“Testamenti politik” i De Radës, një vepërz e botuar në 1902, parashtron disa ide, plane, sugjerime dhe dëshira të shkrimtarit arbëresh për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan.
Pa u futur në hollësitë dhe sidomos në zanafillën e vizioneve deradiane, po mjaftohem të them se De Rada i shihte shqiptarët veçanërisht të kërcënuar, në atë kohë, nga fqinjët e tyre sllavë dhe grekë, në një kohë që shpëtimin e tyre e shihte te një autonomi e katër vilajeteve brenda Perandorisë Osmane.
Për këtë De Radën e kanë cilësuar dhe ndonjëherë akuzuar si “turkofil.”
Elaboratin e De Radës për çështjen në fjalë nuk e quan dot të paarsyeshëm. Ai shpjegon se jo vetëm Shqipëria do të shpëtojë e paprekur falë bashkimit me Perandorinë Osmane, por edhe vetë Perandoria Osmane do të mund t’u mbijetojë intrigave të Greqisë, të Malit të Zi dhe të shteteve të tjera vetëm duke ua dhënë autonominë shqiptarëve (f. 17).
Ata që po nxitin sot shqiptarët në revolucion kundër turqve, shkruan De Rada, e bëjnë këtë jo ngaqë janë të krishterë, as nga dashuria për ne, por ngaqë duan që Turqia të reagojë dhe ta shkatërrojë idenë e Shqipërisë, që pastaj këta t’ia copëtojnë trojet mes tyre (f. 19-20).
Shpëtimi, sipas De Radës, do të vijë nga “bashkimi i pandashëm” me Turqinë; e cila “nuk na e ka dashur të keqen,” pse “na ka lënë të jetojmë atje ku na gjeti” dhe “nuk synoi kurrë të na e zhdukte kombin.” (f. 30).
Bashkimin “vëllazëror” të Shqipërisë me Turqinë De Rada e krahason me atë të Skocisë me Anglinë, ose të Hungarisë me Austrinë; dhe mendon se ai do t’ia rikthejë “Perandorisë së Kostandinopojës” primatin mes shteteve (f. 30-31).
De Rada gjithashtu shpreson se, me kalimin e kohës, shqiptarët do të kthehen në fenë e të parëve (Krishterimin) dhe pastaj do ta përhapin këtë fe anembanë Perandorisë Osmane; në kuptimin që “il Verbo di Dio” do të përcillet, gradualisht, nga shqiptarët te vëllezërit e tyre turq.
Në mbështetje të këtij vizioni, arbëreshi i madh citon edhe nga një letër e Thimi Mitkos, i cili i shkruan De Radës, mes të tjerash, se “mbarë Shqipëria është me Sulltanin, kundër grekëve. Disa prej të krishterëve të Epirit anojnë nga Greqia, por patriotët më të mirë janë muhamedanët e Shqipërisë.”
Nuk është vendi këtu të diskutojmë arsyet e thella të këtij pozicioni politik të De Radës; as të pretendojmë se e kemi përkthyer me saktësi përfundimtare italishten e tij ndonjëherë të turbullt; por vetëm të japim një ide të përgjithshme për përmbajtjen e testamentit të tij politik.
Këtë e pat vënë edhe Norman Douglas, autor i librit me shënime udhëtimi Old Calabria, të botuar në vitin 1915; ku i kushton De Radës kapitullin “An Albanian Seer” (“Një profet shqiptar”) dhe ku shkruan, mes të tjerash, se në libërthin “Testamento politico” De Rada shtjellon teorinë e tij të preferuar dhe disi të habitshme se shqiptarët nuk mund të kërkojnë ndihmë dhe simpati veçse te vëllezërit e tyre, turqit dhe se, ndryshe nga shumë shqiptarë në të dy anët e Adriatikut, ai ishte një turkofil i spikatur, që e përçmonte “dinakërinë trashamane” dhe “pabesinë arrogante” të grekëve. Për Austrinë, shkruan Douglas-i, armiken më të rrezikshme të lirisë së vendit të vet, ai duket se ka pasur mendim të mirë.
Deri këtu historia.
Arsyeja pse i parashtrova të gjitha këto të dhëna, që përndryshe njihen mirë nga ata që duan të mësojnë historinë, u bë një artikull që gjeta rastësisht në Panorama, me titullin “Norman Dagllas, një bestseller për De Radën”, me autor prof. as. dr. Irakli Koçollari, Rektor i Universitetit “Luarasi”. Artikulli bën një prezantim standard të veprës Old Calabria* dhe pastaj vijon me përkthimin e kapitullit An Albanian Seer (titulli i të cilit jepet “Një seer shqiptar”); përkthimi identifikohet si i bërë nga I. Koçollari dhe I. Qefalia.
