Batutë, gafë apo captatio benevolentiae?
Përcaktimi i statusit të deklaratës që bëri Kryeministri shqiptar Edi Rama për sindikatat, gjatë konferencës për shtyp me homologun e vet italian Matteo Renzi, është i rëndësishëm, por jo thelbësor. Pra, përkufizimi nëse fjalët e shprehura përbënin batutë apo gafë nuk na shpie në zemër të problemit të politikës e të shoqërisë së sotme shqiptare.
Mediat na njoftuan se, pas vizitës njëditore në Shqipëri të Kryeministrit Italian, u zhvillua një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar (30.12.2014) gjatë të cilës u prekën shumë çështje. Gjithnjë sipas mediave, në lidhje me investimet në ekonomi, Rama u shpreh se sipërmarrësit italianë mund të investojnë në Shqipëri sepse ka taksa të ulëta e nuk ka sindikata. Kjo deklaratë u konsiderua nga dikush si gafë e Kryeministrit shqiptar. “Gafa e Ramës me Renzin. Ejani këtu se nuk ka as sindikata”, titullonte një organ shqiptar shtypi; “La gaffe di Rama: da noi tasse al 15% e niente sindacati”, shkruante një gazetë italiane.
Për ata që e ndjekin politikën aktuale të vendit fqinj, nuk ishte e vështirë të kuptohej se fjalia kishte përbrenda një referim të qartë ndaj realitetit italian. Përndryshe, në kuadrin e politikës shqiptare dhe të debatit publik vendas, deklarata nuk kishte asnjë lloj kuptimi, sepse lidhja e investimeve të huaja me sindikatat nuk është shtruar kurrë si e tillë, sikurse nuk ka pasur ndonjë peshë në dinamikat midis qeverisë shqiptare dhe sindikatave të vendit. Me fjalë të tjera, ecuria e ekonomisë shqiptare as nuk është lavdëruar, as nuk është kritikuar ndonjëherë, as në mënyrë të sinqertë, as instrumentale, as të drejtpërdrejtë, as të tërthortë, në funksion të veprimtarisë së sindikatave shqiptare të cilat, siç është e njohur, kanë probleme serioze në ushtrimin e rolit të tyre, por që përbën gjithsesi objekt tjetër studimi.
Me fjalë të tjera, deklarata e kryeministrit shqiptar në realitet ishte shtojcë e debatit publik italian. Në fakt, u bënë muaj të tërë që qeveria Renzi – sidomos gjatë iter-it të miratimit të ligjit për punën (i ashtuquajturi Jobs act) – ka ndërmarrë një ballafaqim të ashpër me organizatat sindikale, një pjesë e të cilave kanë zhvilluar edhe grevë të përgjithshme për t’i kundërshtuar masat e ligjit të mësipërm, që konsiderohen si të dëmshme për punëtorët. Ka një lloj narrative në politikën aktuale italiane që i përshkruan sindikatat si pengesë të zhvillimit ekonomik dhe si shkak të krizës ekonomike. Nuk është vendi, e gjithsesi mungon koha, për t’i trajtuar këtu arsyet e kësaj narrative dhe për të analizuar saktësinë e pohimit parimisht. Por fakt është që në deklaratën e Tiranës, kapet që përtej detit pikërisht ky fill i ligjërimit publik italian, për t’u shtjelluar më tej, duke e futur në pëlhurën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga kjo pikëpamje, duhet pranuar se Kryeministri shqiptar Edi Rama është tejet i informuar me zhvillimet politike të Italisë, çka flet vetëm në favor të tij. Pra deklarata mund të merret si batutë për t’i treguar homologut të vet se i ndjek me vëmendje zhvillimet politike të vendit të tij.
Kur shndërrohet një batutë në gafë? Kur ajo shprehet jashtë vendit e kohës së përshtatshme, kur nuk është e duhur nga ana kuptimore dhe kur e fut në siklet bashkëfolësin. Batutën e Ramës ndokush e ka quajtur me plot gojën gafë, ndoshta sepse është shprehur në një takim ndërkombëtar dypalësh, ku prania e sindikatave edhe mund të mos përmendej, meqë nuk ishte në rend të ditës si çështje. Dikush mund ta shohë si gafë, po të vihet në vendin e Kryeministrit italian, të cilit nuk i lipsej ajo batutë, për të mos rihapur fronte të reja polemike me sindikatat e vendit të tij, veçanërisht me ato me vokacion antagonist, edhe pse nuk ka deklaruar ndonjëherë se sindikatat janë të dëmshme për ekonominë dhe investimet. Kështu mund të shpjegohet edhe ndërhyrja e shpejtë e Kryeministrit italian, gjatë konferencës së shtypit e pikërisht pas pohimit të Ramës, duke thënë “Bën shaka! Bën shaka!”, në tentativë e sipër për t’ia reduktuar potencën shpërthyese. Matteo Renzi është mjeshtër i komunikimit, ndaj me gatishmëri të pashoqe e kuptoi rrezikun dhe ua hoqi kapsollën atyre fjalëve.
Mirëpo mediat janë media dhe shpeshherë bëjnë gabime në dhënien e lajmeve. Aq më tepër që mediat shqiptare sikur janë më shumë media se të tjerat, e aq më tepër që çuditërisht nuk i dhanë hapësirë kësaj “batute” të Ramës. Atëherë le ta shohim deklaratën e saktë, institucionale, siç është dhënë nga faqja zyrtare e Kryeministrit shqiptar:
Përsa i përket aspektit tjetër, që ka të bëjë me përpjekjen tonë, unë mund të kisha folur, por nuk doja ta vija në vështirësi Matteon, duke u thënë sipërmarrësve italianë që hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk ka sindikata dhe hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk paguani më shumë se 15% të fitimit. Por këto unë ia them në vazhdimësi dhe kam mundësi t’ia them edhe në instanca të tjera. Kështu që nuk dua ta shqetësoj mikun tim dhe në Tiranë nuk ka ardhur që të kujtohet që ka sindikata në Itali, apo të shohë se s’ka sindikata në Shqipëri.
Nga fjalët e këtushme, nuk ka dyshim se Rama është i vetëdijshëm që fjalët e tij mund të jenë problematike për kolegun e vet italian, ndaj edhe ia dërgon mesazhin disi në mënyrë indirekte, pak si larg e larg. Megjithatë në fjalët e Ramës vihet re një farë kundërshtie, sepse po të mos kishte dashur ta vinte në vështirësi homologun, mjaftonte që të mos i shqiptonte ato fjalë që tha. Edhe përmendja e dytë e sindikatave duket disi e pakuptimtë, si për të rregulluar një batutë të shkarë keqas, siç bën gjithkush kur i ikën goja ndonjëherë pa dashje.
Dikujt tjetër, batuta e Ramës mund t’i tingëllojë si shprehje servilizmi për sa kohë mund të gjendeshin formula të tjera verbale për të komunikuar idenë se Shqipëria është mjedis i mirë për investime. Mund të thoshte se Shqipëria i mirëpret investimet e huaja, të cilat do të gjejnë një situatë ideale ekonomike. Megjithatë, kryeministri shqiptar ka parapëlqyer t’i shkelë syrin Renzit, ose më mirë asaj që ai kujton se i pëlqen Renzit, duke i deklaruar në mënyrë implicite se në polemikën midis kryeministrit italian dhe disa sindikatave të vendit të tij, ai mban anën e homologut. E ç’t’u themi atyre që shikojnë në fjalitë e Ramës edhe një ftesë të hapur ndaj atij takëmi “investitorësh” që duan të vijnë në Shqipëri por pa respektuar rregullat?
E kotë t’i hyjmë analizës duke kujtuar se në Itali nuk ka vetëm një sindikatë dhe se qëndrimet e tyre janë shpesh të diferencuara, për arsyen se fjalia e Ramës nuk synon t’u hyjë detajeve politike shpeshherë të ndërlikuara të vendit fqinj. Nga ana tjetër, nuk mund të spekulojmë me interpretimin e deklaratës së Kryeministrit, sepse nuk mund të kalojmë kufirin e kuptimit real të tyre. Megjithatë, nuk mund t’i kundërshtojmë ata që e interpretojnë kështu citimin e mësipërm: Rama e quan pozitive mungesën e sindikatave për ekonominë e një vendi dhe e konsideron Shqipërinë si vend pa sindikata. Pohimi i dytë ka adresë të posaçme, kurse për të parin mund të bëhen disa refleksione.
Me saktësimet e duhura nga ana e institucionit kryeministror, mund të pranohej justifikimi se fjalët e Ramës ishin një captatio benevolentiae ndaj Kryeministrit italian. Gjithsesi, ky lloj artifici retorik është përdorur aq shumë nga politikanët shqiptarë ndër vite, saqë tashmë duket sikur është konsumuar tej mase.
Nga forma tek përmbajtja
Ka shumë përkufizime të sindikatës, për arsye se ka edhe disa lloj sindikatash. Megjithatë, në përgjithësi sindikatat janë ato organizata që përfaqësojnë punëtorët dhe që janë zhvilluar pas konsolidimit të solidaritetit kolektiv në bazë të interesave të përbashkëta. Pa hyrë në detaje të lëvizjes sindikale botërore dhe të nyjëtimeve të ndryshme organizative, të dallimit midis shoqatës dhe lëvizjes, mund të themi në mënyrë të thjeshtuar se sindikatat janë një grup njerëzish që mblidhen së bashku për të shprehur e për të mbrojtur të drejtat e veta.
Ngado që ta shohësh ekzistencën e sindikatës, pavarësisht nga pikëpamjet e gjithsecilit, ajo del gjithnjë e lidhur me demokracinë. Punonjësit janë të lirë të organizohen e “të luftojnë” për të drejtat e interesat e tyre, natyrisht duke respektuar ligjet e rregullat demokratike. Në fakt, sindikatat nuk ekzistojnë në vendet diktatoriale, ose edhe kur krijohen formalisht kanë synime të tjera. Të mos harrojmë se “Bashkimet profesionale” në Shqipërinë e djeshme ishin “leva të Partisë”, pra kishin një rol në konsolidimin e pushtetit, jo të mbrojtjes së punonjësve.
Pra si ta marrim “batutën” e Kryeministrit Rama? Si bindje që vendet pa sindikata zhvillohen më mirë se vendet me sindikata? Si vlerësim se atje ku ka sindikata nuk ka ekonomi të zhvilluar? Nuk është e qartë, sepse po të marrësh shembullin e Italisë kuptohet lehtë se zhvillimi i saj industrial, përfshirë edhe vitet e boom-it ekonomik nga gjashtëdhjeta e këtej, ka përkuar edhe me forcën më të madhe të sindikatës në vend. Pa u zhvendosur në Gjermani, ku vepron sindikata më e fuqishme në botë, e megjithatë vendi nuk ka pësuar ndonjë dëm prej saj, përkundrazi vijon të ecë përpara edhe në kohë krize, duke respektuar e duke përmirësuar gjithashtu gjendjen e punonjësve të saj. Le ta themi hapur se kushtet e punëtorëve shqiptarë me ato të kolegëve italianë, gjermanë etj. nuk kanë krahasim, në favor të këtyre të fundit natyrisht, çka është arritur edhe falë veprimtarisë sindikale.
Në këtë prizëm, vështirë ta shikosh fjalinë e Ramës si batutë simpatike gjatë një konference për shtyp në prag të darkës së vitit të ri. Asnjë vizion nuk mund të gjykohet nga një fjali, por fjalia e mësipërme tregon diçka nga vizioni ekonomik i qeverisë shqiptare dhe nga karakteristikat e ekonomisë së tregut që është instauruar në Shqipëri. Shumëkush mund të jetë kundër sindikatave, dikush tjetër nuk duron një lloj të caktuar sindikatash, çka bën pjesë në lojën e demokracisë, por nuk mund të harrohen absolutisht temat për të cilat organizatat e punonjësve përpiqen çdo ditë: kushtet e punës, solidariteti, përmirësimi ekonomik i punonjësve, siguria në punë, shanset e barabarta, cilësia e punës, të drejtat e sigurimeve shoqërore, paqja, konsulenca juridike për punonjësit, zhvillimi ekonomik, mbajtshmëria ekonomike, mbrojtja e mjedisit, ligjshmëria, etj., sikurse luftojnë kundër shfrytëzimit të njeriut, punës së zezë, pabarazisë ekonomike, aksidenteve në punë, diskriminimeve, racizmit, etj. Tek e fundit dhe in primis njëkohësisht, sindikatat firmosin kontratat e punës.
Sipas ndjeshmërive kulturore, sindikatat përfaqësojnë punonjësit dhe punojnë për zhvillimin e personalitetit njerëzor nëpërmjet përmbushjes së nevojave materiale, intelektuale e morale, nga pikëpamja e individit, e familjes dhe e shoqërisë. Pavarësisht nga metodat që organizatat sindikale përdorin, pavarësisht nga historia që kanë mbi supe, pavarësisht nga të metat dhe limitet e tyre, duhet të pranojmë se ato synojnë respektin e dinjitetit të njeriut.
Nuk mund të mohohet se deklarata e Ramës u drejtohej pashmangshmërish edhe sindikatave shqiptare në vend, sepse fjalia e tij në thelb nuk e pranon ekzistencën e tyre. U takon sindikatave shqiptare t’i përgjigjen kryeministrit shqiptar për vlerësimin që i bëri në një tribunë ndërkombëtare, meqë ishin të pranishme media vendore e të huaja.
Mirëpo edhe trajtimi i çështjes duke e lidhur ngushtë me ekzistencën ose jo të sindikatave është tejet reduktive. Le të kujtojmë së bashku se sindikata janë edhe organizatat e ndërmarrjeve, siç është Konfindustria për shembull, vetëm që këto mbrojnë interesat e punëdhënësve dhe jo të punëmarrësve. Në një dialektikë normale, të një vendi normal, të dyja palët bien dakord me konsensus dhe firmosin marrëveshje, kontrata, memorandume lidhur me temat që trajtojnë si përfaqësuese interesash të caktuara. Pra çështja nuk shtrohet sindikata jo, sindikata po, por çfarë shoqërie kemi ndër mend të ndërtojmë.
Duam një sistem me shoqëri të organizuar, që nëpërmjet shoqatave dhe organizatave të ndryshme përfaqësojnë e shprehin mendimin e qytetarëve dhe mbrojnë interesa personale e kolektive, apo duam një sistem ku nga individi deri tek lideri shtrihet një shkretëtirë sociale, pa formacione të ndërmjetme? Duam një vend pa shoqëri civile, shoqata, grupime, organizata të ndryshme, ku qytetarët organizohen së bashku për të përfaqësuar dhe ushtruar demokratikisht bindjet e interesat e tyre, apo duam një vend ku qytetari bëhet “nënshtetas” e lideri i radhës “monark absolut”? Së fundi, duam një sistem ku përfaqësimi të fillojë e të mbarojë tek ai politik, duke i mohuar tiparet komplekse të jetës njerëzore, apo të nyjëtohet në përfaqësime të tjera, sipas kompleksitetit njerëzor dhe të përkatësive të tij? Tek e fundit, për këto e dilema të tjera shoqërore, mbetet gjithnjë çështje zgjedhjeje e cila, për t’u ushtruar, ka nevojë për liri e vetëdije.
Kultura mbizotëruese në Shqipëri mbetet në thelb asfiksuese për pjesëmarrjen reale të qytetarëve në jetën shoqërore. E ashtuquajtura shoqëria civile nuk e ka zgjidhur çështjen e pjesëmarrjes aktive e të vetëdijshme të qytetarit në jetën e vendit, e si rrjedhojë as problemin e përfaqësimit të anëtarëve të saj. Ato sindikata që ekzistojnë në Shqipëri, që zakonisht shihen me sy të keq, si shumë shoqata të tjera sociale, mund të ishin mjete të rëndësishme për rritjen e pjesëmarrjes në jetën e komunitetit dhe antidot i egoizmit dhe i individualizmit, nga të cilët shoqëria jonë e sotme vuan sistematikisht.
Në këtë drejtim, deklarata e Ramës në fund të vitit të kaluar ka meritën e çmuar se na bën të reflektojmë për tema të rëndësishme të jetës shoqërore.
“Në këtë prizëm, vështirë ta shikosh fjalinë e Ramës si batutë simpatike”
Për fat të keq ajo ishte batuta e shëmtuar e radhës atë ditë e kryeminstirit tonë.
“Asnjë vizion nuk mund të gjykohet nga një fjali”
Nëse nuk gjykohet vizioni i kryeministrit në një konferencë shtypi, atëherë përse i mbledhin gazetarët? Apo që të dëgjojnë batutat e kryeministrave të dy vendeve.
E ndoqa gati të gjithë konferencën e shtypit që u trasmetua direkt në një televizion italian dhe më la një shije vërtetë të hidhur në gojë pasi u bazua vetëm në batuta a lojra fjalësh e aspak përmbajtje.
Ajo e Ramës ishte një gafë dhe ju e thoni edhe vetë pjesërisht sipër: nuk ishte e nevojshme ti shtoje polemika të reja debatit Renzi-sindakata, por edhe debatit që italianët shkojnë të gjithë të investojnë jashtë e shfrytëzojnë punonjësit e vendeve të tjera, etj, etj. Rama tregoi një njohje vërtetë sipërfaqësore të politikës italiane, si tip: lexoj faqen e parë të gazetës dhe e mora vesh lajmin.
Por ç’të bësh: tashmë jemi një vend që po e bazojmë “zhvillimin ekonomik” tek biznesi fason. Ky është vizioni i qeverisë sonë dhe me sa kuptoj i pranueshëm dhe nga një pjesë e mirë e shoqërisë.
Renzi në Itali është “di passaggio”, sindakatat vështirë se do zhduken kollaj. Një politikan me mend në kokë i mendon këto gjëra para se të bëjë batuta, gafa sipas meje.
Deklarata e Rames nuk eshte as batute, as gafe e as per t’i bere qejfin kryeministrit italian.
Eshte nje deklarate serioze qe perputhet plotesisht me programin politik qe po ndjek Rama ne qeverisjen e vendit.
Sipas Rames ne Shqiperi jo vetem qe nuk duhet te kete sindikata, por nuk duhet te kete as ligje, ne menyre qe ai t’i kete duart te lira te beje ç’te doje.
Rama e di mire se po te kishte ligje dhe sindikata ne Shqiperi, ai nuk do te mund te pushonte mijera njerez nga puna sepse ashtu e dashka programi i “Rilindjes”, nuk do te mund te prishte ndertime me leje vetem sepse nuk ishte ai qe e leshoi lejen, nuk do te arrestonte njerez per mospagim te dritave e nuk do ta zevendesonte praktiken e tenderave me ate te prokurimit te drejtperdrejte.
Rama eshte i vetmi socialist ne bote qe mendon se sindikatat dhe ligjet jane pengese per zhvillimin e vendit. Kohet e fundit ka deklaruar disa here se eshte “i vendosur te beje shtet”, jo “shtet ligjor”, por “shtet” ne kuptimin qe i jepte Luigji XIV: “L’etat c’est moi”.
mjedisi i sindikatave, organizatave profesionale (urdherat) dhe organizimi i tyre eshte ndotur nga interesat e bizneseve te politikaneve te ndryshem – duke filluar nga urdheri i farmacistit (tregetaret e ilaceve) deri tek sindikatat e minatoreve (perdorimi i tyre per te zbuar kompanine austriake dhe shitur licencen nje firme shqiptare).
Me ben pershtypje se qeveria Rama ka ne personelin e saj disa eksponente te sinqerte te se majtes qe i kane mbeshtetur rregullisht sindikatat (Leart Kola me kujtohet qe shkoi tek minatoret e bulqizes gjate grevave, ose qendronte tek partizani i panjohur si permendore cdo 1 maj.) Nese PS-ja do ti rregulloje pune vetes per vitet e ardhshme, i duhet te ndertoje nje baze te shendoshe partise si ne rrafshin ideologjik edhe ne ate njerezor. Sindikatat e orfojne kete mundesi. Por interesat e biznesit mesa duket gezojne me shume prioritet sesa mbijetesa e PS-se.
Batuta e Ramës – sepse batutë ishte – duhej të kish ndezur një debat për sindikatat në Shqipëri dhe për fiaskon e shoqërisë civile në atë vend.
Tirana gëlon nga OJQ-të gjithfarësh, ndërsa të flasësh për sindikata u duket shumëve sikur po flet për rinocerontin e bardhë.
Në fakt, në një shoqëri pluraliste normale, sindikatat duhej të zinin vend qendror, ndërsa OJQ-të periferik, diku afër koreve të lagjeve, shoqatave të gjuetarëve dhe të filatelistëve, klubeve të shahut.
Disa të thonë se në Shqipëri nuk ka sindikata, sepse nuk ka industri – ose klasë punëtore. Natyrisht, klasë punëtore nuk ka më, por sindikata, siç e shpjegon edhe Pishaku më lart, është një formacion social që nuk ka lidhje vetëm me klasën punëtore.
Për shembull, një sindikatë e mësuesve ose e infermierëve; ose një sindikatë e fermerëve. Të gjitha profesionet ekzistuese do të përfitonin nga sindikatat përkatëse.
Kushedi Rama mund t’i kish kërkuar Renzi-t ndihmën italiane për organizimin e sindikatave në Shqipëri.
Duke mbrojtur të drejtat e një profesioni ose grupi në marrëdhënie pune të caktuara, sindikatat bëhen palë kryesore në dialogun social dhe ndihmojnë konsolidimin e shtresës së mesme.
Rama mund t’ia kish shpjeguar Renzi-t edhe se investimet italiane në Shqipëri mund të krijonin kushtet sociale, për krijimin dhe konsolidimin e sindikatave te ne.
Italia ka një histori të pasur dhe të vyer të lëvizjes sindikaliste – pa çka se ne (brezi i RAI-t) jemi mësuar të dëgjojmë për sindikatat vetëm kur shpallej ndonjë grevë që “paralizonte” këtë apo atë sektor të jetës publike ose të prodhimit.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë përvojë po aq sa ç’ka nevojë për investimet italiane që do të hapin vende pune.
Kur flitet për vende pune në mediat shqip, zakonisht vihen në fokus fasonët dhe call centers – të cilat vizitohen dhe përgëzohen rregullisht nga politikanët e Tiranës. Nuk mbaj mend të kem dëgjuar që punonjësit në këto industri të jenë të organizuar në sindikata. Me siguri, po të pyes se kush i mbron dhe i çon përpara të drejtat e tyre, do të më thonë “kushtetuta” (po të mos më thonë NATO-ja).
Sindikatat mund t’i krijojnë probleme të mëdha kapitalit; dhe në botën e sotme lëvizja sindikale përmendet shpesh si shkaktare e migrimit të kapitalit drejt vendeve… pa sindikata.
Megjithatë, Shqipëria duhet të jetë në gjendje t’i tërheqë investitorët jo me natyrën primitive dhe të atomizuar të tregut të saj të punës, por me aftësitë produktive në fusha të caktuara.
Aq më tepër që kostoja e jetesës në qytetet shqiptare nuk është aq e lirë sa, bie fjala, në Tailandë apo në Vietnam; madje as aq e lirë sa në Turqi.
Nga ana tjetër, t’i thuash investuesit që eja se ne nuk kemi sindikata, është si t’i thuash që ne nuk dimë të bëjmë asgjë, përveçse të hekurosim; ose që ne jemi aq ngushtë, sa mezi ç’presim të skllavërohemi.
Kohët e fundit është folur mjaft, në shtyp, për arkitekturën italiane në Tiranë. Me siguri ka folur edhe Rama me Renzi-n, kur panë një maket të Tiranës fashiste, të ekspozuar nuk di ku.
Kushedi atje do të ketë rënë edhe muhabeti për dopolavoro-t e Mussolini-t: jo tamam sindikata, por të afërta, për nga synimet dhe përbërja, me to.
Në fakt, Rama ka mbaruar studimet e larta pikërisht në ndërtesën e një dopolavoro-je të tillë në Tiranë: sot Akademia e Arteve.
Xhaxha, jam dakord, sindikatat duhet të ekzistojnë atje ku punohet, çfarëdo lloje pune qoftë. Sindikatat nuk janë gjë tjetër veçse një grup njerëzish që mblidhen për të shprehur e përfaqësuar interesat e ligjshme që kanë, brenda rregullave demokratike.
Para ca kohësh kam takuar një punëtore në një punishte këpucësh në Shqipëri. Kur më foli për kushtet e punës (orari, mungesa e sigurisë, mungesa e pajisjeve mbrojtëse, mospagesa e sigurimeve shoqërore, rroga qesharake, etj.) e pyeta instinktivisht nëse kishte sindikatë në atë ndërmarrje. Buzëqeshi hidhur dhe ngriti supet. Nuk jam i sigurtë nëse e dinte se çfarë roli kanë sindikatat.
Nga ana tjetër, më bëri përshtypje heshtja që përcolli “batutën” e Ramës për sindikatat. Prisja një debat të ndezur, por me sa duket tema nuk i intereson aktorëve të ligjërimit publik shqiptar. E të mendosh që një sindikatë e gazetarëve dhe e punonjësve në media duhet ta kishte ngritur zërin për çfarë i ndodhi koleges shqiptare në Itali, sikurse duhet të kishte protestuar vazhdimisht në rastet kur nuk u sigurohen kushtet e duhura të punonjësve të mediave. Gjërat duken si të ndara, por shpesh janë të ndërlidhura.
Besoj se te gjithe mbetemi te pataksur nga heshtja por nuk e kam te qarte se nga kush duhet te pritej nje reagim meqe te ngresh zerin tani per sindikatat do duhet te kishe ngritur zerin gjate viteve per padrejtesite e shumta qe jane kryer ne kurriz te punetorit. Kemi nje qeveri te majte qe vetem sa ishte ne opozite mund te shquhet per qendrime disi te majta por dhe atehere motivimi nuk ishte ideologjike sesa perdorimi i kritikes per te fituar kapital politik. Dhe ca cuna te majte qe dikur benin kritika te tilla i jane bashkangjitur qeverise e nuk u ndihet me zeri. Kjo heshtje pasqyron dhe nje here varferine totale te shoqerise civile e cila mbahet e gjalle vetem nga donatoret e huaj (ose dhe nga vete qeveria) dhe ka ne agjende vetem politikat qe na imponohen nga keto donatore.
Gjithsesi di qe pati disa komente ne rrjetet sociale por reagimi aty mbetet i izoluar dhe thjesht nje sound-bite. Nje nga shkrimet e vetme qe vertete bente nje analize te majte deklarates se Rames eshte ky i Klodi Lekes botuar tek blogu Organizata Politike.
http://opolitike.org/analiza/rrencat-2/
Reagimet mund të vinin nga shumë drejtime. Së pari nga sindikatat vetë, pastaj nga shoqëria civile në përgjithësi, pastaj nga opinionistët e të tjerë lojtarë në fushën publike shqiptare. Ua njoh të metat, problemet e vështirësitë, por qoftë edhe formalisht lipsej një përgjigje e fortë. Reagimet politike janë zakonisht tejet të interesuara. Ngaqë personalisht kam ndërmend një sindikatë autonome nga forcat politike, që i përgjigjet vetëm anëtarit të regjistruar me vullnet të lirë, nuk pres që të ndërhyjnë në favor forcat politike, edhe pse ato duhet të shpjegojnë se çfarë vizioni kanë për shoqërinë shqiptare. Besoj gjithashtu tek pluralizmi sindikal, por në “batutën” e Ramës nuk flitej për llojin e sindikatës, por për Sindikatën si formacion social. Që këtej edhe nevoja për një përgjigje jo aq shumë ndaj Kryeministrit se sa ndaj idesë që fshihet pas “batutës” së tij.