Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

FILOLOGJIA E LLUMIT

Sot iu ktheva edhe një herë me kujdes paragrafit në fjalë, që u bë shkas për diarrenë e M. Aleksit në “Panorama”, duke e krahasuar versionin tim origjinal me atë që është botuar te Lettera Internazionale.

Vura re se ndryshimet midis versionit tim, madje edhe atij të përkthyer nga A. Doda, dhe tekstit që ka dalë në revistë janë aq të mëdha, sa nuk mund të bëhet më fjalë për gabim, as për lajthitje, por për ndërhyrje të qëllimshme në tekst.

Po e sjell edhe një herë tekstin tim origjinal, për ta vënë përballë versionit të përkthyer. Origjinali (nga Sende që nxirrte deti, Dudaj 2013, f. 107):

Në këtë kontekst, do të shpjegojmë, më në fund, edhe përhapjen virale të një deklarate, përndryshe apokrife, të Ismail Kadaresë; i cili u përfol t’i kish quajtur “jashtëqitja e kombit” refugjatët e krizës së ambasadave, në korrik 1990. Suksesi i këtij memi dhe jetëgjatësia e tij, përtej lidhjes ekskluzive me autoritetin e Kadaresë dhe faktit ironik që vetë shkrimtari i madh do t’i bashkohej kësaj ‘jashtëqitjeje’ pak muaj më pas, ka të bëjë para së gjithash me virtytin kundërpeshues, ose katartik, të metaforës koprologjike.

Lettera internazionale:

In questo contesto si può spiegare anche la dichiarazione inquietante e inaudita dello scrittore Ismail Kadare che ha definito i profughi albanesi rifugiati nelle ambasciate straniere a Tirana, nel 1991, come «gli escrementi della nazione»… Il destino ha voluto che lo stesso Ismail Kadare, alcuni mesi dopo, abbandonasse volontariamente l’Albania e i mecenati del vecchio regime per chiedere “asilo politico” in Francia. Quindi stranamente lo scrittore albanese, da accusatore, è diventato parte di quegli stessi «escrementi». Ecco un modo per controbilanciare e purificare la metafora coprologica.

Atje ku unë flas për “deklaratë përndryshe apokrife”, versioni i botuar flet për “dichiarazione inquietante e inaudita dello scrittore Ismail Kadare” (deklaratë shqetësuese dhe të pabesueshme të shkrimtarit Ismail Kadare); më tej, e tërë fraza “Il destino ha voluto che lo stesso Ismail Kadare, alcuni mesi dopo, abbandonasse volontariamente l’Albania e i mecenati del vecchio regime per chiedere “asilo politico” in Francia” (fati e deshi që vetë Ismail Kadareja, pak muaj më pas, të braktisë vullnetarisht Shqipërinë dhe mecenatët e regjimit të vjetër për të kërkuar ‘strehim politik në Francë’), është e shpikur, sepse unë s’kam folur gjëkundi për strehim politik; dhe veçanërisht pjesa për “mecenatët e regjimit të vjetër” është e shtuar. Më tej, thuhet “stranamente lo scrittore albanese, da accusatore, è diventato parte di quegli stessi escrementi” (çuditërisht, shkrimtari shqiptar u shndërrua nga akuzues, në pjesë të këtyre jashtëqitjeve) – po unë nuk kam folur gjëkundi për “akuzues” në tekstin tim. Më në fund, fraza përmbyllëse “Ecco un modo per controbilanciare e purificare la metafora coprologica” ia vë kapakun kësaj travestie, meqë unë nuk kam folur gjëkundi për purifikim të metaforës koprologjike, por për virtytin katartik të kësaj metafore. Pa përmendur këtu që edhe viti është cituar gabim: duhej 1990, jo 1991; dhe pa përmendur as që viti, me shifra, mungon krejt në versionin që ka dorëzuar në redaksi A. Doda (të cituar në shkrimin tim të mëparshëm): sepse nëse mungonte viti në dorëshkrimin e përkthimit (por ishte në origjinalin shqip), atëherë kush mund ta ketë shtuar në versionin përfundimtar?

Me fjalë të tjera, kush e ka bërë këtë ndërhyrje, nuk ka rregulluar gjuhësisht tekstin e përkthyer, por e ka rishkruar atë, duke e ndrequr sipas midesë së vet, programit të vet ideologjik dhe kushedi edhe hesapeve të veta personale; duke hequr gjëra të miat dhe shtuar gjëra nga xhepi; dhe e kam të vështirë, në këtë pikë, të bëj me faj ndonjë redaktor italian të revistës, meqë puna më duket më shumë e ndonjë shqiptari dinak që e njeh mirë batakun e thashethemeve të Tiranës dje dhe sot, dhe që e ka rishkruar tekstin tim, duke më vënë mua në gojë gjëra që nuk i kam thënë, teksa më paraqit sikur unë ia kam vënë në gojë Ismail Kadaresë gjëra që ai nuk i ka thënë. Një paralelizëm i çuditshëm, por edhe një gjest i një mendjeje sa dinake, aq edhe të cekët.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin