Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

NJË KABA E DALË NGA DHEU

Sa i takon pjesës “Albanian soul” të luajtur rishtazi nga Philharmonic Ensemble – Vienna i Shkëlzen Dolit, me muzikantë mysafirë nga Shqipëria, një debat i ri ka nisur tangjencialisht, në lidhje me autenticitetin e muzikës vetë:

meqë disa kanë filluar të pyesin mos meloditë e sjella si shqiptare, madje si “shpirt shqiptar” ishin, në fakt, tepër orientale; dhe citojnë veçanërisht kabanë e Jugut, si shembull të folklorit muzikal rom (cigan).

Debat interesant, që prek vetë natyrën e muzikës folk: raportet midis traditës dhe huazimit (risive), qarkullimin e saj falë qarkullimit të muzikantëve dhe vetë konsumin e muzikës në një botë pa teknologji të ruajtjes dhe të riprodhimit të tingullit. Tema kërkon qasje serioze, nga shumë anë – edhe antropologjike, edhe muzikologjike. Këtu do të vëreja vetëm se më duket ndërmarrje e pamundur të kërkosh elemente mirëfilli “shqiptare” në muzikën tonë popullore; dhe aq më pak në muzikën orkestrale – sa kohë që dihet se orkestrat folk zhvendoseshin nga një fshat në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën; dhe romët ishin specializuar tashmë prej kohësh në këtë profesion të muzikantit shëtitës.

Nuk e di nëse kabaja e Jugut ka apo jo elemente të muzikës rom, apo të muzikës turke, apo të asaj greke; edhe pse më pëlqen jashtëzakonisht struktura e saj prej koncerti, që i lë mjaft hapësirë improvizimit nga ana e solistit.

Por ky debat i tanishëm, në lidhje me komponentin rom në folklorin tonë, veçanërisht atë instrumental dhe të Jugut, më kujtoi mënyrën si përfytyrohej muzika e Orientit nga Europa Perëndimore, në epokën e artë të muzikës klasike: mjaft të përmend të mirënjohurën “rondo alla turca” të Mozart-it (të njohur edhe si “marshi turk”), që sikurse pjesët e tjera “turke” të Mozartit, imitonte muzikën e bandave të jeniçerëve osmanë, edhe pse pa e rimarrë strukturën e brendshme melodike dhe harmonike të muzikës turke; pa folur pastaj për vallet dhe suitat orientale në operat dhe baletet gjermane, franceze dhe më pas ruse.

Brahms-i, sa për të sjellë një shembull, ka kompozuar katër libra me Valle Hungareze, të cilat në fakt mbështeten në motive të muzikës qytetare (shpesh cigane) të përpunuara nga muzikantë të kohës; të njëjtat që i gjen rëndom në muzikën klezmer të hebrenjve të Ballkanit, me të cilët folklori rom është kryq-polenizuar rregullisht.

Në këtë hulli futen edhe 19 Rapsoditë Hungareze të Liszt-it, të cilat edhe më haptazi mbështeten në motive rom (p.sh. çardashi); pa çka se autori vetë i kujtonte për hungareze të mirëfillta.

Për të kuptuar dallimet ndonjëherë esenciale mes muzikës cigane që mbahej deri atëherë për hungareze dhe muzikës folk hungareze të mirëfilltë, duhej pritur një brez i ri kompozitorësh, si Bela Bartok dhe Zoltan Kodaly, dhe kërkimet e tyre etnomuzikologjike në terren, që çuan në një numër veprash me motive folk hungareze dhe rumune (përtej pjesëve të mirënjohura për piano nga Bartoku, për t’u shënuar këtu edhe vallet e Galantës dhe të Maroshekut, nga Kodaly: nuk njihen aq sa ç’e meritojnë, por ia vlen të shijohen; këtu edhe vallet popullore rumune të Bartokut, transkriptuar për orkestër).

Nuk ka dyshim që, po të flitet për muzikë folk hungareze, njerëzit zakonisht do të mendojnë për rapsoditë e Liszt-it; dhe jam kurioz të di se si i trajtojnë këto rapsodi nacionalistët e Jobbik-ut, të cilët synojnë, mes të tjerash, ta çlirojnë kulturën hungareze nga sundimi i hebrenjve dhe i romëve. Në këtë mes, origjina precize e motiveve të këtyre rapsodive ka shumë më pak rëndësi, sesa fakti që breza të tërë hungarezësh janë rritur me bindjen se ajo muzikë është tyrja autentike dhe shprehje sublime e “Hungarian Soul”; meqë fryma kombëtare në kulturë, për ta thënë me një term didaktik të totalitarizmit, është dukuri dinamike, jo statike dhe aq më pak esencialiste; pa folur pastaj përfaqësimin që i ka bërë ajo muzikë Hungarisë në sytë e publikut anembanë botës këto 150 vjet të fundit.

