A mund të ndodhë që një vepër letrare e përkthyer t’ia kalojë për nga vlerat artistike origjinalit?
Pyetja nuk është aq pa kuptim sa ç’mund të duket: sidomos po t’i mbahemi nivelit diskursiv të veprës, ose atij niveli ku edhe ndërhyn përkthyesi.
I cili mund të ndreqë një përsëritje të tekstit burim, një metaforë të keqe, një non sequitur, një frazë të shtrembër, një fjalë të përdorur gabim, një anakronizëm.
Po sjell shembullin e Edgar Poe-s, i cili kurrë nuk është çmuar si shkrimtar i hollë në vendin e vet – ose në kulturën anglo-saksone; në një kohë që në Francë një numër poetësh të klasit të parë e kanë lëvduar si gjeni – falë përkthimeve që ia pat bërë Baudelaire-i.
Këtu nuk vë kush në dyshim roli prej pionieri i Poe-s në lëvrimin e zhanrit horror ose policor, por aftësitë e tij si mjeshtër a magjistar i fjalës; teksa deri edhe Mallarmé-ja e pat quajtur amerikanin si “mësuesin e tij” dhe si le cas littéraire absolu, duke vërejtur, në vargjet e tij, “lojën muzikore të shënjuesit të lidhur me një teori radikale të universit.”
Çuditërisht, edhe përkthimi nolian i “Korbit” të Poe-s mbahet si një kryevepër e shqipes poetike; dhe kushedi me të drejtë, aq sa të themi se edhe Noli e ka përmirësuar origjinalin.
Kritikët anglo-saksonë ngrenë supet edhe përballë suksesit të një poeti relativisht modest dhe gjysmë-folklorik, si Robert Burns-i, në kultura të tilla si ajo ruse (prej nga e solli në shqip edhe D. Agolli) dhe më pas sovjetike. Në 1959, Bashkimi Sovjetik festoi me bujë të paparë 200-vjetorin e lindjes së këtij poeti. Megjithatë, ky triumf i papritur i Burns-it, siç e shtjellon edhe punimi i lartcituar, mund të mos u jetë detyruar vetëm përkthimeve të arrira.
Natyrisht, gjatë përkthimit disa aspekte të veprës letrare ruhen, ndërsa të tjera aspekte krijohen rishtas. Veçanërisht kur është fjala për poezi, dallimi midis krijimit të mirëfilltë dhe përkthimit nuk është punë e lehtë – për të mbetur sërish te D. Agolli, sa afër origjinalit frëngjisht janë poemat e Paul Eluard-it, të përkthyera prej tij (pas gjase, sërish nga rusishtja?) dhe të lexueshme bukur?
Për t’u kthyer te proza, njihet mirë në mjediset letrare lëvdata e pazakonshme që ia bëri Gabrial Garcia Marquez-i përkthyesit të romanit “Njëqind vjet vetmi”, Gregory Rabassa, kur tha se parapëlqente versionin anglisht, ndaj atij që kish shkruar vetë (edhe këtu).
Diçka e ngjashme më ka ndodhur mua, kur kam lexuar romanin Palafox, të Eric Chevillard, përkthyer në anglisht nga Wyatt Mason – dhe rrallëherë kam përjetuar një kënaqësi të tillë nga leximi i një teksti. Chevillard-in natyrisht e mbajnë për mjeshtër të prozës frënge; por edhe niveli i anglishtes së Mason-it (përkthyes në anglishte edhe i Rimbaud-së) vështirë të tejkalohet.
Njëlloj kam reaguar, të paktën intuitivisht, edhe me romanin “Mbrojtja Luzhin”, të Nabokovit, të përkthyer në anglisht nga Michael Scammell, në bashkëpunim me autorin: çfarë më jep një ide si mund të ketë tingëlluar një mjeshtër i fjalës, si Nabokovi, në rusishte.
Përkthimi letrar, veçanërisht kur është i qëlluar, sjell efekte të papritura: kështu do t’i ketë ndodhur, besoj, brezit tim me përkthimin e “Iliadës” në gegnishte nga Gjon Shllaku – një monument letrar i pakapërcyeshëm në llojin e vet. Në sytë e atyre që ishin shkolluar pak a shumë në standard, shqipja e Shllakut tingëllonte po aq e largët dhe heroike, sa ç’do të kish tingëlluar vetë greqishtja e Homerit; efekt që varej sa nga arti diskursiv suprem i përkthyesit, aq edhe nga konteksti kulturor ku qarkulloi ai përkthim, artifakt nga një kulturë tjetër, alternative.
Për shumë arsye, epika homerike e shqipëruar në gegnishte nga Shllaku nuk pati ndonjë ndikim në letërsinë shqipe të kohës, tashmë të përfshirë në ekstazën moderniste të fillmviteve 1960. Përkundrazi, ishte një tjetër “përkthim”, këtë herë brendagjuhësor – ai i “Milosaos” të De Radës të përshtatur nga arbërishtja në shqipen moderne nga Dh. S. Shuteriqi – që do të ndikonte, tërthorazi por në mënyrë vendimtare, poezinë shqipe edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, gjatë viteve 1980.
Fakti është që breza të tërë lexuesish dhe studentësh të letërsisë shqipe e njohën “Milosaon” kësisoj të përkthyer; dhe meqë kemi të bëjmë me një vepër në thelb poetike, gjithnjë ka rëndësi të kujtojmë se kjo kryevepër e letërsisë arbëreshe dhe mbarë shqipe u njoh si e tillë, u përvetësua dhe veproi si faktor letrar jo në formën e vet origjinale, por në një formë të përshtatur në shqipen moderne.
Edhe vlerësimet që i erdhën De Radës dhe pikërisht kësaj poeme nga autorë të kalibrit të Lamartine-it, Hugo-it dhe Mistral-it (“Homeri i Provansës”) doemos mbështeteshin në leximin e veprës në italishte (le të supozojmë se e kanë lexuar).
Kam përshtypjen – por vetëm përshtypjen – se tubimet, konferencat dhe botimet shoqëruan kremtimet e 200-vjetorit të lindjes së poetit e shpërfillën disi këtë fakt; ose pikërisht që De Rada si profet intertekstual i poezisë shqipe moderne është objektivisht larg De Radës poet arbëresh të shekullit XIX.
Krahasimi me efektin Baudelaire në pritjen letrare të Poe-s në Francë nuk qëndron; sikurse nuk qëndron as krahasimi tjetër, me triumfin e Robert Burns-it në Bashkimin Sovjetik; por këta dy shembuj mjaftojnë për të na bindur se dukuria meriton vëmendje, veçanërisht prej studiuesve të letërsisë moderne shqipe.
Madje për “Milosaon” – këtë poemë ndoshta më të madhen të letërsisë shqipe – mund të thuhet se ajo nuk ekziston, në formën e një teksti letrar të mirëfilltë, por vetëm si një objekt i ndërmjetëm, abstrakt e i paarritshëm; i stacionuar në një hapësirë midis formës praktikisht të palexueshme të origjinalit dhe përshtatjeve (përkthimeve) të saj brendagjuhësore, të cilat atij origjinali shpesh ia kanë zënë vendin.
E vertete e bukur 🙂
Disa paqartësi personale: së pari, çfarë mund ta quajmë shndërrimin e tekstit të De Radës nga arbërishtja në shqipe? Përkthim, përshtatje, transliterim apo diçka tjetër? Ç’vlera ka humbur lexuesi shqiptar nga ky shndërrim? Vetë vepra, ka dalë “e fituar” (meqenëse duke e sjellë në shqipe ka zgjeruar hapësirën e komunikimit) apo “e humbur” (për shkak të deformimeve që kanë ndodhur dhe censurimeve të dhjetëra vargjeve)? Si mund/si duhej sjellë kjo vepër që të ruante edhe vlerën e origjinalit, por edhe të ishte e perceptueshme nga lexuesi i gjerë shqiptar? Ju faleminderit!
Arbërishtja e De Radës është relativisht larg shqipes së sotme dhe një De Radë në origjinal do ta ngushtonte detyrimisht rrethin e lexuesve të tij. Ajo që ka ndodhur me të në trojet shqiptare është një përshtatje e nevojshme dhe e vlefshme. Pa atë përshtatje, poezia dhe krejt kultura shqipe do të kish humbur shumë.
Një histori personale: kur u ktheva dy vjet më parë nga Shqipëria në NYC, e pata sjellë me vete një kopje të Milosaos në versionin e Shuteriqit. Aq më pëlqen kjo poemë, sa fillova t’ia lexoj shoqes sime me zë – nga fillimi në fund. Me siguri nuk do ta bëja dot po ta kisha në origjinal; dhe sikur ta bëja, shoqja ime shqiptare e rritur në NYC nuk do të kish kuptuar shumë dhe sidomos nuk do të kish shijuar dot asgjë.
E mira në këtë mes është, siç e ka propozuar shumë vite më parë Kadareja, që të qarkullojnë sa më shumë versione të poemës: origjinali, botime kritike, versione filologjikisht besnike, versione më të lira, madje edhe ritregime.
Më tej, pavarësisht nga çfarë do të ishte filologjikisht korrekte dhe çfarë do të dëshironin “puristët” letrarë, Milosaoja ka qarkulluar e përshtatur dhe ashtu është lexuar dhe përvetësuar nga brezat. Unë nuk do ta quaja mëkat këtë – sidomos po të kemi parasysh sa e admiruar ka mbetur kjo poemë nga lexuesit. Edhe në Itali, shumë arbëreshë, madje edhe me kulturë letrare, nuk e lexojnë dot Milosaon në shqip.
Vite më parë, kur jetoja në Napoli, mbaj mend që një shkrimtar arbëresh pat botuar, te “Katundi ynë”, një listë të atyre arbëreshëve në Itali që mund ta lexonin De Radën në origjinal: i kishin dalë gjithsej nja gjashtë ose shtatë. Ma merr mendja – dhe pavarësisht nga pozat – se shumë arbëreshë e njohin De Radën duke ia lexuar tekstet me italishten përbri; kjo sidomos ngaqë arbërishtja e De Radës ka qenë idiosinkratike.
De Rada ne origjinal eshte vertet i veshtire per shqiptaret e sotem, sikurse jane te veshire per lexuesit e zakonshem autoret e vjeter te Veriut (Buzuku, Budi, Bogdani etj). De Rada eshte po aq i veshtire sa edhe Fishta per te rinjte e sotem nga Jugu. Kemi degjuar shpesh te thone ne Shqiperi se te rinjte e sotem nuk e kuptojne Fishten. A mos duhet ta pershtatim edhe Fishten ne shqipen letrare? Ketu rol te madh ka shkolla dhe menyra si trajtohen keta autore. Duhen botime me tekstin origjinal te shoqeruar me fjalorthe dhe shenime sqaruese gjuhesore. Por duhen edhe mesues te pergatitur.
Ketu problemi nuk jane autoret e veshtire. Ata jane ne rregull. Problemi jemi ne qe nuk i kuptojme dot ata. Prandaj ne vend qe te ndryshojme gjuhen e autoreve, duhet te mesohemi t’i kuptojme ata, te mesojme gjuhen e tyre.
Nuk mendoj se duhet ta masivizojme me çdo kusht kete pjese te tradites sone letrare, sepse rrezikojme ta tjetersojme dhe ta banalizojme ate.
Këtë çështje mund ta vështrojmë në dy mënyra: si është realiteti dhe si do të dëshironim të ishte.
Fakt është që De Rada në Shqipëri lexohet i përshtatur, në atë masë që lexohet. Dhe ashtu, i përshtatur, ka ndikuar fort në zhvillimin e poezisë moderne shqipe, në Shqipëri dhe në Kosovë. Tani unë do të pyes: më mirë të lexohet i përshtatur, apo t’u jepet lexuesve i papërshtatur dhe të mos lexohet më?
Me fjalë të tjera – a jemi gati ta kthejmë De Radën në një nga ato “monumente letrare” që s’i prek njeri me dorë?
Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani nuk vijnë në vështrim këtu, sepse tekstet e tyre pak vetë do t’i lexonin, edhe sikur të ishin shkruar me shqipen standard. Kjo lidhet me synimin e atyre teksteve, dhe deri diku edhe me përmbajtjen.
Sa për Fishtën, unë s’e kam pasur kurrë të vështirë ta lexoj; sikurse s’e kam pasur të vështirë ta lexoj “Iliadën” e Shllakut në gegnishte – por ndoshta unë e kam pasur veshin të thyer, ngaqë jetoja në Tiranë…
Shkolla ka shumë për të bërë këtu; por le të kemi kujdes dhe të mos i mbulojmë këto tekste me naftalinë. Një De Radë i përshtatur dhe i shumë-pëlqyer nga lexuesi është kushedi më i dobishëm për kulturën sesa një De Radë filologjikisht perfekt, por që zë pluhur në raft.
Realiteti është ky që është. Sikurse, për shembull, Ciklin e Kreshnikëve shumica e shqiptarëve e kanë mësuar nga përshtatja që ia ka bërë Kuteli: “Tregime të moçme shqiptare.” Të gjithë i kemi lexuar, të gjithë i dimë përmendsh. Po sa përqind prej nesh i njohin epet e Veriut ashtu siç janë mbledhur?
Sërish pyes: Cikli i Kreshnikëve, si faktor i gjallë, veprues, ndërveprues në kulturën shqiptare sot, nëpërmjet cilit kanal arrin deri te publiku? Kam frikë se përgjigjja do të jetë, sërish Kuteli.
Jetojmë në kohë anti-filologjike. Më duket e kotë të shpresojmë që De Rada, ky poet kaq i çmuar, të lexohet në origjinal gjëkundi, jashtë orës së letërsisë në shkollë. Të paktën ne në Ballkan e lexojmë të përshtatur; ndërsa shumë arbëreshë (në mos praktikisht të gjithë) e lexojnë të përkthyer në italishte. Qofsha i gabuar – por kultura e leximit do qëmtuar jashtë akademisë dhe katedrave të shqipes.
Problemi ne rastin e De Rades nuk ka qene ekzistenca e pershtatjeve te shumta, por mungesa e botimeve me tekstin origjinal. Kam lexuar ne shtyp se vetem tani me rastin pervjetorit te autorit u botua per here te pare ne Shqiperi vepra e tij ne origjinal. Praktikisht deri para nje muaji, lexuesi edhe po te donte, nuk kishte mundesi praktike te lexonte De Raden ne origjinal.
Ciklin e Kreshnikeve nxenesit e shkollave fillore e lexonin sipas pershtatjes se Kutelit, por studentet e kishin mundesine te lexonin tekstet ashtu siç i kane sjelle mbedhesit. Ne rastin e De Rades nuk ka qene kjo mundesi. Ketu eshte dallimi.
Xha xha, pune dreqi me kete risine e pelqimit. Duhet shtuar nje komande konfirmimi se po na shket dora e po na pelqen vetja 🙂
Shume interesant ky diskutim! Per mua riprodhimi i vepres letrare ne nje gjuhe tjeter duhet te synoje te riprodhoje origjinalin dhe jo te krijoje dicka te re. E verteta eshte se “perkthimi” ose prish ose ndreq origjinalin. Me bezdis jashte mase ideja se po lexoj nje veper te permiresuar ose te prishur… une s’para njoh shume mekate, por kete e konsideroj si te tille. Vetem se pa keto perkthime “te shtremberuara”, nga do ia mbanim?
Persa i perket pershtatjeve nga nje version i vjeter i gjuhes ne te riun ose nga nje dialekt ne tjetrin, mendoj se propozimi me i mire eshte ai qe jep XhaXhai duke iu referuar nje keshille te Kadarese. “…që të qarkullojnë sa më shumë versione të poemës: origjinali, botime kritike, versione filologjikisht besnike, versione më të lira, madje edhe ritregime”. Por kjo eshte me e kushtueshme dhe institucionet (si edhe mesuesit) nuk para kane qejf te merren me shume versione. Ndaj puna i mbetet ne dore individit qe zakonisht shkon pas me te thjeshtes, sidomos lexuesi i ri.
Sa here kam menduar ose shkruar nese ka menyre se si mund te shpetohet arberishtja e sotme, i kam dhene po ate zgjidhje: dy gjuhet duhet te rrine prane sa me gjate e sa me shpesh (flas per shqipen dhe arberishten e sotme). Kjo nuk eshte e thjeshte, por eshte e realizueshme, sigurisht nese luhet karta e pacmueshme e shkolles. Kete e them bazuar ne rezultatet fantastike qe ka dhene ky bashkerendim i leximeve nder arbereshe me te kulturuar e me kureshtare. Perzierja e gjuheve tek ta eshte shume e embel dhe organike. Ky lloj komunikimi qe kane arritur ata ne njohurine e tyre gjuhesore ne te dy fushat, eshte nje lloj komunikimi i ngjashem dhe me po ate rezultat kenaqesiprures qe mund te arrinte ai qe do lexonte De Raden ne origjinal, ne arberishten e sotme (te cilit katund??) dhe ne shqip. Kam lexuar disa pjese te Ferrit te Dantes perkthyer ne arberisht me kete menyre, pra dhe ne te ishin sjelle te tria keto grupime njohjeje gjuhesore bashke, dhe ishin shtuar edhe elemente nga arberishtja e vjeter, se perndryshe nuk do mund te perkthehej.
Një nga arsyet pse përkthimi nolian i “Korbit” është vlerësuar pa masë, është sepse: ‘Quoth the Raven, “Nevermore.”‘ në shqip, Noli (i ndihmuar edhe nga gjuha në këtë rast) e ka bërë: ‘Thotë Korbi: “Kurrë m딑. “Kurrë” e shqipes përngjason shumë me krakëllimën origjinale të shpendit, kjo e çon edhe në tingëllimë më afër imazhit të autorit. Frymëzuar nga kjo lojë e vogël e Nolit, tek “Game of Thrones” ka një korb që flet dhe unë po e bëj fjalorin shqp-shqip të vdekur, që t’i qëndroj besnike krakllimës së tij. Mbase po të mos e dija këtë detaj të vogël të “Korbit” të Nolit, nuk do të më kish shkuar mendja ta bëja, ama them se tek “Game of Thrones” në shqip, do kemi të paktën një goxha korb 😉
P.S. Kam dëgjuar që edhe magjistricat makbethiane të Nolit mbahen si një ndër përkthimet më të mira në botë, sërish për shkak të gjuhës së përdorur dhe tingëllimit të fjalëve të tyre në interpretim.
Në hyrje të përkthimit që i bën poezisë “Skënderbeu” të Longfellow-t, vetë Noli thotë se kthimi i një vjershe nga një gjuhë në një tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundshme. Megjithatë, ai provon disa herë përpara kësaj të “pamundshmeje”, përveç të tjerash edhe me Korbin e E.A.Poe, me të cilin janë matur emra si Charles Baudelaire apo Fernando Pesoa. A është ky përkthim i Fan Nolit një fakt i poezisë origjinale, që bën jetën e vet në prodhimin letrar të shqipes, dhe jo i kopjimit të zbehtë të origjinalit? Trajtimi i albanologes ruse M.V. Domosileckaja (Peterburg) “Fan Noli si përkthyes i poezisë së E.A. Po-së”, na drejton në idenë se Noli është bazuar kryesisht në dy parime kryesore:
1) Përpikmërinë e përkthimit (në fushën e ritmit, të metrit, të sintaksës)
2) Drejtshmërinë e përkthimit (shfrytëzimi i kompensimit dhe i analogjive në të gjitha nivelet e gjuhës poetike)
A arrin Fan Noli të krijojë një përkthim ku paraqitet tërësia semantike e veprës, mishëruar në format e ngjashme dhe në stilin identik që mbi lexuesin shqiptar ushtrojnë një ndikim në mënyrë analoge (si tek lexuesit e origjinalit)?
1. Sipas studiueses, vështirësitë e para të punës së Nolit lidhen me mundësitë gjuhësore të shqipes, “formës” së saj: gjatësia e një fjale në gjuhën angleze është 1.5 rrokje, kurse gjatësia e një fjale shqipe është 2 rrokje. Si rrjedhim, Noli ishte i detyruar të shkurtonte detaje të informacionit poetik, që do të thotë se për të krijuar imazhin përkues, ai merr elementin më të rëndësishëm.
Për të ilustruar argumentin, studiuesja rendit disa shembuj:
a) Vargun “While I ponderd weak and weary” Noli e jep “Tek këndonja i zalisur”.
b) Që të arrihet pa varfërimin e përmbajtjes, Noli në disa vende të tjera lë mënjanë hollësitë më pak të rëndësishme: “sculptured bust” e jep “statujë”, ndërsa “fantastik terror” e jep “tmerr”.
c) Vargu “was blessed with seeing” është dhënë me “ka parë”.
ç) Noli bën edhe të kundërtën: e zgjeron epitetin. Për shembull, “in the bleak December” është dhënë “dimr’ i ftoht’ i ngrirë”.
d) Jo rrallë, për të arritur informacionin poetik të përkthimit, brenda një strofe, Noli, duke shfrytëzuar metodën e shpërblimit, pa shkaktuar dëm te konteksti artistik, bën edhe shkurtim, edhe zgjerim. Te strofa 15 kemi: “Temper” – “shejtan i Ferrit të Zi” (zgjerim) dhe “tempest tossed” – “shtrëngata” (shkurtim).
2.Sipas studiueses, veçoritë sintaksore të origjinalit dhe përkthimit paraqiten në këtë mënyrë:
a) Përsëritja e elementeve të tekstit, që janë më shumë se një fjalë (Noli e ndjek shumë shpesh këtë formë), nuk mund të përputhet me kontekstin e origjinalit.
Për shembull (strofa 18): “And the lamp o’er him streaming throws his shadow on the flour:/ And my soul from out that shadow that lies floating on the flour…” jepet “Gjer tani ka parë shpendë mund mbi derë t’odës tij,/ Shpënd’ e shtazë’ mbi statujë mun mi derë t’odës tij…”
b) Dyshimi që përforcon efektin monoton nuk përputhet me kontekstin e origjinalit.
Për shembull (strofa 1): “As of some one gently rapping – rapping at my chamber door” jepet “Edhe kurrë, kurrë më”
a) Gradacioni përputhet sa i përket vendit dhe semantikës, por te Noli është më i shkurtër.
“What this grim, ungainly, ghastly, gaunt, an ominous bird of jore” te Noli jepet “Korb i vrenjtur, i vrerosur, arratisur zall më zall”
ç) Anominacioni dëshmon për mjeshtrinë e madhe të shqipëruesit.
Për shembull: “Doubting, dreaming dreams…” jepet “Ëndërra dyke shikuar që njeri s’ka ëndërruar”
b) Paralelizmin sintaksor Noli e jep po aty ku e ka dhe autori.
Për shembull, “…and so gently you came rapping and so foundli you came rapping” jepet “…aq’e hollë ish trokitja, aq’e lehtë ish goditja”
dh) Kapërcime ndodhin 5 nga 8 në origjinal. Bartje shtohen 2.
Studiuesja arrin në përfundimin se sintaksa është transmetuar në mënyrë adekuate nga përkthyesi, por më poshtë tërheq vëmendjen për transmetimin e strofës.
3. Noli përpiqet t’i qëndrojë besnik “rimës bosht”, por rimat e brendshme i realizon të llojllojshme. Saktësia e rimave, për vetë futjen në këtë kohë të asonancës në shqip, shkon deri 31%, sepse rimon “nxirë-hi”, “thashë-jashtë”, “mvrenjtur-vjetër”. Përputhjet semantike rimore, për vetë vështirësinë e transmetimit nga gjuha në gjuhë, janë të rralla, sidoqoftë, ato që realizohen tregojnë për mjeshtërinë e përkthyesit: ai gjen këto çifte “derary-weary” / “bezdisur- zalisur” ose “napping-tapping-rapping” / “kapitur-trokitur-goditur”.
Studiuesja del në përfundimin se në përgjithësi struktura rrokjesore dhe theksore e vargjeve të origjinalit dhe të përkthimit përputhen.
a) Nga dy prirjet e transmetimit të ritmit dhe të metrit në përkthim – rikrijimi i atyre të origjinalit dhe rrafshimi i tyre sipas traditave të letërsisë pritëse – Noli ndjek kryesisht të parën, sepse ajo nuk është e huaj në kontekstin e poezisë shqipe (pra vargu silabik me tendencat ritmike të ngjashme).
b) Për t’u shënuar është edhe përpjekja e zhdëmtimit gjatë përdorimit të leksikut. Për shembull, “not the least obeisance made he” (solemniteti që e bën humorin plot grotesk) (stil neutral) bëhet “as u fal, as përshëndoshi”, duke shtuar edhe “as bën tjatër punë boshi”.
Ky përkthim, nga ana tjetër, është shumë i rëndësishëm për Nolin poet. Rrjedhimisht, edhe për poezinë shqipe në përgjithësi. Është e njohur se niveli i poezive origjinale te Noli rritet shumë pas përkthimit të “Korbit” të Poes (1919). Mjeshtëria e vargut dhe cilësi të tjera stilistike, që ai i përfton gjatë këtij përkthimi, do ta përcaktojnë krijimtarinë e tij origjinale në të ardhmen.
Duhet të marrim në konsideratë edhe kur ndodhi ky lloj përkthimi: pra kur një letërsi është e re apo në proces formimi, kur një letërsi është e dobët apo periferike dhe kur një letërsi po përballet me një krizë, dhe të dalim në mendimin se në ç’fazë ndodhej poezia shqipe në vitin 1909. Mendimi ynë është se letërsia shqipe po përballej me befasimet e modernitetit.
Që përkthimi është krijim ndjehet sidomos kur lexon më shumë se një përkthim të të njëjtit tekst. Gjuha shqipe ka foljen “shqipëroj” që më duket i jep dinjitet dhe vlerë aktit të kalimit nga një gjuhë e huaj në shqipen dhe shpjegon edhe njëfarë përvetësimi që ndodh gjatë këtij procesi tejet të vështirë.
Që edhe një mjeshtër i fjalës has limite kur do t’i jap një teksti të skalitur në një gjuhë jetë në një tjetër, madje edhe kur teskti është i tiji, kuptohet tek zgjënjimi i Nabokovit kur përktheu “Lolitën” në rusisht. E kishte imagjinuar si një kthim në fole, në habitatin e tij të butë e mirëpritës, por jo:
“Tha ‘wonderous Russian language’ which, I imagined, still awaits me somewhere, which blooms like a faithful spring behind the locked gate to which I, after so many years, still possess the key, turned out to be non-existent, and there is nothing beyond that gate, except for some burned out stumps and hopeless autumnal emptiness, and the key in my hand looks rather like a lock pick.”
Agoni…
Këtu mund të lexohet parathënie (e përkthyer në anglisht)e “Lolitës” ruse:
http://www.csus.edu/indiv/m/maddendw/Lolita%20Preface.pdf