Paragrafin e mësipërm, këta dy autorë e kanë dhënë kështu:
Ai parashtron gjithashtu teza të preferuara dhe disi befasuese, përmes së cilës ai pretendon se shqiptarët nuk duhet të shohin për ndihmë apo mëshirë, aq më pak për të shpëtuar, vetëm te vëllezërit e tyre, turqit. Ndërkohë, nga shumë shqiptarë në të dyja anët e Adriatikut ai u shpall turkofil, ndërsa nga grekët akuzohej dhe anatemohej me termat “hajdut dinak” dhe “arrogant i pabesë.”
Për ta kuptuar enormitetin e këtij “përkthimi” kaq krijues**, po i vendos versionet ballë për ballë, në tabelën e mëposhtme (por i ftoj lexuesit të shohin edhe origjinalin anglisht më sipër):
Versioni im | “Panorama” |
[në libërthin “Testamento politico” De Rada] shtjellon teorinë e tij të preferuar dhe disi të habitshme se shqiptarët nuk mund të kërkojnë ndihmë dhe simpati veçse te vëllezërit e tyre, turqit. | [në libërthin “Testamento politico” De Rada] parashtron gjithashtu teza të preferuara dhe disi befasuese, përmes së cilës ai pretendon se shqiptarët nuk duhet të shohin për ndihmë apo mëshirë, aq më pak për të shpëtuar, vetëm te vëllezërit e tyre, turqit. |
Ndryshe nga shumë shqiptarë në të dy anët e Adriatikut, ai ishte një turkofil i spikatur, që e përçmonte “dinakërinë trashamane” dhe “pabesinë arrogante” të grekëve. | Ndërkohë, nga shumë shqiptarë në të dyja anët e Adriatikut ai u shpall turkofil, ndërsa nga grekët akuzohej dhe anatemohej me termat “hajdut dinak” dhe “arrogant i pabesë.” |
Për Austrinë, armiken më të rrezikshme të lirisë së vendit të vet [Italisë, 2Xh], ai duket se ka pasur mendim të mirë. | Prej Austrisë ai është shpallur “armik i kamufluar i lirisë së vendit të tij”, por megjithatë, ky njeri sfidant duket se i ka menduar fare mirë të gjitha. |
Atje ku origjinali shpreh një farë habie që De Rada e shihte Portën e Lartë si të vetmen shpresë për shqiptarët, përkthimi i Koçollarit dhe Qefalisë thotë të kundërtën, dhe pikërisht se teza e De Radës paska qenë që shqiptarët “nuk duhet të shohin” vetëm te turqit për ndihmë; atje ku origjinali vëren se De Rada dallonte nga shumë shqiptarë të tjerë mu për turkofilinë e tij, përkthimi i Koçollarit dhe Qefalisë thotë se De Radën e paskan shpallur turkofil shumë shqiptarë në të dyja anët e Adriatikut; atje ku origjinali thotë se De Rada i përçmonte grekët për “dinakërinë trashamane” dhe “pabesinë arrogante”, përkthimi i Koçollarit dhe Qefalisë thotë se grekët e akuzonin dhe anatemonin De Radën si “hajdut dinak” (!) dhe “arrogant i pabesë”; atje ku origjinali thotë se De Rada kish mendim të mirë për Austrinë, e cila megjithatë ishte armikja më e rrezikshme e lirisë së vendit të vet (Italisë), përkthimi i Koçollarit dhe Qefalisë na jep të dhënën surprizë se Austria e paskësh shpallur De Radën “armik të kamufluar të lirisë së vendit të tij”; dhe se “ky njeri sfidant (!) megjithatë duket se i ka menduar fare mirë të gjitha.”
Kujtoj edhe një herë, për siguri, se ky shqipërim i ngjethshëm është nënshkruar edhe nga rektori i universitetit “Luarasi”, autor i një numri veprash historike të mirënjohura, që kanë për temë arbëreshët; dhe nuk më mbetet veçse të shpresoj se ai nuk e ka kontrolluar vetë përkthimin, që lexohet sikur ka dalë nga dora e dikujt që ka ndjekur veç një kurs të anglishtes për ekskavatoristë; sikurse edhe që asnjë studiues dhe student i historisë dhe i De Radës vetë nuk e ka shfrytëzuar këtë material dhe as ka guxuar ta citojë si burim bibliografik – edhe pse revistat tona akademike, rigorozisht peer-reviewed, nuk shkelin në kësi dërrasash të kalbura.
*Nuk më duket se libri i Douglas-it meriton të quhet “best-seller për De Radën”, meqë ky përmendet vetëm në 4-5 faqe të librit, siç mund të shihet nga indeksi. Por titujt e shkrimeve të tilla zakonisht janë të gazetës, jo të autorëve.
**I hodha një sy përkthimit edhe në pjesën tjetër të kapitullit të nxjerrë nga libri i Douglas-it: nuk m’u duk se shkëlqente, por edhe nuk i gjeta gabimet e hatashme të paragrafit për turkofilinë e De Radës.
2xha” “Për ta kuptuar enormitetin e këtij “përkthimi” kaq krijues** … nuk më mbetet veçse të shpresoj se ai nuk e ka kontrolluar vetë përkthimin…”
Kjo tregon se sa te komplikuara jane aferat ne vendin e shqipeve, ku falsifikimet jane kaq flagrante dhe te trasha, … “but with the best of intentions”.
Vetem ne Shqiperi mund te hahet sapuni per djathe. Bravo Xhaxha per momentin qe na solle!
Pershendetje XhaXha,
Më ndërmendet “Trilogia Albanica” e Arshi Pipës, e përkthyeme ndër vjetët e fundit dhe e botueme vjet krejtësisht prej një shtëpie botuese në Tiranë: gjysma e dytë e vëllimit të tretë të së cilës qe përkthye me anashkalime serioze ndaj origjinalit n’anglisht. Mjerisht zejtarët e sprovuem të kësaj punë mbas njëfarë moshe humbin shumëçka: nijetin, pasionin, vigjilencën, vullnetin… boshllëqe të cilat arnohen prej çirakësh që s’i përkasin kajdes. Kësodore rreziku që ndonjë prumje të pësojnë shqipërimin e gabuem ka gjasë me qenë fort i gjanë, mjerisht.
E kam blerë edhe unë trilogjinë – një botim tipografikisht pa të sharë dhe me siguri i kushtueshëm (po të gjykosh edhe nga çmimi i shitjes), që është financuar privatisht nga Fehime Pipa, e motra e Arshi Pipës. Tani pashë edhe emrin tuaj mes redaktorëve. Meqë nuk e kam origjinalin, nuk shqiptohem dot me siguri për përkthimin – por më duhet të them se kam mbetur shumë i pakënaqur nga pjesa e tretë, e sjellë në shqip nga Myftar Gjana.
Pohoj pjesën e thanë për botimin, asht i kuruem imtësisht.
Meqe kjo eshte nje praktike e rendomte, kam pershtypjen se kur dikush ne Tirane e ne pergjithsi ne trojet e banuara nga studiues te tille aq delikatë, shtie ne dore nje tekst te nje autori te huaj, ai tekst cilesohet si biçim prone private. Ne fund te fundit, tha, une e gjeta dhe bej ç’te dua me te!
te qash me kuje, e te te behet enderr e keqe qe s’te ndahet me sa mbyll syte.
Te qash sepse, si edhe here te tjera, askush nuk do te reagoje: as Universiteti “Luarasi” as profesori i nderuar, as gazeta, as miqte e shumte e De Rades. Kudo tjeter nje fare marrje pozicioni ndaj ketij shtremberimi do te ishte jo vetem normale por detyrim profesional. Por sic duket eshte mesuar akademia (me nder jush) me keto perkthime krijuese kushedi edhe ne emer te “patriotizmit” dhe te tipit “let’s stick it to the enemies of our nation”. De Rada turkofil? Po si guxoni? Po shkoni te lani gojen njehere! Nje universitet serioz qe kujdeset per imazhin dhe ruajtjen e standardeve akademike elementare do duhej te pakten te deklaronte se ky punim kaq entuziazmues nuk ka asnje lidhje me vete institucionin. Po te kishim gazetare te hajrit, ndonje do te interesohej ta shqyrtonte me tej “manipulimin” por kjo kerkon shume prej cave qe deri tani lajmin e benin duke i marre shkrimet taze nga blogu.
Keshtu sic jane punet me vjen te pyes se sa besueshmeri ka ne historiografine tone: ketu e 50 vjet me pare, kur njerezit nuk verifikonin dot asgje, do jete bere kerdia me falsifikime, sidomos ne tekste per perdorim te brendshem.