Muzika popullore shqiptare është kushedi edhe më komplekse se ajo hungareze; sepse atje mpleksen në të elemente të lashta dhe të reja, huazime të vjetra dhe më pak të vjetra, ndikime nga Lindja (Bizanti, Perandoria Osmane) dhe Perëndimi. Këto ndikime nuk i kupton dot jashtë kontekstit si funksiononte muzika në shoqërinë shqiptare para-moderne – elementet e forta rituale, festat tradicionale dhe liturgjia.

Ndonjëherë, lloji i muzikës që luhet përcaktohet nga vetë instrumenti: tjetër diapazon ka lahuta, tjetër çiftelia, tjetër fizarmonika. Edhe shkallët ndryshojnë nga një krahinë në tjetrën dhe ndonjëherë nga fshati në qytet; edhe ritmet. Nëse muzika përpunohet dhe i përshtatet instrumentimit ose orkestrimit modern, atëherë disa ngjashmëri mund të vijnë e të theksohen. I njëjti motiv, i luajtshëm me çifteli, mund të marrë ngjyrim krejt tjetër dhe të tingëllojë si hard rock, po të luhet me kitarë elektrike në overdrive. Disa teknika të përshtatjes së motiveve dhe të ritmeve popullore për ansamble të muzikës së dhomës ose orkestra harqesh janë përpunuar fillimisht në mjedisin kulturor të Europës Qendrore dhe kanë pasur për objekt muzikën sllave, rumune dhe hungareze. Kështu, provoni të dëgjoni Rapsoditë Rumune të Enescu-t (këtu e para; fantastike) dhe të mos shquani atje diçka të identifikueshme si “jona”.

Për shkak të shkallëve dhe ritmeve teke (5/8, 7/8, 9/8), një pjesë e mirë e muzikës folk shqiptare të orkestrueshme do të përjetohet, nga publiku perëndimor, si orientale. Kjo ndodh, besoj unë, për dy arsye – ngaqë këto shkallë dhe ritme gjenden edhe në tradita të tjera folk-muzikore të Lindjes, përfshi këtu Lindjen Sllave dhe Lindjen Osmane; dhe ngaqë publiku perëndimor është mësuar t’i identifikojë këto shkallë dhe ritme si orientale, çka shpesh do të thotë se ato thjesht janë të ndryshme nga kanoni muzikor i Perëndimit. Dallimi nuk është thjesht numerik, as varet vetëm nga shkallët dhe ritmi; por lidhet me ndërveprimin e ritmeve teke dhe të shkallëve me frazën muzikore. Prandaj, sa për të sjellë një shembull, koha e dytë e Simfonisë Patetike të Çajkovskit (e shkruar në 5/4, ritëm tek) nuk tingëllon gjë si “orientale” (mund ta provoni vetë, duke e dëgjuar këtu), sepse fraza e Çajkovskit ndjek modele të tjera.

Për fat të keq, purizmi kombëtarist duket të ketë ndotur tani edhe fushën e njohurive muzikologjike të publikut të gjerë – po të gjykojmë nga disa reagime që pati, në rrjetet sociale por jo vetëm, ndaj pjesës që luajti Shkëlzen Doli në Vjenë. Po mjaftohem të citoj këtu veç një autor (K. Myftaraj) i cili shkruan me këtë rast se:

Kabaja, duke qenë perversion muzikor, nuk mund të jetë aspak shprehje e shpirtit shqiptar në muzikë. Kabaja është thjesht një perversion muzikor. Për këtë arsye është një gabim i madh ai i Shkëlzen Dolit që e paraqiti shpirtin shqiptar në Koncertin e Vienës, në një spot muzikor katërminutësh, që niste me një kaba emblematike, dhe vazhdonte me një muzikë me motive të theksuara orientale, turko-arabe. Nuk është kjo muzika tradicionale shqiptare, e cila mund të sillet si emblemë e shpirtit shqiptar.

Duke sintetizuar në mënyrë lapidare një opinion që, në forma më pak të spikatura, ka zënë tashmë rrënjë në segmente të caktuara të opinionit publik dhe po përcillet nga një tavolinë në tjetrën e nga një forum në tjetrin.

Ky është edhe një nga paradokset e formës esencialiste të kombëtarizmit: që kërkon të mobilizojë nën një flamur a një ide pjesëtarët e një kombi, por duke përdorur metoda në thelb përjashtuese, teksa kërkon kudo esencën: sado shqiptar që të jesh ose të hiqesh ti, nesër do të dalë një tjetër që do të argumentojë se është më shqiptar se ti. Konkluzioni logjik i këtij arsyetimi është se shqiptarë të mirëfilltë praktikisht nuk ka.

Kësaj trysnie psikologjike – në kufi të dhunës – nuk i ka shpëtuar as Shkëlzen Doli vetë, i cili në intervistën që i ka dhënë Top Channel-it e quan muzikën folk të Albanian Soul si “autoktone”, të paktën dy herë; kushedi për t’u dalë përpara kritikave esencialiste që nuk do të mungonin dhe që kushedi i ka dëgjuar edhe më parë.

Pa Komente

  1. Kabaja me motive rome??? OMG! Perse kerkohet te percudnohet cdo gje e bukur shqiptare, autentike, dhe kaq e qarte ne driten e diellit? C’ ishte i nevojshem ky shkrim?
    Ka dicka qe e kam vene re me kohe ne shkrimet tuaja xha xha, keni njefare parehatie sa here qe Shqiperia permendet pozitivisht… Sikur rrini gati, vigjilent per te kerkuar ndonje klecke c’ mitizimi, gjithkund e ne cdo kohe… Uroj shume qe shkaku i kesaj vigjilence te pakuptimte dhe shterruese, te jete mania per te hedhur nje shkrim te ri ne blog, nen nje tjeter kendveshtrim, qe do te ndillte debat, dhe jo ndonje shkak edhe me serioz se kaq…
    Ju kerkoj ndjese per mendimin pa dorashka, por me te vertete nuk e kuptoj dot kete zell per te neperkembur gjithcka te bukur e poztive per nje toke, nje komb te neperkembur prej gjithkujt… edhe neperkembjen e bijve te tij kishte mangut.
    Me sakte: refuzoj ta kuptoj…
    Nuk dalloj asnje grime atdhedashurie ne shkrimet tuaja… dhe me vjen kaq keq per kete.
    Uroj shume te jem gabuar ne cdo fjale qe kam shkruar.

    1. Flokenaja – shkrimi u bë pikërisht për ta denoncuar këtë lloj purizmi. Natyrën e kabasë e ka sqaruar Vasil Tole, në citatin që solli dje Read Me; dhe nuk më takon mua as ta diskutoj as ta vë në dyshim. Ja edhe një herë:
      ****
      Kabaja e luajtur me gërnetë apo me violinë, është llojformimi më i plotë e i përkryer në muzikën popullore iso-polifonike me vegla të Shqipërisë Jugore, që mund të krahasohet fare mirë me koncertin instrumental të muzikës së kultivuar. Ajo është njëkohësisht gjini e formë muzikore, e individualizuar dhe autentike, që shoqërohet me veçori muzikore që ndryshojnë sipas zonave etnokulturore. Në një lloj kuptimi edhe vetë kabaja është pasqyrim i lindjes dhe zhvillimit të muzikës popullore iso-polifonike jugore dhe në veçanti i përsosjes së kësaj gjuhe muzikore. Sipas një vëzhgimi të bërë rezulton se kabaja luhet me fyell, gërnetë, violinë, gajde, buzuk, tambura dhe pipëz. E lidhur ngushtë me formacionet tradicionale popullore, e ato të mëpastajme (sazet), kabaja përfaqëson sot thelbin e repertorit muzikor popullor iso-polifonik. Ajo çka mund të themi është se Kabaja nuk është një llojformim i ri. Origjinën e saj në planin tematik do ta konsideronim dyburimëshe:
      1. Me origjinë nga muzika me vegla tradicionale. (një pjesëshe)
      2. Me origjinë nga një pjesë e muzikës popullore iso-polifonike vokale e traditës.
      Kabaja si formë e ekzistencës së iso-polifonisë në formacionet muzikore me vegla u përsos nga sazet e Shqipërisë së jugut qysh në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX e deri më sot. Në këto 100 vjet njihen fare mirë kabatë me gërnetë në C të Selim Leskovikut, Medi Përmetit, Vangjel Leskovikut (të gjysmës së parë të shek. XX), si dhe ato me gërnetë në Sib të Usta Laver Bariut, Remzi Lelës, Lulushit në gjysmën e dytë të shek. XX. etj.
      ****
      Sa për atë që “nuk dallon asnjë grimë atdhedashurie…” – më mirë të mos e kishe thënë. Sepse nuk thotë asgjë për mua, por flet shumë për ty.

    2. Nuk e di nëse kabaja e Jugut ka apo jo elemente të muzikës rom, apo të muzikës turke, apo të asaj greke; edhe pse më pëlqen jashtëzakonisht struktura e saj prej koncerti, që i lë mjaft hapësirë improvizimit nga ana e solistit.

      Qendrimi i autorit ky. E lexove apo i hodhe nje sy shkrimit dhe konfirmove dhe nje here se ky Xha Xhai ka qellim te rrenoje te gjithe vlerat shqiptare.

      Tani, edhe nese kabaja ka motive rome… SO WHAT? Ca kane romet? Me te mire se ata ne dhe muzika “jone”? Motivi rom, nese eshte, nuk e ben kabane me pak shqiptare apo me pak te dashur apo me pak tonen. Eshte kaq shqiptare sa une nuk mund te imagjinoj dot dasmat, fejesat, synetlliqet, ditelindjet e pse jo dhe morten pa kabane. Fatkeqsisht kemi nje qasje kaq puriste per kulturen tone sa cdo perpjekje per ta kuptuar ate (sa keq qe jeni kondicionuar ta lexoni si cmitizim) duket si nje tentative armiqesore. Jo! Tentative armiqesore eshte te thuash se kabaja nuk eshte shqiptare por orientale. Te thuash se kabaja shqiptare ka, ose mund te kete, motive rome duhet te jete gjeja me e pranueshme per nje shoqeri qe nuk niset nga pozicioni inferior.

      Se Shqiperia eshte neperkembur eshte pershtjellim emocional e jo argument i qene per kete debat. Mesohuni te hyni ketu per te mesuar dicka e per te kontribuar ne lartesimin e debatit e jo nga pozicione mbrojtese ose per te hetuar qellimet e autorit.

    3. Sinqerisht, Flokenaja, ia plaset shpirtin moderatorit dhe shkruesit kryesore te ketij blogu! Sic ta nxori PArrulla zi ne te bardhe ai thote te kunderten e asaj qe i ngjisni ju. Thote edhe qe i pelqen “jashtezakonisht struktura e saj prej koncerti”. Muhabeti rreth etnicentrizmit mund te jete kompleks dhe ju s’e kapet, por kaq duhet ta kishit kapur qe ai nuk e shvlefteson Kabane, perkundrazi.
      Duket ju beni prite, bile edhe imagjinoni mosdashurine kombetare te autorit. Po ti s’mendon se nje njeri me kaq horizont e i lecitur qe te jep nje analize muzikore te tille e ta shoqeron me linke, mund ta mbush blogun e vet me cfaredolloj subjekti e nuk pret t’i vije begatia nga ngjarjet e Shqiperise. Une per vete po degjoj linket qe ka vene ketu Xha Xhai e po bie ne dashuri keq me kaban dhe shembelltyrat e saj!

    4. Jo se e ndiej veten në faj dhe njëfarësoj të detyruar për të dhënë shpjegime, ngaqë Flokënaja më lart qartazi nuk e ka kuptuar shkrimin tim (dhe nuk e ka kuptuar jo sepse ai është i vështirë, por sepse i është qasur me paragjykim dhe kjo është gjëja më e keqe e mundshme në komunikim); pra, jo se i detyrohem kujt shpjegime, por vetëm e vetëm ngaqë dua edhe unë të kuptoj – pra, po e sqaroj sërish se, qoftë edhe nga shkrimi im më lart, besoj se duket qartë që mua më pëlqen shumë kabaja, dhe krejt potpurria muzikore që luajti Shkëlzen Doli; dhe se CD-në e tij me muzikë shqiptare do ta blej sapo të dalë; njëlloj siç kam blerë CD të ngjashme që kanë dalë kohët e fundit; madje – këtu po sjell një rrëfim personal – në vitet 1990 kam dashur të hap një studio regjistrimi në Tiranë, në bashkëpunim me Spiro Dunin (që nuk u realizua vetëm ngaqë pala italiane nuk siguroi paratë), një studio ku do të nxitja regjistrimin e pikërisht jazz-it të mbështetur në motive shqiptare; dhe prandaj më tmerron ideja që një shkrim imi, për këtë çështje, të interpretohet në këtë mënyrë nga një person si Flokënaja, e cila nuk është se më lufton ose nuk më duron dot – ndryshe nga ca të tjerë; pra, si është kjo punë kështu? Vallë nuk mjafton të duash muzikën e vendit tënd, për t’u konsideruar si “atdhedashës” (whatever this means), por duhet edhe të duash pikërisht atë muzikë që disa pedantë, maniakë dhe paranojakë e kanë cilësuar si “mirëfilli shqiptare” në dallim nga ajo tjetra që “është e të tjerëve”, për t’u quajtur atdhetar? Mos duhet vallë që unë, edhe pse e kam ndjekur gjithë jetën me dashuri të madhe muzikën e çdo lloji, të nis të ndjek tani këshillat politike të këtij ose të atij, që më shpjegon se çfarë kam pëlqyer deri më sot nuk paska qenë “autoktone”; apo mos duhet vallë që t’i futem një ndërmarrjeje donkishoteske, për të vërtetuar se gjithçka që më pëlqen mua nga muzika shqiptare është në fakt autoktone? Në fakt jo. Është padrejtësi, edhe nga pikëpamja thjesht etike, që t’u thuash brezave të tërë të shqiptarëve që janë rritur me atë muzikë, janë ushqyer me atë muzikë, kanë qarë e kanë qeshur me atë muzikë, se qenkan gabuar, se ajo qenka e gabelëve, jo mirëfilli shqiptare, prandaj u dashkan çliruar prej saj. Madje jo vetëm padrejtësi: është maskarallëk. Vetë muzika e romëve nuk është ndonjë e dhënë primordiale ose esenciale – duke qenë shëtitës, romët kanë shërbyer si vektor i motiveve muzikore në mbarë Ballkanin; kanë dhënë dhe kanë marrë; dhe mjedisi i tyre kulturor ka shërbyer si laborator i kombinimit të motiveve, ose i polenizimit të kryqëzuar. Siç kanë sjellë te shqiptarët motive të së tjerëve, ashtu kanë marrë motive shqiptare dhe ua kanë çuar të tjerëve. Prandaj edhe qasja esencialiste, ndaj muzikës folk, nuk mund të bëhet prej profanëve, ose njerëzve që nuk e kanë idenë e mekanizmave të përhapjes dhe riprodhimit të kësaj muzike, në kushtet kur teknologjia e regjistrimit nuk ekzistonte; dhe që e kompensojnë padijen e tyre dhe pandjeshmërinë me rigorozitet ideologjik…

    5. Flokënaja, meqë ke marrë mundimin të kërkosh grima atdhedashurie në shkrimet e mia, po të ftoj t’i hedhësh një sy letrës më poshtë, që ia dërgova muzikantit të njohur katalan, Jordi Savall, pasi pashë përmbajtjen e CD-së së tij “Esprit des Balkans”. Kjo letër, që nuk është bërë publike më parë, shpresoj të të ndihmojë për të ndryshuar idenë rreth gjakimeve të mia publike (e kam zët t’i bie gjoksit për këto gjeste, për të cilat ndiej një detyrim moral; por s’e kisha menduar se do të më duhej t’i përdor për t’u mbrojtur…):

      Dear Mr. Savall,

      I have always followed your precious musical work with great interest and admiration; and you have taught me, among many other things, how to listen to Medieval music and apprehend its magic.

      With the same interest and high expectations I began listening to your “Esprit des Balkans” CD; in fact, I had always hoped that someone with your gifts and stature could do justice to that musical area of the world. Unfortunately, and with great disappointment, I found out that folk music from my country, Albania was not represented in the selection.

      Every musicologist will tell you, and I am sure you know, that you cannot talk of the “esprit des Balkans” and yet ignore Albanians’ contribution to this esprit; if there ever were a musical league of the peninsula, Albanians would number among its “charter members”.

      It is quite moving to see that you have included gypsies and Maranos in your program; as it is equally moving to listen to the beautiful Romanian and south-Slav music you have selected. However, Albanian presence would have only added value to your album, while also helping showcase the rest of the pieces, by putting them in the right context.

      I wonder what you would think and how you would feel, if someone came up with an “Esprit de l’Ibérie” album, and left Catalan folk music out of it. In fact, it is perfectly possible to record an album based on Albanian folk music exclusively, and call it “Esprit des Balkans” – because Albanian music is like the fractal image of everything that has circulated around the peninsula in the last 15 centuries at least: we have given and taken, we have copied and been copied, we have gotten lost in the mix and we have become that mix while preserving what makes us different.

      Of course, I don’t know the reason for which Albanian pieces have been excluded from your Balkan music CD and I wouldn’t want to speculate about it; but I can assure you that it is quite unpleasant for anyone to notice that their culture, in fact, doesn’t exist in the eyes of a highly respected Other. However, I am only writing to you with the hope that you will understand my concern, empathize with me and maybe even make up for this omission by recording, in the near future, a CD of authentic Albanian folk music – which is still waiting for a master of your caliber to touch it and put it on the world map.

      Yours truly,

      Ardian Vehbiu

      New York, September 4, 2013

      Savall nuk iu përgjigj kësaj letre. Për albumin kam shkruar më parë në blog te

      ÇFARË I MUNGON BAKLLAVASË

      1. Xha Xha, kur pash reagimet që provokoi shkrimi virtuoz rreth kabasë, më kujtoi gjeli francez një konfesim të Stendhal-it tek “La Vie d’Henry Brulard”: “J’aime le peuple, je déteste ses oppresseurs, mais ce serait pour moi un supplice de tous les instants que de vivre avec le peuple.”– i hidhur farmak.

        Letra ështe me vlerë të madhe për argumentin e shkrimit, dhe flet vëllime për përkushtimin e autorit…

        Për argumentin e autenticitetit, uroj shumë, që legjonet e puristave të kapin ripagëzimin që i bëhet fjalës “auntentike” në letër. Muzika jonë mban stampën e autenticitetit, jo sepse kemi qenë në laboratoret hermetike të estetikës Ballkanike, por sepse “we have given and taken, we have copied and been copied, we have gotten lost in the mix and we have become that mix, while preserving what makes us different.” Përzjerja, shkëmbimi, thithja dhe riorganizimi i influencave që kanë prekur historinë tonë na bën autentik, jo steriliteti purist. Vlen për diskurse të tjera përtej muzikës.

    6. “Nuk dalloj asnje grime atdhedashurie ne shkrimet tuaja… dhe me vjen kaq keq per kete.”

      Flokënaja,

      Vete blogu PTF qe mban Xha Xhai eshte prova me e mire e atdhedashurise se tij, nese duhen prova per kete. Perndryshe te jesh e sigurt se do te kishte gjetur menyra te tjera per ta shkuar kohen.

    7. Një ndërhyrje si kjo e f. më solli ndërmend një histori të më shumë se pesëmbëdhjetë vjetëve më parë. Në atë kohë në fondacionin tonë bënte stazhin një vajzë që ndiqte studimet për sociologji. Meqenëse nga të kthenim kryet sytë do të na zinin ekrane tv-je ku jepeshin ndeshje të atij kampionati që e nxori Francën në krye të futbollit botëror, aty nuk mungonin edhe inskenimet e tifozëve francezë me gjelat e tyre krenarë e të gjithëpranishëm.
      Dikur e pyeta atë vajzën se cili ishte mendimi i saj për atë simbol të çuditshëm të Francës.
      Më tha se kishte dëgjuar shumë interpretime, por ajo më shumë i besonte asaj që i kishte thënë i ati, që kur ajo vetë ia kishte bërë atë pyetje në fëmininë e saj.
      Dhe përgjigja e të atit të saj ishte kjo : francezët kanë zgjedhur gjelin si simbol, sepse ai është i vetmi shpend i zoti të këndojë edhe kur i ka këmbët në mut. U përpoqa me kujdes ta korrigjoj duke i kujtuar se fjalori i frëngjishtes ka edhe fjalë të tjera si glasë, pleh etj.
      Jo, jo tha ajo, babai më tha se gjeli francez këndon edhe kur i ka këmbët në mut.
      E po, thashë me vete, ku e gjejnë forcën t’i edukojnë me këtë modesti e përvujtësi fëmijët e tyre, këta njerëz, paraardhësit e të cilëve e shkëputën botën nga absolutizmi mesjetës dhe e shtynë drejt kohërave moderne?

    8. Më ka lënë shije shumë të hidhur gjesti i Flokënajës – jo sepse shkroi që “nuk dallon asnjë grimë atdhedashurie në shkrimet e mia” – të gjithë themi gjëra që na shpëtojnë, ose ngaqë keqkuptojmë tjetrin; por që e lëshoi këtë cilësim dhe pastaj nuk u kthye që t’i dilte zot, kur e kundërshtova unë dhe kolegë të tjerë. Përfytyroj çfarë do të ndodhte sikur të shkoja unë te blogu i këtij personi dhe t’i thoja “nuk dalloj asnjë grimë inteligjence në shkrimet e tua”: nuk besoj se do t’i vinte mirë dhe do të kish arsye të zemërohej me mua. Kemi vite që japim e marrim bashkë, në distancë; Flokënaja nuk është vizitore e re këtu, ka vite që vjen dhe komenton; dhe një njeri me integritet, kur lëshon një akuzë si ajo më lart, duhet të dijë t’i dalë zot, ose të kërkojë të falur, nëse i ka shpëtuar pa arsye ose i është formuluar ndryshe nga ç’mendonte. Nuk dua të mendoj më të keqen: që ky person vërtet kujton se është në gjendje të shqiptohet, seriozisht, për atdhedashurinë e një kolegu të vet, duke ia njollosur reputacionin publik – sepse Flokënaja më është dukur njeri me këmbë në tokë dhe syçelët dhe që i zë vend fjala. Aq sa komenti i saj zhvendosi vëmendjen nga tema e shkrimit, duke detyruar disa kolegë, përfshi edhe mua, që ta marrin seriozisht dhe t’i përgjigjen (një troll do të ishte trajtuar tjetërlloj). Gjithsesi do ta sillja këtë si shembull të shkeljes së etikës elementare, në komunikimet virtuale mes nesh – nëse ti më gjuan dritaret me gurë dhe më thyen xhamat, ki aq kurajë sa të mos largohesh, para se të më shohësh në sy. Dhe natyrisht, çdo përgjigje pas këtij komenti nuk do të përligjë dot heshtjen e deritanishme.

  2. Kabaja ekziston dhe ne Greqi, ne Epir dhe njihet me emrin “μοιρολόι” (miroloi – fjala e fatit, kenga e fatit ose e mortjes). Luhet kryesisht ne dasma, perben muziken hyrese te dasmes dhe sherben per te nderuar te afermit e vdekur. Tradicionalisht, muzikantet me te mire te “kabase greke” jane rome, shumica derrmuese. Te ashtuquajturit “te bardhe” vijne me vone

  3. Nevojitet nje dite e me pare te zgjerohet botekuptimi yne per “kulturen shqiptare”. E fus ne thonjza sepse ndjeshmeria ime dhe pergatitja intelektuale ne fushen e antropologjise nuk me lejon ta trajtoj ate si dicka te fiksuar ne nje bosht pergjate gjithe historise.

    Ju ftoj te lexoni komentin me poshte per ta kuptuar se sa urgjente eshte nevoja per te cmitizuar “shpirtin” shqiptar pasi ky shpirt po perdoret sipas rastit per te sulmuar ate qe sot te gjithe e dime si shqiptare. Po kerkohet shqiptaria e kulluar ne shekuj jo per ndonje motiv atdhedashurie sesa si mjet per te luftuar elemente qe sot jane shkrire e jane pjese e jone po aq sa lahuta. Flokenaja , ky blog ekziston per te bere vigjilence ndaj mendimeve si ky me poshte qe nisen nga parime perjashtuese:

    – KABAJA, TALLAVAJA, ÇIFTELIA DHE KALLAM KUSURE TE TJERA TURKO ARABE –

    Ajo kabaja – qe me ngjason aq shume me tallavane per nga intonacionet fryma, koloriti(vetem tematika dhe instrumentat ndryshojne), pavaresisht se interpretohet nga shqiptaret, mund te jete popullore, edhe mund te pelqehet nga shumica, por Arberore nuk eshte. Nuk i ka rene njeri kabase ne kohen e Gjergj Kastriotit…Mund ti kene rene ne kohen e Sulltan Sulejmanit e Sulltan Selimit apo Sulltan Pekmezit….Eshte e drejta e gjithkujt qe i fillon kujtesa historike ne vitin 1500 te konsideroje gjithcka nga invazioni turko arabe si popullore shqiptare sepse ne ate cak ka nisur ekzistenca e tyre. Veriu perdor cifteline por une edhe per te them nuk eshte shqiptare, edhe ajo eshte turko arabe. Shqiptare jane lahuta e lashte sa bota, kenga maje krahut dhe polifonia e mrekullueshme e jugut.Te thuash se kabaja e ciftelia perdorej ne kohen e Gjergj Kastriotit eshte po aq qesharake sa te thuash se Skenderbeu hante buke misri….Atij muzikantit te talentuar qe na prezantoi si arab ne Viene me siguri e ka kujtesen historike te voneshme….Pune genesh qe here pas here kercejne “rock & roll”…
    – Keni ketu tre ore muzike turke,( egjyptiane, marokene,mauritania e greqia)…- jane te bukura por shqiptare nuk jane….keshtu qe suksesi ne koncertin e Vjenes eshte nje fiasko…

    k.p. traboini
    6 janar 2015

    1. Bobo, cfare qenka bere ketu 🙁 Lexova vetem komentin ku xha xhai shkruante qe i la nje shije te hidhur mungesa ime e replikes… te tjeret pata frike t’i lexoja se e mora me mend se do jene ne mbrojtje te xhaxhait (edhe pse ai nuk ka nevoje per avokat) dhe ne sulm ndaj meje.:(
      Xha xha te kerkoj ndjese per peshtjellimin qe te kam krijuar. Komenti nuk kishte kurrfare qellimi njollosjeje… me vjen keq qe e ke marre keshtu… Ne koment kam shkruar ” nuk dalloj” jo “nuk ka”… gje qe ka nje ndryshim te madh. Komenti im nuk qe gje tjeter vecse nje alarm, nje thirrje qe ti te vertetoje te kunderten. Komenti ishte thjesht nje ndjesi qe kam patur nga disa shkrime te meparshme… asgje me shume. Mendoj se duhet te bejme kujdes me kete tendencen per cmitizim te cfaredollojshem, perndryshe heroi yne i vetem kombetar do mbetet majmuni.
      Komenti nuk kishte lidhje fare me faktin qe muzika hamendesohej rome, por kishte lidhje me faktin qe hamendesohet jo shqiptare… rome apo franceze kjo eshte fare jashte vemendjes sime. Fakti qe ti reagove ndaj kesaj te ashtuquajture akuze ( e cila nuk eshte qarkore )… eshte edhe nje demonstrim i atdhedashuriae 🙂 E tmerrshme do te qe sikur ti te mos reagoje… Me duhet te shtoj qe komenti im u shkrua me te gjithe respektin e mundshem per ty dhe se xhamat e dritareve i ke te sigurte me fqinje si une ne wordpress…
      Ju kerkoj ndjese komentuesve te tjere qe mund te mos kene lene gje pa thene ne adrese time, qe nuk do t’ ua lexoj komentet, kjo jo per mungese respekti por per mungese kohe… dhe per te njejtin fakt po e kthej kaq vone pergjigjen. E nuk me duket se kam thyer ndonje xham… nese po, me thuaj sa te ben demi…dhe do te ta paguaj…

      1. Ju kerkoj ndjese komentuesve te tjere qe mund te mos kene lene gje pa thene ne adrese time

        Sa keq me vjen qe paragjykimi te ndalon te lexosh komente vertete me vlere dhe qe, me vjen keq te ta them, nuk merren fare me ty! Jo ashtu sic pandeh ti. Nuk ke faj ti sepse realisht keshtu ndodh ne cdo cep (hale) te internetit.

        4 prej komenteve jane te Xha Xhait. Nja dy jane krejt jashte teme dhe veten indirekt te pergjigjen ty ose me mire mendesise qe ti shpreh. Sa per avokatine te siguroj qe kjo nuk ekziston. Ka patur raste kur Xha Xhai vertete eshte sulmuar dhe asnje prej komentuesve me siper nuk ka thene as gjysme fjale ne mbrojte te tij. Kam pershtypjen se kush mori mundin kete here e beri jo per te mbrojtur Xha Xhain sesa per tu mbrojtur nga ti ose me mire nga ajo qe shpreh ti! Ndoshta ky blog vetvetiu terheq nje lloj lexuesi qe deri diku ka qasje te ngjashme me Xha Xhain por te siguroj se shume prej komentuesve ketu nuk ja kane pertuar kur ka qene vendi per te kundershtuar. Hi Relapso!

        Shpesh here nga sulmet e ndryshme ka patur nje tundim ti heqim fare komentet. Kam ngulur kembe dhe do te vazhdoj se nje nga vlerat e padiskutueshme te blogut jane komentet por keto nuk jane akoma ne nivelin e deshirueshem dhe nje pjese e mire jane terhequr dhe preferojne te lexojne ne heshtje meqe ka patur vertete klime teper te tensionuar ne tema vertete te rendesishme si historia e gjuha. E ndjej mungesen e tyre dhe me vjen mire kur ndonje si Ujku i Zi e gjen perseri rrugen ketu.

        Per cdo “mit” qe rrezohet ketu ngrihet nje tjete: mjafton te permend nje shkrim fantastik per kitaristin e talentuar Petrit Ceku, pa permendur shkrime si ai i Lyssit per Elina Dunin. Te benin insitucionet e tjera punen e tyre me po aq perkushtim ca cbehet ketu do kishim nje pasuri e perkujdesje kulturore tjeter. Nuk e them aspak me mburrje per veten por per te vene alarmin per deshtim aty ku investohet me para te taksapaguesit.

        Sinqerisht mu desh te kontrolloj syte nese je apo jo Flokenaja e “Bulevardi i Yjeve”.

        Tani pyesni veten pak: nese vetem nje shkrim mjafton per te rrezuar vlerat kombetare c’thot kjo per keto vlera dhe per ne?

        1. Po, une jam Flokenaja e “Bulevardit te yjeve”, e cila nuk shkruan mbyllur ne nje kulle fildishi dhe qe, edhe ajo e ka nje atdhe… Nuk kuptoj c’ ishte e nevojshme ta permendje librin tim ketu, nuk me duket se jemi ne ndonje konkurs letrar. Nje njeri qe shkruan para se gjithash eshte edhe nje qenie sociale, une nuk jam nga ata autore qe per ta mbajtur mire me te gjithe nuk shprehin kurre nje mendim te tyre individual …nderhyrja juaj eshte e panevojshme, une iu drejtova xhaxhait, me pergjigjen time… vetem nese ju jeni vete ai apo perfaqesuesi i tij ligjor… nuk me pelqen te tjerr pafund replika te panevojshme dhe sqarime shteruese …mirembetshi….

          1. Ja kshu kot ngaqe kisha nje ndjesi te meparshme per flokenajen e atij libri dhe shkrimeve te shumta ne shtyp… asgje me shume.

            Ne rastin tend ama kisha nje ndjesi per mire e me paragjykim te shendoshe qe nuk kercenohet nga c’lexoj ketu. Nuk dua te tingelloj si mesuese por ndoshta te vyen dhe ty qe ti qasesh nje shkrimi per ate qe thote e jo si produkt i vazhdueshem i nje qendrimi te imagjinuar. Natyrisht nuk eshte konkurs letersie e aq me pak konkurs atdhedashurie.

            Ti nuk po beje chat privat me XhaXhain. Debati ishte dhe mbetet i hapur per te gjithe. Pastaj ndoshta pa qellimin tend replika jote mu paraqit si replike ndaj komentit tim dhe e mora kete si ftese te hapur per te dhene nje pergjigje.

      2. “Me vjen keq qe e ke marre keshtu”, thoni ju. Pra keqkuptimi eshte i xhaxhait!

        Mos u tall me inteligjencen e tjetrit. Lexoni shkrimin dhe beni mea culpa 1 qe e keqkuptuat ate. Lexoni letren ne anglisht beni mea culpa 2, qe kaluat ne pergjithesime “se s’dalloje” atdhedashuri.

        Lexoni komentet dhe mea culpa 3, sepse na keni paragjykuar. Te gjithe kane qene me se korrekt, pa cka se ndryshe nga ju e lexuam gjithshka pa keqkuptim, a me mire akoma, pa paragjykim.
        Kjo juaja ishte ndjese bordurash tip “pse mer dak ma merr ters”.

  4. 2xha: …nuk i ka shpëtuar as Shkëlzen Doli vetë, i cili në intervistën që i ka dhënë Top Channel-it e quan muzikën folk të Albanian Soul si “autoktone”, të paktën dy herë.

    Me duket se dokumentari i Top Channel ka qartesuar gjithshka mbi rolin e Dolit ne zgjedhjen dhe re-aranxhimin e pjeses shqiptare, vleresimet qe i kane bere producentet(sebashku me drejtuesit e filarmonise vjeneze) e dokumentarit kesaj muzike, duke i dhene pjeses nje vend te spikatur, dhe lidhjes qe kishte dokumentari me pervjetorin e Unazes se Vjenes(Ringstrasse) dhe Koncertin Vjenez te Vitit te Ri. Keto gjera kane qene te ditura, sebashku se si e qysh(kur e ku) ky dokumentar do te shfaqej qe prej Korrikut te 2014.

    Mendoj se perdorimi nga ana e Dolit te fjales “autoktone” eshte kuptimplote, me vend dhe pa ekuivoke, duke menduar se cfare kupton kjo fjale: e vendit, indigjene, e krijuar ne ato troje ku edhe eshte gjetur dhe luhet.

    Te gjitha kulturat huazojne nga njera tjetra, kjo nuk i humbet autoktonine, origjinalitetin, unikalizmin nje krijimi, qofte edhe nje krijimi muzikor.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin