Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PREMTIM E ZHGËNJIM

Me romanin e vet të ri Numero zero (Bompiani, 2015), Umberto Eco-ja mund të mburret se ka shkruar ndoshta më të lexueshmin e të gjithë romaneve të tij, pa çka se ashtu edhe ka nxjerrë nga dora më të dobëtin e këtyre romaneve, së paku deri më sot.

Kush nis ta shfletojë (ose ta përpijë), me bindjen dhe shpresën implicite se ka të përsëritë eksperiencën e Il Nome della rosa ose edhe të Il Pendolo di Foucault do të mbetet i zhgënjyer, me autorin dhe me veten.

Një roman relativisht i shkurtër dhe i lehtë, ku pothuajse nuk ndodh asgjë, përveçse personazheve që flasin e flasin pa treguar shenja lodhjeje, për të përftuar një sallatë shakash goliardike dhe marifetesh konspirative.

Teksti nis bukur, si high concept novel: duke prezantuar një gazetë të re, ose më mirë projektin e një gazete të re, e cila në fakt nuk do të dalë kurrë, por pas gjase do të përdoret për të frikësuar dhe shantazhuar qarqe të caktuara të pushtetit në Itali.

numero zeroJemi në vitin sa të largët, aq edhe bashkëkohor 1992; çfarë ishte në fakt edhe një nga arsyet që më shtyu ta lexoj librin menjëherë sapo u botua – meqë në atë kohë kam jetuar në Itali dhe kisha tani vërtet nevojë për një mendje si të Eco-s, që të m’i riorganizonte dhe sistemonte kujtimet.

Kjo gazetë e re, Domani, nuk është se po gatitet vërtet të dalë; redaksia punon vetëm për numra “zero”, ose që i referohen së shkuarës. Të themi, sikur dikush të ulej sot dhe të bënte gati projektin ose bocën e një gazete që do të dilte të nesërmen e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, duke e paralajmëruar njëfarësoj rezultatin.

Sikurse e shpjegon drejtori i gazetës, që u shërben interesave të një “komendatori” misterioz, Domani duhet të jetë e tillë që të parashikojë të nesërmen; sepse në rrethanat kur informacionin e mirëfilltë, për çfarë ndodh, e ka monopolizuar televizioni, atëherë shtypit s’i mbetet veçse të flasë për “të ardhmen.”

Që këtej, synimi i këtyre numrave zero është të dëshmojnë si mund të kish qenë Domani, sikur të ish botuar një vit më parë.

High concept, siç e thashë; aq sa duket sikur Eco-ja ka vendosur të shkruajë si Kurt Vonnegut-i. Vetëm se nuk ndodh kështu dhe Vonnegut-i vetë na lë shëndenë menjëherë pas parashtrimit të konceptit aq joshës; dhe vetë gazeta me provokimet dhe klishetë e saj mbetet në hije.

Faqet më të arrira të romanit i kushtohen mënyrës si punohet në një redaksi cinike, ku gatuhen lajmet për një publik qualunque – pa pretendime intelektuale; dhe ku prandaj zhonglohet me të gjitha paragjykimet dhe frikërat karakteristike të italianit të fillimviteve 1990. Kapitull pas kapitulli, lexuesi ka shans zbavitet me komedinë editoriale që u paraprin dramave për të cilat flasin pastaj kryetitujt e gazetës – duke pritur që pastaj të fillojë të ndodhë diçka dhe jo vetëm që të ketë ndodhur.

Por asgjë nuk ndodh. Rrëfimtari i romanit, një gazetar në të pesëdhjetat, fillon të shoqërohet me një kolegun e vet, Braggadocio, i cili është duke ndërtuar në mendjen e vet dhe në tekstin e romanit një teori komploti të tillë që të shpjegojë të gjitha misteret e Italisë politike të pasluftës dhe jo vetëm: terrorizmin të majtë dhe të djathtë, grushtin e dështuar të shtetit të Valerio Borghese-s, Brigate Rosse, “vitet e plumbit”, skandalin e Banco Ambrosiano-s, lozhën masonike P2 dhe operacionin Gladio (Stay Behind).

Të gjitha këto ngjarje, me të cilat dikur hapeshin lajmet e RAI-t për ne të ngeshmit të përtej Adriatikut, ri-narrativizohen faqe pas faqeje, por nëpërmjet muhabeteve të një gazetari, i cili kërkon të shpjegojë tani gjithçka duke e disiplinuar rastësinë në domosdoshmëri.

Dhe këtu romani mbaron – me një coup de théâtre që ka logjikën e vet, por që sillet prej Eco-s më tepër për t’ia ulur perden një vepre që meritonte shumë më tepër; një intrige që ende nuk kishte filluar mirë; një bisede me lexuesin që mbetet premtim.

Praktikisht Eco-ja i ka dhënë lexuesit një koncept të mrekullueshëm (atë të gazetës zero); një teori komploti që duket sikur ka dalë nga Lavjerrësi i Foucault-it i holluar me ujë; një litani muhabetesh goliardike, me lojëra fjalësh dhe shaka të tjera prej studentësh të lettera e filosofia; dhe një histori dashurie që edhe ajo i referohet fort historisë së rrëfimtarit të Lavjerrësit me Amparo-n, meqë edhe këtu vajza luan të njëjtin rol, si antidot i paranojës konspirative.

Shto këtu edhe që romani është i shkruar thatë; sepse i mungon marrëzia metafizike e Emrit të Trëndafilit dhe ajo tjetra, rinascimentale, e Baudolino-s; sikurse i mungon erudicioni i papërballueshëm i Lavjerrësit, madje edhe intertekstualiteti i Varrezës së Pragës. Vende-vende të duket sikur po lexon ndonjë ese jo dhe aq të frymëzuar të autorit, jo art. Askush nuk pret prej Eco-s prozë poetike, as frymë lirike; por autori nuk ia arrin synimit pikërisht atje ku duhej të kishte shkëlqyer – ose në transformimin e paranojës në realitet letrar autonom; dhe kjo megjithë personazhet, që i ka qëlluar.

Prandaj Numero zero vjen e i ngjason gazetës për të cilën flet: mbetet më shumë premtim për një roman, ose një skicë e një mundësie, sesa shtjellohet në roman i mirëfilltë. Duket sikur autorit i ka humbur interesi, në rrugë e sipër, për ta vazhduar aventurën e personazheve të vet, dhe të vetë Italisë së viteve 1990, kësaj pjelle të keqtrajtuar të komploteve gjysmë-shekullore gjatë Luftës së Ftohtë.

Shënim: romanin mund ta shkarkojmë në Kindle edhe ne që jetojmë në ShBA. Ngaqë s’e dija këtë, shkova dhe e mora në hard cover nga IBS.it; ashtu m’u desh t’i gjeja pastaj vend në bibliotekë. Por Eco-s ia gjej vendin gjithnjë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin