhet? Ja disa pyetje që një ekonomist mund t’u përgjigjej – por jo unë.

Do të më thonë: edhe hajduti që grabit një bankë bën një farë pune; edhe banditi që ndalon autobusin në mes të rrugës; edhe mjektarja që rrjep një plakë të rrjedhur duke i shitur çajin magjik.

E megjithatë, ka diçka industriale te disa nga këto procese; që më shfaqet nëpërmjet imazhit të një kapanoni ku gjithfarë qyqarësh e qyqaresh fshijnë e rishkruajnë, për shembull, datat e skadimit të sallamit ose të kosit.

Dhe këtu më kujtohet një mik imi i dashur, nga kohët e shkollës së lartë; që nuk kish shumë qejf të ulej e të studionte, por që javën para çdo provimi e kalonte të gjithën duke përgatitur kopje të vogla, fishekë letre të kapura me llastik dhe të mbushura me një shkrim mikroskopik, të cilat do t’i përdorte në sallën e provimit.

Dhe këto kopje – vepra arti të mirëfillta, me një kaligrafi të miniaturizuar, që tani më sjell në mend Microscripts të Robert Walser-it – i merrnin doemos më shumë kohë e mundim se po t’i lexonte vërtet dispensat përkatëse.

Por ai kushedi i përkiste asaj kategorie rebelësh, që e ndiejnë veten të realizuar vetëm kur i kundërvihen sistemit; ose kur e shohin veten si përjashtime të rregullave.

Ose mbase vetëm adrenalina shtesë e të kopjuarit i jepte motivimin e nevojshëm, për të ecur përpara; ose edhe thjesht e ndihmonte të ruante imazhin për veten si individ.

Dua të them: sa më shumë që sofistikohet kontrabanda dhe mashtrimi me identitetin e mallit, aq më shpejt i afrohemi atij momenti kur veprimtaria kriminale bëhet objektivisht më e kushtueshme sesa e kundërta e saj, ose përfshirja në tregun e ligjshëm të mallrave dhe të punës.

Mirëpo shohim të ndodhë e kundërta: kriminaliteti i vogël, edhe kur është ekonomikisht jo-rentabël, vjen duke u zgjeruar; sepse mungojnë shanset alternative, ose mundësia për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse të ligjshme.

Duket sikur sot të gjithë po synojnë drejt një modeli ku shoqëria do të përfundojë e ndarë në dy pjesë: shkelës të ligjit nga njëra anë, ruajtës të rendit nga ana tjetër.

Dhe këto pjesë do të kenë pastaj aq shumë nevojë për njëra-tjetrën, sa do të riprodhohen reciprokisht në amshim.

Pa Komente

  1. Shkrimi i Xhaxhait më solli ndër mend teorinë e sjelljes kriminale si vendim racional. Është teoria e ekonomistit amerikan Gary Becker, i cili ka marrë edhe çmimin Nobel. Sipas kësaj teorie, në ekonomi kriminelët sillen në mënyrë racionale, në kuptimin që kërkojnë përfitimin maksimal në një situatë të caktuar rreziku. Faktorët kryesorë që e ndikojnë sjelljen e kriminelit janë tre: mundësia për t’u kapur nga forcat e rendit, rëndësia e dënimit të mundshëm, përfitimi nga aktiviteti.

    Mund të marrim shembullin e evazionit fiskal. Sipas teorisë së mësipërme, krimineli analizon rreziqet e përfitimit që mund t’i sjellë mosrespektimi i ligjeve për pagimin e taksave. Ai merr parasysh përftimin ekonomik, gjithashtu sa do t’i kushtonte respektimi i rregullave, rrezikun se mos e kapin dhe e dënojnë. Me pak fjalë, shqyrton koston e përfitimin nga veprimtaria ilegale.

    Këtë teori mund t’ia zbatojmë edhe realitetit shqiptar, madje edhe duke marrë shembullin që solli shkrimi i mësipërm, pra atë të falsifikimit të etiketave të mallrave ushqimore. Ata që e bëjnë këtë aktivitet kriminal mendojnë kështu: sa fitoj nga ndryshimi i etiketave dhe hedhja në shitje e mallrave të falsifikuara? Sa do të humbja sikur këto mallra do të asgjësoheshin sipas rregullave ngaqë të skaduara? Sa është probabiliteti që të më kapin e të më hedhin hekurat? Kuptohet qartë se formula e aplikuar i lejon kriminelit që ta rrisë aktivitetin ilegal në rast se fitimet janë të larta dhe kur mundësia për t’u ndëshkuar është e ulët. Për fitimet nuk di ç’të them, por për dënimin, mund të pohoj se gjasat janë të pakta, meqë shteti ligjor në Shqipëri ka mangësi të mëdha, pa folur për lidhjen midis politikës dhe ekonomisë kriminale. Rreziku i atyre që bëjnë të tilla gjëra është minimal.

    Si mund të luftohet ky aktivitet i paligjshëm? Nga një anë është e thjeshtë: duke ulur përfitimet nëpërmjet rritjes së probabilitetit të kapjes së autorëve të krimit ekonomik dhe rritjes së dënimit me gjoba ose me burg. Në këtë rast populli do të thoshte: nuk ia vlen barra qiranë; po kështu do të thoshte edhe krimineli.

    Mirëpo, për mendimin tim situata është edhe më e ndërlikuar, sepse nuk ndikojnë vetëm prirjet personale kriminale, por edhe faktorë të tjerë shoqërorë e kulturorë. Për Shqipërinë do të shtoja se ndikon edhe perceptimi i krimit. Në një shoqëri ku mbushja e shisheve me etiketë “ujë mineral” me ujë çezme të ndotur, sa për të dhënë një shembull në prag vere, ose evazioni fiskal, mospagimi i doganës, manipulimi i prokurimeve publike, etj. sa për të dhënë shembuj për të gjitha stinët, konsiderohen si normale, madje shpeshherë në mënyrë pozitive, si “zgjuarsi” për t’ia hedhur shtetit e për t’u pasuruar, atëherë edhe formula të mësipërme, si ajo e ekonomistit amerikan, funksionon deri në një farë pike.

  2. Ka një perceptim se vlera apo rëndësia e tregut të lirë qëndron tek efikasiteti i tij, që për mendimin tim është i gabuar.

    Vlera e tregut të lirë qëndron në aftësitë rregulluese të tij.

    Në këtë kuptim tregu i lirë nuk shkon përshtat me manipulimin; parregullsinë; kaosin. Është kjo arsyeja që tregjet janë shumë të ndjeshëm nga paqëndrueshmëritë politike; sociale; dhuna; dhe cdo lloj parregullsie tjetër.

    Ndërkohë mardhëniet ekonomike priren në përgjithësi të jenë racionale, siç thotë Pishaku, qofshin këto: të lira apo të imponuara e planifikuara; kriminale apo të ligjshme.

    Për shembull, për atë që ka monopol në treg është racionale ta ruaj atë, çka dikton edhe sjelljen e tij.

    Kështu natyra e tregut, apo lloji i ekonomisë përcaktohet nga natyra e aktorëve dhe mënyra se si sillen ata në treg.

    Ndërkohë, aktorët në një treg mund të jenë: oligark, manipulues, të drejtë, për së mbari, naivë, agresivë, të dhunshëm, etj. Por edhe shteti është një aktor në vetvete, dhe natyra e tij, në mos e dikton, e ndikon tregun. Ndaj të flasësh për natyrën apo karakterin e ekonomisë je duke folur për natyrën dhe karakterin e aktorëve.

    Mund të thuash edhe që ekonomia është pasqyruese e kulturës, në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale.

    Dhe sigurisht që kjo nuk i jep dot përgjigje asaj pyetjes që shtron Xha Xhai: “përse jemi ata që jemi?” kur sjell shembullin e atij mikut të vet. Kjo shkon përtej çdo racionaliteti ekonomik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin